Autor Jannis Papadimitriou
Kampi më i madh i refugjatëve në ishullin grek Lesbos u dogj – ashtu si dhe ideja evropiane. Është koha për një përgjigje të përbashkët evropiane, mendon Jannis Papadimitriou.
Ishte zjarrvënie e organizuar, neglizhencë, apo ndoshta vetëm një aksident mizor? Këtë nuk e dimë akoma. Por nuk duhet ndonjë mendjemprehtësi e veçantë për të kuptuar atë që duket haptaz: nëse në një kamp që është projektuar për një maksimum prej 2,500 vetësh strehohen më shumë se 13,000 vetë në kushte tepër të vështira, atëherë gjendja acarohet dhe pas tymit del flaka. Sikurse tani kampi Moria ka qenë përfshirë nga flakët edhe në vitet 2016 dhe 2019.
Kësaj here u bë edhe më keq: i favorizuar nga erëra deri në 70 kilometra në orë, zjarri vazhdoi për orë të tëra dhe shkatërroi pjesën më të madhe të kampit – edhe sepse zjarrfikësit qenë përqendruar për të shuar një zjarr tjetër në pyll.
Pamje të tmerrshme nga Moria
Për vite me radhë kampi i mbipopulluar i refugjatëve në Moria në ishullin e Lesbos quhet si “turpi i Evropës”. Por as për Greqinë ky kamp nuk është nuk lavdi. Krejt e kundërta: herë pas here politikanët e të gjitha drejtimeve në Athinë kanë premtuar ta luftojnë këtë njollë dhe ta mbyllin Morian. Por nëse bëjnë këtë do të duhet t’i vendosin refugjatët dhe migrantët e mbërthyer aty diku tjetër në vend, gjë që me sa duket askush nuk e dëshironte.
Jannis Papadimitriou
Vitet e fundit Greqia ka marrë miliarda euro ndihma nga BE-ja për të siguruar strehim dhe ushqim për të sapoardhurit. Por qeveritarët në Athinë kanë bërë shumë pak për këtë. Dhe riorganizimi i njoftuar shpesh i procedurës së azilit vazhdon të presë gjithashtu për një kohë të gjatë. Aktualisht një i porsaardhur zakonisht duhet të presë mbi një vit për takimin e tij të parë në zyrën e azilit.
Edhe Evropa duarkryq
Kaq për gjendjen e keqe në Greqi. Fatkeqësisht edhe pjesa tjetër e Evropës ka qëndruar për një kohë të gjatë duarkryq dhe vetëm ka parë. Lind pyetja: kush është në të vërtetë “Evropa”? Suksesi gjithmonë ka shumë baballarë por në raste dështimi nuk përgjigjet kurrë askush. Megjithatë janë shtetet anëtare sovrane ato që vendosin tonin në Bruksel, edhe nëse Komisioni i BE-së bën gjithmonë propozimet zyrtarisht. Të njëjtat shtete anëtare, të cilat më pas nuk u përmbahen vendimeve të përbashkëta.
Deutschland Berlin | Kundgebung | Brand im Flüchtlingslager Moria (DW/P. Kouparanis)
Një efekt anësor i këndshëm i kësaj praktike: për sukseset të gjithë thonë se kanë pjesën e tyre, për gjithçka tjetër ata i referohen Brukselit. Politika e refugjatëve është një shembull kryesor për këtë. Të gjitha vendet anëtare refuzojnë me forcë të ndjekin një vijë të përbashkët dhe injorojnë jo vetëm vendimet e BE-së në nivelin më të lartë, por edhe vendimet e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Kjo e dëmton seriozisht idenë evropiane. Vetëm kur nga Moria shfaqen në televizion pamje të tmerrshme, fillojnë e rrjedhin nga buzët deklarata keqardhjeje.
Kampi i mbipopulluar si një masë frikësuese?
Kushdo që ka qenë ndonjëherë në kamp e di se fotografitë nuk janë më të këqijat në këtë ferr mbi tokë. Jo, më e keqja është era e qelbur: një përzierje mbeturinash të kalbura, tymi, djerse dhe jashtëqitjesh njerëzore që të zë menjëherë hundët dhe nuk të shkulet më. Është era e keqe e vdekjes që u duhet ta durojnë mijëra njerëz në mes të Evropës – dhe ndonjëherë nuk mund ta durojnë më.
Por mbase ky është pikërisht synimi. Ndoshta disa në Evropë e pranojnë në heshtje ferrin e Morisë të paktën si një pengesë për të ndaluar imigracionin: shikoni se çfarë ju pret nëse vini tek ne, kjo është ndoshta motoja. Por një efekt me të vërtetë parandalues nuk ka pse pritet. Sepse duke pasur parasysh luftimet e vazhdueshme në Siri ose Afganistan pritja e pafund në ishullin e Lesbos mbetet ende opsioni më i mirë.
Vullneti – Gjestit: Nuk jam gazetar, jam Vullneti
Xheneta tregon vështirësitë me ish të fejuarin
Rama pret në takim ambasadorin e Arabisë Saudite, pranon dhu...
Buja thotë se nuk kanë pasur organe të hetuesisë ose gjykata...
Konjufca uron Trumpin: ShBA-ja është kryealeati ynë, mezi pr...
Butragueno zbulon nëse Real Madridi do të bëjë transferime n...