Askush nuk do ta besonte se një grua, një e ve, një nënë, një fat i kërcënuar nga zezona që pllakosi si një mallkim mbi familjen Van Gogh, do të arrinte që një talent i jashtëzakonshëm dhe një krijimtari e fuqishme drite të shpirtit, të shpëtonte nga harresa.
E vetme, ajo luftoi me mospranimin, kundërshtinë, refuzimin. Një jete të vështirë dhe një fëmije për të rritur larg mallkimit dhe një ambicie kaq e pushtetshme sa të ngrinte nga varri një vepër arti për ta ngjitur atë në qiellin e famës. Vincente Van Gogh, pa ngadhënjimin e kësaj gruaje do të ishte një meteor i shuar nga harrimi.
E veja Johanna Bonger përcolli artin e Vincente Van Gogh në të gjithë botën dhe e bëri këtë duke mos u sprapsur, e bëri jo për para, por për të nënshkruar përjetësinë e një gjeniu. Kaq mjafton dhe punën tjetër do ta bënte vetë arti, vetë krijimtaria e Vincentes, vetë ai shpirt i fuqishëm dhe ato kanavaca plot ngjyrë, jetë dhe tragjizëm.
Historia e vërtetë e kësaj gruaje, e marrëdhënies së vëllezërve Van Gogh, peripecitë dhe sfidat janë prej vitit 2019 në një roman nga shkrimtari dhe gazetari argjentinas, Camilo Sánchez.
A e dini se shumë nga fama e Van Gogh është për shkak të një gruaje? thotë shkrimtari. Një grua me emrin Johanna Bonger, ishte gruaja e Theos, vëllait të piktorit. Ajo ishte e para që përhapi korrespondencën e famshme midis dy vëllezërve.
Në librin e Camilo Sánchez, me titull “E veja van Gogh”, tregohet historia e Johanna, e cila u lind në vitin 1862 dhe vdiq më 1925. Pa të, mbase sot do të dëgjonim shumë më pak, e pse jo asgjë, për artistin e Lulediellit dhe një sër kryeveporash të tjera të Van Gogh, që u shndërruan në adhurim për njerëzit dhe shkollë arti për gjeneratat.
Kur vdiq Vincenti më 1890, askush nuk i dëshironte punimet e tij. Gjatë gjithë jetës ai arriti të shiste vetëm një punë. Ai kishte kryer vetëvrasje, për të shkuar në botën tjetër i varfër dhe gjysmë i panjohur. As vëllai i saj Theo nuk rezistoi shumë gjatë, duke u largua nga jeta disa muaj më vonë, dhe duke e lënë Johanën të vetme, me një fëmijë 1-vjeçar dhe 500 kanavacë, për të cilat askush nuk nuk donte t’ia dinte.
Megjithatë, kjo grua sfidoi fatin e keq duke krijuar mitin e Van Gogh.
Në faqet e këtij libri “Vejusha van Gogh” nuk duhet të kërkojmë një biografi apo edhe një jetë e trilluar, por një histori nga jeta që kompozon ngjarje reale, sipas modelit dhe vizionit të autorit. Në qendër të këtij sendërtimi real krijues është evokimi i gruas, që u martua me Theo Van Gogh, në moshën 27-vjeçare dhe menjëherë kuptoi se ajo gjithashtu ishte martuar me vëllain e një gjeniu të pikturës.
Theo dhe Vincent, ishin më shumë se vëllezër. Theo jo vetëm që e ndihmoi Vincentin financiarisht dhe ishte përpjekur gjithmonë ta drejtojë frymëzimin dhe shqetësimin e tij drejt rrugës së artit, por ai ishte i lidhur me të nga një ndërthurje e pazgjidhshme emocionale dhe psikologjike.
Theo vdiq gjashtë muaj pas Vincente. Ditë të ngrysura në pikëllim dhe tragjizëm erdhën për të venë, duke e lënë Johanën me një Vincent tjetër, djalin e saj të porsalindur, qindra piktura nga stinët shprehëse të vëllait të tij dhe një kuti me letra të panumërta që përmbanin copëza nga jeta e tyre. Një trashëgimi e vështirë, që më vonë rezultoi të ishte një thesar i çmuar. Por e veja e Theo-s, e cila vetëm pak e kishte njohur kunatin e saj para dëshpërimit dhe fundit, nuk ishte vajzë e zakonshme. Ajo kishte prejardhje nga një familje e rafinuar nga Amsterdami. Ajo kishte studiuar në Londër dhe ishte e apasionuar pas poetëve romantikë, veçanërisht Shelley, gjithashtu zotëronte disa gjuhë të huaja. Ajo ishte ve dhe e re, kësisoj nuk u martua, sepse nuk donte që Vincenti i tretë të vuante mallkimin e dy të parëve.
Ndërmarrëse, e kulturuar dhe e vendosur për të shndërruar të gjithë errësirën e asaj historie familjare në diçka të ndritshme, ajo filloi të riorganizojë punimet e artistit, për t’u rilidhur me jo shumë admirues të saj në atë kohë, për të mundësuar ekspozitat me pikturat e Vincente Van Gogh, gjithçka me shpenzimet e saj. Njëkohësisht ajo nuk i la në harresë gjithë atë krijimtari epistolare që kridhej në letërkëmbimin midis dy vëllezërve. Theo i kishte ruajtur letrat e të vëllait si një relike të çmuar.
Johanna gjithashtu kishte mbajtur për 17 vite një ditar. Libri i Camilo Sanchez shfleton për lexuesin faqe të këtij ditari duke i ngarkuar me temperaturën emocionale dhe energjinë e brendshme shpirtërore të vejushës së re. Kujdesi për punën e kunatit, mbledhja e trashëgimisë së burrit, pëlhurat e grumbulluara andej-këtej, të cilat askush nuk donte t’i blinte, dhe lumenj boje në fletët e brishta të korrespondencës së tyre – nuk përkojnë, për këtë figurë të veçantë, me vetë-asgjësimin tradicional në devocionin ndaj burrave të shtëpisë, të cilët janë pjesë e një tradite të gjatë motrash, grash dhe vajzash, heroina të një feminiliteti hije dhe sakrifikuese.
Nga ana tjetër, Johanna ndjek anën diellore në pikturat e Vincentit, dritën e artit që qëndron prapa errësirës së jetës, për të ndriçuar të tijën, të ekzistencës. Ajo e di që letrat janë një thesar dhe se do t’i duhet t’i mbajë ato me durim. Ajo e di gjithashtu se duhet të punojë shumë për të mbajtur veten: pas kthimit të saj në Holandë me djalin dhe një vizite të shkurtër te një motër dhe më pas te prindërit. Hap një han në një qytet të vogël jo shumë larg Amsterdamit. Ajo shqetësohet me pasion për jetën e përditshme – shërbëtoret, konviktorët, veçanërisht mirëqenien e fëmijës – dhe po aq me pasion lufton që puna e Vincent të ketë lavdinë e merituar.
/arbresh.info/
Për 10 muaj ATK-ja mblodhi mbi 823 milionë euro
Stadiumi “Ferki Aliu” në Vushtrri, pritet të mar...
Ministrja Haxhiu në Ankara, vizitoi Akademinë e Drejtësisë
Vance poston një mesazh falënderimi: Nuk do të ndalem kurrë ...
Lindja e Mesme e përçarë rreth zgjedhjes së Presidentit Trum...
Prokuroria e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 19 të pandeh...