Kot e ka fituar Handke Nobelin për Letërsi. Atë mbi të gjitha do ta mbajnë në mend si apologjet të Millosheviqit dhe të gjenocidit, e jo si një shkrimtar të mirë. Keq për te dhe keq për letërsinë.13
Në njërin prej romaneve të tij, Peter Handke, shkrimtari austriak që pak ditë më parë fitoi Çmimin Nobel për Letërsi, (për vitin 2019-të), na rrëfen kërkimin e një njeriu për ta gjetur vëllaun e vet.
Hap pas hapi, faqe pas faqeje, kapitull pas kapitulli, ky njeri, i cili vlerëson që identiteti i tij është disi gjysmak poqëse nuk do ta rinjeh vëllanë, apo, që ai nuk do ta di kush është vet nëse nuk e di se cili është vëllau i tij, arrinë ta mësojë vendndodhjen e vëllaut dhe punën me të cilën ai mirret: Ai fiton para me prerjen e drunjëve.
Kur vie çasti që të takohet me te, ndodhë një kthesë e madhe, që bën hi dhe pluhur gjithë atë mallin e mbledhur për ta përqafuar vëlluan, për të folur me te, për të ndarë me te gjithë rrugëtimin kah ai, që i ishte bërë kryetemë e ekzistencës së tij.
Teksa i afrohet atij, ai e sheh vëllaun afër një lisi, gjysmë të zhveshur, teksa e bën nevojën e madhe.
I gjithë ai mall i madh, e tëra ajo dëshirë që ta gjejë vëllaun, i zhbëhet dhe i tretet në një moment të vetëm para një skene të këtillë.
Ai kthehet mbrapsht dhe kurrë më nuk e kërkon vëllaun.
Është ky një kallëzim tipik në krijimtarinë e Handkes, deri kah mesi i viteve të nëntëdhjeta të qindvjeçarit njëzet, kur ky, pa prit e pa kujtue, hidhet në një front politik krejtësisht të çoroditur, në përkrahje të kauzës politike serbe, e cila e tëra asokohe u ndërtua mbi krimet e shumëfishta të luftës, të cilat kishin si kryeprotagonist liderin gjithë-serb Sllobodan Millosheviqin.
Handke kishte shkruar poezi, tregime, drama, skenare, romane, në të cilat fund e krye shfaqet pikëshikimi individual për jetën dhe për vdekjen, për tëhuajësimin e këtij individi në një Botë ku nuk ka më kierarki të qëndrueshme vlerash, ku shumë nuansa të së hirtës bëjnë ngjyrën e vetme të ekzistencës së tij, dhe ku edhe ai malli i moçëm për ri-njohjen e vëllaut me vëllaun, që dikur është ngjitur në qiell me mite dhe me legjenda, përplaset për toke me një tabllo të dikujt që aty pranë lisit kryen një nevojë fiziologjike.
Asnjë kolektivizëm i mundshëm, as etnik, as fetar, as politik, as kulturor, nuk i dukej vlerë Peter Handkes.
Asnjë.
Handke me këtë qasje të tij letrare, i rrinte mirë Evropës Perëndimore të viteve shtatëdhjeta dhe tetëdhjeta. Për këtë shkak, ai ishte autor i mirëpritur, i cili madje do të bëhej me famë dhe me popullaritet, më së shumti faktit që ishte bashkautor i skenarit për filmin ‘Qielli mbi Berlin’, në regji të Wim Wendersit. Filmi u realizua në vitin 1987-të (dhe pati sukses të madh), fliste për dashurinë dhe vetminë e engjullit dhe të një femre, artiste cirku, në një qytet që dukej se ishte mallkuar një herë e përgjithmonë të mbetej i gjymtë, i ndarë në dy gjysma, i ngujuar në një të kaluar tragjike, pa të ardhme të mirëfilltë.
Dy vite më vonë ndodhi mrekullia dhe Berlini u bashkua, tok me te edhe gjithë Evropa.
Historia u shterr, madje, si thanë disa, mori fund në Evropë dhe në Perëndim (pas përfundimit të ‘Luftës së Ftohët’), por ajo më pas shpërtheu në ato hapësirat e ish-Jugosllavisë, duke prodhuar, në mënyrë sistematike, vuajtje, vdekje, dhimbje, tragjedi, sipër Planeve dhe Projekteve politike të Beogradit dhe të Millosheviqit.
Çfarë i ndodhi mendjes, shpirtit dhe trupit të Handkes, këtë mbase askush nuk e di.
A ishte kjo përballja e autorit me krizën e krijimtarisë (në fakt, ai prej viteve të nëntëdhjeta e tutje nuk është shfaqur me ndonjë vepër mbresëlënëse), apo, ai u eklipsua nga një kolektivizëm nacionalist të ujitur me urrejtjen e të gjithë të tjerëve, apo ai thjeshtë nuk diti të gjindej në një Epokën e re të Globalizmit, që njeh një fitore të madhe të Perëndimit politik ndaj Lindjes politike, kjo nuk është e qartë as sot e kësaj dite.
Por pa kurfarë dyshimi, Handke, si një letrar që nuk shihte gjë të kuptimtë tej shkrimeve të tij (të cilat në anën tjetër na thonin që nuk ka farë kuptimi të veçantë në jetë dhe në shkrime që duhet zbuluar dhe duhet ndjekur), përnjëherit veshi një ‘uniformë’ politike dhe nacionaliste, në mbrojtje të atyre që e bënë përrallë këtë ‘Rendin e ri Botëror’, së paku në këto anë të Evropës, sepse e sfiduan ate, në mënyrën më të vrazhdë të mundshme, në kasaphanet ballkanike.
Para se pra të vihej në anën krejtësisht të gabuar të historisë dhe të qytetërimit, para se të merrte rolin e një palaçojë në cirkun e përgjakshëm në regji të Millosheviqit, ai realisht tradhtoi veten si letrar dhe tradhtoi gjithë krijimtarinë e tij letrare.
Rëndom, kur një shkrimtar bën kapërcime dhe kthesa të këtilla, kërkohen shenjat në veprat e tij. Por shenja të tilla nuk ka pasë fare te Handke, së paku jo deri në vitet e nëntëdhjeta.
A mund të jetë dikush shkrimtar shumë i mirë dhe njëkohësisht njeri shumë i keq, madje edhe njeri i ligë, me orientime politike krejtësisht të gabuara?
Emra të tilla ka sa të duash. Menjëherë të bien ndërmend Ezra Pound, Louis-Ferdinand Celine, Knut Hamsun, Ivo Andriq. Ka edhe të tjerë. Lista është goxha e gjatë.
Hamsun madje kishte marrë Çmimin Nobel për Letërsi, por shumë vite para se të bëhej bashkëpunues i Nazistëve në Norvegji. Andriq do ta nderohej me këtë Çmim, edhe pse kishe nënshkruar Elaborate për shfarosjen e shqiptarëve të Kosovës.
Megjithatë, krahasimet këtu fare nuk qëndrojnë.
Me një hulumtim disaminutësh në Google, ata që morën vendimin për Handken, kanë mundur të kuptojnë që Handke, fatkeqësisht, ka heq dorë prej vetes dhe prej letërsisë së tij, dhe që është vë në shërbim të krimit dhe të mohimit të tij, teksa ai madje mori edhe përmasat e një gjenocidi.
Vitin e kaluar, Nobeli për Letërsi nuk u dha për shkak të një skandali seksual, i përmasave lokale. Ai u bë sebep që të mos ipej fare kumti i Nobelit për Letërsi në vitin 2018-të.
Kësaj radhe, Handke mori Nobelin për Letërsi, në një skandal të përmasave globale letrare, politike dhe qytetëruese.
Në njërën prej dramave të tij, Handke na thotë që këmbanat e tempujve fetar, të cilat na shfaqin tungullin e tyre çdo çerek ore në një qytet, nuk na e dëftojnë kohën, por në të vërtetë ato (këmbanat) na kujtojnë Amshimin.
Sepse tempujt e fesë na rikujtojnë besimin në Zot, i cili është për ne, vdekëtarët e gjithëfarshëm, emër i vetëm i Amshimit.
Handke e ka harruar këtë porosi.
Ai e humbi edhe kohën, edhe amshimin.
Kot e ka fituar Nobelin për Letërsi.
Atë mbi të gjitha e kujtojnë dhe do ta mbajnë në mend si apologjet të Millosheviqit dhe të gjenocidit, e jo si një shkrimtar të mirë.
Keq për te dhe keq për letërsinë.
Disa nga banorët i zuri gjumi teksa zhvillohej ndeshja Shqip...
Sylvinhos s’i pëlqyen minutat e para të ndeshjes, hezi...
Trupat izraelite arrijnë pikën më të thellë në Liban që nga ...
Ismajli: Çekët kishin ardhur për barazim, kemi ndeshje me Uk...
Gresa, Leos: Me Lelën shkon drejt humnerës
Hyundai ka një shef të ri