Kosova është e vetmja sot në Evropë qytetarët e së cilës mbahen në geto, pa liberalizim të vizave Schengen.
Ky izolim i pashembullt është turp i politikës së paaftë të Kosovës, është poshtërsi e Brukselit dhe kritereve selektive, kurse është vuajtje për kosovarët dhe lojë e fëlliqtë ndaj tyre.
Haradinaj, pra, tash e ka në dorë ose ta mbajë fjalën e brenda 90 ditësh ta rregullojë këtë turp, paaftësi, poshtëri, vuajtje e lojë të fëlliqtë, ose ta thellojë e komplikojë edhe më tepër.
NUMËRIMI MBRAPSHT tashmë ka filluar.
Ramush Haradinaj kishte premtuar publikisht se për tre muaj qytetarët e Kosovës do ta kenë liberalizimin e vizave nëse ai do ta udhëheqë Qeverinë.
Sot ai është kryeministër i Kosovës. Sot i kanë mbetur edhe 85 ditë që ta përmbushë këtë premtim tijin. Dhe është shumë me rëndësi, tepër me rëndësi, që ta përmbushë pikërisht këtë premtim në afatin të cilin e ka përcaktuar vetë.
Kjo për shkak se liberalizimi dhe decentralizimi kanë qenë edhe dy nga kauzat e tij si njëri nga liderët e grupimit më radikal opozitar që ka parë Kosova e pasluftës.
Kjo për shkak se mosarritja e liberalizimit dhe mostrajtimi “si duhet” i demarkacionit ishin ndër pretekstet kryesore që çuan në mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së kaluar.
Por, mbi të gjitha – më e rëndësishmja – për shkak se Haradinaj sot është kryeministër, por është kryeministër i qytetarëve më të izoluar në Evropë.
Kosova është e vetmja sot në Evropë qytetarët e së cilës mbahen në geto, pa liberalizim të vizave Schengen.
Ky izolim i pashembullt është turp i politikës së paaftë të Kosovës, është poshtërsi e Brukselit dhe kritereve selektive, kurse është vuajtje për kosovarët dhe lojë e fëlliqtë ndaj tyre.
Haradinaj, pra, tash e ka në dorë ose ta mbajë fjalën e ta rregullojë këtë turp, paaftësi, poshtëri, vuajtje e lojë të fëlliqtë, ose ta thellojë e komplikojë edhe më tepër.
DORËN NË ZEMËR – më mirë ta themi sa është herët se mbase edhe mund të përmirësohet – shenjat e para nuk janë shumë optimiste.
Duke e parë se çka veproi kryeministri Haradinaj në këto 3-4 ditë të para në krye të ekzekutivit kosovar lidhur me temat e liberalizimit dhe demarkacionit, përshtypja që krijohet është se po shohim një improvizim sipërfaqësor dhe jo ndonjë plan të qartë 90-ditësh.
E para, Murat Meha ka mundur të shkarkohet nga pozita e Komisionit… të demarkacionit për shkak se ka tashmë një aktakuzë të ngritur për çështje të tjera kadastrale, pa pasur nevojë të bëhet populizëm e revanshizëm. Edhe ashtu komisioni i udhëhequr prej tij kishte përfunduar mandatin për të cilin ishte krijuar.
E dyta, gjithashtu, vendimi për të caktuar pikërisht Shpejtim Bulliqin në krye të komisionit i cili pritet të krijohet, mund të kuptohet më shumë si hap inati politik sesa pragmatizëm për gjetjen e zgjidhjes.
Megjithatë, ekspertizën e Bulliqit e kanë vënë në sprovë e kontestuar një numër jo i vogël ekspertësh vendorë e ndërkombëtarë të fushës.
Nëse është vlerësuar se profesor Meha ishte barrikaduar në një pozicion të caktuar, njësoj profesor Bulliqi është sinonim i barrikadimit në pozicionin tjetër – gjë që lë pak hapësirë për zhbllokim.
E treta, Haradinaj edhe nga pozita e njërit prej liderëve opozitarë, por edhe nga pozita e ish-kryeministrit, e, së fundi, edhe e kandidatit të PAN-it për kryeministër, ka pasur kohë të mjaftueshme që të takohet me përfaqësuesit e institucioneve të Malit të Zi, të cilët mund të ishin instrumentalë në gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi për demarkacionin.
Ai, fatkeqësisht, nuk e ka bërë këtë. Dhe, për më tepër, merr vendim për formimin e një komisioni të ri, i cili, natyrisht, pritet që të punojë me një komision eventual respektiv të Malit të Zi, për të arritur një kompromis, por pa asnjë konsultim me palën malazeze. Pikëpyetjet këtu janë të shumta: Çka nëse Mali i Zi, i cili tashmë e ka ratifikuar në Kuvend Marrëveshjen e demarkacionit me Kosovën dhe ndërkohë është bërë anëtar i NATO-s, nuk do që të mbledhë sërish komision; Çka nëse qeveria e tashme e Malit të Zi, edhe për arsye praktike, nuk do ta fusë në agjendë edhe një herë çështjen e demarkimit të kufijve me Kosovën, meqë me këtë do të rihapte edhe një luftë me opozitën malazeze, e cila jo vetëm që nuk do demarkacion me Kosovën, por pretendon se Kosova është pjesë e Serbisë; Ose, edhe thjesht, çka nëse Mali i Zi thotë se do ta shqyrtojë këtë çështje pas Vitit të Ri a pas 1 Majit se ata nuk e kanë fare për ngut?!
E katërta, Haradinaj nuk ka përse as t’i ofendojë gazetarët e as të tjerët për mungesë të interpretimit ose përkthimit të deklaratave të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së, kur ato janë edhe të shkruara, dhe asnjëherë asnjëri prej tyre nuk është ankuar në “keqinterpretim” ose “keqpërkthim” nga gazetarët. Deklarata e përkthyer vetë në gjuhën shqipe nga Ambasada Amerikane në Prishtinë është: “Shtetet e Bashkuara mbështesin marrëveshjen për demarkimin e kufirit të arritur mes qeverive të Kosovës dhe Malit të Zi në vitin 2015, e cila rezultoi me moshumbje të territorit nga cilido nga këto dy shtete. Presim që kjo çështje të ketë shpejt një zgjidhje e cila ruan marrëdhëniet shumë pozitive dhe konstruktive mes këtyre dy shteteve”.
Kaq. Interpretimi më i saktë i kësaj është se SHBA-ja po thotë se as Kosova e as Mali i Zi nuk kanë humbur territor me Marrëveshjen e vitit 2015 dhe për këtë arsye amerikanët e mbështesin atë marrëveshje.
Për më tepër, në të njëjtën frymë deri më tash është deklaruar edhe KFOR-i, edhe BE-ja, edhe Departamenti Amerikan i Shtetit. Vështirë të besohet se gjithçka është një konspiracion “lost in translation”.
E pesta, Bashkimi Evropian e ka ritheksuar edhe këtë javë, kalimi i demarkacionit në Kuvend të Kosovës është kusht i pandryshueshëm për liberalizimin e vizave. S’mund të ketë kurrfarë interpretimi tjetër të kësaj deklarate.
TASH, U THA edhe në fillim, se nëse diçka niset jo mbarë, ka kohë të përmirësohet sa është herët.
Natyrisht shumica e qytetarëve të Kosovës, e sidomos shqiptarët, do të gëzoheshin shumë në qoftë se brenda 3 muajsh Kosova edhe fiton liberalizimin e vizave e edhe çon territorin në Kullë e në Çakorr. Ku ta marrim këtë fat?! Mirëpo, sigurisht do të duhej të ishim optimistë të çmendur nëse presim që diçka e këtillë të ndodhë.
Frika më e madhe është se mund të mbesim edhe për shumë kohë edhe pa demarkacion të kryer me një vend mik (i cili mund të kthehet në vend armik, nëse fiton opozita atje), se mund të mbesim edhe shumë kohë pa liberalizim të vizave, se mund të acarojmë marrëdhëniet me partnerët kryesorë të Kosovës, si SHBA-ja dhe shtetet kryesore të BE-së… se mund të mbesim me gishta në gojë.
Në fund – ku t’i dihet! – ndoshta kryeministri Haradinaj edhe di diçka më shumë sesa të gjithë ne të tjerët e s’po na tregon, por numërimi mbrapsht tashmë ka filluar. I mbesin edhe 85 ditë për ta dëshmuar se a ka ai të drejtë, apo do të mbyllë sytë dhe të improvizojë si kryeministër i qytetarëve të vetëm të izoluar në Evropë.
Ose: T’ia bëjë ristart! Ta pranojë se nuk e ka nisur me krah të mbarë. Të përmirësohet dhe të vazhdojë ndryshe. Askush nuk do t’ia zërë për të madhe tash.
Por, nëse dështon, pas 90 ditësh – do të këndohet këngë tjetër!
Kthehen tensionet mes Xuxit e Xhenetës, situata e largimit t...
Të qeshura e atmosferë komike, Edi mban në qafë Burimin
Avatanzhi strategjik i raketave amerikane me rreze të gjatë ...
Rama: Nis puna për rilindjen e Muzeut Arkeologjik të Korçës
Kurti viziton Rezidencën e Rugovës: Restaurimi po udhëhiqet ...
U ndalua për 48 orë polici që dyshohet se shkaktoi aksidenti...