Berat Armagedoni
Dikur, jo shumë moti, studentët e UP-së janë nxjerr dhe kanë dalë para “Hasan Prishtinës” dhe e kanë shkarkuar të parin e tij. I janë futur edhe në zyrë Ibrahim Gashit për ta nxjerrë jashtë.
Studentët e UP-së janë nxjerr dhe kanë dalë para “Hasan Prishtinës” dhe e kanë shpëtuar përkohësisht nga shkarkimi të parin e tij, Ramadan Zejnullahun.
Studentët e UP-së kanë dalë para Rektoratit të UP-së për shumëçka.
Studentët e UP-së, para se të dalin për të shkarkuar e për ta mbrojtur nga shkarkimi të parin e “Hasanit”, janë nxjerr dhe kanë dalë në sheshet e Prishtinës për nevoja të ndryshme të partive politike. Pra, janë përdorur politikisht.
Studentët e UP-së kanë dalë edhe atëkohë kur fasulja hahej vetëm nga një kokërr, atëkohë kur kërkohej “republikë ja me hatër, ja me luftë”, kur përgjakeshin rrugët e Prishtinës, me gjak të shqiptarëve nga trupi i tyre, nga paramilitarët serbë, nga tytat e pushkëve të tyre, nga shkopinjtë e tyre, nga çizmet e tyre, nga grushtet e tyre e nga gurët tanë.
Por sot studentët e UP-së nuk protestojnë për kishën e vënë pa vend në kompleksin e Universitetit të tyre.
Që sa vite që është aty nuk organizoi dhe nuk organizon kush, asnjë organizatë studentore, asnjë protestë për reagim ndaj kësaj kishe, e ndërtuar dhunshëm, në kompleksin e Universitetit të tyre. Asnjë rektor s’e tha e as ky i sotmi s’e thotë një fjalë për të – fjalë smirëzezë, sikurse ishte ideja për ndërtimin e saj. Megjithatë, e dimë të gjithë, të gjithë e dimë, se të gjithë studentëve shqiptarë kjo kishë ua vret sytë sa herë që kalojnë atypari e nga cilado medie që ta shohin surratin e saj, por asnjë student shqiptar s’del as vet e as me shokë kundër saj.
Po këta studentë të UP-së, ata kryetarë të atyre organizatave studentore, nuk kërkojnë të drejta e kushte më të mira nga Rektorati i UP-së për studimet e veta.
Ç’të drejta duhet të kërkojnë studentët e UP-së nga “Hasan Prishtina”, nga kreu i saj, Marjan Dema, edhe nga kreu i Ministrisë së Arsimit…, Arsim Bajrami?!
Duhet t’i kërkojnë ato të drejta e ato kushte të përshtatshme për lexim që ua ofron ligji. Ligji për Bibliotekat. Ligji për Bibliotekën Qendrore Universitare (BQU-në).
Asnjërës organizatë studentore nuk po i bie ndërmend për studentët e UP-së, për kushtet e leximit të tyre nëpër sallat e leximit në bibliotekat e fakulteteve.
Asnjërës organizatë studentore, as kryetarëve të tyre organizatave që organizohen e kërkojnë përkrahje vetëm kur janë zgjedhjet studentore, nuk po i bie ndërmend se për studentët e UP-së është ndërtuar objekti i Bibliotekës Qendrore Universitare, se për ndërtimin e tij janë dhënë rreth ose pak mbi pesë milionë euro.
Askujt nuk po i shkon mendja se udhëheqësia e Rektoratit, e MKRS-së, e MAShT-it dhe këmbëngulësia personale e disa individëve, po për qëllime personale, po e mbyll institucionin më të ri për studentët e UP-së, Bibliotekën Qendrore Universitare, ende pa u hapur.
Kuku nanë sa të mjerë që janë!
Do ta mbyllin sepse nuk ka kush t’u thotë mos e mbyllni.
Nuk ka kush të dalë para “Hasan Prishtinës” e t’i thotë Marjan Demës, shqip ose në ndonjë gjuhë tjetër që merr vesh më mirë, hape më, o rezil, se ata katilët s’e hapën dot!
Nuk ka kush t’i thotë Marjanit, para objektit ku e plak ditën, e Marjani t’u thotë të tjerëve, atyre që e bënë rektor, hapeni se po më thonë se u duhet kjo bibliotekë, se u mërdhinë dimrit nëpër salla të leximit, se u kallën gjatë verës nëpër po në ato salla, se qenkan librat e tyre aty e po u dëmtuakan për çdo ditë nëse nuk u bien në duar.
Hapeni se ata pak libra, kryesisht të mjekësisë, që i ka paguar MAShT-i sa nuk bën, sa një mizë për një buall, mbi pesë milionë euro, po kalben pa u rënë në duar studentëve asnjë ditë.
Hapeni se është e jona, more!
Hapeni se ju obligon ligji, ore!
Hapeni se amerikanët i kanë dhënë mbi 300 000 dollarë për të!
Hapeni ju marroftë Zoti e kurrë mos t’ju shkojë mendja që ta mbyllni më!
Kishën, në kompleksin universitar, e cila nuk po ju pengon, serbëve po u shkon mendja ta bëjnë funksionale, kurse po ju pengon Biblioteka Qendrore Universitare e po përpiqeni ta mbyllni vetëm pse është në kompleksin universitar, vetëm pse është për studentët e “Hasanit”, vetëm pse e përkrahën amerikanët, vetëm pse projektin për të e funksionimin e saj e bënë amerikanët.
Kujtoni edhe sot se amerikanët menduan keq për Kosovën, për të ardhmen e saj, për studentët tanë e studimet e tyre, kur na thanë në 2003-n, nëse doni studime më të mira, hapeni Bibliotekën Qendrore Universitare?!
Këtë mendim, kaq të mbrapshtë, ende e keni për amerikanët?
Për amerikanët e Amerikës?
Për amerikanët e Arbërisë?
Për amerikanët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës?
Kaq mbrapshtë për studimet në UP, për “Hasan Prishtinën”, për studentët e të gjitha komunave të Kosovës të ardhur në Prishtinë, po për studimet që ofron ky universitet, kryesisht shqiptarë të Kosovës, nuk mendojnë as armiqtë, o udhëheqës të shtetit e të institucioneve arsimore e kulturore!
A jeni normalë, o njerëz kokëkrisur, që edhe aksidentalisht jeni këtu ku merret dhe jepet dija (universitet), që s’mendoni për hapje, por për mbyllje të BQU-së për çdo ditë e për çdo natë, takim pas takimi, thirrje pas thirrje, mesazh pas mesazhi?!
A jeni të vetëdijshëm çfarë po bëni?
Çfarë po i bëni të ardhmes së UP-së?
Studentëve të “Hasanit”?
Pse po u mëshoni shkelmë hundëve amerikanëve? 300 000 dollarëve të tyre e trajnimeve të vazhdueshme të tyre?
Pse po ua mohoni studimet studentëve?
Pse po i shkelni vendimet?
Pse po e shkelni ligjin? Ligjin për Bibliotekat? Kur nuk e respektoni ligjin, kë tjetër respektoni ju e nga kush tjetër keni frikë?
Nga i Madhi? Nga ai Lart?
Ju s’njihni njeri, ju s’njihni Zot.
Juve ju duhen njerëz të tjerë.
Ju duhet Perëndi tjetër.
Pse po ua mbyllni atë derë të dijes kur, po në kompleksin e UP-së, s’po bëni zë që po hapet, për çdo ditë nga pak, dera e kishës ortodokse e ndërtuar nga regjimi i tmerrshëm dhe i egër serb që s’ju linte të shihnit rreze drite me sy, që hanit kërbaç mbi kokë për çdo ditë?
Nëse ju kanë ikur mendtë, tubojini dhentë (këshillat e Rektoratit e Senatin, këshillat e ministrave e të dy bibliotekave e kë jo tjetër) e hapeni BQU-në!
Hapeni, Zoti ju marroftë!
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...