Haradinaj bën koalicion me Shpend Ahmetin, dhimbje koke për Kadri Veselin

20:09 | 14 Maj 2018
Arbresh.info

Shkruan: Ervin Shkulaku

Ramush Haradinaj bëri gjithçka vetëm që ta plotësonte dëshirën e moçme, dëshirën që të ishte kryeministër i Kosovës. Madje pranoi që të shkonte si ” kryeministër me qera” te Partia Demkratike e Kosovës vetëm që të ishte ai kryeministëri i ardhshëm edhe pse tashme duket e qartë se ka hyrë nën hijen e Hashim Thaçit dhe siç e ka thënë vetë edhe Haradinaj, “po merret vetëm me punët e shtëpisë” pra si një nxënës shëmbëllor që i ndjek më përpikmëri detyrat e mësuesit.

Por, Haradinaj ka edhe një dëshirë tjetër që Albin Kurti ose më saktë Lëvizja Vetëvendosje nuk ia ka plotësuar, ai dëshiron ta shohë Shpend Ahmetin si kryeministër të Kosovës. Dhe këtë propozim ia kishte parashtruar Vetëvendosjes para zgjedhjeve dhe çuditërisht ata nuk kishin pranuar pasi ishin frikësuar, (e me të drejtë se tashmë Shpendi nuk është me ta), dhe kishin kandidatin e tyre historik, tashmë të vjetëruar Albin Kurtin.

E megjithatë sot Shpend Ahmeti me besnikët e tij morën drejtimin absolut të Partisë Social Demokrate të Kosovës. Pra, tani Ramush Haradinaj mund të propozojë lirshëm koalicion me PSD-në që të jetë Ahmeti si kryeministër. Edhe marrëdhëniet e tyre duket qartë se janë të mira. Haradinaj e ka mbështetur Shpend Ahmetin në shumë projekte, ligjin për Prishtinën, Statutin e Pallatit të Rinisë, madje e mori me vete në Londër dhe kërkuan borxh te Banka Evrpiane për Zhvillim dhe Ndërtim për të zhvilluar disa projekte si me shumë gjasë Parkingu Nëntokësor. Gjithashtu në ceremoninë e shpalljes së Shpend Ahmetit, kryetar nuk mungoi pjesmarrja e nënkryetarit të AAK-së Ahmet Isufi dhe deputetes Teuta Haxhiut.

E të gjitha këto të bëjnë të dyshosh se Haradinaj në zgjedhjet e ardhshme që me shumë mundësi do të jenë të parakohshme do të jetë në koalicion me Shpend Ahmetin.

Dhimbje koke për Kadri Veselin

Pra, në zgjedhjet e kaluara dhe me shtimin e partive politike është e qartë se asnjë parti nuk e qeveris Kosovën pa koalicion parazgjedhor. E kjo do ta vendosë kryetarin e PDK-së Kadri Veselin në një pozitë të vështirë. Një largim i Haradinajt për tu bashkuar me Shpend Ahmetin por që edhe të shpëtojë nga ngulfatja që ka në këtë koalicion, si psh duhet të durojë dhjetra zv.ministra që të kënaqen të gjithë, do ta lejë të vetëm Kadri Veselin me një PDK plot akuza falë Hashim Thaçit.

Prandaj, Veseli do të ketë shumë punë dhe duhet t’ja nisi menjëherë pasi koha nuk premton. Nuk duhet të bazohet shumë nga Like-t e Facebook por duhet të zbresë në terren për të vendosur njerëz të zotë për drejtimin e strukturave partiake. Ndërsa nga ministrat e PDK-së, vetëm Abelard Tahiri po shkëlqen duke bërë reforma të rëndësishme në drejtësi ndërsa të tjerët kanë rënë në gjumë. Ndoshta ka ardhur koha të zgjohen.

Gjithashtu sfidë për Veselin do të jetë menjanimi i njerzëve të Hashimit pasi vetëm në këtë formë do të veprojë i lirshëm në idetë e tij duke sjellë risi edhe për publikun,shkruan albeu.com.

Ndërsa nga ana tjetër Vetëvendosje ende e plagusur nga lufta e brendshme politike mund të joshë Lidhjen Demokratike të Kosovës me kandidat për kryeministër Albin Kurtin për popullaritetin që ka por edhe pasi LDK është në prag të shpërthimit të një lufte të brëndshme, por për momentin duket i largët ky pretendim.

LDK ka kërkuar zgjedhje të parakohshme por ngjarjet e rëndësishme që po ndodhin këtë vit në Ballkanin Perëndimor do t’ja pamundësojë LDK-së këtë kërkesë.

Këtë vit pritet që të arrihet një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje kjo që do të sjellë fillimin e një epoke të re me aktorë dhe kushte të reja që dhe do të jetë shpresa e qytetarëve të Kosovës për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme