Shkruan: Valmir Elezi
Historia njerëzore është e mbushur edhe me luftëra për liri të popujve të shtypur. Ato duket se nuk do të ndalojnë asnjëherë, ndonëse shumë prej tyre dështojnë dhe mbesin vetëm një e dhënë statistikore. Përpjekjet e popujve të vegjël mund të kthehen në tragjedi, nëse nuk ndihmohen nga askush. Fotografitë e popujve që dështojnë në përpjekjet e tyre janë të shumta. Edhe ne kemi.
Arsyet e dështimit të popujve mund të jenë të shumta, por një prej tyre, ndoshta më kryesorja, mund të jetë në përkufizimin për luftën të para gati 200 viteve të ushtarakut prusian Carl von Clausewitz në librin e tij unik “Mbi luftën”: “Lufta është një akt dhune, që synon ta detyrojë kundërshtarin të zbatojë vullnetin tonë”.
Kosova e fundshekullit të XX dhe fillimshekullit XXI është një histori ndryshe nga popujt tjerë të vegjël që shpeshherë lihen në harresë dhe askush nuk dëgjon thirrjen e tyre. Përveç kësaj, mbështetja për Kosovën në luftën e fundit dallon shumë nga një mbështetje që mund të marrë një popull në një kontinent tjetër nga ndonjë shtet që vet nuk shquhet për lirinë e brendshme dhe as për të drejtën. Kosova është mbështetur pikërisht nga shtetet dhe shoqëritë që shënojnë nivelin më të lartë të të drejtave të njeriut. Natyrisht se kësaj mbështetje, edhe për shumë arsye tjera, nuk do të mund t’i bashkohej, fjala vjen, Rusia ku të drejtat e njeriut nuk janë as betejë e brendshme institucioneve shtetërore.
Jo vetëm që përpjekja për liri u mbështet nga këto vende, por edhe themelimi i shtetit të Kosovës ishte një rrjedhojë logjike e mëvonshme.
Për Kosovën dhe përgjithësisht për çështjen shqiptare, ky ishte edhe një momentum i vendosjes zyrtare të lidhjeve me Perëndimin, të cilit i takon jo vetëm gjeografikisht, por që ishte penguar gjithmonë gjatë historisë për shkak të rrethanave të krijuara nga të tjerët.
Themelimi i Dhomave të Specializuara nga Kosova akoma pa mbushur 10 vjet të shpalljes së pavarësisë është tregim i seriozitetit të një shteti të ri, që duket sikur dëshiron t’i thotë botës se dëshiron të jetë pjesë e bashkësisë ndërkombëtare të shteteve.
Megjithkëtë, që nga ajo kohë, rrugës duket sikur ka ndodhur diçka që përmbysë synimin kryesor që duhet ta përfaqësojë një institucion drejtësie: drejtësinë!
Zyrtarët shtetëror të Serbisë janë mburrur nëpër studio televizive atje duke përsëritur pothuajse të njëjtën frazë se kanë ndihmuar Prokurorinë Speciale në Hagë për ngritjen e aktakuzave kundër anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më i shpeshti në vetëlavdërim është Milovan Drecun, që njihet për deklaratat shoviniste kundër Kosovës dhe si zëri i propagandës së ushtrisë serbe, përgjegjëses për krimet në luftën e Kosovës. Ai ka thënë publikisht se për ndihmën që iu ka dhënë atyre ka marrë mirënjohje të veçantë nga ish-Kryeprokurori i Dhomave të Specializuara.
Por, pse ka kaq shumë peshë e kundërta, pra mosbashkëpunimi kur bëhet fjalë për çështje drejtësie pas një lufte mes kombeve?
Serbia është pushtuese e Kosovës dhe shkaktare e luftës së fundit në vendin tonë. Për gati një shekull ajo ka qenë pushteti absolut mbi Kosovë. Dekada e fundit e shekullit XX është shoqëruar edhe me terror të gjithmbarshëm që nxiti luftën si mënyrën përfundimtare të reagimit. Një fuqi absolute mbi një shoqëri të paaftë për të reaguar as përsëafërmi me të njëjtën mënyrë, ka fuqinë për të krijuar realitete apo për t’i shtrembëruar ato. Prandaj, ky bashkëpunim me këtë palë, pra Serbinë, detyrimisht shpie edhe në pyetjen thelbësore: A mund të arrihet drejtësia e synuar duke bashkëpunuar me palë të tillë? Natyrisht se nuk duhet ndonjë dhunti për gjetur përgjigjen.
Me humbjen e luftës dhe largimin e ushtrisë nga Kosova, përpjekjet e Serbisë për të dëmtuar shtetin e ri nuk kanë përfunduar. Kjo na kthen sërish te këndvështrimi i ushtarakut prusian se përfundimi i luftës nuk është diçka absolute dhe përfundimtare: “Shpeshherë, shteti i mundur e sheh disfatën e tij si një të keqe të përkohshme, së cilës mund t’i japin zgjidhje rrethanat politike të mëvonshme”.
Po bëhen gati dy shekuj nga koha kur Maria, gruaja e Claushewitz, nxori në dritë shënimet e tij, por pavarësisht distancës kohore jemi dëshmitarë të vërtetimit të tyre dhe domosdoshmërisë që kjo të mos shihet ndryshe nga e kaluara dhe assesi si përpjekje e moderuar.
(Autori ka mbaruar studimet Master për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës).
Kurti – ambasadorëve: Radoiçiqi vazhdon të organizoj s...
Irani thotë se do t’i mbajë “këshilltarët ushtarakë” në Siri
Abdixhiku vizitoi familjen e Presidentit Rugova: 80 vite më ...
Haradinaj: Mbështetja e Holandës në procesin e integrimit në...
Kumanova regjistron disa zjarrvënie që dyshohet të jenë krye...
Bisedë e thellë mes Leos dhe Lelës, sqarojnë gjithçka mes ty...