Google ADS

Letër e hapur për Partinë Demokratike të Kosovës

10:45 | 18 Shkurt 2021
S D
Secili e di fillimin e vet politik, por, jo edhe fundin. Kjo çka ngjau në zgjedhjet e 14 Shkurtit, ishte paralajmërim, jo vetëm nga unë, por edhe nga dashamirët, simpatizantët dhe qytetarët që vizionin e Partisë Demokratike të Kosovës, e shihnin si slogan për përfitime individuale.
Tkurrja e PDK-së, arriti pikën alarmante, për shumë arsye.
Dështimin na paralajmëroi votimi i vitit 2019. Na paralajmëroi pjesëmarrja jonë në rrëzimin e Qeverisë pa u bërë 100 ditë, na paralajmëroi diaspora, na paralajmëroi fushata parazgjedhore, na paralajmëruan emrat e kandidatëve skematik të PDK-së dhe qytetari i tmerruar nga mungesa e ndjenjës për ta dhe mirëqenien e tij.
E gjithë kjo, nuk ishte e mjaftueshme për të marrë mësim.
Qytetarit nuk i mjaftoi historia, as fjalët e bukura. Atij i kanë munguar veprat. Ai të ndëshkon për ato që i bën keq dhe ato që nuk i ke bërë mirë. PDK ka bërë gabime për të pritur rezultat tjetër, për fat të keq, këtë e ndihmuan jo vetëm keqbërësit, por edhe karrieristët e regjur dhe profiterët vendorë e ndërkombëtarë.
Ashtu siç jam zotuar, komuna e Drenasit, ishte, është dhe mbetet bastion i pathyeshëm i PDK-së, vijuese besnike e themeluesve të UÇK-së dhe PDK-së, Hashim Thaçit e Kadri Veselit.
Partia politike është vizion i shumë qytetarëve me një synim të përbashkët dhe nuk ka pronar, por me kontribuues, me udhëheqës të konfirmuar nga vota dhe vullneti i lirë i anëtarëve. Çdo përpjekje për pronësi në parti, do t’i kthehet me hakmarrje nga qytetarët, madje me kamatë.
Për të shënuar rikthim të suksesshëm pas katër viteve, konsideroj se duhet urgjent të ndërmerren masat si vijon:
Dorëheqje e secilit kryetar të degës ku PDK ka pësuar humbje të elektoratit apo dobësim të ndjeshëm,
Lirim nga detyra e secilit drejtues të PDK-së nga Kryesia që në opinion ka pasur dhe ka hipoteka për pandershmëri, vepra penale apo akuza,
Mënjanimin e manipuluesve të zgjedhjeve të brendshme nga seksioni, nëndega apo dega, të njohur për montime të votimeve dhe numërimit të votave dhe për rezultate të montuara,
Riorganizimin e menjëhershëm në nivel të degëve, duke i bërë të afta për opozitë dhe reflektim politik për nivelin lokal e jo për çështje globale e ndërkombëtare,
Lirimin nga detyra të kuadrit të paaftë, servilë dhe keqbërës gjatë dy dekadave e këndej, nëpërmjet një komisioni etik, të krijuar enkas për vlerësimin e personaliteteve të atakuara në media apo nga anëtarët e degëve,
Riorganizimin thelbësor të zgjedhjeve të brendshme, larg çdo implikimi nga jashtë, larg çdo paragjykimi të kandidatëve, të imponimeve nga qendra dhe klientelizmit,
Publikimi i Deklaratës politike të PDK-së dhe vlerave që synon,
Debatin e brendshëm për çështjet madhore dhe synimet, nëpërmjet personaliteteve të afta dhe të dëshmuara,
Ndryshimin e statutit dhe programit, konform situatës,
Reagimi i shpejtë dhe efektiv kur i bëhet dëm vendit, qytetarëve apo interesave publike nëpërmjet profileve të dëshmuara nga aftësia dhe atdhetarizmi,
Thellim i komunikimit efektiv me anëtarësinë në terren, pa emisar e ndërmjetës politik,
Ndryshimi i kursit triumfalist në kursin real opozitar, duke prezantuar drejtë vlerat e PDK-së dhe vizionin e saj.
Të ndërpritet praktika e shpërblimit dhe avancimit të deshtakëve në zgjedhje qendrore e komunale.
Të ndërpritet një herë e përgjithmonë promovimi i humbësve dhe praktika që humbësit t’i mësojnë fituesit se si t’i fitojnë zgjedhjet,
Të gjitha këto veprime, sepse, qytetarët nuk duan fjalë, duan vepra, duan emancipim të mëtejshëm, nivel tjetër të kërkesave, ofertave dhe kauzave politike, në kushte dhe rrethana të reja.
Drenas, 18.2.2021
Me nderime,
Ramiz Lladrovci
P.S. Po shihet që dy letrat e mia paraprake, njëra para Konventës më 2018, e tjetra më 2.12.2020, drejtuar anëtarëve të Kryesisë së PDK-së, ku kam shfaqur brengat e mia, fare nuk janë lexuar e as kanë pasur ndikim, është për keqardhje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme