Takimi i udhëheqësve të Kosovës dhe të Serbisë në Uashington më 27 qershor do të jetë për tema ekonomike, siç e tha qartë emisari special i Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Se nëse do të arrihet diçka apo çka do të mund të arrihet nuk mund të thuhet. Fundja, këto janë biseda të udhëheqësve të të dyja vendeve me ndërmjetësimin e fuqisë më të madhe botërore.
SHBA-të kanë qenë përcaktuese për fatin e Kosovës në vitin 1999, bashkë me aletaët euro-atlantikë, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë e vende të tjera që ndërmorën fushatë ushtarake për ta shpëtuar popullin e Kosovës në orët më të liga kur rrezikohej shfarosja e tij nga lufta gjenocidale e Serbisë së Millosheviqit.
Këto vende kanë qenë përcaktuese edhe në vitet para dhe më 2008 kur u shpall pavarësia e Kosovës.
Natyrisht, lufta e popullit të Kosovës për liri e pavarësi në vitet e nëntëdhjeta, nën udhëheqjen e Presidentin historik Ibrahim Rugova, kishte fituar mbështetjen e botës demokratike liridashëse.
Për koincidencë, sot 22 vjet, më 19 qershor 1998, Presidenti Rugova, që atëherë bota e njihte si prijësin e shqiptarëve të Kosovës, ishte pritur në takim në Paris nga Presidenti Jacques Chirac. Po të shihni deklaratat e të dy presidentëve pas takimit, sheh largpamësinë e tyre. Rugova kërkonte ndaljen e operacioneve luftarake serbe që kishin përzënë 80.000 shqiptarë deri atëherë. Ai më tej kërkonte që çështja e Kosovës të zgjidhej me negociata para se të ndodhte katastrofa. Presidenti Chirac fliste për kundërshtimin e fuqishëm të Perëndimit ndaj politikës serbe të spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës.
Mbas nënët muajsh, më 24 mars 1999, NATO-ja nisi fushatën ajrore 78 ditëshe kundër Serbisë e cila u kurorëzua me lirinë e Kosovës më 12 qershor.
Por të kthehemi te gjendja e sotme, te takimi në Uashington dhe perspektiva e Kosovës në dritën e dialogut Kosovë – Serbi.
Deklaratat e djeshme të Emisarit Special të Trumpit demaskojnë alarmizmin e marrë të kundërshtarëve të angazhimit amerikan në këtë faze, të atyre që shihnin Shtëpinë e Bardhë si vend ku Kosova do të copëtohej. SHBA-të do të luajnë rol në këtë fazë me iniciativat për zhvillim ekonomik, për heqje të barrierave që pengojnë këtë zhvillim. Bashkimi Evropian (BE) do të vazhdojë të ketë rol politik në kërkim të zjidhjes përfundimtare, juridikisht obligative, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që duhet të sigurojë njohjen e ndërsjellë të të dyja vendeve në kufijtë aktualë, dhe hapjen e rrugës për anëtarësim të Kosovës në BE, në NATO dhe në OKB.
Deri dje kishte njëfarë droje se po ndodhte një bifurkacion (bigëzim) i procesit të bisedimeve Kosovë –Serbi. SHBA-të e bënë të qartë, përmes ambasadorit Grenell, se kjo s’do të ndodhë. Ai tha se kishte bërë koordinime me këshilltarët për siguri kombëtare të Gjermanisë e Francës.
Një samit tjetër i udhëheqësve të Kosoëvs dhe të Serbisë do të ndodhë në Paris në javën e tretë të korrikut, simbas deklaratave që bëri dje Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi
Raportet e Administratës amerikane me BE-në nuk janë të afërta siç kanë qenë në kohën e administratave të mëhershme amerikane.
Megjithatë SHBA-të dhe BE-ja do të punojnë ngusht për Kosovën edhe në të ardhmen. Nga deklaratat që bëri dje në Prishtinë përfaqësuesi i BE-së Mirosllav Llajçak krijohej përshtypje tjetër. Po del se ai ose nuk i ka pasur, ose i ka mbajtur fshehtë, informacionet për koordinimin ndërmjet Grenellit si emisar i Trumpit dhe këshilltarëve të Macron-it dhe të Merkelit.
Kosova duhet të punojë me SHBA-të dhe me BE-në që të sigurojë proces unik, të përkrahur prej të dyjave. Para se ta kërkojë këtë prej partnerëve ndërkombëtarë, Kosova duhet të sigurojë koncensus kombëtar në vigjilie të rinisjes së bisedave.
Është e mundshme dhe e domosdoshme, ndonëse jo e lehtë (paradoskalisht!), që të arrihet konsensus në vendin tonë mbi platformën për të siguruar njohje të Republikës së Kosovës nga Serbia në kufijtë aktual, pa prekur rregullimin e brendshëm administrativ (pa pushtet të tretë në vend), sepse forcat kryesore politike shqiptare të Kosovës, në Qeveri e në opozitë, e kanë proklamuar vazhdimisht këtë qëndrim. Aq më shumë që vetë Grenelli e tha dje, shumë qartë, se ideja për këmbi të territoreve që është përfolur shumë nuk ka qenë kurrë ide e Presidentit Trump.
Proceset e mëdha negociatore për Kosovën që kanë sjellë lirinë dhe pavarësinë e vendit, në Rambuje-Paris (1999) dhe në Vjenë (2005-2007), kanë dalë të sukseshme falë proceseve të koordinuara mirë me SHBA-të dhe BE-në dhe të këtyre ndërmjet vete.
Shkruan për Arbresh.info Dr. Muhamet Hamiti
Dy shqiptarë të nominuar për çmimet vjetore të FIFA-s
Rumania fillon rinumërimin e votave pas akuzave për shkelje ...
Bebushja Luna Mari Ejlli rrëmben vëmendjen me veshje kombëta...
Hovenier: Falënderues për ushtarët amerikanë që shërbejnë në...
Sveçla: Sulmet në veri, dëshpërim i bandave të dirigjuara ng...
Kelmendi: Mungesa e buxhetit për sistemin prokurorial pamund...