Janë të ndryshme: Feja është kulturë e politika është fuqi

16:25 | 3 Dhjetor 2015
Arbresh.info

Nga: Bajram Kosumi

E keqja rritet e shumohet më shpejt e më shumë se e mira: duhet shumë mund, para e dije për të ndërtuar një godinë, e vetëm pak sekonda për të rrënuar
Në këtë histori të personave dhe të grupeve radikaliste, një gjë është e sigurt: ato janë krijuar brenda shoqërisë arabe-muslimane. Figurativisht, ato janë një e keqe për të cilën është ditur se po zhvillohet, por ndaj të cilës është heshtur, nuk është folur, nuk është reaguar, ose është reaguar vakët. Përsëri figurativisht, e keqja rritet e shumohet më shpejt e më shumë se e mira: duhet shumë mund, para e dije për të ndërtuar një godinë, e vetëm pak sekonda për të rrënuar. Kjo e keqe është krijuar brenda shoqërisë arabo-muslimane dhe ajo shoqëri ka përgjegjësi për këtë sepse nuk i ka kundërshtuar idetë radikaliste dhe filozofinë e urrejtjes brenda vetes. Indiferenca ndaj të keqes paguhet shtrenjtë. Siria dhe Iraku janë shembujt më të dhimbshëm të kësaj fature.

1.

Këto ditë, në stuhinë e lajmeve botërore për terrorin e grupeve radikale në Paris, një tregim tjetër po nga Parisi pushtoi botën: një mysliman parisien, në një shesh në margjina të Parisit, kishte lidhur sytë me shami dhe kishte shkruar në një tabelë rreth qafës mbishkrimin: “Jam mysliman. Kush dëshiron të më përqafojë?” Në video lajmin e lancuar në gazetat digjitale shiheshin se si njerëz të ndryshëm e përkrahnin dhe e përqafonin këtë person. Disa pranë tij edhe qanin. Edhe unë kur e shikova ndjeva një dhubje të thellë për të.

2.

Ky tregim për myslimanin parisien mund të harrohet shpejt, por asgjë më mirë se ky tregim nuk e paraqet pozitën e myslimanit dhe të fesë myslimane në sytë e botës, në sytë e të tjerëve: ky mysliman parisien, sigurisht njeri i ndershëm dhe i devotshëmr, është sjellë në një pozitë tepër të vështirë, i dyshuar nga të gjithë, por pa fajin e tij. Ai nuk është tashmë një person, por një simbol: një musliman në sytë e të tjerëve. Ky tip apo simbol është bërë për mëshirë, pa fajin e tij. Poende, ai e merr përsipër atë faj që nuk i takon, dhe kërkon falje nga të tjerët. Të tjerët e mëshirojnë, e mirëkuptojnë dhe e përqafojnë.

3.

Ky tregim parisien nuk e ka origjinën në Paris, por në shoqërinë arabe-muslimane. Kjo shoqëri në rrugën e saj për të ripërkufizuar identitetin e saj modern kulturor, politik, social e fetar në proceset globaliste, vazhdon të jetë ende e turbullt dhe anarkiste. Ky proces i ripërkufizimit të vet-identitetit po vazhdon edhe sot, diku me pak sukses e diku pa sukses. Nga një herë, sa duket në horizont suksesi i një procesi ripërkufizues, sa hap e mbyllë sytë bëhet pluhur e hi ëndrra për vet-identitet. Fati i procesit që u quajt me simpati “Pranvera arabe” është figura më e plotë e fatit të ripërkufizimit dhe modernizimit të botës arabe: nga një “Pranverë…” fillestare u shndërrua në një makth të vërtetë.

Në këtë proces të ripërkufizimit dhe të reformimit identitar, grupet radikaliste ose grupet e frustruara e kanë tronditur botën e qytetëruar me terrorin ndaj njerëzve të pafajshëm dhe ndaj trashëgimisë kulturore botërore. Sot, në të katër anët e globit, këto grupe kundërshtohen nga të gjithë. Shtetet nga të katër anët e botës po bëjnë një koalicion luftarak kundër këtij terrori me përmsa botërore. Por, opinioni publik shpesh herë, fatkeqësisht, nuk e dallon qartë dhe për peri shkaktarin e vërtetë të kësaj dhune dhe terrori, prandaj më lehtë dhe më ideologjike është përgjithësimi i tij (kjo ideologji tashmë është dekoduar nga Eduard Said). Sipas kësaj ideologjie, secili arabo-musliman është një gjenerator i mundshëm i terrorit dhe dhunës, sikusre në atë barsoletën e zezë në të cilën për ta zbuluar se te kush është terroristi në një avion, kapiteni thërret: kush është këtu arab?!

Po si pasojë e këtyre rrethanave botërore, ne sot në Prishtinë nuk mund ta fillojmë përurimin e një libri me tematikë fenë dhe rolin e saj në shoqëri, pa folur për këto rrethana tashmë botërore.

4.

Në këtë histori të personave dhe të grupeve radikaliste, një gjë është e sigurt: ato janë krijuar brenda shoqërisë arabe-muslimane. Figurativisht, ato janë një e keqe për të cilën është ditur se po zhvillohet, por ndaj të cilës është heshtur, nuk është folur, nuk është reaguar, ose është reaguar vakët. Përsëri figurativisht, e keqja rritet e shumohet më shpejt e më shumë se e mira: duhet shumë mund, para e dije për të ndërtuar një godinë, e vetëm pak sekonda për të rrënuar. Kjo e keqe është krijuar brenda shoqërisë arabo-muslimane dhe ajo shoqëri ka përgjegjësi për këtë sepse nuk i ka kundërshtuar idetë radikaliste dhe filozofinë e urrejtjes brenda vetes. Indiferenca ndaj të keqes paguhet shtrenjtë. Siria dhe Iraku janë shembujt më të dhimbshëm të kësaj fature.

5.

Vetëm para disa vjetëve grupe të ndryshme, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe e Afërt, nën petkun e organizatave humanitare, kanë propaganduar nëpër Ballkan një “islam politik”. Ndërsa ne, qeveritë, bashkësitë islame, elitat intelektuale dhe politike etj. kemi heshtur përballë këtij fakti, ose, në rastin më të mirë, kemi reaguar sipërfaqësisht. Pjesëtarët nga Ballkani të këtyre grupeve terroriste janë përgatitur këtu shpirtërisht dhe fetarisht.

6.

Në këtë koniunkturë të turbullt fetaro-politike po promovohet librin në dy vëllime të Myftiut të Republikës së Kosovë, z. Naim Tërnava. Aspekti i parë i librit, të cilin dua ta theksoj me këtë rast, lidhet me këtë katrahurë botërore, të cilën e kanë shkaktuar grupet radikaliste politike nën petkun dhe nën flamurin e islamit. Në shoqërinë tonë mungon debati për fenë dhe rolin e saj në shoqëri. Aty ku nuk ka debat, historia zhvillohet margjinave. Ngjarjet e margjinave kurrë nuk mund të jenë përfaqsuese të vërteta të një shoqërie. Debati publik për fenë dhe rolin e saj në shoqërinë shqiptare e ndihmon më shumë se gjithca tjetër qartësimin e katrahurës të cilën e përshkruam më lartë dhe e cila e ka prekur pak edhe shoqërinë shqiptare. Botimi i një libri mjaft voluminoz si ky i z. Tërnava ndihmon në zhvillimin e debatit publik për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë edhe me fenë myslimane, e në këtë rast edhe me shqiptarët. Vetëm duke i debatuar publikisht, guximshëm dhe pa hezitim çështjet që kanë të bëjnë me identitetin fetar dhe identitetin kombëtar shqiptar, shoqëria jonë mund ta mbajë edhe modern edhe të stabilizuar identitetin nacional e fetar. Vetëm në këtë rast grupet apo personat radikalistë nuk lënë gjurmë në shoqëri. Besimi fetar, përveç që është praktikum i riteve ditore, para së gjithash është besim mendor, shpirtëror, është bindje, prandaj në këtë debat duhet të marrin pjesë elitat, inteligjencia e shoqërisë sonë. Këtë mision të qartësimit të vizionit në marrëdhënien shoqëri-fe-komb-shtet mund ta kryejë vetëm inteligjencia e vendit. Shpresoj që ky libër është ndihmesë në këtë debat publik.

7.

Aspekti i dytë i këtij libri lidhet me rolin e ri të fesë në shoqërinë tonë. Për dekada me radhë, qoftë si pasojë e sistemit komunist apo e pushtuesit apo e të dyjave bashkë, feja ka qenë e mbyllur vetëm në institucionet fetare. Me demokratizimin e shoqërisë në dy dekadat e fundit është demokratizuar edhe qasja ndaj fesë. Feja tash është pjesë e kulturës së përditshme të qytetarit tanë. Duke qenë pjesë aktive e kulturës sonë ditore, qytetari kërkon qartësime dhe vizione të përhershme për fenë dhe rolin e saj. Ky libër sigurisht që jep disa përgjigje në këto kërkesa të qytetarit, edhe për vetë fenë, por edhe për qasjen ndaj fesë si dhe për qasjen e institucioneve fetare ndaj shoqërisë e shtetit.

Qartësimet për të kaluarën e afërt janë më të theksuara në libër. Mjafton të citoj një përgjigje të Myftiut Tërnava ndaj raportit sekularizmi-shtetndërtimi-feja:

“Unë do të thosha së pari ta bëjmë shtetin e pastaj të diskutojmë mbi atë se çfarë duhet të jetë shteti…”

Po ashtu, kërkesa e shumë-përsëritur e Myftiut Tërnava që hoxhallarët të paguhen nga Buxheti i Republikës, një kërkesë shumë e drejtë, të cilën qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet ta trajtojnë seriozisht, qartëson vizionin për raportin fe-shtet.

8.

Qartësimet për të kaluarën na ndihmojnë për të kuptuar të tashmen dhe të ardhmen. Duke qenë se feja sot është pjesë e përditshmërisë, ne duhet ta përkufizojmë vendin e saj në shoqërinë moderne. Filozofia e ndarjes së fesë nga sfera publike, përkatësisht identifikimi i fesë me individin e jo me shoqërinë, filozofi kjo e përkrahur gjerësisht edhe nga elitat e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e ka mundësuar zhvillimin e lirë të fesë në shoqëritë moderne. Mbi këto ideale është krijuar shteti i Kosovës dhe shoqëria në Kosovë. Mbi këto ideale shoqëria jonë në luftën për liri ka fituar përkrahjen e shteteve perëndimore. Çdo shmangie nga ky identitet është kundër-produktiv. Me figurat si Skënderbeu e Nënë Tereza shoqëria jonë ka kërkuar lirinë e vet të merituar, ndërsa dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjet pas fitores së lirisë deklaratat dyshuese ndaj Skënderbeut e Nënë Terezës s’ka se si të mos jenë anti-historike, anti-sociale dhe të verbra. Prandaj edhe, fatlumisht, kanë mbetur tërësisht të vetmuar. Shqiptarët janë një komb me tri fe, por qenësimi i tri feve në një komb, sidomos në epokën e globalizmit dhe të teknologjisë digjitale, nuk është më një shpatë Damokleu, por një vlerë me të cilën ne mund të konkurrojmë në proceset globaliste. Në librin e Myftiut Tërnava kuptohet qartë konceptimi tradicional shqiptar për fetë, i ndërlidhur me idealet moderne dhe globaliste. Ai thotë:

“populli shqiptar nëse nuk ka mundësi t’i ofrojë botës shumë në teknologji, apo në arsim, apo diçka tjetër, ka diçka që është edhe më madhore se kjo, që shumë shtete dhe kombe në botë nuk e kanë. E ai është respekti ndërfetar dhe mirëbesimi dhe bashkëjetesa e besimeve në mesin e kombit shqiptar që është një model që mund të marrin edhe shtetet më në zhvillim në botë. Kjo është begatia më e madhe e kombit shqiptar…”

Secilit i kujtohet ecja krah për krah e prijësve fetarë shqiptarë në një shesh të Parisit, pak muaj më parë. Sigurisht kjo pamje është një prej krenarive shqiptare, të cilën duhet ta shpalosim para botës.

9.

Të gjithë librat e shenjtë flasin për ndarjen e dritës nga terri. Edhe sot, në kuptimet tona të përditshme për fenë dhe rolin e saj në shoqëritë moderne, ne duhet ta ndajmë dritën prej territ. Nëse hezitojmë ta bëjmë këtë, mjafton ta kujtojmë fatin e sotëm të popullit sirian, fatin e popullit irakian, atij të Afganistanit etj…, dhe faturat që po paguajnë për indiferencën e tyre të mëhershme.

Shpresoj që ky libër i Myftiut Tërnava ta ndihmojë këtë rrugë.

Fjala në përurimin e librit Ligjërime për Fenë dhe Atdheun I, II (2014) të autorit Myftiut Naim Tërnava

Nëntor 2015

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme