Ngjarjet që ditëve të fundit u zhvilluan në Kataloni për pavarësi e shkëputje nga Spanja, bënë që zyrtarët e lartë serbë të vrapojnë për të vënë shenja barazimi mes Kosovës dhe Katalonisë! Vetëm një gjë mund të jetë deridiku e barabartë, dëshira për pavarësi e të dy popujve.
Pse deri diku?
Shqiptarët e Kosovës veç pavarësisë, përpjekje të tyre shekullore, pas pushtimit nga Serbia (1912) dhe copëtimit të trojeve shqiptare nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në verën e vitit 1913, kryeaspiratë kishin çlirimin dhe bashkimin e kombit. Ky fakt nuk ka ndodhur me Kataloninë. Pra, pavarësia e Kosovës, pas një lufte njëshekullore për liri, çlirim e bashkim kombëtar, erdhi si imponim ndërkombëtar për të penguar bashkimin e shqiptarëve. Me ketë imponim ndërkombëtaret e kishin, jo për të bërë një zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme e të natyrshme të shqiptarëve, por për t’ia lehtësuar Serbisë njohjen e pavarësisë dhe njëkohësisht duke ju ofruar serbëve të Kosovës një “diskriminim” të gjerë pozitiv. Dhe nuk ka asnjë dyshim, ky diskriminim pozitiv e ka bërë jofunksional shtetin e Kosovës. Pra, krahasimi i pavarësisë së Kosovës me dëshirën e popullit të Katalonisë për pavarësi ka shenja barazimi, gjithçka tjetër është më shumë se e pakrahasueshme. Opinioni vendor dhe evropian ia vlen që t’i dijë dallimet e shumta që janë më shumë se të njohura, mes zhvillimeve që për një shekull kanë ndodhur në Kosovë, e që në asnjë mënyrë nuk mund të krahasohen me ato që gjatë të njëjtës periudhë kanë ndodhur në Kataloni.
Populli shqiptar i Kosovës, që nga viti 1912/13 e krejt deri në luftën e fundit, më shumë se një herë i është nënshtruar politikave të gjenocidit, të cilat politika si qëllim kryesor kishin zhdukjen e plotë a të pjesërishme të shqiptarëve të Kosovës. Të gjitha mjetet tjera të luftërave për shfarosje e dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre stërgjyshore, duke përfshirë edhe zjarrvëniet e shumta, para e pas Luftës së Dytë Botërore, e sidomos gjenocidi i shtrirë në vitet 1998/99 (vrasjet masive të civilëve të pafajshëm e të paarmatosur dhe dhunimi i mbi 20.000 grave e vajzave), ishin në shërbim të politikave të gjenocidit serb. Nuk kam asnjë dyshim, katalanasit në jetën e tyre politike në shtetin e Spanjës nuk kanë kaluar asnjë golgotë të vetme, ndërsa shqiptarët e Kosovës kanë kaluar disa herë dhe të gjitha janë të njohura nga bota demokratike. Pa dyshim, kulmi ishte në golgotën e fundit 1990-1999. Maja e kësaj golgote ishte lufta e fundit, 1998-1999. Kjo luftë u bë shkas edhe për ndërhyrjen ndërkombëtare për shkak të krizës humanitare që kishte shkaktuar regjimi kriminal i Millosheviqit, për të cilat ai u përgjigj para Tribunalit të Hagës, i cili për shkak vdekjes së tij mbeti pa u dënuar.
Pas luftës dhe bombardimit 78-ditësh të NATO-s, në Kosovë u vendos Administrimi Ndërkombëtar, i njohur si UNMIK, si periudhë tranzitore që do të çonte Kosovën në Statusin Final të saj. Asnjë nga këto që u thanë, nuk kanë ndodhur në Kataloni.
Për të ardhur deri te Pavarësia me bashkërendim ndërkombëtar, në Vjenë për këtë çështje janë zhvilluar bisedime të udhëhequra nga emisari i Sekretarit të Përgjithshëm, Presidenti i Finlandës (1994-2000), zoti Marti Ahtisari. Bisedimet zgjaten dy vjet (2006-2007) dhe përfunduan me Dokumentin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Përfundimtar të Kosovës. Bisedimet patën filluar dhe u orientuan sipas Deklaratës së Grupit të Kontaktit, i cili i përcolli ato bisedime deri në fund. Qëllimi i bisedimeve ishte që në fund të këtij procesi Këshilli i Sigurimit të OKB-së duhej ta shfuqizonte Rezolutën 1244 të KS dhe me një Rezolutë tjetër të njihej ndërkombëtarisht Pavarësia e Kosovës dhe bërja e saj anëtare e OKB-së. Pasi kjo nuk shkoi për shkakun se Serbia nuk e miratoi Dokumentin e Presidentit Ahtisari, Kosova në bashkërendim me faktorin ndërkombëtar zgjodhën rrugën e dytë të Pavarësimit të Kosovës nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit të Kosovës, dhe kjo u bë më 17 shkurt 2008.
Pra, asgjë nga këto që u thanë, nuk kanë ndodhur as me Spanjën e as me katalanasit. Sigurisht që ka edhe shumë arsyeje e argumente të tjera, që nuk u përmendën në këtë rast, që kanë ndodhur në Kosovë e nuk kanë ndodhur në Kataloni. Nuk kanë ndodhur këto edhe për faktin se Spanja ishte vend demokratik dhe anëtare e BE-së. Prandaj çdo përpjekje për të barazuar situatën në Kataloni sot me ato që kanë ndodhur në Kosovë për një shekull, janë më shumë se humbje kohe koti.
Shkurt, në asnjë mënyrë dhe askush nuk mund të vejë shenja barazimi në mes pavarësisë së Kosovës dhe referendumit për pavarësinë e Katalonisë!
Faktet e afruara se bashku me vendimin e GJND-së të korrikut 2010, se pavarësia e Kosovës nuk bie në kundërshti me normat e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare, të gjitha faktet e sjella i bëjnë krejt të panevojshëm refuzimin që pesë shtetet e BE-së, e të cilat po kundërshtojnë që ta njohin Pavarësinë e Kosovës.
______________________________________________________________________________________________________________
Shënim: Opinioni që sapo lexuat nuk shpreh qëndrimin/opinionin e Arbresh.info. Ai është një trajtim sipas bindjeve të autorit dhe shpreh vetëm opinionin e tij rreth çështjes që trajton.
Pas tronditjes zgjedhore – çfarë po ndodh në Rumani?
AUV në pritje të rezultateve për mandarinat e importuara nga...
E akuzoi se ka pëlqim ndaj tij, Gresa shpërthen në lot nga X...
Grupi “Shkodra Elektronike” me një falënderim të veçantë për...
Haziri në 35-vjetorin e LDK-së: Kjo familje e Rugovës ia dha...
Isak, objektiv i gjigantit francez