Kur tepsia e pushtetit shkon për skrap

17:44 | 1 Gusht 2017
Arbresh.info

Nga Azem Parllaku

Ikni, ikni të gjithë! Furtuna e shkarkimeve në administratën publike, nuk ka të ndalur. Ashtu siç e premtoi gjatë fushatës elektorale, kryeministri Edi Rama është i vendosur që të çojë për skrap tepsinë e pushtetit. Pak ditë më parë, furtuna e shkarkimeve preku hipotekat, ku të gjithë drejtorët u larguan nga postet. Së fundmi tërmet ka pasur edhe në sistemin e shëndetësisë, një ndër gangrenat kryesore të korrupsionit dhe të abuzimit.

“Ndërkohë, çdo ekip drejtues në çdo spital, përfshirë dhe 3 ekipet drejtuese të Tiranës, drejtuesve të cilëve unë nuk kam sesi t’i them jepni dorëheqjen, sepse kanë dëshmuar se kanë sy, kanë vesh e kanë duar, do i nënshtrohen një konkursi publik, qëllimi i të cilit do të jetë që të ftohen të gjithë ata që kanë kapacitete dhe kompetenca menaxheriale, kushdo që mendon që i ka, përfshirë e kushdo ndër ju, nëse mendon se i ka, për të kandiduar për drejtimin e këtyre strukturave kaq të rëndësishme për shërbimin spitalor”, u tha Rama drejtorëve të spitaleve.

Duke vepruar kështu, edhe njëherë Rama po dëshmon se e ashtuquajtura “Rilindje” me do çuna dhe çupa tashmë ka dështuar, dhe nuk paska të bëjë fare me një frymë të re, por me një formë elegante të realizimit të një qëllimi të vjetër, pushtetin absolut të kryeministrit. Reforma e kuptuar si largim i disa njerëzve dhe prurja nga rruga e të tjerëve, është spastrim politik dhe diferencim ideo-politik.

Po ashtu, reforma e kuptuar si ndryshim i koncepteve bazë të menaxhimit të shërbimeve publike, nuk është asgjë tjetër, pos rikonfirmimit se situata nuk ka gjasë për të ndryshuar përderisa kryemenaxheri është po ai i djeshmi. Si një menaxher i ri, Edi Rama, po u thotë shqiptarëve se, tenderat e konçesioneve në sistemin shëndetësor, e paskan rrënuar sistemin spitalor. Duke fajësuar mëkëmbësit e tij politik, Rama po na thotë se, Shqipëria nga qeverisja e deritanishme na qenka shndërruar jo vetëm në shtet të kapur por edhe skajshmrisht të partizuar.

Pra, në asnjë institucion të shtetit punët nuk paskan patur si busull Kushtetutën dhe ligjet. Është qesharake, sakaq dhe trishtuese, kur sheh menaxherët e shërbimeve publike si rrinë kokëulur, të heshtur dhe pa integritet përballë arkitektit të shkatërrimit të sistemit. Dhe pse ndodh kështu? Sepse “duke dëgjuar popullin” se ku i dhemb e ku i djeg, duhen kurbanët në emër të popullit. Boll u majmët në kurriz të popullit katër vjet, tani e kanë radhën të tjerët, kështu thotë partia.

Ndaj komunikimi me televizion i largimeve nga puna, pa bërë asnjë analizë, por thjeshtë duke u nisur nga çfarë komentojnë miqtë virtual të kryeministrit, nuk është gjë tjetër veçse manifestimi i arrogancës së pushtetit absolut që ka arritur për veten e tij Edi Rama, duke e shpërfillur kështu çdo institucion. Po në të njëjtën mënyrë me anë të mesazheve virtuale opozita mban qëndrimin e saj. Opozitën tashmë po e bën, ai, militanti i devotshëm i partisë në pushtet drejtpërdrejtë kur takohet me kryeministrin, i cili “dëgjon” me respekt dhe halli u zgjidh. Manifestimi i modelit të shkarkimeve masive me televizion është praktikisht vdekja e shtetit.

Një përqendrim totalitarist i pushtetit në një dorë të vetme duke zhvleftësuar çdo pushtet tjetër demokratik, kënaq vetëm ata që janë mësuar të ngopen me lugën bosh, siç ndodh në një sistem bolshevik. Ata që janë bërë kurban dhe të tjerët, që do të bëhen në ditët në vazhdim, janë viktima të dëgjesave dhe komenteve me ftesë kofidenciale nga zyrat e partisë. Dëgjesa publike, të cilat i shndërron mjeshtrisht në spektakle publike, në ndërkohë dhe debatet në facebook me qytetarët, e kanë bërë Edi Ramën usta të komunikimit online. Ndaj qytetarët me facebook përpara dhe pa bukë në tryezë i shkruajnë kryeministrit, dhe ustai përgjigjet. Dhe kështu populli turret për të shkruar e shkruar përsëri ndonëse nuk ka drita në një pjesë të kohës, por ama shkon aty ku ka drita, karikon celularin dhe sërish i shkruan kryeministrit. Kryeministri ua ka mësuar hilenë dhe psikologjinë qytetarëve dhe komunikon me ata, përditë, duke justifikuar në këtë mënyrë dështimin e qeverisjes së kaluar, dhe duke shndërruar këtë mënyrë të komunikimit në makthin e drejtuesve të Administratës Shtetërore, veçanërisht asaj të institucioneve që kanë lidhje direkte me qytetarët. Thënë troç! Bashkë me tepsinë e pushtetit, po shkon për skrap edhe shteti.

______________________________________________________________________________________________________________

Shënim: Opinioni që sapo lexuat nuk shpreh qëndrimin/opinionin e Arbresh.info. Ai është një trajtim sipas bindjeve të autorit dhe shpreh vetëm opinionin e tij rreth çështjes që trajton.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme