20-vjeçarët gjermanë nuk e kujtojnë dot se ka pasur një kohë edhe pa Angela Merkelin. Ajo është prej 12 vitesh gruaja lidere e Gjermanisë, e kësaj me gjasë mund t’i shtohen 4 vite të tjera. Traditë që njihet në Gjermani.
Kush do të dijë, pse Angela Merkel vazhdon të qeverisë e pakundërshtueshme, duhet t’i hedhë sytë jashtë partisë së saj. Tek Të Gjelbrit, në të vërtetë kundërshtarët e natyrshëm të konservatorëve, gjen shumë lëvdata për kancelaren. Merkel ka bërë atë që e kërkonin gjithmonë Të Gjelbrit- daljen nga energjia atomike, futjen e refugjatëve dhe azilkërkuesve.
Sukses në mënyrë presidiale
Fjalë të mirë thotë edhe Sigmar Gabriel, ish-kryetar i socialdemokratëve, dhe ministër i Jashtëm, partia e të cilit duket e dëmtuar në mënyrë afatgjatë, sepse në rolin e partnerit të dytë në koalicion, ajo u zvogëlua gjithnjë e më shumë. „Gjithnjë e drejtë, gjithnjë e fortë”, u shpreh Gabriel në seancën e fundit të Bundestagut para zgjedhjeve.
Tani Merkel kërkon mandatin e katërt. E duket se gjermanët nuk janë ngopur ende me Merkelin. Demoskopët japin vlera që e nxjerrin Merkelin në krye, duket se zgjedhjet janë përcaktuar, sikur të mos ishte barra e një mandati të katërt.
Edhe Helmut Kohl kërkonte në vitin 1994 mandatin e katërt. Pas bashkimit gjerman, përpara tij qëndronte projekti euro,Wolfgang Schäuble, atëherë princi trashëgimtar në CDU, nuk besonte se Kohl do ta arrinte unifikimin e valutës. Kështu Kohl qëndroi.
Rreziku i mandatit të katërt
Por katër vitet e fundit, sidomos viti i 13 deri në të 16-n, ishin më shumë si strofa e fundit e një kancelari të ngrirë në përmendore për Helmut Kohlin. Në fund njerëzit ishin të ngopur dhe kishte ardhur koha e Gerhard Schröderit. Po kështu edhe Konrad Adenauer filloi në vitin 1961 mandatin e katërt, por arriti vetëm gjysmën e legjislaturës
Protestues kundër Merkelit për politikën e saj ndaj refugjatëve…
Merkel e mendoi gjatë, nëse do të kandidonte për herë të katërt. Arsye për këtë ajo ka. Vera e vitit 2015 ishte një pikë kthese. Rreth 1 milionë refugjatët që erdhën në vend, i kushtuan Merkelit gati postin e kancelares, kaq i fortë ishte tërmeti në CDU. Nga ana tjetër ajo u paraqit si nëna kurajoze në gati të gjitha sferat e tjera të shoqërisë dhe politikës. Megjithatë tema e refugjatëve i kushtoi asaj shumë fuqi. Edhe sepse fjalinë e shumëkomentuar „ne ia dalim mbanë” ajo e rikapi dhe u hap ndaj kritikëve.
Ndër arsyet që e bënë Merkelin të kandidojë për herë të katër, shpesh përmenden trazirat politike jashtë Gjermanisë. Trump, Brexit, kriza në BE, populizmi i djathtë, Putin, Erdogan. Merkel shihet si poli i qetësisë në kohë të trazuara. Por këtu nuk duhet harruar edhe faktori i pushtetit. „Ti duhet të kandidosh!”, i kishin kërkuar me radhë miqtë e partisë së saj, kur ajo po reflektonte për mandatin e katërt, rrëfeu Merkel në kongresin e partisë në dhjetor. Me sa duket ajo vendosi të rikandidonte, kur u bë e qartë më 9 nëntor, se Donald Trump i kishte fituar zgjedhjet në SHBA.
Nga karriera e saj e mëparshme ka mbetur fjalia se nuk do ta ndalë karrierën politike si „një karakatinë gjysmë e vdekur”. Si njeri racional ajo me siguri ka verifikuar veten dhe nëse është ndjerë e fortë për të përballuar mandatin edhe për katër vite. Kjo sigurisht, edhe sepse Merkel ka fituar shumë reputacion botëror. New York Times e ngriti atë në „mbrojtësen e fundit të fuqishme të Europës.”
Numri tre në shtet
Si kancelare gjermane ajo ka hapësirë veprimi politik, megjithëse kancelari është numri tre në shtetin gjerman, pas presidentit të vendit dhe presidentit të Bundestagut. Por fjalën e thotë ajo. Politikisht kancelaren e bën të fortë kuadri ligjor, të cilin ia jep kushtetuta kancelarit. Dhe këtë ajo e ka shfrytëzuar. Merkel ka shfuqizuar detyrimin ushtarak, ka inicuar daljen nga energjia atomike dhe hapi kufijtë për refugjatët.
“Ju më njihni!”
Në Gjermani njihen mandatet e zgjatura të kancelarit, – Adenauer, Kohl, janë shembuj të tillë, megjithëse kjo tejzgjatje kritikohet. Gjithnjë flitet për një kufizim të mandateve. Për arsyet e regjencës së gjatë të Merkelit mund të debatohet dhe të mblidhen argumente. Ajo ka nevojë për një kohë të gjatë, deri sa të marrë vendime, por pas kësaj ajo e ndjek rrugën me vendosmëri. Kritikët e quajnë këtë hezitim. Por me sa duket kjo metodë e Merkelit gjen përkrahje. Prandaj ajo nuk ka nevojë të bëjë shumë për të reklamuar veten. Para katër vitesh madje mjaftoi fjalia: „Ju më njihni!”./DW
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?