Google ADS

Kontrabanduesve potencialë s’duhet dhënë vota

15:39 | 22 Maj 2017
Arbresh.info

Shkruan: Agron Halitaj

Në zgjedhjet lokale të vitit 2013, Mimoza Kusari-Lila pati bërë një hap të guximshëm në karrierën e saj politike. Dy poste të larta që i mbante në Qeveri, i pati dorëzuar për t’iu futur garës për kryetare të komunës së Gjakovës. Nuk e kishte të sigurt fitoren, megjithatë nuk luajti me dy karta: nëse humb në nivel lokal – të kthehej në nivel qendror. Një sjellje parimore kjo që iu shpërblye nga qytetarët e Gjakovës me besimin për t’u bërë femra e parë që udhëheq një komunë në nivel vendi.

Një tjetër Mimozë, po e shohim tash në prag të zgjedhjeve të parakoshme parlamentare. Ajo nuk dha dorëheqje nga posti i kryetares së komunës kur zgjodhi t’i futej garës për deputete. Ngjashëm me të po veprojnë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri. Të tre po synojnë ta fitojnë mandatin e deputetit pa e dhënë zotimin publik se do t’i braktisin komunat për t’u futur në Kuvend.

Asnjëri nga të tre ende nuk ka dalë publikisht t’u thotë qytetarëve se nuk do ta kontrabandojë vullnetin e tyre te dikush tjetër. Qëllimi është i qartë – të tre synojnë ta rrisin totalin e votave në kolacione e parti, pa nxitur zgjedhje të parakohshme nëpër komuna. Së paku këtë nuk e fshehu Shpend Ahmeti, ditën kur e bëri publik futjen në listë për deputet bashkë me pjesën tjetër të udhëheqësisë së kryeqytetit.

“Në qoftë se prania jonë në listë e rrit lëvizjen edhe për një votë, atëherë ia vlen”, tha ai.

E një ditë më vonë foli për parime.

“Rrugës kemi mundur të gabojmë, ndoshta kemi humbur edhe mundësi, por e kemi ngritur zërin kur është duhur, i kemi ruajtur parimet dhe e kemi ruajtur njëri-tjetrin”.

Por, në këto rrethana, nuk ka më parimore sesa të jesh i sinqertë me votuesin, të mos e vësh atë në lajthim, e të mos e mashtrosh.

Në zgjedhjet parlamentare s’ka gjë më të rëndësishme sesa përzgjedhja e strukturës përfaqësuese.

Një strukturë me njerëz të besueshëm, të arsimuar, që kanë koncept të ri për shtet e të pangarkuar me afera, mund të sistemohet në Kuvend, vetëm nëse qytetari di ta bëjë përzgjedhjen e duhur dhe të përzgjedhurit më pas nuk i delegojnë mandatet tek ata që kanë marrë më pak vota.

Të përzgjedhurit duhet të ndihen të sigurt së partia në asnjë rrethanë nuk mund t’ua marrë mandatin që fitohet nga populli. Në secilën legjislaturë ka pasur deputetë “rebelë” që kanë dalë jashtë vijës partiake. Por, ata i kanë dhënë frymë parlamentarizmit.

Sa më shumë “rebelë” të ketë Kuvendi, aq më shumë rritet mbikqyrja e Kuvendit ndaj Qeverisë.

“Rebelët” janë parimorë.

Të tillët nuk ua kërkojnë votën qytetarëve sot, e nësër t’u thonë: Faleminderit që më besuat, por unë nuk do të bëhem deputet.

E ata që thirren në parime, e shkelin mbi to, s’janë tjetër pos shitës morali.

Ata s’meritojnë votë!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme