Tarti u bë gëzimi dhe ngushëllimi i çdo të burgosuri në atë kamp përqendrimi ku vdekja ishte sinonim i lirisë.
Shumë prej jush mund të keni dëgjuar për krimet e komunizmit në Shqipëri. Por pak prej të rinjve shqiptarë u besojnë atyre ngjarjeve që duken se kanë ndodhur para shumë shekujve duke marrë për bazë barbarinë e atyre mizorive e torturave që shpeshherë kalonin kufijtë e logjikës njerëzore. E tillë ishte edhe historia e një qeni të quajtur Tarti në Burgun e Spaçit. Tarti ishte i ekzekutuari i pestë i Revoltës së Spaçit, revoltë e cila tronditi themelet e diktaturës komuniste.
Por si u bë që regjimi komunist dënoi me varje si armik i popullit një qen i cili fajin e vetëm e kishte se nuk i pëlqente uniformat e gardianëve të burgut?
Tarti që nga vegjëlia u mor nën përkujdesje nga të burgosurit e burgut. Ata, ushqimin e pakët që kishin për vete, e ndanin bashkë me Tartin. Kishte raste kur nuk hanin vetë e Tarti nuk mbetej i uritur. U krijua një miqësi e çeliktë mes të burgosurve dhe qenit i cili vetëm qen nuk ishte. Ai u bë gëzimi dhe ngushëllimi i çdo të burgosuri në atë kamp përqendrimi ku vdekja ishte sinonim i lirisë.
E veçanta e tij ishte se ai përcillte çdo të burgosur nga burgu drejt punishteve në miniera dhe anasjelltas. Askush nuk dinte si e çante rrethimin e burgut dhe si endej poshtë e lartë në atë përpjetëze që edhe njerëzit e kishin vështirë për ta ngjitur. Ai kujdesej për sigurinë e tyre dhe nuk lejonte që asnjë gardian t’u afrohej atyre. Lidhja e tij me të burgosurit ishte unike, krejt e veçantë dhe madje e pabesueshme për shumëkë.
Ai ulërinte e lehte çdo gardian, polic, prokuror a shërbyes të regjimit ndërsa donte e respektonte çdo të burgosur. Tarti tregohej i afërt e i shoqërueshëm me çdo uniformë ngjyrë kafe që vishnin të burgosurit kurse u bë gjithmonë e më agresiv me uniformat jeshile të policisë së kampit.
Nuhatja e tij ishte mbresëlënëse aq sa edhe pa uniforma ai arrinte t’i dallonte se kush ishin miqtë dhe armiqtë e tij. Duke qenë se tashmë sjelljet e tij po bëheshin bezdisëse për punonjësit e burgut, ata tentuan ta helmonin dy herë qenin që veçse ishte shpallur “armik i regjimit”. Por falë përkujdesjes nga të burgosurit, ai mrekullisht kishte shpëtuar.
Tarti qëndronte pranë çdo të burgosuri që ishte dënuar në “shtyllën e ndëshkimit” për çfarëdo dënimi, e që në të shumtën e rasteve, ishte mos përmbushja e normës së përcaktuar nga partia (gardianët ndiqnin politikën “ose normën ose shpirtin”).
Pavarësisht rrethanave a kushteve klimatike, në shi a borë apo në nxehtësi përvëluese, ai ishte përherë aty, si për t’u treguar shokëve të tij, se megjithatë ka shpresë, se megjithatë ata nuk ishin krejtësisht vetëm. Ishte 21 maji i vitit 1973 kur në kampin e vdekjes shpërtheu revolta e cila filloi me të burgosurin Pal Zefi të cilit pasi iu dha kumti se i kishte përfunduar dënimi në qeli, iku dhe refuzoi t’u bindej gardianëve. Me të u bashkuan edhe të burgosur tjerë.
Qetësia e mërzitshme e mëngjesit në Luginën e Spaçit u prish nga zhurma dhe solidarizimi i të burgosurve tjerë me Palin. Situata tashmë kishte marrë përmasa shqetësuese për regjimin. Posa filloi muzgu, u ndez një zjarr i madh në hapësirat e jashtme të burgut kurse të burgosurit politikë filluan t’i shkatërronin tendat prej druri të emulacionit socialist si dhe brohorisnin parulla me karakter politik si “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, “Poshtë komunizmi dhe Rroftë Shqipëria e Lirë”, “Ju jeni katila”, “Ja liri, ja vdekje”, etj.
Rreth orës 03:00 të mëngjesit, kishte arritur një ministër i brendshëm, Feçor Shehu me qëllim që të shtypej sa më shpejtë që ishte e mundur kjo “tradhti ndaj sistemit”.
Posa zbardhi dita, rojet e burgut kishin vënë re se tashmë në katin e tretë të ndërtesës së burgut po valvitej një flamur kombëtar me shqiponjën dykrenare por pa yllin komunist në mes. Siç tregojnë dëshmitarët pjesëmarrës, shqiponja ishte “pikturuar” me mjete rrethanore nga Mersin Vlashi kurse flamuri ishte ngritur nga Gjetë Kadeli, Rexhep Lazri si dhe Murat Marta.
Të burgosurit ishin të vetëdijshëm se tashmë revolta kishte marrë karakter politik si dhe dënimet (duke përfshirë edhe pushkatimin) do ishin të pashmangshme. Në ditën e dytë në brendësi të kampit kishin arritur njëzetë e shtatë makina të institucioneve shtetërore dhe kishin filluar bisedimet me të burgosurit me kushtin e padiskutueshëm që të rikthehej normaliteti. Sa kalonin orët, aq më shumë shtoheshin forcat e aparatit shtetëror komunist.
Në mesin e kryengritësve më të zot ishte edhe Tarti i cili nuk linte rast pa sulmuar policët, madje edhe duke i kafshuar ata. Sa herë që shihte ndonjë të burgosur në duart e tyre, ai kërcëlliste dhëmbët dhe bëhej gati për t’i mbrojtur shokët e tij nga “njerëzit” që vetëm njerërzillëk nuk kishin.
Tarti u vërsulej atyre kurdo që i shihte që maltretoheshin miqtë e tij. Pas dënimit me vdekje për katër organizatorët kryesorë të Revoltës së Spaçit: Pal Zefi, Dervish Bejko, Skender Daja dhe Hajri Pashaj si dhe tetë të tjerëve me nga 25 vite burg, regjimi e pa të domosdoshme të dënohej edhe Tarti i cili u bë ndoshta kafsha e vetme e dënuar politikisht në botë. Më 30 maj 1973, Tarti ndodhej në duart e Gjykatës Ushtarake, e cila arsyetohej se “Partia jonë zemërmadhe u bëri nder shkaktarëve të revoltës duke i dënuar me pushkatim, jo me varje në litar, siç e meritonin. Prandaj qenin e tyre ne do ta varim patjetër.”
Kështu, Tarti u var në një trekëmbësh para shokëve të cilët po qanin pa pushim. Para tyre nuk ishte një qen a kafshë por ishte një mik, i afërm apo familjar tek i cili gjenin gjithmonë prehje edhe atëherë kur zymtësia e burgut e mungesa e diellit rëndonte shpirtrat e tyre. Njëri prej tyre, Zefi nga Mirdita bërtiti “Më merrni e më varni mua, vetëm atë mos e varni. Doni një shpirt, më merrmëni mua”! “Ulu, – i thirri një komandant ushtarak, – se do të të vij radha edhe ty!”
Tarti u var si “armik i popullit” si për të treguar se egërsia e regjimit nuk njihte kufi. Si për t’u bërë të ditur të tjerëve se pushteti do mbrohej me çdo kusht e me çdo mjet, madje edhe duke ekzekutuar edhe kafshët. Tarti duhet kujtuar gjithmonë, jo se është kafshë e jo se është viktimë e një regjimi kriminal, por se Tarti bashkë me katër organizatorët tjerë të revoltës u bë simbol i qëndresës antikomuniste në Shqipëri. Pak vite pas, poeti i burgosur që e pa Tartin në grahmat e fundit, Ylber Merdani
kujton Tartin me disa vargje ku shkruan:
“Kështu ndodh edhe për Tartin
Që e varën para syve tanë
Po si nuk na plasën sytë e ballit
Bashkë me të edhe shpirtin na e vranë…”
(Opinioni është shkruar nga Valdrin Rrahmani)
Shkruan: Vladrin Rrahmani
Shkrimi është qëndrim i autorit
Dy persona lëndohen në një aksident mes dy veturave në Suhar...
Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Arabisë Saudite nënshkru...
Arrestohen dy të mitur në Suharekë, policia gjen tre fishekë...
Ligjvënësit francezë pritet të votojnë për rrëzimin e Qeveri...
Tentoi të vidhte një barnatore në Skenderaj, policia i gjen ...
Rama takohet me presidentin e ri të Këshillit Europian, Anto...