15:37 | 22 Mars 2022
S D
Sot është bërë një vit i plotë prej se është mandatuar Qeveria Kurti II. Nuk ka asnjë dyshim se jo vetëm nga perspektiva e opozitës por edhe nga vlerësimi i qytetarëve, performanca e qeverisë Kurti në vitin e parë, si në rrafshin e brendshëm edhe në atë të jashtëm e ka një emërues të përbashkët dhe ky emërues është paaftësia.
E veçanta e kësaj paaftësie nuk është thjeshtë vlerësimi i qeverisë si e tillë, por edhe kostoja që kjo paaftësi ka prodhuar për qytetarët e Kosovës.
Natyrisht se përkundër dimensionit politik të ballafaqimit tonë si opozitë me qeverinë që numerikisht është stabile, ka një dimension edhe më të rëndësishëm, e ai është shteti ynë i përbashkët, pavarësisht se kush qeverisë me të. Shqetësimet tona më të mëdha sot nuk janë se si ne si opozitë po qëndrojmë përballë qeverisë, por se si qeveria me paaftësinë e saj, po e izolon shtetin dhe perspektivën e qytetarëve të Kosovës.
Të gjitha zhvillimet e këtij viti të parë të qeverisë, e kanë sjellë në sfond një tipar themelor të Kryeministrit Kurti: tiparin e të sjellurit si spektator, përballë dinamikave politike, sociale dhe ekonomike dhe ndërkombëtare që janë shfaqur në horizont gjatë kësaj periudhe.
Në parim, qeveria ka shumë detyra, përmbushja e të cilave nuk është diçka për t’u krenuar sepse ato i ka përcaktuar ligji dhe janë detyrim i saj. Por ka detyra që rrjedhin nga natyra qeverisëse, të cilat, edhe pse nuk janë përcaktuar me ligj, kur qeveria i realizon siç duhet, mund të krenohet me to e madje të na bëjë të gjithëve të krenohemi me të.
Një prej këtyre detyrave të natyrshme qeverisëse është vëmendja rreth zhvillimeve që karakterizojnë kohën dhe hapësirën në të cilën ndodhemi. Diçka, të cilën fatkeqësisht Kryeministri Albin Kurti nuk e ka shfaqur në asnjë çast, tash e një vit prej se është në pushtet.
Skenari i parë kur dështoi nga një përgjegjësi e tillë, ishte situata me shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike. Paralajmërimet për rritjen e çmimit të energjisë elektrike gjatë periudhës dimërore kishin nisur që në prill të vitit që lamë pas. Jo vetëm që nuk i kishte kushtuar vëmendje atëherë, por as në shtator të 2021-tës, kur vendet e rajonit ndërmorën masa për të menaxhuar krizën energjetike. Duke qenë vetëm një spektator, Kryeministri Kurti e kuptoi krizën tek në dhjetor kur u kthyen reduktimet dhe zgjidhjen e vetme që e ofroi ishte reduktimi ose rritja e çmimit të energjisë elektrike. Pasojat i dimë.
Ndërkohë, shpërthimi i konfliktit në Ukrainë nga agresioni rus, diçka që nga dhjetori i 2021-tës nuk ishte më një gjë e papritur, si duket sërish e ka zënë qeverinë Kurti në gjumin dimëror. Asnjë veprim a sjellje e përgjegjshme shtetërore nuk është ndërmarrë karshi situatës që parashihet se mund të rëndohet si pasojë e këtij konflikti.
Efekti i këtij gjumi letargjik u pa në ditën kur çmimi i vajit u trefishua brenda 24 orëve. Paniku i mungesës së rezervave dhe shkëputjes nga zinxhiri i rregullt i furnizimit përfshiu qytetarët, të cilët nuk u ndalën nga thirrjet e vona të qeverisë se “s’ka nevojë për panik”. Edhe në këtë situatë, kryeministri Kurti ishte spektator. Një soditës i pasionuar, për të mos thënë tërësisht jo kompetent për të kuptuar pasojat e rrethanave të tilla.
Megjithëse shpresat na mbajnë që rrethanat e tilla rënduese mbi qytetarët nuk do rriten, përderisa vazhdon lufta dhe kriza e sigurisë në Evropë, qeveria nuk e ka luksin për të qëndruar indiferente. Sipas ASK-së, çmimet e produkteve esenciale ushqimore në të njëjtën periudhë nga viti i kaluar, janë rritur për 7.6% dhe ka paralajmërime të shumta se do të vazhdojnë të rriten edhe më tej në shumë sektorë. Por as paga minimale e as pagat në sektorin publik apo privat nuk janë rritur, ndërsa është shumë e qartë se askund në horizont nuk shihet një përpjekje e qeverisë për t’i dalë në ndihmë sektorëve ekonomik prodhues në këtë periudhë aspak të lehtë për ta.
Përveç që ka qenë një spektator përballë zhvillimeve përreth Kosovës e brenda saj, Kryeministri Kurti ka qenë spektator edhe i dramave brenda kabinetit të tij, duke e marrë faturën e keqadministrimit dhe keq përfaqësimit të Kosovës dhe interesave të saj në arenën ndërkombëtare. Shumë gabime strategjike në politikën e jashtme dhe shumë detaje pa kurrfarë drejtimi, përderisa të gjitha së bashku janë faturë për shtetin tonë, rritjen e të cilës Kryeministri Kurti e ka shikuar paralelisht me të gjithë qytetarët e Kosovës, ani pse ka mandat e mundësi për të ndërhyrë. Diçka e tillë nuk është parë as si tendencë gjatë vitit të parë të qeverisjes.
Eliminimi i pasojave është gjithmonë më i vështirë sesa një plan për parandalimin e tyre. Prandaj, kjo sjellje prej spektatori nga kryeministri ynë, është mjaft shqetësuese për aftësinë e kësaj qeverie për t’u përballur me nevojat e kohës. Askush nuk përfiton politikisht nga një rrethanë e tillë ku ka kërkesa sociale dhe kriza që tejkalojnë imunitetin tonë të brendshëm, përderisa qeveria nuk këndellet për tu ballafaquar me to.
Të gjitha qeveritë kanë sfida në përmbushjen e objektivave politike e shtetërore. Por sfidat çfarë na imponohen sot, më së paku janë sfida politike e kryesisht janë sfida shtetërore, përgjegjësia ndaj të cilave bie pikërisht mbi Kryeministrin Kurti, pastaj edhe mbi të gjithë ne të tjerët.
Qëndrimi i tij prej spektatori, e vështirëson punën tonë si opozitë, përkundër vullnetit për ta parë situatën jashtë parametrave politik. Prandaj ky qëndrim prej spektatori i kryeministrit Kurti në këto rrethana, duhet të marrë fund. Më mirë një plan i keq, të cilit mund t’i kontribuojmë të gjithë për ta bërë më të mirë, sesa një situatë e pa kontrolluar pa kurrfarë plani. Më mirë një reflektim për dështimin që imponon mirëkuptimin tonë, sesa një arrogancë mbi dështimin, pasojat e të cilës i bartin të gjithë qytetarët e Kosovës.
Ishte një vit ku asgjë s’ka lëvizur në drejtimin e duhur. E vetmja gjë që ka lëvizur është prapakthimi. Një vit i dytë i kësaj qeverie të paaftë dhe një kryeministri spektator, veçse do ta thellojë edhe më shumë cenueshmërine sociale dhe ekonomike, si dhe interesat tona shtetërore në arenën ndërkombëtare.