Po të ishte gjallë, Presidenti Ibrahim Rugova do të mbushte 75 vjet sot, më 2 dhjetor 2019. Ka ndërruar jetë në moshën 61-vjeçare.
Figura e Rugovës është rritur me kalimin e kohës dhe trashëgimia e tij do selitur më fuqishëm në Republikën e Kosovës.
Dijetari i letërsisë (Dr. Rugova, siç njihej atëherë) hyri këmbë e krye në jetën politike para tridhjetë vjetësh, në dhjetorin e vitit 1989.
Pakkush besonte para tri dekadash se Kosova, statusi administrativo-juridik i së cilës u shemb atë vit prej Serbie, jo pa fajin edhe të elitës komuniste shqiptare, të mund të niste ringritjen e vet: ngadalë, me disiplinë e kulturë, me rezistencë e sakrificë. Me punë, me dije e me luftë.
Ibrahim Rugova i priu lëvizjes pavarësiste shqiptare që u kurorëzua me Republikën e pavarur të Kosovës, që do ta njohë atë si Presidentin historik, Atin Themeltar të shtetit tonë.
Ibrahim Rugova (1944-2006) doli pashmangshëm njeriu që në dhjetor të vitit 1989 do t’i printe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), formacionit të parë politik demokratik që lindte në trojet shqiptare pas shumë dekadash sundimi komunist.
Nuk e zgjodhi ai këtë rol të prijësit, por i ra hise. Nuk e paraqiti kandidaturën, por ia paraqitën kolegët e tij intelektualë ditën kur u themelua LDK-ja, më 23 dhjetor 1989. Kishte rezerva nëse do ta merrte, por nuk e refuzoi këtë rol.
Dy vjet e gjysmë më vonë, në zgjedhjet e para nacionale, parlamentare e presidenciale, Ibrahim Rugova u zgjodh me votë popullore Kryetar i Republikës së Kosovës, ndërsa u njoh botërisht si udhëheqës i shqiptarëve të Kosovës, mbasi Republika nuk njihej. U bë kryetari e diplomati i parë, burrështetasi i Kosovës kur vendi ynë nuk njihej si shtet në rrafsh ndërkombëtar. Jo ende, sepse duhej punë për ta bërë Kosovën shtet, duhej çliruar e demokratizuar vendi. Për këtë duhej kulturë, disiplinë e organizim shtetëror, të cilat ai, me bashkëpunëtorët e vet dhe me organizmin e pashoq të qindra-mijëra njerëzve në LDK, atëherë lëvizje politike, dhe besimin e shumicës dërmuese të shqiptarëve, do t’i vinte në jetë duke krijuar Republikën e parë të Kosovës, që njihet si ‘shteti paralel‘ i shqiptarëve në kohën e okupimit serb. Rugova u bë ikona e Kosovës dhe lidhja simbiotike e saj me identitetin e veçantë shqiptar e vlerat euro-atlantike me të cilat do të lidhej natyrshëm.
Ibrahim Rugova u bë figurë nacionale në vitet e nëntëdhjeta, por kësaj rruge ishte nisur vite më parë. Në krye të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës nga viti 1987, në ato dy vjet e sa, Shoqata dhe ai vetë bënin punë letrare e politike në mbrojtje të shqiptarëve të cilët prej vitit 1981, nga Ngjarjet e atij viti, ishin vënë në shënjestër të Serbisë që donte të përmbyste rendin kushtetues federativ të vendosur më 1974, që e bënte Kosovën njësi gati-Republikë në Federatën Jugosllave. Serbëve u dukej statusi i shqiptarëve dhe i Kosovës përtej mase i lartë. Shqiptarëve u dukej i mangët për sa kohë që Kosova nuk ishte plotësisht e barabartë, Republikë, jashtë orbitës së Serbisë.
Shkrimtari Ibrahim Rugova, studiues letërsie dhe humanist, si intelektual publik (‘i angazhuar’ me gjuhë më ideologjike) u bë zëri autentik shqiptar i viteve të tetëdhjeta që dijti e guxoi të shqiptonte ndërgjegjen kombëtare e demokratike të popullit të vet. E bëri këtë me gjuhë të moderuar por me argument të fortë, bashkë me kolegë të vet në bisedat e shkrimtarëve shqiptarë të Kosovës me shkrimtarët serbë në Beograd në vitin 1988, në ballafaqimin e parë intelektual e politik, që u ndërpre, ndonëse parashihej të vazhdonte në Prishtinë, mbasi Sllobodan Millosheviqi dhe regjimi i tij nacional-komunist iu frikësuan humbjes në tribunën publike, në fushëbetejën e ideve e të argumenteve. Shqiptarët i njihnin mirë serbët. Serbët nuk i njihnin dhe nuk donin t’i njihnin shqiptarët. Ky ishte atëherë dhe është edhe sot në thelb të konfliktit Kosovë-Serbi, madje 20 vjet mbas lufte.
Intelektuali Rugova u bë politikan në vitin 1989. Prej refuzimit estetik kaloi në refuzim politik të pushtetit komunist, jugosllav apo çfarëdo tjetër. Trajektorja e këtij kalimi kishte nisur më herët. Fillimisht nga studimet letrare për traditën letrare shqipe të përjashtuar nga dogma e Realizmit Socialist të Shqipërisë dhe për dijet moderne letrare, evropiane e amerikane. E kishte mësuar shkollën e politikës privatisht, në vitet e shtatëdhjetë, sidomos gjatë qëndrimit të tij studimor në Francë, kur ndiqte studimet e larta teorike për letërsinë, për relacionet e dijes e të pushtetit.
Intervista më e njohur e Ibrahim Rugovës, atëherë shkrimtarit 44-vjeçar, u botua në qershor të vitit 1989 te e përjavshmja politike gjermane “Der Spiegel”. Serbët kthehen për t’u hakmarrë, tha Rugova, në vigjilie të tubimit masiv serb në Gazimestan, në periferi të Prishtinës, me rastin e 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, që Millosheviqi do ta përdorte për të paralajmëruar se Federata Jugosllave do të rinkofigurohej për ta akomoduar Serbinë e tij të Madhe, mbasi që Kosova ishte kthyer nga njësi federale në pjesë të Serbisë me ndryshimet e imponuara kushtetuese të pranverës së 1989-shit. (Më 23 mars Kuvendi i Kosovës, me shumicë delegatësh shqiptarë, vendosi të miratonte ndryshimet e imponuara kushtetuese që u formalizuan nga Kuvendi i Serbisë më 28 mars 1989. Pak delegatë shqiptarë kishin votuar kundër, me mijëra shqiptarë kishin protestuar në rrugë e sheshe, me dhjetëra ishin vrarë ato ditë. Lavdi i kundërshtuesve e ka mbuluar fajin e votuesve apo abstenuesve shqiptarë, që e kanë merituar turpin historik, me emër e mbiemër seicili.)
Në vjeshtën e vitit 1989, Ibrahim Rugova është paraqitur në skenë kulturore, në SHBA (tetor) dhe në Kosovë (dhjetor) për shënim të 300-vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit, klerikut, shkrimtarit e prijësit shqiptar të kryengritjes anti-osmane në Kosovë, i cili kishte vdekur në Prishtinë. Për Pjetër Bogdanin kishte shkruar Rugova librin e tij monografik, me metodë e rezultate të veçanta studimi në dijet humanitare shqiptare më 1981 (botuar më 1982). Bogdani u bë Mjeshtri dantian i Rugovës në shtegtimin e tij tokësor, intelektual e politik. Mentori i tij ishte Bogdani paradoksalisht, e jo Gandi, edhepse nofka e Gandit të Ballkanit i ishte veshur tashmë, si bekim nga të huajt e mallkim nga shqiptarët gjaknxehtë, por fuqipakë, dhe revolucionarë të kolltuqeve, të tillë që edhe sot e shajnë Rugovën. Madje shkrepin fletërrufé ndaj tij dhe trashëgimisë së tij.
I ka mundur për së gjalli Dr. Rugova rivalët e tij politikë e ideologjikë shqiptarë, të proviniencave titiste e enveriste, të atyre që donin të trashëgonin pushtetin komunist. Të këtyre proviniencave kryesisht, me retorikë kombëtariste shqiptare natyrisht, janë edhe sot kundërshtarët e tij donkishoteskë (paradoksalisht, ai ka kundërshtarë edhe pas vdekjes!) që, nga lugina e vdekjes, i hakërrehen figurës së Rugovës si të ishte i gjallë njeriu vetë. Nuk ia falin Rugovës guximin e dijen, dhe hijen që kishte hedhur mbi ta figura e tij e madhe për së gjalli, që, për tmerrin e tyre, po rritet me kalimin e viteve.
Nuk është puna se Rugova ka qenë i paqortueshëm. Fundja, ai vetë i ka marrë kritikat me mirëkuptim të habitshëm. Problemi është te kultura e fletërruféve që po ringjallet dhe tolerohet tridhjetë vjet mbas rënies së komunizmit, që kishte dëmtuar palcën e shoqërisë shqiptare. Nuk do të tolerohej kjo në shoqëri me mbamendje e integritet.
Në tetor të vitit 1989 ra Muri i Berlinit, që hapi udhë për ribashkimin e Gjermanisë, rënien e komunizmit dhe triumfin e rendit liberal perëndimor në Evropë.
Në nëntor-dhjetor 1989 ndodhi Revolucioni i Kadifenjtë në Çekosllovaki, që, nën drejtimin e shkrimtarit e disidentit çek Vacllav Havell, përmbysi regjiminin komunist të këtij vendi që pati fatin e keq të binte në Bllokun Sovjetik. Havelli u zgjodh President i Çekosllovakisë më 29 dhjetor 1989, dhjetë ditë mbasi kishte formuar Forumin Qytetar të disidentëve të regjimit komunist.
Në këtë kontekst të ri evropian, teksa Kosova si entitet politik kishte rënë në fund të pusit për faj të elitës së vet komuniste shqiptare që ishte shitur ose po binte kryengul, më 23 dhjetor 1989 në Prishtinë u krijua Lidhja Demokratike e Kosovës, partia shqiptare që përmbysi rendin komunist në Kosovë për shpejt, pati ndikimet për rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë në Shqipëri një vit më vonë, dhe nisi luftën e gjatë për liri, demokraci e pavarësi të vendit. LDK-ja dhe partitë e tjera, populli i Kosovës, duhej të luftonin okupimin serb. S’mund të kishte Revolucion të Kadifenjtë në Kosovë.
Shkrimtari kosovar Ibrahim Rugova dhe shkrimtari çek Vacllav Havell, të dytë humanistë, i lidhi historia edhe në pranverë të vitit 1999. Si President i një vendi të sapohyrë në NATO, Havelli përkrahu ndërhyrjen e Aleancës Veri-Atlantike kundër Serbisë për mbrojtje të popullit të Kosovës, udhëheqësi i të cilit, Ibrahim Rugova, qe marrë peng, ndërsa qindra mijëra bashkëkombas të tij ishin përzënë nga vendi, e mijëra e mijëra të tjerë ishin masakruar nga forcat barbare serbe. Ishte ky intervenim humanitar, ndoshta i vetmi i këtij lloji në historinë e njerëzimit, jo vetëm të Aleancës më të madhe në historinë e njerëzimit, NATO-s.
E në ndërkohë, në atë dekadë (1989-1999), nën drejtimin e Ibrahim Rugovës, prijësit filozof, populli i Kosovës kishte krijuar Republikën e vet, shtetin e mbijetesës, që gjakonte lirinë e pavarësinë e vet. Dhe e fitoi: me dije, djersë e gjak. Me lëvizjen paqësore politike që, ndonëse nuk e evitoi luftën, se kjo nuk varej vetëm prej saj, ia doli të shpëtonte popullin e Kosovës që rrezikonte të shfarosej nga gjenocidi serb.
Ibrahim Rugova fitoi besimin e qytetarëve të vet por edhe të botës demokratike gjatë viteve të nëntëdhjeta. Kjo botë i doli në ndihmë Kosovës në orët e liga të luftës, të vitit të tragjedisë e të mrekullisë 1999, por edhe më vonë, gjatë rimëkëmbjes në liri, për shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008, për konsolidimin e sovranitetit të brendshëm e të jashtëm të Kosovës.
Tash kur Kosova ka nevojë për konsolidim të shtetësisë së vet, qarqe neokomuniste shqiptare në Prishtinë e në Tiranë janë tunduar nga sirenat e bashkimit kombëtar teksa pozita e Kosovës është degraduar ndërkombëtarisht, sidomos karshi Serbisë, për fajin e establishmentit politik të dekadës së fundit. Kosova duhet të rimëkëmbet me idenë e Ibrahim Rugovës në ind të shtetësisë së vet: për një vend demokratik, të zhvilluar, që ruan identitetin e vet historik e gjeografik, në rrugë për integrim në BE dhe me marrëdhënie speciale me SHBA-të.
Ibrahim Rugova vdiq më 21 janar 2006, pak muaj mbasi kishte nisur procesi ndërkombëtar për përcaktim të statusit përfundimtar që u përmbyll me shpallje të pavarësisë.
Humanist e njeri i kulturës, njeri me busullë morale, Rugova nuk ishte religjioz (me fjalët e tij, ishte ‘musliman simbolik’), por ishte njeri i besimit. Me besim në të drejtën e Kosovës së pavarur, si zgjidhje optimale për shqiptarët në rrethanat ndërkombëtare, ai punoi deri në frymën e fundit.
Dijetari e pushtetari filozof Ibrahim Rugova kujtohet sot, 30 vjet mbas ngjitjes së tij në skenën kombëtare, 14 vjet mbas shkuarjes në amshim, si burrështetasi i parë i Kosovës, njeriu më i madh i këtij vendi. Por, a njihet dhe a çmohet trashëgimia e tij?
Nuk quhet njohje e vlerësim përdorimi që i bëjnë kësaj trashëgimie oportunistët, brenda dhe jashtë LDK-së, të partisë që pas vdekjes së Rugovës nuk ia doli t’i fitojë asnjëherë zgjedhjet që i kishte fituar gjithëherë për të gjallë të tij. Oportunizmi dhe rugovizmi janë në kundërshti organike.
Trashëgimia e Ibrahim Rugovës, Atit Themeltar të shtetit të pavarur të Kosovës, duhet të vendoset përgjithmonë në themelet e shoqërisë e të Republikës sonë.
Muhamet Hamiti është profesor i letërsisë angleze në Universitetin e Prishtinës. Ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Ibrahim Rugovës dhe ambasador i Kosovës në Londër.
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...
Kruajtja nën sqetull – shenjë paralajmëruese e kancerit ose ...