Nga: Fadil Lepaja
Titullin kurrqysh mos e ngatërroni me liberalizimin e vizave! Përderisa liberalizimi i vizave varej drejtpërdrejt nga evropianët e vjetër, liberalizimi i vezëve ishte akt patriotik i dy qeverive tona dhe, padyshim, mënyra më e mirë do të ishte të festohej me një omëletë gjigante, që edhe nëse nuk do të kapte “Ginesin”, së paku do të përmendej në mediat botërore. Por, nuk është se nuk e kapën mediat ndërkombëtare tërë këtë dashuri dhe bashkëpunim brenda kombëtar.
Tash, nuk është se Kosova dallohet kushedi sa për omëletën. As për ta përgatitur e as për ta ngrënë. Megjithatë, siç po shihet edhe nga lajmet qendrore në televizionet tona (a)nacionale, kohëve të fundit goxha ia kemi marrë dorën. Sidomos në politikë. Si çdo gjë tjetër, as kuzhina jonë tradicionale nuk arriti të shpëtojë nga politika. Kështu ndodh kur shteti është biznesmeni më i madh në vend. Të gjitha bizneset e mëdha kanë për kumbarë qeverinë. Kështu edhe biznesi me ve. Edhe me omëletë. Politikanët janë biznesmenë dhe biznesmenët politikanë. Përjashtim bën ndonjë artist në politikë.
Por, siç e patë nga vetë titulli, vezët kosovare përfunduan në Tiranë, duke shfrytëzuar liberalizimin e vezëve. Dhe, siç edhe e dini, tash vezët kosovare mund të shiten e të blihen edhe në shtetin mëmë. Rendi ishte të dërgohen edhe kuzhinierët në “master chef”-in politik të radhës. Kuzhina jonë politike dalëngadalë po merr karakter ndërkombëtar dhe po profetizoj se nuk është e largët dita kur pjatën e radhës do ta shijojnë në Shkup, e gjetiu në rajon. Kësaj radhe, studentët e Prishtinës po i mësojnë ata në Tiranë për recetën e omëletës politike. Rendi e donte që kësaj radhe pjatën e provoi vetë kryeministri i vendit, Edi Rama.
Nejse, kur jemi te kjo, ju lutem që të mos ju shkojë mendja vetëm në bazë të titullit se tash do të flas për origjinën e kombeve, pra as atë të kombit tonë të madh shqiptar i cili si dihet i ka rrënjët në lashtësi – veç disa gjenerata pas Ademit dhe Havasë – dhe as të kombit aq të përfolur kosovar, për të cilin ende nuk po dihet a ka rrënjë apo është edhe ky veç një kunj politik i ngulur mes nesh. Siç e dini, edhe shqiptarët janë… gjitarë për nga lloji.
As vezët nuk i futa arbitrarisht në rrëfimin tonë të sotëm. I hodhën vetë aktivistët kombëtarë për arsim të lartë, mbi personazhin tim të radhës. Edhe ashtu po mendoja të ikë pak nga politika kosovare dhe të hedh për debat tezën se, në këto kohë në rajonin e turbulluar, mund të jetë shumë më mirë të kesh një kryeministër artist, sesa ekonomist. Artisti mund të ketë më tepër mirëkuptim për kreativitetin, qoftë edhe nga importi.
Pra, e merrni me mend se ka shumë gjasa që këndej e tutje në pikturat e tij, që thuhet se në Evropë po shiten shtrenjtë, kryeministri gjithnjë e më shpesh do të përdorë të verdhën apo edhe vetë metaforën e vezëve. Tash po e kuptojmë se kryeministri i Kosovës, për dallim, duke lobuar për liberalizimin e vezëve pati bërë përpjekje të dëshpëruara për të eksportuar revolucionin përpara se i njëjti t’i shërbehej në Prishtinë. Nuk donte ta provonte i pari pjatën. Por, e kërkoi historia!
Kështu, vezët që kanë mbajtur gjallë popullin tonë të varfër, bashkë me pataten, falë ushqyeshmërisë dhe çmimit të tyre të volitshëm, desh i prishën seriozisht marrëdhëniet mes vëllezërve. Desha të them vëllezërve dhe motrave, por pasi po flasim për vezët, paksa m’u duk e pavend t’i përmend edhe motrat…!
Në fakt, sikurse e kemi parë, në politikën kosovare femrat u treguan më të shkathëta me vezët. Ato i hodhën drejt kryeministrit, ndërkohë që disa të tjerë, edhe pse e gjuanin kryeministrin, “kapën” vetëm zëvendësin e tij në mëngën e setrës së tij të shtrenjtë, duke ngatërruar kështu objektivin. E kjo tashmë është veç një histori, e cila kokorizet në çdo kotec politik në Kosovë dhe diasporë.
Mendoni se kjo që ndodhi në Tiranë, me vezët, mund të ketë ndodhur rastësisht? Është konspiracion. Si çdo tjetër, kumbarin e ka në Qeveri. Prandaj, propozoj që me procedurë të shkurtër të shkarkohen fajtorët.
Siç jeni të njoftuar, të dashur lexues, andej edhe këndej kufirit shqiptaro-shqiptar, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Edmond Panariti, dhe homologu i tij kosovar Memli Krasniqi, dyshohen që sollën një vendim me pasoja shumë serioze për marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe se të njëjtin nuk e kanë nënshkruar vetëm me motive ekonomike ose kombëtare.
Ka shumë gjasa se krejt kjo “lojë” kishte prapavijë tjetër. Ata, në fund të shtatorit, nënshkruan marrëveshjen për liberalizimin e vezëve… nëse e dini. Pas problemeve me patatet, çimenton e prodhime të tjera, ishte vetëm çështje kohe të kuptohej se në kokën e kujt do të thyhen vezët e politikës kosovare.
Flitet se, jo vetëm deputetët e pozitës, por edhe ata të opozitës ka kohë që nuk kanë porositur omëletë në restorantet përreth, ku zakonisht ushqehen përfaqësuesit e popullit. Vezët më nuk janë as instrument politik aq atraktiv. U bë rutinë. Pra, duhej treg tjetër pasi politika kosovare tashmë ka ecur tutje me mjete të tjera edhe më radikale, dhe tashmë ndodhet në fazën e lotëve pa kufij dhe pa arsye, në fazën e lotsjellësit.
Asnjë serioz nuk do ta besojë se bllokimi i shitjes së vezëve kosovare në tregun e Shqipërisë ishte bërë veç për shkak se mungonte njohja nga ana e institucionit përkatës të certifikatës veterinare, e domosdoshme për këtë eksport. Çka është një certifikatë për marrëdhëniet mes vëllezërve. Bëjmë kontrabandë me serbët e lere me vëllezërit…!
Nejse, mundësitë janë dy: ose Serbia, e cila ende nuk e ka njohur Kosovën, ka ndërhyrë me këtë goditje nën brez, pra direkt e në vezë, ose vetë Qeveria shqiptare mund të ketë pasur informata të sigurta, nga shërbimet inteligjente, vendore ose ndërkombëtare, drejtpërdrejt nga shtabi luftarak i Lëvizjes Vetëvendosje!, për Ballkanin. E kishin kuptuar se artileria e saj e rëndë, pra vezët, do të përdoren edhe në Tiranë.
Nuk dua të spekuloj, por pasi i përmendëm shërbimet inteligjente, kam frikë se nga politika shqiptare inteligjenca tashmë ka ikur. Kanë mbetur vetëm shërbimet. Vendore dhe ndërkombëtare. Edhe origjina e omëletës mbetet krejt e paqartë, përkundër vezëve që dihet saktë se janë prodhim vendor. Nga pulat shqiptare. Më tutje nuk e ndjekim dot fillin. Mbetet dilema universale: “Ishte veza apo pula, e para”?!
Gazetari Vullnet Krasniqi, e pranon në Big Brother VIP Kosov...
Të shtëna në Bulqizë, atentat ndaj një personi që po dilte n...
Arsenali po synon shkëmbimin e lojtarëve me Milanin për ta m...
Zelensky: Ushtarët e Koresë së Veriut po dërgohen në betejë ...
Gjendet pa shenja jete një 27 vjeçare në Zhur të Prizrenit
Vëllai i Madh me ofertë për Laurentin dhe Fitimin, njërin do...