Shkruan: Taulant Kryeziu
100 ditëshi i Qeverisë Kurti, gjysma nga to në detyrë, është 100 ditëshi më i suksesshëm i qeverisjes në histori të Kosovës, për shumë arsye. Së pari, qeveria Kurti, për dallim nga qeveritë e kaluara, ka ndjekur një qasje të qeverisjes së bazuar në evidencë, qeverisje transparente, dhe me llogaridhënie të lartë.
Së dyti, qeveria Kurti është e ndërtuar mbi dy shtylla kryesore, atë të sundimit të ligjit dhe zhvillimit të ekonomisë, të cilat reflektohen në vendimet e shumta të ndërmarra përgjatë këtij 100 ditëshi.
Së treti, qeveria Kurti, ka trajtuar me dinjitet dhe transparencë çdo cent të buxhetit të shtetit, kështu duke vërtetuar se respekton secilin qytetar të vendit si kontribuues direkt në buxhet të Republikës së Kosovës dhe duke dhënë shembull për çdo njërin sesi duhet shpenzuar paraja publike. Mbi të gjitha, vlerësoj se Qeveria Kurti ka menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme pandeminë COVID 19 duke u bërë shembull për rajonin dhe botën. Më konkretisht, gjatë këtij 100 ditëshi, të Qeverisë Kurti, u morëm afër 200 vendime me të cilat zvogëluam kabinetin qeveritar, përgjysmuam pagat për qeverinë, ulëm shpenzimet dhe privilegjet dhe parandaluam keqpërdorimin me paranë publike: 1.4 milion euro në vit do të kursehen pasi ka më pak ministra, zv. ministra, këshilltarë e asistentë, 1.1 milion euro në vit do të kursehen nga përgjysmimi i pagave të qeveritarëve, mbi 300 mijë euro në vit dhe do të kursehen nga heqja e privilegjeve të shumta.
Qeveria Kurti, që nga marrja e detyrës ka qenë e përkushtuar që të sigurojë prova të vazhdueshme për të dëshmuar orientimin e saj strategjik në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Orientimi për zbatim të plotë të parimit të sundimit të ligjit përveç që do adresonte hezitimet e Shteteve Anëtare në proces të liberalizimit të vizave, përbën reformë themelore për vendin që ka implikime në të gjitha nivelet e shtet-ndërtimit.
Në këtë drejtim Qeverisja jonë, nën udheheqjen e kryeministrit Kurti, prej se është formuar në fillim të muajit shkurt ka ndërmarrë hapa konkret që evidentojnë seriozitetin e saj drejt vendosjes së rendit në vend dhe respektimit të parimit të sundimit të ligjit. Duhet përmendur disa nga vendimet me implikime të mëdha në këtë drejtim për t’i dhënë kontekst konsolidimit dhe përkushtimin tone per te luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin ku ndër kryesoret janë:
• Reduktimi i ministrive në 15
• Vendimi për nisjen e procesit të Vettingut në sistemin e drejtësisë
• Shkarkimi i bordeve të ndërmarrjeve publike të keq menaxhuara
• Suspendimi i zyrtarëve për abuzim të pozitave zyrtare
• Anulimi i tenderëve që prekin shifra qindra mijë euro, e që nuk kanë siguruar miratim buxhetor
• Ndërprerja e kontratave të dyshimta që kanë dëmtuar dukshëm buxhetin e shtetit
• Shfuqizimi i vendimit të Qeverisë së kaluar për dyfishim të pagave për pozitat e larta drejtuese në Qeveri
• Anulimi i procesit të përzgjedhjes së 79 noterëve.
Unë besoj se vendimet e lartpërmendura do të sherbenin si një model për të vendosur themel të qëndrueshëm mbi të cilin synojmë ndërtimin dhe forcimin e shtetit tonë. Këto vendime ilustrojnë orientimin strategjik që Qeveria e Kosovës nën udheheqjen e Kryeministrit Albin Kurti ka ndërmarrë për të jetësuar vizionin e saj jo vetëm në përmbushje të kritereve për procesin e liberalizimit të vizave por edhe në anëtarësim të plotë në BE.
Mbështetja e vendeve kyçe te Bashkimit Evropian, pra jo vetëm e Gjermanisë si shteti me peshë brenda BE-se, por edhe e Francës, Holandës dhe vendeve tjera është thelbësore për marrjen e vendimit për të liberalizuar regjimin e vizave me Kosovën. Dua të nënvizoj se kryefjala e qeverisjes sonë ka qenë sundimi i ligjit, dhe kjo reflektohet në vendimet e marra përgjatë kësaj kohe duke përfshi këtu anulimin e procesit të përzgjedhjes së noterëve, themelimin e grupit të ekspertëve për procesin e vettingut, koncept dokumentin për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, ndër të tjera. Andaj, unë kam besuar fortë që me mbështetjen e madhe që vjen nga Gjermania per rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së të rezultonte me lajme pozitive për qytetaret tanë. Por mos të harrojmë, tash kemi një realitet të ri, një qeveri dhe koalicion të humbësve që nuk e kanë besimin e qytetarëve të Kosoves, lëre më të jetë e aftë t’i bind vendet anëtare hezituese të BE-së. Qeveria e sotme është aty me mandat të përvetësuar kundërligjshem, pra jo me vota të popullit por me vota të pazarit, herë mbi tavolinë herë ndër tavolinë, por duhet thënë se qytetarët e Kosovës e kane parë dhe dëgjuar këtë pazar të ndyrë, dhe koalicionin e humbësve pazarxhi, e kanë zhveshur lakuriq. Së shpejti nën qeverine Kurti 2, lëvizja e lire do të jetësohet.
(Taulant Kryeziu ka qenë zëvendësministër në Ministrinë e Integrimit Evropian në Qeverinë e Albin Kurtit)
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...