Google ADS

Kur shteti e mban kokën ulur

09:02 | 1 Qershor 2016
Arbresh.info

Nga: Fadil Lepaja

Shkruaj më shpesh për njerëzit e zakonshëm, më tha një lexues. Ata janë heronjtë e vërtetë! Kushedi përse, u ngjetha. Mu kujtua revolucioni kulturor kinez, fletërrufetë dhe diferencimet para masës; mu kujtuan një milion njerëz në Gazimestan, apo miliona të rreshtuar pas diktatorëve, dhe shpesh kryqëzuan intelektualët. Mu kujtuan edhe raste të kundërta.

Sidoqoftë, heroi pa emër është pjesë e një komuniteti. Të shkruash për njeriun, të veshur me petka të ndryshme, me ofiqe të ndryshme, me misione të ndryshme apo me mision fare, paraqet sfidë qoftë për autorin, por edhe për lexuesin. Njeriu i zakonshëm nuk do të lexojë për veten e tij. Ai i do heronjtë. Të famshmit. Njeriu do të identifikohet.

Heronjtë, por jo vetëm ata që ranë në luftë apo dhanë jetën për diçka, por edhe njerëzit e famshëm të një komuniteti, shërbejmë të artikulohemi edhe vet, politikisht, apo ideologjikisht. Janë në themele të identitetit tonë, pavarësisht prej nesh.

Ne zgjedhim. Kur zgjedh, rreshtohesh. Rreshtohesh pas tyre, bëhesh ushtar. Nuk ke nevojë t’u thuash të tjerëve për çka angazhohesh. Jam me Skënderbeun thua dhe është e qartë se nuk je me Sulltanin. Qoftë me sulltanët e dikurshëm, qoftë me këta të sotmit. Prandaj, e rrahën shpulla, Skënderbeun në Kaçanik. E rrahën jeniçerët e sotëm për tradhtinë e para pesë shekujve! Jeniçerët e sotëm nuk i marrin me dhunë nga familja, për t’i rritur në pallatin e sulltanit. Familjet i dërgojnë vet, ose këta ikin nga familjet. Janë vullnetarë dhe ata kanë heronj të tjerë – sulltanë e pashallarë!

“Thelbi i çdo kulture është në natyrën e heroit… apo kush është ai njeri që është i nderuar”, është kjo një fjali e thellë nga një filmi cili këtyre ditëve po jepet në rrjetet tona kabllore. Kë nderojmë ne shqiptarët nëpër republikat dhe autonomitë tona rajonale dhe me të me gjitha dilemat tona identitare? Si i (ç)nderojmë heronjtë nga e kaluara apo edhe të gjallët?

Por, të flasim fillimisht për të gjallët, për të sotmen, apo të djeshmen në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Hero nuk është vetëm ai që vret apo vritet. Hero mund të jetë edhe dikush që shkruan një vepër letrare apo një vepër artistike. Hero mund të jetë edhe një aktiviste globale kundër varfërisë, apo për ruajtjen e ambientit.

Këto ditë presidenti francez organizoi një ceremoni dhe i dorëzoi një titull nderi një shkrimtari shqiptar me fame botërore, i cili tashmë një kohë të gjatë është ndër kandidatët e rregullt edhe për çmimin Nobel për Letërsi. Për shumëkënd nga ne ai është njëkohësisht edhe hero. Me këtë rast, autori i “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” nderohet me titullin më të lartë, komandant i “Legjionit të Nderit” dhe për nderë të tij organizohet edhe një koktej i veçantë në pallatin presidencial, që është po ashtu diçka kjo që nuk ndodhë shumë rrallë.

Për këtë nder që i bëjnë kulturës shqiptare, nëpër profilet e tyre në Facebook, presidentin Holland e falënderojnë edhe homologu i tij kosovar, si dhe kryeparlamentari . Që të dy e theksojnë po ashtu një arsye, jashtë letrare, për të cilën e nderojnë shkrimtarin e famshëm: sepse është prijës i orientimit tonë perëndimor. Të tjerët do të kenë heshtur ose nuk i ka “kapur” media.

Ndërkohë që shkrimtari i famshëm tashmë ka shumë vite që është future në konkurrencë, për çmimin Nobel për Letërsi, nga vendlindja e tij shkojnë reagime në Osllo ku flitet për aktivitete krejtësisht jashtë letrare të autorit gjatë kohës së komunizmit, përkatësisht në kohën kur ai shkroi veprat më të mëdha, dhe për të cilat kërkohet që atij të mos i ndahet çmimi i lartë. Përflasin edhe çështje ndër familjare dhe kështu zemërimin dhe hakmarrjen e tyre lokale e bëjnë globale.

A duhet të jetë komplet një hero, një i famshëm, një person i cili adhurohet nga të tjerët?

“E pëlqeni Ivo Andriqin?”, po më thoshte viteve të tetëdhjeta një bibliotekiste serbe në burgun e Mostarit, në Bosnje dhe Hercegovinë? “E pëlqej si shkrimtar, por jo si diplomat”, i thash. Ajo ngeli e hutuar dhe e zemëruar që po prekej heroi boshnjak dhe Jugosllav, i cili ishte i vetmi nga ky vend i krijuar artificialisht dhe me një identitet konfuz që kishte fituar çmimin Nobel për Letërsi. Ata identifikoheshin me të.

Vepra e tij letrare vërtetë është madhështore dhe trajton një shoqëri ku takohen civilizimet dhe ku herë përplasen e herë duhen, duke u shtresuar nëpër shekuj dhe duke krijuar një mentalitet të veçantë i cili në rrethana të rigrupimeve gjeopolitike, apo rindërtimit të konjukturave globale e regjionale, gjithnjë shpërthejnë në konflikte të përgjakshme edhe pse bëhet fjalë pak a shumë për “kombe” me prejardhje të njëjtë.

Pra, bëhet fjalë për sllavë të cilët të ndodhur në mes civilizimeve të mëdha, morën besime të ndryshme dhe kështu përthyhen dhe përpëlitën në vorbullën e akulturimit dhe asimilimit, duke u bërë të ndryshëm, edhe pse flasin të njëjtën gjuhë. Pra, bëhet fjalë për një vepër letrare e cila padyshim lexuesin e fisnikëron, ndërkohë që ai, autori, për nevoja të shtetit kishte krijuar program të veçantë, krejtësisht anticivilizues dhe johuman për shpërnguljen e dhunshme të popullsisë shqiptare nga tokat e tyre, për të “mbrojtur” interesat e shtetit të cilit i shërbente aso kohe, me gjasë jo vetëm përkundrejt një page apo karriere, por edhe me bindje. Pra, kishte bërë një program për “spastrime etnike”, si do të quhej me gjuhën e sotme të mediave. Program për gjenocid, si do ta quante një gjykatë.

Kjo është mbase dilema e përjetshme rreth veprës artistike dhe jetës së autorit: a mund të shikohet realisht “pushteti” i një artisti?

Kështu, Kadare, vetëm disa ditë më parë ishte në një takim kulturor në Pejë, për të nderuar kujtimin dhe veprën e një poeti tjetër shqiptar i cili po ashtu është përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe të cilin me prezencën e vet shkrimtari i famshëm e nderon. Ajo që ra në sy në media ishte se kur shkrimtari i famshëm hyri në sallë, duke ecur me dorën në xhep, një pjesë e publikut ngrihet në këmbë dhe e duartroket, ndërkohë që ministri i Kulturës dukej i preokupuar me telefonin e tij celular, ku ndoshta sapo do t’i kenë shkruar se Kadareja po hyn në sallë, apo edhe ndoshta diçka krejtësisht jashtë kësaj. Mund të ndodh që ndonjë fans i tij politik, apo edhe ndonjë student t’i ketë thënë: “Ministër, mirë po dokesh”!

Nuk ishte vetëm ai i cili nuk e ngrit as kokën. Pranë tij ishte ulur një zonjë me veshje elegante, e cila kishte hedhur këmbën mbi këmbë dhe me një fund të shkurtër, duke zbuluar kështu një palë këmbë të bukura të cilat sikur e vinin në siklet një imam me uniformë të ulur pranë saj. Ai ishte shtanguar dhe me duar të kryqëzuara në gjoks po shikonte drejt përpara, pa u shqetësuar për shkrimtarin që po kalonte. Pas tij ishte ulur një malësor i Rugovës, me plisin dhe mbështjelljen tradicionale rugovase rreth kokës. Ai edhe mund të ketë qenë i veshur për këtë rast, sipas kërkesës së organizatorit, por prapa ministrit e kompletonte një kolazh identitar, ku bashkëjetojnë kohërat dhe orientimet e ndryshme.

Një gazetare kosovare, e nderuar edhe ajo nga institucionet ndërkombëtare perëndimore, por e kërcënuar publikisht nga qarqe ekstreme, e qortoi ministrin, duke theksuar egon e tij. I tha me ironi: “I madh je, Kujtim”! Sepse, Kujtimi, as që e ngriti kokën kur hyri “komandanti” i “Legjionit të nderit”.

Ndoshta edhe mund të jetë keqkuptuar ministri. Mund të ketë menduar se në atë ndejë të gjithë kishin ardhur për të nderuar poetin e ndjerë Azem Shkreli, përfshirë edhe Kadarenë. Mund të ketë pasur frikë se nuk njihet nga shkrimtari dhe mund të injorohet duke u bërë gazi i botës në provincë! Mund të ketë pasur frikë se keqkuptohet, se do të përfitojë politikisht nga fama e shkrimtarit! Mund të ketë pasur frikë se po e zhvendos vëmendjen nga organizatorët lokal dhe nuk ka dashur të marrë “lavdinë” e tyre edhe pse ky do të ketë qenë një aktivitet i përkrahur domosdo edhe nga dikasteri që ai e drejton. Mund të ketë qenë edhe modesti!

Mund të ketë pasur edhe arsye të tjera. Sidoqoftë, nuk është se ka ndonjë rregull në këtë rrafsh.

Askush nuk mund ta thotë një fjalë përfundimtare për këtë raport. Raporti shtet-artist gjithnjë ka qenë i komplikuar. Jo vetëm për artistët.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme