Nga: Mentor Nazarko
Vizitat e ministrit të jashtëm grek Kotzias në Kosovë dhe në Shqipëri kishte një objektiv të imponuar nga rrethanat aktuale të Greqisë, në prag apo brenda një krize qeveritare. Ai ishte amortizimi i konflikteve të mëparshme rajonale, në emër të fokusimit të energjive greke tek rimëkëmbja ekonomike. Brenda këtij objektivi ishte detyruese mosmbajtja e qëndrimeve që do të përfaqësonin ndryshime radikale në raport me të shkuarën. Këto ndryshime do të ishin tërësisht të papërshtatshme për një qeveri që mund të rrëzohej dhe nga brenda koalicionit si tregoi parlamenti grek që mes përplasjeve politike dhe protestave të dhunshme votoi paketën e marrëveshjeve me BE. Si përfundim, kjo vizitë e cila u detyrua të ndërpritej në mes, mund të quhet një përpjekje e re e Greqisë për tu dukur miqësore me shqiptarët. Jo thjesht në gjeste si ishte ai përshembull kur në Kosovë, ministri i jashtëm grek piu kafe publikisht me Hashim Thacin. Edhe shakaja me emrin e ministrit tonë të jashtëm ngjante brenda kësaj logjike ashtu si dhe detaje të tjera të vogla.. Por dhe në përmbajtje, megjithë kundërthëniet.
Brenda një konteksti të simuluar miqësor, gjatë kësaj vizite duhen parë disa shenja, disa deklarime më të rëndësishme. Fjalët e mira për emigrantët shqiptarë, për studentët shqiptarë nga një profesor si Kotzias, ndërsa Agimi i Artë si reagim ndaj një vizite të Nanos në Kefalonia, i sulmonte ata një ditë më parë si të egër, pa kulturë, ishin brenda këtij konteksti. Vetë konteksti mbarte pak nga fryma solidaristike e Sirizës e konkretizuar me ligjin për nënshtetësitë. Ky ligj ngjan i favorshëm për shqiptarët (për fëmijët veçanërisht, por ka brenda farën e greqizimit, asimilimit afatgjatë, dhe nuk ka diferenca të mëdha në raport me shtete të tjerë europianë sa i takon parimit të tokës. Ligji ngjan i komplikuar për tu zbatuar prej disa kushteve, shkallëzimeve me moshat, numrin e viteve të shkollës, lidhjen me vitet e qëndrimit të prindërve, etj etj.
Janë disa çështje thelbsore që duhet të jenë diskutuar me gjithë krerët institucionalë shqiptarë(Bushati, Meta, Rama, Basha dhe Nishani). Ngjan se pati unison nga bashkëbiseduesit shqiptarë të Kotziasit për nevojën e abrogimit të ligjit të luftës, por diferencime për çështje të tjera. Presidenti Nishani përmendi në publik çështjen çame në deklaratën e tij për shtyp, kur tha se i kishte kërkuar bashkëbiseduesit të tij grek « njohjen e një kuadri tërësor të drejtash komunitetit çam, duke shquar brenda tyre, të drejtën pronësore. » Por afërmendsh që prej asaj çfarë u bë publike, takimi me përmbajtje të dendur diplomatike ishte ai me Bushatin. Besnik i një tradite të re i të mos publikuarit të takimeve me nivele politike nën veten, por ndoshta dhe si reagim ndaj sulmeve prej zëdhënësit të ministrit grek të jashtëm, kryeministri Rama nuk kumtoi asgjë prej takimit me Kotziasin. Por le të shkojmë brenda takimit dhe mesazheve publike të ministrave të jashtëm.
Çështjet e diskutuara
Për të ashtuquajturën çështje të kufirit detar, ngjan se Greqia ka ndryshuar publikisht qëndrim në raport me të kaluarën kur thoshte se Shqipëria duhet ta konfirmonte marrëveshjen e vjetër. Tani Greqia ka pranuar negociatat që shpalli Bushati para Kotziasit, që s’bëhen veçse për të rishikuar marrëveshjen e vjetër. Në gojën e Kotziasit (edhe në intervistën në Vizion Plus ndihej nguti për t’i përfunduar shpejt ato brenda 2016, ndërsa Shqipëria ngjan e palëvizur në pozicionin se do negociohet gjatë. Pse jo dhe më gjatë se me Italinë me të cilin kishim problematikë më të thjeshtë, dhe nëse s’do ketë marrëveshje do shkohet tek ndërmjetësimi, apo tek Gjykata ndërkombëtare. Gjithsesi po nga Bushati u tha për këtë çështje « kemi më shumë pika të përbashkëta sesa ato që na ndajnë ».
Ministri grek foli në favor të integrimit europian të Shqipërisë duke konfirmuar një marrëveshje të diskutuar prej kohësh nga paraardhësi i tij Venizelos, sipas të cilit pala greke nuk do ta kushtëzojë këtë integrim me çështje që s’kanë lidhje me të. Megjithatë ai përmendi vazhdimisht se «do kemi qasje kreative ». Çdmth kjo qasje në optikën greke-nuk u kuptua mirë!
Ministri Kotzias tha se do ta mbështesim Shqipërinë për korridoret, rrugët energjitike, etj, sipas një qasjeje përfshirëse dhe jo përjashtuese. Për cilën rrugë e kishte fjalën ? Për gazsjellësin Turkish Stream si projekt i Rusisë, Turqisë dhe Greqisë së ftuar kohët e fundit? Sot Greqia nuk ngjan se vendos gjë në rrugët rajonale, apo botërore.
Dy palët folën për Traktatin e miqësisë. Në kuadër të mbarimit të fuqisë së tij 20 vjeçare do negociohet një traktat i ri, që do të përfshijë dhe çështje të tjera. Për të, megjithatë duhet thënë se në këto 20 vjet ai nuk është zbatuar për kërkesat e palës shqiptare, por veç për palën greke që ka arritur përgjithësisht çfarë ka dashur. Kjo ka ndodhur megjithëse teksti është imponuar tërësisht nga grekët, si bëjnë të ditur anëtarë të grupit të punës në 1996. Nuk gjen asnjë moment respektimi për cështje pronësore, arësimore, kulturore, gjuhësore, të shqiptarëve në Greqi. S’ka bilanc për të drejtat historike të shqiptarëve në territorin grek.
Momenti tjetër më interesant në mesazhet publike të dy ministrave ishte ai për Ligjin e Luftës. Kotziasi kishte të drejtë kur tha se nuk ekziston gjendja e luftës, por aman në sistemin grek ekziston ligji me atë emër, që s’është shfuqizuar shprehimisht, ndërsa pala greke pretendon se e ka dënuar me mospërdorim. Ligjet e luftës 2636 dhe 2637 të 1940-ës, kishin tre pasoja kryesore : shpalljen e gjendjes së luftës (shteti shqiptar, qytetarët shqiptarë konsideroheshin armiq) dhe ushtritë në konflikt ; bllokimin e pasurive që do përdoreshin nga Greqia dhe paratë e përdorimit do futeshin në fondin e dëmshpërblimeve pas luftës. Pasoja e tretë sipas rregullave zbatuar rëndom pas Luftës ishin pretendimet territoriale ndaj Jugut tonë, që shërbeu dhe si »vend sulmi ndaj Greqisë. » Është e vërtetë se për shkak të një numri të madh marrëveshjesh dypalëshe, vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, anëtarësimit në NATO të Shqipërisë, etj, midis dy vendeve nuk ka gjendje lufte, por ama ka disa probleme të tjera. A do konsiderohet Shqipëria armike akoma si u quajt nga mbretëria greke në 1940? Si pasojë a do vazhdojë akoma politika zyrtare greke të quajë komunitetin cam, dmth shtetasit grekë me kombësi shqiptare -komunitet bashkëpunëtor, ndaj të cilit u bë genocid për shkak të kombësisë dhe fesë duke përdorur analogji inekzistente me italianët e Istrias apo gjermanët e Sudeteve?
Në një intervistë të vetën në Top Channel, ministri Bushati la të kuptohej se ligji i luftës do të konsiderohej nominalisht si i shfuqizuar nëpërmjet marrëveshjeve të reja midis dy vendeve, duke nënkuptuar se kjo do të kishte pasoja praktike për qytetarët tanë. Si? Kjo nuk u shpjegua, por Kotziasi nga ana e vet përsëriti qëndrimin e mëparshëm zyrtar grek se qytetarët shqiptarë duhet t’i drejtohen gjykatave greke për problemet pronësore. Brenda këtij grupi ai diferencoi në intervistën për Vizion Plus pa përmendur nominalisht çamët e dënuar nga gjykata e Janinës dhe familjarët e tyre në 1946. Atëherë pritet ta shohim ndryshimin në sjelljen greke, ndërsa pala shqiptare vërtet duhet të bëjë një konsulencë profesionale për të adresuar pasojat e shfuqizimit të ligjit të luftës, sa i takon pronave. Hapja e një kapitulli të tillë nëse do zbatohej ligji do të ishte një kokëçarje e përafërt për Greqinë me atë të kreditorëve europianë. Greqia do duhej të hapte një kapitull të ngjashëm me maqedonasit, me hebrenjtë, etj, etj.
Në takimin 20 minutësh kokë më kokë, që i parapriu takimit të dy delegacioneve me gjasë është kërkuar që të mos përmendet nominalisht çështja çame.Nuk u tha asgjë publikisht për largimin e PDIU-së nga qeveria dhe as u kërkua ndonjë gje publikisht për minoritetin. Ndërkohë dy diplomatët do t’i referoheshin çështjes çame publikisht si cështje historike (kështu e quajti Bushati), ndërsa Kotziasi tha se ne duhet të shohim nga e ardhmja, nga brezat e rinj, në kundërshtim me ata që duan të na mbajnë prapa tek e kaluara dhe kështu Kotziasi nuk përmendi nominalisht çamët as në intervistën e tij. Por pyetja është : pse Greqia vetë ngre cështjen e dëmshpërblimit prej gjermanëve, kur ka vendime konferencash ndërkombëtare që e kanë mbyllur këtë kapitull? Pse Shulci, presidenti i Parlamentit Europian kërkon falje pas 70 vjetësh për masakrën e Borovës?
Kjo ishte një sprovë lexuese e kundërthënieve në sjelljen greke brenda një retorike shumë të lehtësuar nga fqinji, pozitiviste përgjithësisht ndërsa Shqipëria ju mbajt me forcë qëndrimeve të mëparshme të kësaj qeverie.
LDK thërret konferencë për media, nuk dihet arsyeja
2 Korriku njofton se ka përfunduar marrëveshja me akademinë ...
Aksidenti në rrugën Pejë-Prishtinë, 22 persona marrin trajti...
Casado për Pedrin: Ai është një nga më të mirët në pozicioni...
Përplasen 2 automjete në aksin Korçë-Pogradec, 2 të lënduar
Dënohet me 18 vite burg pronari i hotelit që u shemb nga tër...