Në vend se ta kritikojë Aleksandër Vuçiqin që nuk e njeh Kosovën shtet, Edi Rama kritikoi Kosovën se u vetëpërjashtua nga “Mini Schengeni”. Një lugë mjaltë, nga ai i humorit në rrjetet sociale, do t’i bënte mirë. Të paktën do t’ia sillte ndërmend se përpara se të jetë kumbar i nismave që diskriminojnë një shtet të ri, do të duhej të punonte më shumë në integrimin ndërmjet Shqipërisë e Kosovës.
Ndonjë fore me mjaltë në rrjetet sociale do t’i vinte shumë për shtati kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq po përpiqen ta çojnë përpara idenë e quajtur “Mini Schengen”, një projekt që duket të jetë i dështuar ende pa nisur mirë. “Mjaltë për Edi Ramën” do të mund të shkruhej në kavanozin plot mjaltë “çudibërës” që “ndihmon” që nga shërimi i sëmundjeve të ndryshme, deri te kalimi i pragut zgjedhor për Nismën dhe çështje të tjera “madhore” siç mund të jetë ajo e frizurave të grave.
Dhe, vërtet, një “ilaç” i tillë mbase do ta qetësonte Ramën nga sulmet dhe kritikat që ia bëri Kosovës, e cila zgjodhi ta injorojë iniciativën, për të cilën u tha të ngërthejë në vete katër liritë e Bashkimit Europian: lirinë e lëvizjes së njerëzve, të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit.
Takimi i parë u mbajt në Novi Sad dhe Kosova nuk u ftua fare. Pra, iniciativa që promovon integrimin sa më të madh të vendeve të rajonit nisi mbrapsht, duke injoruar një ndër shtetet që do të duhej të ishte pjesë e saj.
Në takimin e dytë, në Ohër, Kosova zgjodhi të mos shkojë. Kjo shkaktoi reagimin e ashpër të Ramës. Ideja e “Mini Schengenit” nuk është gjë tjetër veç një përpjekje për t’i angazhuar vendet e rajonit në një projekt që zëvendëson ecjen më të shpejtë të tyre drejt integrimit në BE. Por, është e pakuptimtë dhe joproduktive që Kosova të jetë pjesë e kësaj iniciative, ndërkohë që nuk njihet si shtet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Nuk mund të flitet për qasje dhe status të barabartë të shteteve të Ballkanit, ndërkohë që vazhdon destruktiviteti i Serbisë dhe Bosnjës e Hergegovinës ndaj Kosovës. Për të qenë ironia më e madhe, përderisa Rama kritikonte Kosovën për mospjesëmarrje në takimin e Ohrit, kryediplomati serb Ivica Daçiq njoftonte me pompozitet tërheqjen edhe të një njohjeje të pavarësisë së Kosovës, si rezultat i ofensivës së Serbisë.
* * *
Ndër pikat e marrëveshjes së “Mini Schengenit” është përmendur mundësia për leje të përbashkëta të punës dhe njohja e kualifikimeve dh diplomave të qytetarëve të Ballkanit. Po ashtu, synim është edhe forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar në fushën e luftimit të krimit transnacional dhe terrorizmit. Liria e lëvizjes nënkuptohet.
Por, është pikërisht Serbia që me vite të tëra pengon lëvzjen e lirë të kosovarëve drejt territorit të vet, është Serbia që për vite të tëra, përkundër marrëveshjes, refuzon t’i njohë diplomat e
qytetarëve të Kosovës. Është Serbia, e cila nuk i njeh kufijtë e Kosovës, teksa shtetin më të ri të Europës e konsideron pjesë të veten. Për çfarë projekti serioz integrimi rajonal mund të bëhet fjalë në këtë situatë, teksa Serbia në të gjitha mënyrat lufton shtetësinë e Kosovës?
Ndryshe çfarë ka deklaruar Edi Rama, i cili duket se nuk kursen asgjë për pak më shumë protagonizëm në rajon, Kosova nuk është vetëpërjashtuar nga projekti, por të tjerët e kanë përjashtuar atë, duke mos e konsiderua të barabartë.
Do të ishte plotësisht normale që në një situatë tjetër, kur Kosova të njihet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, të jetë pjesë e procesit. Por jo tash dhe jo vetëm formalisht.
Kosova ka qenë pjesë e Procesit të Berlinit, që është iniciativë e BE’së. Por, Berlini dallon nga Novi Sadi dje, Ohri sot e Durrësi nesër. Dallon, ngase “pronësinë” e projektit po synojnë ta marrin Vuçiq e Rama. I pari që nuk e njeh Kosovën si shtet, e i dyti që e kritikon Kosovën pse nuk po i përgjigjet iniciativave që vijnë nga i pari. Për më shumë, gjithçka po ndodh në një vakum institucional pas zgjedhjeve të 6 tetorit, me një nguti të pashpjegueshme dhe për hesape të paqarta.
* * *
Është absurde që Kosovës i kërkohet të bëhet pjesë e “Mini Schengenit”, ndërkohë që marëveshjet e arritura në Bruksel nuk respektohen nga Serbia. Është basurde që Kosovës t’i kërkohet të jetë pjesë e projektit, ndërkohë që nuk njihet nga dy vende në rajon. Logjika thotë se për të bashkëpunuar, të gjithë akterët duhet të jenë të barabartë. Pa Kosovën “Mini Schengeni” nuk ka kuptim, dështon. Pa Kosovën, dështojnë edhe Vuçiq e Rama.
Mbase një lugë mjaltë, nga ai i humorit në rrjetet sociale, do t’i bënte mirë Ramës. Të paktën do t’ia sillte ndërmend se përpara se të jetë kumbar i nismave që diskriminojnë një shtet të ri, do të duhej të punonte më shumë në integrimin ndërmjet Shqipërisë e Kosovës.
Bebushja Luna Mari Ejlli rrëmben vëmendjen me veshje kombëta...
Hovenier: Falënderues për ushtarët amerikanë që shërbejnë në...
Sveçla: Sulmet në veri, dëshpërim i bandave të dirigjuara ng...
Kelmendi: Mungesa e buxhetit për sistemin prokurorial pamund...
Klubi i karatesë së Policisë së Kosovës fiton katër medalje ...
Xheneta e Gresa tentojnë ta puthin Drilonin, i kërkojnë të f...