Dëshmorë e martirë, gjeneralë e komandant, ushtarë – çlirimtarë, keni bërë transformim, e çliruat vendin, apo jeni “cuba primitivë”?!
Këto ditë kur po lexoja për përvjetorin e çlirimit të Kroacisë, konkretisht të ofensivës “Oluja” (Stuhia), leximin po e përcillja duke dëgjuar këngët e këngëtarit dhe luftëtarit patriot kroat Marko Perkoviq Thomson, e në ndërkohë nuk ke si të mos jesh i emocionuar kur sheh burra e gra, pleq e të rinj që dynden në secilin përvjetor nëpër sheshet e qyteteve kroate për ta festuar lirinë dhe pavarësinë e vendit të tyre.
Nuk jam i sigurt prej nga buron simpatia ime ndaj popullit kroat. Ka mundësi që ajo derivon nga zhvillimet, përkatësisht luftërat e fundshekullit të kaluar dhe nga bindja ime se kroatët janë popull patriot.
Televizione publike e private kroate, gazeta e portale të këtij vendi, fytyra publike e qeveritare, madje edhe zëvendësministra nga komuniteti serb flasin me pietet për luftën e Ushtrisë kroate, flasin me admirim për luftëtarët, qofshin ata të huaj apo kroatë. Mjafton që ata të kenë qenë të rreshtuar në anën e së drejtës kroate.
Ndërsa te ne, emocionet përzihen dhe prishen në momentin kur njeriu hap portalet e vendit tonë dhe rrjetet sociale, nëpër të cilët tashmë është bërë e pamundur që të kalojë java e të mos hasësh në statuse, artikuj ose deklarata të njerëzve prej profileve dhe profesioneve prej më të ndryshmeve, e të mos lexosh a dëgjosh qëndrime prej talljes, cinizmit e deri te deklarimet e hapura me urrejtje ndaj çlirimtarëve dhe vet, përkatësisht ndaj UÇK-së, në përgjithësi.
Në këtë rast është e tepërt të shtrohet pyetja kush janë këta që shkruajnë e flasin. Kjo pyetje mund të bëhet vetëm sa për t’u futur në temë, sepse opinioni i gjerë tashmë e ka kuptuar se ata nuk janë numra simbolikë, ata nuk janë njerëz që kanë “rrjedhë” mendërisht, përkundrazi ata dinë çfarë bëjnë dhe për kë punojnë. Opinioni i gjerë publik tashmë e di që ata janë njerëz që e kanë në pronësi dhe menaxhim një faqe të “Facebook”-ut, janë njerëz nga bota akademike, janë pronarë gazetash e televizionesh, janë pjesë e kabineteve qeveritare, janë e çfarë nuk janë, por që të gjithë e kanë një të përbashkët në mendjen e tyre – urrejtjen patologjike ndaj UÇK-së.
Që nga paslufta e Kosovës vazhdimisht ka pasur zëra që me cinizëm e përbuzje kanë folur për UÇK-në, e të njëjtit me simpati e dashuri kanë folur për kohën e Jugosllavisë, gjithnjë duke u munduar që atë nostalgji ta shprehin nëpërmjet figurave të ndryshme të kohës, si ish-politikanë, sportistë, artistë, gazetarë, e deri te “bukuritë” e natyrës e të qyteteve. Duke mos dashur të shkojmë larg në kohë, vetëm brenda intervalit kohor prej një viti kemi pasur individë nga bota akademike, anëtarë të kabineteve qeveritare, pronarë gazetash e televizionesh, fëmijë të baballarëve që i shërbyen me devotshmëri sistemit jugosllav, të njëjtit pa fije turpi (sepse për frikë më as që flitet) hedhin vrer mbi UÇK-në dhe mbi njerëzit që ishin pjesë e këtij formacioni të lavdishëm ushtarak.
Brenda harkut kohor prej një viti e kemi intervistën e një publicisti që në hapësirat mbarëshqiptare e ka një reputacion me nam, i cili në stilin e tij “qesh e ngjesh” qesh e përqesh shqiptarët deri në përmasat e asaj sa çlirimin e vendit e quan transformim, kurse çlirimtarët i quan cuba primitivë. Shih çudinë, asnjëri nga liderët politikë, asnjëri nga komandantët e zonave nuk doli kundër një qëndrimi të tillë, e pak kohë më vonë që të gjithë si në kor iu kundërvunë ish-këshilltarit të ish-kryeministrit për një deklaratë që në aspektin përmbajtjesor ka qenë më e “butë” në raport me çlirimtarët dhe me UÇK-në.
Është për keqardhje se si edhe liderët e partive politike që njihen si krah i luftës, kanë rënë pre e këtyre njerëzve dhe opinioneve të tyre, e si rezultat i kësaj këta liderë politikë e ushtarakë tani mbajnë afër vetes një numër krejt simbolik të bashkëluftëtarëve të tyre, të cilët i mbajnë aty vetëm sa për sy e faqe, kurse për ushtarët e vijave të para të frontit të luftës as që dinë. Këta liderë e këta komandantë rrethohen nga shpura e njerëzve që luajnë role të sekserëve, sahanlëpirësve e servilëve, gjithsesi pjesëtarëve të shpurës hallall u qoftë pasi kanë arritur që këta liderë e këta komandantë t’i izolojnë nga ata që në kohët më të vështira e më të lavdishme, jo vetëm që u qëndruan afër, por ishin në gjendje ta japin edhe jetën, vetëm e vetëm të mbrohet territoret, popullata, bazat dhe qëndrimet e tyre.
Për t’i ndërlidhur shkrimet dhe deklarimet në fjalë (kroate & kosovare) po provoj të bëj një analogji ndërmjet luftës, lirisë dhe pavarësisë së Kroacisë dhe popullit kroat dhe luftës, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe popullit shqiptar.
Liria e shtetit dhe e popullit kroat nuk ka ardhur me profeti, nuk ka ardhur duke u bazuar në Bibël, pra edhe lufta e popullit kroat ka pasur vështirësitë dhe të metat e veta, ka pasur keqpërdorim ose përdorim të forcës joproporcionale në raste të caktuara, ka pasur abuzim nga “Braniteljat” (Mbrojtësit), ka pasur keqpërdorim të pozitave nga pushtetarët pas çlirimit, por nuk ka pasur thirrje për linçim të “Braniteljave” nga intelektualë të botës akademike ose pronarë gazetash, e aq më pak nga njerëz që me përkushtim i shërbyen komunizmit dhe Jugosllavisë.
Edhe në Kosovë u luftua për lirinë e vendit kundër të njëjtit armik. Çlirimtarët nuk kishin zbritur nga planetët tjerë. Ata ishin djem e vajza të këtij populli, ishin burra e gra të këtij vendi, luftuan për aq sa ditën dhe mundën, prandaj edhe fati ishte në anën e çlirimtarëve. Krah tyre u rreshtuan forcat më prodemokratike të botës, por as në rastin e Kosovës liria nuk erdhi me profeti, apo duke u bazuar në Bibël a Kuran.
Sigurisht që gjatë luftës bëhen edhe gabime, madje gabime të natyrës nga më e ndryshmja, njerëzore e teknike. Ndodh të pësojnë edhe të pafajshmit. Po i theksoj vetëm dy-tri raste, kur edhe ushtarakët më të përgatitur dhe me teknologjinë më të avancuar gabojnë. Rasti i Korishës, rasti i kolonës së civilëve dhe rasti i Ambasadës kineze janë raste eklatante të gabimeve njerëzore e teknologjike, por askush, madje as Qeveria kineze nuk ka ngrehur akuza e dilema të niveleve çfarë ngrenë kritikuesit kujdestarë të UÇK-së.
Nëse dilemat dhe akuzat e këtyre individëve dhe soji i tyre bëhen sipas detyrave zyrtare të atyre që u kanë shërbyer me devotshmëri në kohën e komunizmit, këtë edhe mund ta kuptoj, por nuk mund ta kuptoj kur një pjesë e njerëzve (pa interesa, por edhe pa tru) këto akuza i shohin me simpati e admirim, e në raste të caktuara edhe u duartrokasin.
Është interesante se si këto akuza janë në valë të njëjta me ato të shumicës absolute të politikanëve, eprorëve ushtarakë, paramilitarëve e akademikëve serbë.
Është për t’u çuditur si ka mundësi që kjo përputhshmëri në mendime e veprime shkon në nivele të përmasave deri në 100 për qind.
Është për t’u trishtuar si ka mundësi që nuk kanë turp të deklarohen kështu.
Duhet të jesh pa ndjenja për të mos e kuptuar se politika kosovare dhe zhvillimet në vend nuk janë as afër të mundshmes, e lëre më të dëshirueshmes, por është larg më e mirë se ajo e Akademisë së Shkencave Serbe të viteve të ’80-ta që sot e proklamojnë individë të caktuar, që vetes i thonë shqiptarë dhe asaj që e kanë trasuar politikanë e ambasadorë shqipfolës në vitet e ’80-ta, e që sot me nostalgji e proklamojnë djemtë e baballarëve.
Lirinë e Kosovës e shijuan të gjallët, ata që kontribuuan drejtpërdrejt, sikur edhe ata që ndihmuan në çfarëdo forme për lirinë e vendit. Lirinë e shijuan edhe ata që ishin të lirë dhe nuk kishin nevojë për një liri tjetër, sepse e kishin lirinë e sistemit jugosllav, që me përkushtim e devotshmëri i shërbenin.
Tash e sa kohë këta surrogat pa pikë turpi tentojnë të njollosin për aq sa dinë e munden UÇK-në dhe luftën e saj. Këta individë lëshojnë erë kontaminuese ndaj këtyre vlerave sublime të popullit shqiptar, madje ndonjëri nga ta meritat për liri dhe çlirim të vendit ia dedikon politikës, lirinë dhe çlirimin e quan transformim të bërë nga politika, kurse çlirimtarët i quan cuba primitivë.
Gjeneralë të nderuar: z. Sylejman Selimi, z. Agim Çeku, z. Bislim Zyrapi, z. Rrustem Mustafa, z. Sami Lushtaku, z. Ramush Haradinaj, z. Rrahman Rama, z. Shukri Buja, z. Fatmir Lima, komandantë e eprorë të Shtabit të Përgjithshëm dhe ju eprorë të zonave, jeni transformues apo çlirimtarë, jeni “cuba primitivë, apo…?!
Adem e Hamëz Jashari, Zahir Pajaziti, Shkëlzen e Luan Haradinaj, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Mujë Krasniqi, Ilaz Kodra, Agim Ramadani, e …, për çfarë luftuat, për çka keni vdekur, çfarë jeni, …?!
Dëshmorë e martirë, gjeneralë e komandant, ushtarë – çlirimtarë, keni bërë transformim, e çliruat vendin, apo jeni “cuba primitivë”?!
Ata që e dhanë jetën, ju që dhatë familjarët, ju që dhatë gjymtyrët, ju që dhatë krejt çka patët, a e kuptoni se çlirimi dhe liria nuk ka një datë, nuk ka një fund, nuk ka një…, së paku jo në Kosovë!
Sigurisht që shumica absolute e fëmijëve, e grave, e burrave të këtij vendi, por edhe e njerëzve liridashës në mbarë globin ju janë mirënjohës dhe falënderues për çfarë bëtë, por ka edhe të atillë që u quajnë “fajtorë” pse luftuat për liri, sikur që ka edhe të këtillë që meritat për liri e çlirim përpiqen t’i tjetërsojnë, madje lirinë dhe çlirimin e vendit i quajnë transformim, kurse çlirimtarët cuba primitivë.
Liria dhe demokracia lejojnë dhe mundësojnë mendimin dhe shprehjen e lirë, sikur që mendjet e secilit nga ne duhet të jenë aktive dhe të vlerësojnë përse ngrihen këto dilema, insinuata e akuza. Askush nuk duhet të provojë shfajësimin e individëve për të bërat apo të pabërat e tyre të pas luftës, por askush nuk do duhej të bie pre e perfiditeteve të kuzhinave të Beogradit, që për asnjë moment nuk pushojnë së punuari për të minuar vlerat e popullit shqiptar të Kosovës.
Besoj fuqishëm që secili nga ne së paku e ka dëgjuar thënien se “armiku duhet luftuar nga brenda”, andaj këta surrogat janë miqtë e armiqve të Kosovës, të porositur për t’i luftuar vlerat më sublime të popullit shqiptar nga brenda.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka luftuar për lirinë e popullit dhe të vendit. UÇK-ja njihet si ushtria më e suksesshme guerile e të gjitha kohëve. UÇK-ja, e mbështetur nga shtresat e gjera të popullit dhe aleatët ndërkombëtarë, nuk ka bërë transformim, por ndryshim rrënjësor. Ajo e solli lirinë për popullin e robëruar, e çliroi vendin nga një robëri padrejtësisht e mbajtur me dekada e shekuj. Pjesëtarët e UÇK-së janë çlirimtarë për ata që e duan vendin dhe lirinë, kurse për të tjerët janë dhe mbeten transformues, “cuba e terroristë”.
Duke qenë krenar me luftëtarët Shqiptarë (në këtë rast po veçoj tre nga ta Gjeneralët Rrahim Ademi e Agim Çeku dhe dëshmorin Bekim Berisha – Abeja) që u rreshtuan krah çlirimtarëve kroat uroj Kroacinë në përvjetorin e betejës “Oluja”, njëkohësisht çlirimi i e tërë territorit të shtetit kroat.
Medon Berisha flet pasi është kthyer në një titullar të padi...
Liverpooli synon ta transferojë senzacionin e Brightonin kët...
MMPHI: Të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ne janë të kaluesh...
Kurti: Prokuroria ka intervistuar kryeministra edhe më herët...
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...
Edmond Lajqi pranon fajësinë për vrasjen e gruas: I kërkoj f...