Marrëveshja Kurti – Hykolli e (pa)mundur?
Ose: pse takimi i (32-të) radhës Kurti – Hykolli mund t’i jap fund grevës
Shkruan: Visar Krasniqi
Për dallim prej të tjerëve, kryeministri Albin Kurti duket se i ka më për qejfi takimet me kryetarin e BSPK-së, Atdhe Hykolli. Kjo edhe për shkak të hierarkisë. “Unë takohem me kryetarin e BSPK-së, ministrja e Arsimit me SBASHK-un”, thotë shpesh.
Sa herë u pyet për punën e grevave në këtë kohë, Kurti zuri në gojë takimet/konsultimet që i ka pasur me kryetarin Hykolli, por asnjëherë nuk e kritikoj.
Pavarësishtë grevës, një lloj afërsie mund të vërehet nëse shikohet edhe fotografia e një prej takimeve të fundit të Kurtit me Hykollin, që Zyra për Informim e Qeverisë e ndau me publikun (19 shtator 2022).
Kurti shihet i relaksuar. Flet me pasion me Hykollin, sikur të ishin duke ndarë evokim kujtimesh nga Lëvizja Studentore e fundvitit 1997.
Nga ana tjetër, edhe Hykolli duket rehat përballë shokut “të idealit”, tash Kryeministër. Muhabeti “vëllazëror” mes tyre duket i qetë (së paku sipas fotografisë) sado që takimet për këto çështje të grevave asnjëherë nuk janë të lehta.
Njoftimi për medie është shkruar me kujdes, sikurse asgjë e jashtëzakonshme të mos kishte ndodhur.
“Për më shumë se një orë u diskutua për grevën e shpallur nga BSPK-ja, për kërkesën sindikale për shtesën prej 100 euro dhe për veprimet e deritanishme të Qeverisë në trajtimin e kërkesave tjera paraprake të sindikatave”, thuhet në njoftimin e 10 shtatorit.
Pra, Kurti e di mirë se është Atdhe Hykolli, kryetar i BSPK-së që e ka shpallur grevën, por nuk i kërkon ta ndalë atë. Të paktën jo publikisht. E informon për hapat që ka ndërmarr Qeveria dhe “e fton BSPK-në që të bëhet pjesë e këtyre konsultimeve”. Falja është për konsultime për projektligjin për paga dhe zyrtarët publik.
Edhe pse në publik, Kryeministri nuk jep sinjale se mund të lëviz prej shumës prej 50 eurosh të propozuar deri në fund të vitit. “As një euro, as një cent”. Një marrëveshje gjithmon është e mundur të arrihet, jo më larg se sot.
Një udhërrëfyes për ta ndërprerë grevën
Janë disa zgjidhje që palët mund t’i përdorin nëse ekziston vullneti i dyanshëm për të arritur deri te një Marrëveshje Kurti-Hykolli të dielën, më të vetmin qëllim që procesi mësimor të hënën (26 shtator).
Këto janë pikat që mund të përmbaj marrëveshja.
– Hykolli duhet ta marr miratimin përfundimtar nga Këshilli Grevistë që të arrihet marrëveshja me Qeverinë.
– Nënshkruhet një plan disa pikësh, ku palët (BSPK-Qeveri) pajtohen që do të mbajnë takime të rregullta mujore për të adresuar të gjitha problemet e punëtorisë së Kosovës.
– Qeveria përmbahet nga ndalimi i pagës për mësimdhënësit për shkak të grevës dhe mos zëvëndësimi i orëve;
– Këshilli Grevist pranon shumën prej 50 euro deri në fund të vitit;
– Qeveria garanton se së bashku me të gjithë Partnerët Social do t’i eliminojnë të gjitha paqartësitë e parregullsitë që janë në draftligjin për paga, në mënyrë që të mos rrëzohet nga Gj. Kushtetuse (këtu rol të madh mund të luaj edhe opozita);
– Qeveria GARANTON një pagesë të re (jo më pak se 50 euro) nga janari 2023, për të gjithë punëtorët publik deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga, e nëse ligji për çfarëdo arsye nuk arrin të hyj në fuqi në pjesën e parë të viti 2023;
– Qeveria merr për sipër rritjen e pagave me vendim qeveritar nga qershori 2023, jo më pak se 20 % në nivel vendi, duke pasur parasysh edhe shkallën e inflacionit të këtij viti si dhe gjashtë mujorit të vitit 2023.
– Qeveria zotohet se Paga Minimale nga 1 janari nuk do të jetë më e ultë se 300 euro (sepse propozimi që nuk kaloi ende në Kuvend ishte përcaktuar 250 euro neto nga vet Qeveria pa pajtimin e Këshillit Ekonomik-Social);
– Paga minimale përcaktohet në pajtim me kërkesat e KES-it deri në fund të vitit.
– Ligji për Zyrtarët Publik, të jetë në harmoni me direktivën evropiane, që garanton reformë të njëmendtë, pa ndërhyrje politike në administratën publike.
– Reforma pensionale të kryhet jo më larg se në TM1, e vitit 2023;
– Qeveria siguron mjetet e nevojshme nga buxheti i shtetit për ta përfunduar reformën pensionale (nëse nuk miratohet në Kuvend kredia e Bankës Botërore që është kundërshtuar nga opozita).
Të gjitha këto dhe pika të tjera që propozojnë vetë palët mund të konkretizohen në një marrëveshje mirëkuptimi/pajtimi, që eliminon vendime të njëanshme dhe barikadim të palëve.
(Visar Krasniqi është gazetar i ekonomisë për një kohë të gjatë në televizionin publik, por ky opinion nuk pasqyron qëndrimin editorial të RTK-së.)
Medon Berisha flet pasi është kthyer në një titullar të padi...
Liverpooli synon ta transferojë senzacionin e Brightonin kët...
MMPHI: Të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ne janë të kaluesh...
Kurti: Prokuroria ka intervistuar kryeministra edhe më herët...
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...
Edmond Lajqi pranon fajësinë për vrasjen e gruas: I kërkoj f...