Shkruan: Ibrahim Berisha
Një shoqëri jeton nga prodhimi i lirisë. Secila shoqëri ka kategorinë e prodhuesve dhe kategorinë e konsumuesve të lirisë. Në Kosovë ka një raport enorm pabarazie ndërmjet prodhuesve dhe konsumuesve.
Konformizmi – kulturë e sjelljes
Kosova është një ambient shoqëror konformist. Njerëzit për nga natyra janë të lindur të jenë konformist. Studiuesi amerikan i opinioneve Eish, e ka cilësuar konformizmin një emër të dytë të njeriut. Më këtë ai përcakton përshtatjen jokritike të individit kundrejt diktatit të grupit apo turmës. Ai bën fjalë për vlerat, mendimet dhe qëndrimet që merren nën presionin e turmës. Në eksperimentin e realizuar, Eish vendos disa njerëz të vet bashkë me një grup më të madh eksperimentues, të cilët të parët paraqesin mendime qëllimisht të gabuara për storjet që kishin parë. Pothuaj të gjithë pjesëmarrësit e mëpastajshëm përsëritën atë që kishin dëgjuar, d.m.th., “gabuan” pavarësisht se me sytë e tyre pak më parë kishin shikuar gjëra fare tjera.
Shohim apo jo me sytë tanë, flasim apo jo me gojën tonë, mendojmë apo jo me kokën, mendjen tonë, pra çështje ishte dhe është? Bota është e mbretëruar nga konformizmi, përfundon Eish. Ai prek edhe intelektualin në këtë eksperiment, i cili edhe e dallon nga njerëzit tjerë se është prodhues, sistematizues, shpërndarës dhe interpretues kritik i ideve.
Prandaj, nuk është edhe përjashtim pse në Kosovë intelektuali jeton në një ambient kulturor dhe politik konformist.
Intelektualët- ketman
Ndërsa Çeslav Milloshi, po në këtë koncept, në librin e tij „Mendja e robëruar“ flet për mimetizmin e shumicës, veçmas mimetizmin e intelektualëve. Personifikim i intelektualit të tillë është njeriu që diç mendon, tjetër flet dhe krejt tjerër punon. Mësohet t’i dojë “shtyllat dhe telat e ngritura përreth tij”. Ky intelektual fshihet gjithnjë dhe mban maskë në fytyrë, shkruan Millosh. Ai këta intelektual i ka quajtur ketman duke identifikuar pesë tipe ( ai e shkruan – lloje): ketman nacional, pastaj estetik, profesional- në shkencë, metafizik dhe ketman etik. Mendja e robëruar, kthyer në gjuhën pragmatike d.mth. mendje dhe mendim i robëruar, apo intelektual i robërua apo edhe i vetë-robëruar (konformizëm). Në Kosovë intelektuali është i robëruar dhe i vetë-robëruar.
Sa e duam lirinë?
Ka një lidhje të ngushtë ndërmjet lirisë dhe intelektualit. Po kaq sa ka keqkuptim për të kuptuar lirinë si vetëdije kolektive së pari dhe intelektualin e lirë, si vetëdija më kreative dhe më kritike individuale. Erih Fromi, psikolog social, përmes hulumtimeve empirike mbërriti të zbulojë fenomenin që do të jetë dominues në shumë shoqëri të sotme. Njerëzit sipas tij, nuk janë të dhënë mbas lirisë, së paku jo aq sa thonë, paraqiten të jenë dhe të duken. Andaj, Fromi zbulon se njerëzit nuk e duan lirinë. Natyrisht, nuk është fjala për lirinë fizike- që Shpenhaueri e përcakton si liri të nivelit më të ulët, por fjala është për lirinë intelektuale dhe shpirtërore. Sot, në kontekstin e psikosociologjisë së Fromit, mund ta shtrohet pyetja, pra gjithnjë në kontekstin edhe të temës sonë: A ekziston frika intelektuale nga liria dhe njëkohëshëm edhe një mekanizëm mbrojtës korelativ: ikje nga liria. Logjika konformiste tipike e intelektualit sipas Fromit në studimin “Shoqëria e shëndoshë” është kjo: “ Unë duhet të bëjë atë që bëjnë të gjithë. Andaj, duhet të pajtohem. Nuk guxoj të jem tjetër. Nuk guxoj të pyes nëse kam apo jo të drejtë, por vetëm nëse kam arritur të përshtatem, se nuk jam i veçantë, i ndryshëm nga të tjerët. Mbi mua nuk ka forcë askush, përveç turmës, pjesë e së cilës jam dhe i nënshtrohem“. Në Kosovë intelektuali mund të detyrohet të mendojë: mbi mua nuk ka forcë askush, përveç turmës.
Mobilizimi ideologjik, ritmizimi, ritualizimi
Do të provoj të përcakoj shumëkuptimësinë e lirisë: Një përkufizim i lirisë- (libertas), kthyer në gjuhën shqipe, d.m..th.- të mos ekzistojë dhuna. Polici, ushtari, paramilitari, parapolitiku, krimineli… Pra dhuna fizike, dhuna e marrjes dhe e keqpërdorimit të forcës që disponon zyrtari i pautorizuar dhe i autorizuari jozyrtarisht. Dhunë pse tjetri është tjetër, dhunë pse ai nuk është sikur ai. Hugo Blejk, shkruan: “As edhe një vend i vetëm nuk mund të jetojë në liri, nëse qytetarët e saj mund të rrezikohen financiarisht dhe fizikisht, për shkak se e kritikojnë qeverinë, veprimet e saj apo edhe shërbëtorët e saj”.
Nëse e zbresim në nivelin praktikë çështjen, tek intelektuali, kjo do të thotë: të mos ekzistojë dhuna ndaj ideve dhe prodhimeve të intelektualëve.
Së pari, as një institucion dhe asnjë grup interesi formal dhe joformal, të mos promovojë platformë të mobilizimit ideologjik kriminal ( madje tashti e tëra bëhet në emër të demokracisë). Të mos ketë grupe dhe shërbëtorë të paguar jashtë institucionalë, të cilët kërcënojnë dhe rrezikojnë intelektualin pse flet i paautorizuar nga qendrat e mobilizimit ideologjik dhe qeveritar. Po këtë intelektual, i cili mbasi është privuar nga e drejta normale ekzistenciale, politika dhe forca e autorizuar dhe e paautorizuar e pushteteve politike dhe qeveritare, e përmendin dhe e duan mbulesë vetëm në kriza sociale e politike.
Së dyti, të mos ndëshkohet intelektuali nëse nuk e pranon poetizimin e realiteti ashtu siç paraqitet në ritualet e zakonshme formale publike. Apo në striptizimet kulturore – politike.
Së treti, intelektuali nuk mund të jetë pjesë e ritmizimit të sjelljes dhe mendimit ceremonial që është aq i pranishëm në përditshmërinë formale. Pra, intelektuali nuk mund të jetë as objekt dhe as subjekt i ritualizimit. Intelektuali, nga vetë natyra e tij atipike, nuk përcjell mesazhe oportune, po krijon ide për të mënjanuar realitetin oportun.
Në aspektin antropologjik liria përcaktohet si ”mundësi për të zgjedhur” nga më shumë forma, si dhe “mundësi e përcaktimit” të njeriut përballë tjetrit dhe forcës së tij. Çfarë në të vërtetë ka mundësi të zgjedhë intelektuali përballë forcës legale dhe jolegale në Kosovë? Së pari, a ekziston fare nocioni mundësi, alternativë e zgjedhjes. Intelektuali nuk mund të zgjedhë asgjë, sepse nuk ekzistojnë alternativa e zgjedhjes, pse për intelektualin dhe punën e tij, vendosin qendrat e forcës – jointelektuale, paraintelektuale, parapolitike, të cilat e shikojnë atë si armik dhe jashtë misionit shtetëror, nacional etj.. Vendos politika misionare, e cila në praktikë ndodhë kaq hapur, edhe ata pak intelektualë kritikë që janë në te, i shndërron në intelektualë johumanë-pararojë ndëshkuese të alternativave. Nëse një intelektual punon pa farë përkrahje në një projekt shkencor, artistik, letrar etj., disa vjet dhe duhet t’i bëjë të gjitha këto me paratë e veta, kjo nënkupton se ndëshkimi ekzistencial iu ka shqiptuar atij nga politikat johumane, të vendosura në institucione formale, por, sikur për shumë çështje tjera, edhe për intelektualin pjesa më madhe e vendimeve merren në mese jo formale, parapolitike dhe parainstitucionale.
Në aspektin politik liria definohet si “pavarësi e popullit nga vullneti i pakontrolluar i individit, ose pavarësia e shteteve nga ndikimi, presioni dhe kërcënimi i shteteve të tjera”. A ka vullnet të pakontrolluar të individit në shoqërinë e Kosovës, i cili manifestohet në lirinë dhe punën kufizuese të intelektualit? Nuk duhet lëvizur nga vendi, por vetëm duhet shikuar përrreth për të parë se vullneti dhe forca e individëve është shumë më e fuqishëm se forca e ligjit. Tek ne, përpara individit, zyrtarit apo jozyrtarit të fortë, ligji nuk ekziston fare. E tëra kjo shpjegohet me akumulimin, koncentrimin, favorizimin e privilegjeve enorme publike dhe jopublike tek njerëz të veçantë dhe injorimi institucional që i bëhet punës dhe rezultateve origjinalesë të intelektualëve. Thënë thjeshtë: Të zgjedhësh do të thotë të kesh vërtetë mundësi për të zgjedhur për vetëveten dhe jo të zgjedhin të tjerët për ty.
Për intelektualin sot zgjedhin të tjerët: mediokrit e homogjenizuar në institucione parapolitike arsimore, shkencore dhe artisike.
Dimensioni tjetër i lirisë është ai qytetar. Liria qytetare, është definuar si liri e shtypit, mendimit, tubimit dhe marrëveshjes, e punës shkencore dhe artistike etj. Secili fjalim, që paraqet mendim apo vlerësim (opinion) është i lirë dhe nuk duhet t’i nënshtrohet ndonjë ndëshkimi, ndjekjeje apo kërcënimi, por kjo nënkupton se ai mund t’i shtrohet të drejtës për përgjigje dhe polemikë, dhe pastaj mund të bëhet edhe rast i kritikës dhe vlerësimit publik. Liria e intelektualit jeton nga e vërteta, ndërsa forca e paraintelektualit jeton nga gënjeshra. Ky është dallimi
Cila është e vërteta për lirinë tonë, intelektuale, shpirtërore? Kjo është një pyetje që nuk mund të marrë përgjigje të prerë, sepse për mendjen e zakonshme, intelektualët lirinë e plotë ende nuk e kanë njohur në këtë vend, ku si askund iu ka kënduar e shkruar lirisë.
Liria është mbase vetëm tek ata që kanë forcën dhe shkakun në duart e tyre, mundësinë e kërcënimit dhe nënçmimi, të ndëshkimit dhe mospasojës. Sot, politika nuk e përfillë mendimi i Shelingut, i cili thoshte se nëse qyetërimi ka pasur një progres, ai është realizuar duke shfrytëzuar idetë që kanë prodhuar intelektualët. Çfarë të thuhet për Kosovën? Progresi – e mira është e Atyre (e forcës politike dhe forcave tjera të bashkuara me politikën), ndërsa regresi-e keqja është vetëm e intelektualëve (profesorëve, shkrimtarëve, artistëve, mjekëve, gazetarëve…). Një këso teze e ka pasur edhe regjimi kolonial serb në Kosovë, madje po për atë pjesë të intelektualëve që i ka redntiru si “armiq”.
Vetëm të hidhet një shikim drejtë institucioneve kulturore, politike, arsimore, sociale për të parë gjendjen e katandisjes së tyre dhe të intelektualit. Për të parë se deri në ç‘masë politika do të kontrollojë gjithçka, kjo politikë e politikanëve që i duan të gjitha privilegjet dhe nuk duan të marrin asfare përgjegjësie për asgjë. Andaj në jetën tonë politike dhe publike nuk ekziston institucioni i dorëheqjes për dështimet dhe lëndimet fundamentale që u bëhen vlerave tradicionale dhe moderne, perspektivës së qytetarëve të Kosovës. Dështimi është kriter i ngritjes në hierarki. Retushimi apo fshehja e CV-ive për intelektualizim dhe hierarki në
Kosovë është arti më i paguar.
Kiçizmi, shundizimi, striptizmi, folkestradizmi
Cili është intelektuali në një ambient kulturor dhe shpirtëror thellësisht të kiçizuar, shundizuar, stritpitizimi dhe folkestradizuar? Cili mund të jetë zëri real i intelektualit human në këtë erë të ndërthurjes së madhe të trendkulturave dhe dijeve sipërfaqësore?
Çka do të thotë të jesh intelektual; nuk ka ndonjë përkufizim konsensual. Por, ka një konsensus kur përkufizohet pozita dhe funksioni i intelektualit në Kosovë – pozitë dhe funksion i paqartë dhe i përcjellë me heshtjen e tij. Heshtja mund edhe të jetë përgjigje e vetme për gjithë atë që është duke ndodhur nga mungesa e lirisë së intelektualit.
Po nëse hesht intelektuali, ai ka një përgjegjësi morale, kjo është ditur që nga Antika. Morali sot nuk identifikon shumë në këtë shoqëri. Andaj kush do ta kuptojë intelektualin nëse ai punon si një qenie morale dhe profesionale në një ambient jomoral dhe joprofesional?
Në “Mbrojtja e Sokratit” të Platonit, Sokrati thotë se kishte studiuar shtetarët, zejtarët, poetët dhe oratorët. Ai përfundon pas kësaj, se unë jam më i mençuri ndër këta, të cilët mendojnë se dinë edhe atë që nuk e dinë, kurse unë e di se nuk di asgjë. Ai fitoi armiq shumë për shkak të këtij mendimi. “Mos mendoni o qytetarë të Athinës, të punoj para jush atë që unë mendoj se nuk është mirë…”.
Fare në fund. Një shoqëria jeton nga prodhimi i lirisë. Secila shoqëri ka kategorinë e prodhuesve dhe kategorinë e konsumuesve të lirisë. Në Kosovë ka një raport enorm pabarazie ndërmjet prodhuesve dhe konsumuesve. Liria është mungesë e zakonshme, andaj ajo është edhe larg intelektualit, si njëri nga ata pa prodhues dhe të shumtën konsumues i saj.
Zgjedhet Formacioni i vitit 2024 në Superligë sipas votave t...
A do të rikthehet ndonjë ish-banor sonte në Big Brother VIP ...
Diplomatët amerikanë në Siri, për herë të parë pas rënies së...
Numri i serbëve në Kosovë – vetëm sipas vlerësimit
Sikorski: Shqipëria lider në procesin e anëtarësimit
Njohja e pasaportave nga Armenia, Kurti thotë se ky dokument...