Ballkani mbetet skena kryesore në betejën shumëplanëshe të Rusisë kundër Evropës. Serbia është, pa dyshim, objektivi kryesor i këtij rivaliteti për shkak të madhësisë, vendndodhjes dhe të historisë së saj. Që të gjitha këto e bëjnë atë elementin qendror strategjik të Ballkanit.
Stephen Blank
Moska ka nxitur grushte shteti në Ballkan, ka filluar një luftë masive të informacionit kundër Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ka krijuar leva të qëndrueshme ndikimi me mediat e rajonit, ka synuar sistematikisht kontrollin e linjave energjetike të rajonit, duke fshehur korrupsionin zyrtar të përhapur shumë, duke përhapur narrativat historiko-fetare të rreme në të gjithë rajonin, si dhe po punon për ta projektuar fuqinë e vet ushtarake atje.
Ajo e ka bërë këtë duke kërkuar ndërtimin e një baze ushtarake në Malin e Zi, duke kërcënuar rregullisht platformat energjetike rumune në Detin e Zi dhe duke ndërtuar një të ashtuquajtur qendër humanitare në Nish të Serbisë (edhe pse pavarësisht presionit rus, Beogradi ka refuzuar me të drejtë t’i japë kësaj qendre statusin diplomatik).
Në këtë përplasje të pafundme, korrupsioni i përhapur i zyrtarëve në Ballkan mbetet një nga “armët” më të testuara dhe të vërteta në arsenalin e Rusisë. Në sektorin e mbrojtjes, korrupsioni zyrtar minon perspektivat e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara, duke i tunduar zyrtarët që të arrijnë marrëveshje të errëta me Rusinë apo aktorët e tjerë dashakeq, si për shembull terroristët, duke i bërë ata të prekshëm ndaj shantazheve ruse.
Po ashtu, ata i pengon bashkëpunimin me ShBA-në, pasi krijon varësi nga armët ruse, të cilat shërbejnë shpesh si një mjet për nënshtrimin ndaj Kremlinit të ushtrisë dhe qeverisë në këto vende. Raportet e fundit tregojnë se ka arsye të forta për t’u shqetësuar, duke pasur parasysh faktin se ministri serb i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq dhe familja e tij, janë përfshirë në akte të mundshme korruptive.
Në mënyrë të veçantë, agjencitë qeveritare serbe kanë zbuluar se babai i Stefanoviqit bleu armë me çmime preferenciale nga prodhuesi shtetëror rus i armëve, Krusik, dhe më pas i shiti me çmime të larta, duke siguruar një licencë për eksportin e armëve në kohën kur djali i tij ishte ministër i Brendshëm. Ndërkohë, babai i ministrit pretendohet se i eksportoi këto armë në ShBA, në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Arabinë Saudite, ndërsa disa prej tyre përfunduan në duart e islamikëve radikalë në Jemen.
Aktualisht, Serbia po negocion me BE-në anëtarësimin në këtë organizatë. Por, bisedimet po ecin shumë ngadalë, sidomos për shkak të mbështetjes ruse ndaj opozitës serbe e cila refuzon lidhjet më të forta me Perëndimin. Nëse Serbia do të lëvizte në mënyrë të vendosur në kampin e demokracive perëndimore, atëherë të gjitha shtetet e Ballkanit do të lëviznin drejt anëtarësimit në BE dhe në NATO, dhe integrimi i Evropës përgjatë vijave demokratike do të çonte drejt një hapi të madh përpara.
Skandali Stefanoviq tregon se nëse Serbia dëshiron vërtet që t’i afrohet BE-së dhe NATO-s, duhet të spastrojë nga të korruptuarit Ministrinë e saj të Mbrojtjes. Këto raporte sugjerojnë gjithashtu se udhëheqësit serbë, janë gjithnjë e më të gatshëm të heqin dorë nga mbështetësi i tyre i dikurshëm.Në raporte të tilla të vërteta, ShBA-ja dhe BE-ja duhet që ta inkurajojnë një veprim të tillë, në mënyrë që të lehtësojnë afrimin me Serbinë. Rusia është e vendosur që të diskreditojë demokracinë dhe ta ndalë integrimin evropian.
Një Evropë e integruar demokratike, e plotë dhe e lirë, ka qenë prej kohësh makthi i Kremlinit për shkak të pasojave që mund të sjellë për stabilitetin e kleptokracisë së Vladimir Putinit. Sergei Ivanov, ish-ministër i Mbrojtjes dhe shefi i kabinetit të presidentit rus Putin, deklaroi për “Financial Times” se demokracia ishte një “bardak”, pra një bordello kaotike. Por, në të njëjtën kohë, një diplomat serb më tha vite më parë se shumë zyrtarë në qeverinë serbe do t`i mirëprisnin lidhjet më të ngushta me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n.
Në fakt, bashkëpunimi NATO-Serbi dhe SHBA-Serbi është më i fortë se sa mund të shihet në pamje të parë. Por, këto lidhje mbeten të panjohura për publikun e gjerë, edhe për shkak të luftës së fortë informative të Rusisë kundër SHBA-së dhe NATO-s, dhe fshehjes së përfitimeve të një bashkëpunimi më të madh me Perëndimin.
Kjo fushatë është një pengesë e madhe e Rusisë për pasjen e marrëdhënieve më të ngushta ShBA-Serbi. Ajo i fryn zemërimit mbi ngjarjet e dikurshme, si fushata ajrore e NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999, duke injoruar përfitimet nga zhvillimi demokratik për popullin e Serbisë 2 dekadat e fundit.
Korrupsioni zyrtarëve të lartë i shërben po aq mirë komprometimit të politikën serbe, mbajtjes ndezur të konflikteve ballkanike, sidomos mosmarrëveshjes Serbi-Kosovë, dhe e lejon Rusinë që të vazhdojë aktivitetet e saj destabilizuese në të gjithë rajonin.
ShBA-ja dhe BE-ja mund të bëjnë më shumë për të promovuar përmirësimin e qeverisjes Serbe, dhe për të pasur lidhje më të ngushta me të. Presidenti Joe Biden, që e njeh mirë Ballkanin, duhet ta pranojë ftesën e Aleksandar Vuçiqit për të vizituar Serbinë dhe kur të shkojë atje ta bëjë të qartë se një sektor i korruptuar i mbrojtjes po e mban Serbinë larg aspiratave të saj evropiane.
Biden duhet t’i shesë Serbisë, ashtu si kompanitë evropiane, armët e nevojshme për të përmirësuar ushtrinë dhe për ta pasur atë në standardet e kërkuara nga NATO, dhe për të zvogëluar ndikimin rus atje.
Gjeste të tilla do të shtonin përfitimet e publikut serb nga lidhjet me NATO. Aktualisht opinioni publik e vlerëson bashkëpunimin me NATO-n, por kundërshton fuqimisht anëtarësimin në këtë aleancë.
Nga ana tjetër, këto gjeste do të forconin pozitat e mbështetësve të integrimit me Perëndimin, të cilët më pas mund t’i ofrojnë qytetarëve prova të prekshme të përfitimeve nga ky integrim. Nga ana tjetër, kjo mund të inkurajojë emërimin e njerëzve të rinj në Ministrinë e Mbrojtjes dhe gjetkë, për të promovuar një cikël të virtytshëm të qeverisjes së përmirësuar dhe të nxisë simpatinë për BE-në dhe NATO-n.
Ekspertët e dinë se strategjia e zakonshme e Perëndimit me rajonin nuk do të funksionojë më. Kjo vlen si për Beogradin ashtu edhe për kryeqytetet e tjera të Ballkanit, po aq sa vlen edhe për BE-në dhe NATO-n.
Modeli aktual ushqen korrupsionin, për të cilin akuzohet sot Stefanoviq, dukuri kjo që e përshkon të gjithë rajonin, duke qenë një ndër pengesat më të vështira për përparimin e Ballkanit. Ky model duhet çrrënjosur, sepse nëse lejohet lulëzimi i korrupsionit, kjo jo vetëm që do të minojë qeverisjen e mirë në Ballkan, por edhe paqen që mezi u arrit në rajon. Dhe ky do të ishte një çmim shumë i lartë për t’u paguar. /Burimi: “Center for European Policy Analysis”/Në shqip nga: bota.al/
Hoti: Buxheti 2025 u miratua me dy shkelje ligjore, Zyra e P...
Hoti: Nuk do të lejoj të më njolloset emri, ministri Peci të...
Drenusha-Sarës: E di që vet ia del, nuk ke nevojë për ndihmë...
Inaugurohet fillimi i punimeve për ndërtimin e Parkut Indust...
Dita e Forcës, Ministria e Mbrojtjes dhe FSK të mërkurën org...
Ambasadori izraelit: Marrëveshja për armëpushim me Hezbollah...