Google ADS

Jemi të gatshëm të dëshmojmë për pafajësinë e Haradinaj për “Kanal të Radoniqit”

22:00 | 5 Janar 2017
M. A.

Shkruan: Adem Lushaj

Ndalimi i Ramush Haradinaj nga institucionet e shtetit mik, Francës, sipas fletë arrestit të lëshuar nga Qeveria e Serbisë, ku ndër tjera akuzohet edhe për atë “kinse” ka lidhje me “Kufomat në Kanalin e Radoniqit”, është një gjë e turpshme dhe jo njerëzore. Këtë pohim timin e bazoj në shumë fakte, e të cilat janë  të deponuara edhe në Tribunalin e Hagës. Faktet që kam prezantuar para hetuesve ndërkombëtar, tregojnë për pa fajësinë e Haradinaj, gjë që prapë do dëshmoja të njëjtën gjë, nëse do jetë e nevojshme.

Fillimisht, dua të njoftoj se vendi që përmendet vazhdimisht, “Kanali i Radoniqit” është afërsi të vendbanimit tim, fshatit ku jemi lindur dhe jetojmë. Nuk dua të mohoj as pohoj, nëse ka pasur kufoma në atë vend. Por, një gjë  duhet ditur të gjithë se, periudha me të cilën ngarkohet Haradinaj, ishte koha kur qytetarët ishin të vet organizuar për mbrojtje të vetvetes, pa ndonjë organizim apo hierarki. Këtij organizimi “kush si mundet”, iu kemi bashkuar edhe ne, me të vetmin qëllim për mbrojtjen e “Pragut të shtëpisë”, ashtu siç kërkonte edhe vet Presidenti, dr. Ibrahim Rugova. Në atë periudhë, kanë ndodhur apo kanë mundur të ndodhnin veprime të cilat ishin pa dijeninë dhe urdhrat e Ramush Haradinaj, pasi që nuk kishte kontrollin e duhur mbi gjitha lokalitetet apo individët keqbërës.

Menjëherë pas përfundimit të luftës, organizata ndërkombëtare dhe hetues të Tribunalit të Hagës, iu kishin përvesh punës për hulumtimet e krimeve të ndodhura në Kosovë, këtë rast edhe në Deçan. Në bashkëpunim me Grupin Ndërkombëtar të Krizave (ICG), kemi intervistuar mbi 500 persona nëpër gjitha lokalitetet e komunës së Deçanit, duke u njohur me ndodhitë dhe përjetimet e popullatës civile gjatë vitit 1998/99. Duhet rikujtuar rastet e ndodhura në Beleg, Kodrali, Irzniq, Shaptej, Pobergj, sikurse edhe në Mejë, ku kanë pësuar dhjetëra qytetar të Deçanit.

Gjatë punës disa mujore hulumtuese në lokalitete të ndryshme të Deçanit, së bashku me ICG dhe Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, kishim hasur në varre masive, kufoma të djegura, por edhe të hedhura në puse dhe në kanalin e Radoniqit. Duke u nisur nga këto raste të krimeve serbe,  (për të cilat është e njohur Gjykata e Hagës), kemi kërkuar nga institucionet ndërkombëtare të bëjnë hulumtime të mëtejmë edhe në Liqenin e Radoniqit, pasi që nga ajo kohë mbesin të pagjetura kufomat e dhjetëra qytetarëve tanë.

Pra, në vazhdimësi kemi kërkuar dhe kërkojmë që të ngritën kallëzime penale ndaj atyre që kanë bërë krime ndaj popullatës civile, (këta persona kanë emër dhe mbiemër), e që do ndikonte sadopak në zbutjen e dhimbjeve të familjarëve, e jo të bëhen lojëra të ndyra politike dhe luajtje me ndjenjat e qytetarëve të pafajshëm.

Autori është drejtor ekzekutiv i “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur”, aktivist i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj).

Shënim: Opinioni që sapo lexuat nuk shpreh qëndrimin/opinionin e Arbresh.info. Ai është një trajtimi sipas bindjeve të autorit dhe shpreh vetëm opinionin e tij rreth çështjes që trajton.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme