Nga: Kushtrim Bajrami
E lexova sot një shkrim sensacional në Gazetën Blic, ku gazetari që e ka shkruar shkrimin sipas porosisë, shpif në mënyrë të pacipë dhe tenton të ndërtojë lidhje të paqena, krejtësisht të liga, kinse unë qenkam zgjedh asistent në UP, për shkak të “fryteve të para të postit të Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë”.
Unë jam asistent i angazhuar në Departamentin e Shkencave Politike në UP që dy vite, pra, nga viti 2013. Këtë vit jam propozuar sërish në këtë angazhim dhe kjo për shkak se në mesin e kandidatëve të paraqitur, kam pasur notën mesatare më të lartë të studimeve. Ky angazhim nuk paraqet në asnjë formë vend pune në Universitetin e Prishtinës dhe ne angazhohemi vetëm në rast që Universiteti ka nevojë për kuadro shtesë.
Tani, krahas përpjekjeve për transparencë në punën e organeve të universitetit, publikohen të gjitha Raportet e Komisioneve vlerësuese për angazhimin e secilit kandidat dhe secili ka rastin të lexojë vlerësimin për secilin anëtar të personelit akademik që angazhohet apo zgjidhet në Universitetin e Prishtinës. Një raport të tillë vlerësues për angazhimin tim mund të gjen secili në uebfaqen e Universitetit të Prishtinës.
Gazetari i Portalit Gazeta Blic shkon aq larg, gjithmonë duke u bazuar në kushte anonimiteti, që flet shumë për kredibilitetin e burimit dhe citon edhe një anëtar anonim të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës i cili angazhimin tim në universitet e interpreton si përfitim timin nga mbështetja që i paska dhënë në vazhdimësi Ministri menaxhmentit të UP-së. Paramendoni tani kredibilitetin e një anëtari të Këshillit Drejtues të UP-së që gjen kohë të merret e të shpif në këtë nivel. Për më shumë, çka duhet bëjë tjetër një Ministër i Arsimit, përveç se të mbështesë menaxhmentet e universiteteve publike?
Gazetarit anonim të Gazetës Blic dhe anëtarit anonim të Këshillit Drejtues të UP-së ju bëjë me dije që unë kam përfunduar studimet e nivelit Bachelor në fushën e shkencave politike me notë mesatare 9.82. Kam përfunduar studimet e magjistraturës në fushën e politikave publike me notë mesatare 9.3. Po ashtu kam përfunduar edhe studimet e magjistraturës në fushën e Menaxhmentit. Nuk kam asnjë punim shkencor dhe punoj që rreth 8 vite në fushën e arsimit, së fundi, në organizatën jo-qeveritare Qendra për Arsim e Kosovës.
Nuk po flas për shpifjet e tjera që radhiten në këtë shkrim, sepse nuk më takojnë mua. Megjithatë, dua t’i them gazetarit që unë punën time e bëj me nder dhe se me shpifje e pisllëqe të tilla nuk bëhet gazetaria.
Komuniteti i gazetarëve duhet të ndërmerr diçka ndaj gazetarëve të tillë që përdorin mediumin në përpjekje për të denigruar personalitete duke përdorur edhe familjet e tyre. Aq më keq që këtë e bëjnë për agjenda të ndyra të grupeve të caktuara në Universitet, e që punë tjetër nuk bëjnë përveç angazhimit për rrënimin të Universitetit të Prishtinës.
Unë nuk padis dot gazetarë të tillë që shpifin, sepse koha nuk më lejon të shpenzoj aq shumë energji pas tyre. Por komuniteti i gazetarëve të mirëfilltë duhet ta mbroj profesionin e tyre dhe të denoncojnë e distancohen nga këta njerëz të ligë që aksidentalisht ka rastisur ta quajnë veten gazetarë. Kjo logjikë rrënuese nuk i bën vërtetë nder askujt!
Në fund për ata që janë kureshtar, po i publikoj të gjitha dëshmitë e përgatitjes time profesionale dhe kontratat e angazhimit tim në UP.
(Reagim nga Kushtrim Bajrami në Facebook në artikullin e Gazetës Blic: “Posti i ministrit të Arsimit, i jep “frytet” e para për familjen Bajrami: Djalin e bën asistent në Filozofik! (DOKUMENT)”)
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...