Guximi për të ndryshuar!
Këtë vit, ditëlindja e PS-së na gjen në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2021-it. Zgjedhje, të cilat do të përcaktojnë rrugën që do përshkojë Shqipëria në dekadën e tretë të shekullit të ri.
Para 7 vitesh, ne erdhëm në krye të punëve të vendit me një program që i dha motiv njerëzve. Reformat e nisura në drejtësi, energji, financë, arsim e shëndetësi ngjallën shpresë dhe besim. Projekti i rilindjes urbane rigjallëroi qytetet tona që ishin lënë pas dore. Reformat shtet-ndërtuese na dhanë dinjitetin e duhur në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Pavarësisht vështirësive dhe çmimit të reformave, njerëzit na mbështetën. Jo sepse jeta e tyre ndryshoi me magji, por sepse qëllimi ishte i qartë dhe drejtimi i duhur.
Është fakt se qëndrueshmërinë e qeverisjes e përcakton cilësia e reformave, mbështetja e njerëzve dhe afërsia me to. Nga ana tjetër, është gjithashtu fakt se, cilësinë e demokracisë e përcakton respekti për lirinë, botëkuptimin dhe dinjitetin e tjetrit.
Demokracia është thelb dhe jo vetëm procedurë. Demokracia shëndoshet përmes diskutimeve të hapura dhe përpjekjeve të mundimshme për të gjetur përgjigjet më të mira për mirëqenien e qytetarëve dhe ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme. Ne socialistët dhe progresistët e dimë më mirë se kushdo këtë gjë. Ndaj, duhet të kujdesemi që të ruajmë profilin tonë si partia me hapësirën më të madhe të lirisë së mendimit dhe debatit.
Si partia që nxit dhe promovon kohezionin e shqiptarëve në rajon dhe që i qëndron besnike kauzave kombëtare.
Si partia e intelektit, progresit dhe komuniteteve. Partia që respekton karrierën dhe meritokracinë dhe që nxjerr mësime nga gabimet e së shkuarës në përfaqësimin politik nga individë të papërshtatshëm.
Si partia që mendon për më të vegjlit, të pafuqishmit, të dobëtit, sipërmarrësit, të rinjtë, pensionistët, arsimtarët, mjekët, infermierët, artistët, sportistët, ushtarakët, policët, minatorët, naftëtarët, fermerët, punëtorët e krahut dhe nëpunësit civilë.
Si partia që i fiton betejat me krimin e organizuar dhe korrupsionin, por që kujdeset për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Partia që guxoi të ndërmarrë një reformë të paprecedentë në drejtësi, por që nuk mjaftohet me numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar për shkak të vettingut, por me efikasitetin e sistemit të drejtësisë dhe besimin e qytetarëve në të.
Ndërkohë që administruam me efikasitet situatën emergjente të shkaktuar nga tërmeti dhe pandemia, sfidat që kemi përpara janë edhe më të mëdha, pasi vendimmarrjet e sotme do të formatojnë të ardhmen tonë. Nëse duhet të fuqizojmë qytetarin e zakonshëm duke e konsideruar rritjen ekonomike dhe mirëqenien si sipërmarrje shoqërore të përbashkët apo eksluzivitet të një grushti individësh. Nëse duhet të konsiderojmë kapacitetin e strukturave shtetërore për të zbatuar ligjin po aq të rëndësishëm sa edhe miratimin e tij. Nëse jeta jonë do të jetë më e sigurtë nga funksionimi i institucioneve demokratike apo prej vullnetit të politikanëve të “pagabueshëm”.
Deri dje, një nga temat më të rëndësishme të diskutimit ishte pabarazia, e cila gërryen kohezionin shoqëror. Sot, pabarazia shoqërohet me pasigurinë e përjetuar për jetën, shëndetin, punën dhe të ardhurat, për shkak të tërmetit dhe pandemisë. Për këtë na duhet që të përshtasim mundësitë në dispozicion me nevojat e shoqërisë.
“Ne qeverisim, bota na ndihmon”, ishte një prej sloganeve mbizotërues në fillim të viteve ’90, së bashku me terapinë e “shock-ut” dhe “çekun e bardhë”, çka nënkuptonte mungesë orientimi dhe vizioni për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, stimulim të përtacisë dhe abuzim me pronën publike e private. Për më tepër, nxjerrja në ankand e sektorit publik nuk u shoqërua me krijim të vendeve të reja të punës, investim në dije dhe zhvillim ekonomik të prekshëm. Sot krenohemi për disa reforma se i kemi bërë në “bashkautorësi me partnerët ndërkombëtar”, duke dëshmuar mungesë pronësie për procesin e reformave shtet-konsoliduese. Hendeku ynë zhvillimor me BE-në, më shumë sesa ekonomik, i ka rrënjët pikërisht tek mungesa e pronësisë së reformave që janë jetike për një shoqëri demokratike, si qumështi i nënës për foshnjen.
Komponenti më i prekshëm i demokracisë liberale është rritja ekonomike. Kur grupet e ndryshme luftojnë për të korrur frytet e rritjes, rregullat e lojës janë relativisht të lehta për t’u ndjekur. Kur frytet zhduken, ose monopolizohen nga pak duar situata bëhet e keqe. Historia duhet të na e kishte mësuar këtë mësim. Humbësit, që janë shumica, dëshpërohen. Politika e administrimit të grupeve të interesit shndërrohet në një betejë me shumatore zero për burimet gjithnjë e më të reduktuara.
Ndaj, sfida jonë është si të ndërtojmë një kapitalizëm progresiv që shkon përtej një grushti përfituesish që vërtiten rreth e përqark buxhetit të shtetit dhe pasurive natyrore, duke siguruar rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës.
Gjenerata e re e Shqipërisë është gjenerata e Facebook, Instagram, Twitter, si dikur gjenerata e fëmijëve të televizorit. Ata kanë mundësi ta “prekin” botën me një të klikuar. Pikërisht për këtë, ne nuk mund t’ia shpjegojmë prapambjetjen tonë ende me komunizmin. Në rast se prindërit tanë jetuan nën komunizëm, fëmijët tanë nuk mund të jetojnë dot në një tranzicion të gjatë thuajse sa komunizmi.
Prandaj duhet të adresojmë shkaqet e kërcënimit demografik që vjen për shkak të largimit të të rinjve dhe “agjentëve të ndryshimit”, si rezultat i humbjes së besimit te vendi, në kushtet kur projekti i Shqipërisë Europiane duket i largët.
Në këtë realitet të ri na duhet të përcaktojmë avantazhin krahasues të ekonomisë shqiptare për vitet e ardhshme. A do të vazhdojmë të kemi krahun e lirë të punës si avantazhin tonë? Pra, do të ofrojmë varfërinë si avantazhin tonë apo do të mbështesim ekonominë e dijes? Kur do t’i bëjmë shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut pjesë të jetës publike? A do t’i bëjmë ata aksionerë të aseteve strategjike dhe frekuencave kombëtare, nën dritën e eksperiencave të suksesshme të vendeve si Izraeli apo Irlanda? Si do të bëhemi konkurrues në tregun prej 450 milion banorësh të BE-së?
E pra, në këtë ditëlindje të PS-së, një vit para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, është momenti që ne t’i drejtojmë vetes disa pyetje, thelbësore për të kuptuar ku jemi dhe për të mos rënë në kurthin e profecisë vetpërmbushëse. Sikurse, duhet të nxisim një debat të njëmendtë për sfidat që na presin drejt një mandati të ri. Pyetje, të cilat sot na i drejton çdo socialist, progresist dhe qytetar i zakonshëm i këtij vendi.
• Çfarë dhe kë përfaqësojmë ne?
• Duke qenë se përfaqësimi në politikë është po aq jetësor sa ç’është pulsi për njeriun, sa është socialisti i përfaqësuar në hallkat e qeverisjes?
• Si ta bëjmë të dëgjueshëm zërin e qytetarëve të zakonshëm në vendimmarrjen tonë në mënyrë që askush të mos ndjehet i harruar?
• Nga buron e drejta jonë për të marrë vendime që impaktojnë gjeneratat për 20 apo 30 vitet e ardhshme?
Duke i dhënë përgjigjen e duhur pyetjeve të mësipërme ne duhet të kujdesemi që të mos lejojmë një zbaticë të vlerave, lirive politike, boshtit programatik dhe statutor në familjen tonë politike, dhe as zhvendosje nga habitati natyral i së majtës progresiste.
Si familja politike më e madhe në vend dhe si forcë në qeverisje, ne nuk kemi luksin as t’i bishtnojmë sfidave me të cilat na vë përballë koha, e as të mjaftohemi me diagnostifikimin e problemeve. Na duhet të dëshmojmë guxim për të ndryshuar dhe të punojmë për zgjidhje të reja. Të hapim një debat shoqëror për të ballafaquar idetë tona për një rrugë të re që na çon drejt një mandati të ri qeverisës.
Të mos kemi drojë për të pranuar gabimet dhe nevojën për t’u vetkorrigjuar. Pasi, siç ka thënë Kancelari Gjerman Helmut Schmidt, “Pa idealizëm ne varfërohemi. Idealizmi përfshin vullnetin për të gjykuar vetë, vullnetin për kritikë dhe vetëkritikë. Ai përfshin qëndrueshmërinë dhe kurajën civile”.
Ne nuk mund të mjaftohemi duke thënë se jemi më të mirë se kundërshtarët tanë. Kjo as që ka diskutim! Ne duhet të jemi në lartësinë e së nesërmes. Parimi ynë udhëheqës duhet të jetë që në zhvillimin e shoqërisë askush të mos ndjehet i harruar apo i përjashtuar. Ne nuk duhet të dorëzohemi para ligjësive të pabarazisë, duke shpërdoruar djersën e brezave të shkuar dhe rrënuar trashëgiminë e brezave të ardhshëm.
Më shumë se kurrë, sot kemi nevojë për një rrugë të re dhe model funksional për të administruar burimet dhe pasurinë tonë si shoqëri. Duhet të ndërtojmë një shtet efikas që garanton sundimin e së drejtës në ekonomi dhe jo shoqërinë e shtetit që ushqen parazitizëm dhe asfikson konkurrencën.
Partia Socialiste ka fuqi intelektuale dhe energji njerëzore për të ofruar një rrugë të re për një mandat të ri. Shumica e heshtur e këtij vendi, e velur me politikën e ditës, është në kërkim të një rrugë të re.
Prandaj kjo ditëlindje duhet të na shërbejë si ballafaqim me veten, që reflektimi, ndryshimi, e nesërmja të fillojë nga ne, brenda nesh. Le të guxojmë të japim shembullin që dëshirojmë te tjetri.
Për një rrugë të re. Për një mandat të ri. Ne duhet të jemi gati!
Gëzuar ditëlindjen Partia Socialiste e Shqipërisë! ???❤️
OBSH ngre alarmin: Rriten me mbi 200% rastet e fruthit në Ev...
Rrahjet e zemrës nga kafja – A duhet të shqetësoheni?
Pse Xheneta nuk mund të bëjë debate pa ofendime? Ja arsyetim...
Vinicius Junior ka humbur penalltinë ndaj Venezuelës
Si e kupton paracetamoli ku është dhimbja?
FBI zbulon një përpjekje të gjerë për spiunazh nga hakerat k...