Google ADS

“Il Giornale”: Si po e largon Rama Shqipërinë nga BE

01:30 | 22 Qershor 2020
Trina Galanxhi

Çfarë po ndodh në Tiranë? Në agimin e së dielës së 17 majit, për të qenë më të saktë, në orën 4.35, buldozerët e bashkisë të mbrojtur nga mbi 1 mijë policë, të rrethuar nga të gjitha anët, rrënuan Teatrin Kombëtar në një kohë rekord, simbol i një proteste të ashpër që zgjati 27 muaj.

Pasditen e së njëjtës ditë, një turmë e madhe që kundërshtonte masat e autoriteteve dhe rregullat antivirus mbushën zemrën e kryeqytetit, sheshin “Skënderbej” dhe bulevardin ngjitur “Dëshmorët e Kombit”, për të protestuar ndaj qeverisë së kryeministrit socialist Edi Rama. Me forcë dhe zemërim.

Policia akuzoi vazhdimisht protestuesit dhe ndaloi 64 persona, duke përfshirë Monika Kryemadhin, gruan e Presidentit të Republikës Ilir Meta dhe drejtuesin e një anëtari të opozitës. Bilanci në fund të ditës ishte i rëndë: bomba tymuese, gurë, shkopinj dhe disa të shtëna me armë (për fat të mirë) në ajër, plus 7 arrestime për “shkelje të dhunshme të rendit publik”, 21 padi për “tubim të paligjshëm”, 36 gjoba për “shkelje të karantinës”. Dhjetëra të plagosur në spitale.

Një e diel e keqe që e nxehu edhe më shumë debatin (ose më saktë, përplasjen) midis shumicës së Ramës dhe kundërshtarëve të tij flaktë dhe, edhe një herë, rigjallëroi sfidën midis vendimmarrësit shumë-kryeministër dhe protestuesve të tij të shumtë dhe aspak entuziastë (ta themi butë) për metodat e tij të ashpra dhe projektet e tij “moderne” të paskrupullta.

Rasti i kompleksit teatror është emblematik. Ndërtesa, e projektuar nga arkitekti Giulio Bertè në Milano në 1938 dhe e nisur disa muaj më vonë në Tiranë nuk ishte vetëm një nga shembujt e parë të parafabrikateve në histori apo një nga veprat më interesante të arkitekturës racionaliste në Evropë, por, mbi të gjitha, përbënte një pjesë e rëndësishme e panoramës së vogël monumentale të qytetit.

E shndërruar në epokën komuniste fillimisht në një gjykatë popullore pastaj në Teatër Kombëtar, pas rënies së regjimit në 1990, ndërtesa ishte në pritje të restaurimeve. Duke pasur parasysh vjetërsinë e materialeve origjinale, mirëmbajtjen e paktë në periudhën Enveriste dhe rregullat e reja të sigurisë, të gjithë (ose pothuajse) kërkonin një ristrukturim rrënjësor në përputhje me projektin e Berte. Por këto ishin vetëm iluzione.

Në vitin 2018, me justifikimin e festimeve në vitin 2020 të 100-vjetorit të Tiranës kryeqytet, Rama dhe Erion Veliaj, kryetar bashkie dhe delfini i tij, vendosën të ndryshojnë qendrën historike dhe plani filloi pikërisht nga prishja e “Teatrit Kombëtar”. Në vend të tij u vendos të ngrihet “Kravata e harkut”, një pseudonim i lezetshëm për të pagëzuar një masiv prej betoni të përforcuar: një strukturë prej 4 kullash të projektuara nga studio daneze Big dhe firmosur nga arkitekti Bjarke Ingels të cilat do të përmbajnë qendra tregtare, apartamente, etj. Projekti kushton 30 milionë euro, një faturë e madhe për standardet shqiptare.

Gjysma e Tiranës u ngrit kundër kryeministrit dhe kryebashkiakut, autorët e një spekulimi masiv ndërtimi. Në mbrojtje të kompleksit, u ngritën artistët dhe intelektualët që i përkisnin “Aleancës për mbrojtjen e teatrit”. Për t’i mbështetur ata, Lulzim Basha, drejtuesi i Partisë Demokratike dhe Monika Kryemadhi, e mbështetur edhe nga bashkëshortit të saj kryetar i shtetit, që e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, dolën në terren. Një veprim i fortë, por i kotë, pasi Gjykata Kushtetuese prej kohësh është e ngrirë për shkak se ka vetëm 5 nga 9 gjyqtarë të parashikuar.

“Confindustria Albania”, partneriteti që përfaqëson ndërmarrjet italiane në vend, ishte gjithashtu kundër shkatërrimit. Presidenti i saj Sergio Fontana komentoi me hidhërim: “Është njësoj sikur në vend që të ndërtosh një teatër më të mirë dhe të rehatshëm, të vendosësh të shkatërrosh Arenën e Veronës apo Koloseun. Një teatër i ri mund të ndërtohej në një zonë tjetër pa prishur një shembull të jashtëzakonshëm të arkitekturës italiane”.

Ambasadori italian Alberto Cutillo ishte më i kujdesshëm (ose shumë i vakët): “Unë mendoj se në një vend demokratik këto zgjedhje duhet të merren pas një debati të gjerë, sepse pasi të merren, nuk është e mundur të kthehen mbrapsht”.

Asgjë më shumë, asgjë më pak. Nga ana e Institutit Kulturor Italian, heshtje absolute.

Reagimet e Evropës janë shumë më të ashpra. Delegacioni i BE në Tiranë shprehu kundërshtimin e tij ndaj mënyrave dhe kohës së shkatërrimit të Teatrit.

Presidenti i PPE Donald Tusk e dënoi hapur shkatërrimin si një akt “i cili shkon kundër vlerave evropiane si mbrojtja e trashëgimisë kulturore, sundimi i ligjit dhe dialogut transparent mes palëve”.

Nga ana tjetër, ambasadori gjerman Peter Zingraf shtoi: “Rënia e Teatrit Kombëtar në Tiranë në agim, në formën që kemi parë, është vështirë për tu kuptuar”.

Akuzat dhe injorimi i tyre do të pasqyrohen në mënyrë të pashmangshme në negociatat e vazhdueshme për pranimin e Shqipërisë në BE. Një rrugë e trazuar e bërë më e komplikuar nga vendimet e fundit të Ramës, mbi të gjitha të ligjit vdekjeprurës të “anti-shpifjes” të miratuar dhjetorin e kaluar. Një sërë rregullash për të kontrolluar informacionet përmes një “Autoriteti të Mediave Audiovizive” të emëruar nga qeveria.

Brenda 72 orësh, në diskrecionin absolut të Agjencisë, çdo lajm i pretenduar si shpifje i botuar do t’u kushtojë gjoba shumë të larta gazetarëve dhe botuesve e tyre. Përveç kësaj, është e detyrueshme të paguash gjobën për të qenë në gjendje ta apelosh në gjykatë. Le të ngremë pra një dolli për shëndetin e lirisë së mendimit dhe të medias. /Marrë nga “Il Giornale”, përshtati LAPSI.al

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme