Këto ditë, në krejt Kosovën mësimdhënësit vazhdojnë të jenë në grevë për shkak të pakënaqësisë për pagat e ulëta tani kur inflacioni ka zhvlerësua vlerën reale të tyre thuajse për 50%. Procesi mësimorë nuk po mbahet, kurse për këtë të gjithë janë të pakënaqur, madje edhe vetë mësimdhënësit, të cilët me padurim presin që të gjendet një zgjidhje dhe ti kthehen punës, shrkruan Sejdi Rexhepi.
Të ndodhur në këtë situatë, për ta u dhanë vlerësime dhe epitete të shumta, prej atyre që ishin në përkrahje të kërkesave të mësimdhënësve, e deri te ofendimet më të vrazhda duke I quajtur “të padijshëm”, ‘”analfabet”, etj. Madje pati edhe të tillë që kërkuan që ata të përjashtohen të gjithë si “të pa aftë”, e pati edhe kërkesa për ti testuar “aftësitë” në mësimdhënie përmes një sistemi të “veting-ut”. Se mësimdhënësit nuk i “meritojnë” as pagat aktuale shpesh herë u përmendën rezultatet e dobëta të nxënësve në të ashtuquajturin testi PISA.
Pa shtruar pyetjen vetës se kush jemi, nga kemi ardhur, a jemi të kësaj toke, të kësaj buke e të këtij qielli, apo kemi pikë nga ndonjë planet tjetër si të mençur, pa pikë turpi marrim guximin që të vlerësojmë mësuesit që me aq përkushtim, sa ditën dhe aq sa mundën na mësuan dhe na hapen horizontet e jetës. Mësimdhënësit tanë janë të këtij vendi, nuk jenë as të Harvardit e as të Oksfordit (sigurisht se edhe ata do të dëshironin që të jenë). Mësuesi Zenel dhe mësuesi Zekë ndjesë paçin, kanë patur të përfunduar vetëm shkollën e mesme, por i përkujtoj me shumë respekt e mall, kurse arsimtarin Xhevat sa herë që e takoj akoma kam respektin sikur janë nxënës i përhershëm i tij.
Ajo që dua të them është se para se të kritikojmë të tjerët, duhet të shohim se sa jemi ne vetë fajtorët (hisetarët) për suksesin apo mos suksesin e fëmijëve tonë. A jemi ndal ndonjëherë për të bërë vlerësimin kritik të rolit apo hises që kemi secili nga ne, si prindër, si familje, si shoqëri, si media të pavarura, si shoqëri civile, si institucione. Apo, nuk kemi nevojë për një analizë të tillë, ma lehtë është që fajin dhe përgjegjësin tonë të ua hedhim mësimdhënësve dhe shkollave, të cilët nuk janë “kompetent”, dhe nuk janë mjaftueshëm “kreativ” në motivimin e fëmijëve tanë për të mësuar dhe studiuar.
Deri me tani kështu ka ndodhë, pa hy në thelbin e problemeve, rezultatet e dobëta të nxënësve, e edhe ato në PISA, janë komentuar sipas tekeve të secilit, por pa e marrë në konsideratë rolin e vet si hisedarë të këtij rezultati. Duke i vlerësuar këto mendime te ndryshme lidhur me shkaqet e situatës në të cilën ndodhet sistemi arsimit në Kosovë, këtu dua të shtrojnë dy faktorë që mendoj që janë me rëndësi për sukses e që është autonomia e mësimdhënësit dhe inspektimi profesional.
Nëse pas luftës, dhe në përgjithësi gjatë fazës së tranzicionit, ka ndodh një reformë në arsimin në Kosovë, atëherë kjo ka të bëjë me reformën në autonominë mësimdhënësit. Në këtë drejtim mendoj se kjo reformë ka pas dy kahe. E para, ka të bëjë me metodat e mësimdhënies, të cilat personelit arsimor i kanë mundësuar që të njëjtat ti avancoj dhe ti perfeksionoj çdo ditë si rezultat i zhvillimit të shkencës dhe teknologjisë, e në veçanti të internetit, që ka krijuar mundësi që mësimdhënësi në mënyrë të vazhdueshme ti avancoj dituritë e tij profesionale, por edhe ti përsosi shkathtësitë teknike të metodologjisë së mësimdhënies dhe të mësimnxënies. Në këtë drejtim një kontribut të konsiderueshëm e kanë dhënë edhe institucionet e arsimit, siç është ministria e arsimit apo edhe drejtoritë e arsimit në nivel të komunave, përmes formave të ndryshme të trajnimeve të vazhdueshëm. Por, kjo ka qenë vetëm njëra anë e medaljes. Në të kundërtën e këtyre mundësive të krijuara kanë vepruar shumë faktor të tjerë kufizues, madje shpeshherë edhe destruktiv me pasoja shkatërruese për arsimin. Këtu dua ti përmendi disa prej tyre, pa dashur që të konsiderohen si të vetmit.
Trajnimet që janë ofruar nga ana e Ministrisë së Arsimimit, shpesh herë kanë qenë të imponuara si rezultat i interesave të grupeve të caktuara dhe materialet që janë prezantuar në to kanë qenë sipërfaqësore, pak apo fare të dobishme për krijimin e shkathtësive teknike, dhe shpesh madje kanë qenë universale, gjë që nuk kanë ofruar fleksibilitet në aplikimin e tyre, dhe të njëjtat shpesh janë kuptuar si metodat e vetëm dhe të pazëvendësueshme. Nuk mund të aplikohet e njëjta metodë e mësimdhënies si për shkencat shoqërore, si për shkencat natyrore, nuk mund të aplikohet e njëjta metodë si për lëndën e kimisë, si për lëndën e gjuhës dhe letërsisë. Kjo shpesh i ka bërë mësimdhënësit jo kreativ, kurse inspektimet e kohëpaskohshme që janë bërë proceseve të mësimdhënies, këtë jofleksibilitet e kanë shndërrua në varësi ose robotikë të dy-tri metodave të mësimdhënies, në veçanti të metodës di-dua të mësoj. Natyrisht se kjo ka rezultuar në suksese të ulta të mësimnxënies.
Një element që dua të përmendi këtu është humbja e autonomisë së mësimdhënësit si rezultat I presioneve të shumë palëve ose akterëve të ndërlidhur me procesin mësimor. Një nga këta akter është edhe menaxhmenti (komunal, drejtoritë). Jo rrallë kemi parë ose kemi dëgjuar vërejtje dhe presione ndaj personelit mësimor që ka pasur dhe ka mbajtur kriter pedagogjik të vlerësimit. Në kulmin e kritikave janë gjetur jo rrallë mësimdhënësit e tillë, duke u konsideruar se po I “ngarkojnë nxënësit” me obligime mësimore të tepërta madje shpesh duke I kritikuar të njëjtit “si të paaftë në bartjen e dijeve” e deri te inspektimi “me porosi” për shkak të notave apo kritereve “jo të drejta”. Ngelja në provim e nxënësve të caktuar shpesh herë është kontestuar nga komisionet “speciale” të krijuara “enkas” nga drejtoritë e arsimit, të cilat shpesh kanë ditë që vlerësimin e mësimdhënësit për një vit ta “zhvlerësojnë” vetëm për 5 minuta. Kjo ka krijuar pasiguri të mësimdhënësit, shpeshherë edhe frikë nga “vlerësimet e përformancës”, gjë që mësimdhënësit e tillë I ka detyruar që të “vetëdijesohen” dhe “ti përshtatën masës” për vlerësim dhe notim pa kriter. Kështu në mënyrë të vazhdueshme personeli mësimorë ka filluar që të “bëhet i dëgjueshëm” dhe që të vazhdoj avazin “e masës” në mënyrë që të mos i “nxjerr telashe vetes”. Kjo definitivisht ka pas efekt shkatërrues për arsimin në Kosovë.
Por ka edhe shumë faktorë të tjerë. Këtu mund të përmendim edhe qëndrimin e prindërve ndaj mësimdhënësve. Jo rrallë, disa prindër në vend që të marrin këshilla nga mësimdhënësit për të përkrahur, ndihmuar dhe përmirësuar sjelljen dhe suksesin e fëmijëve të tyre, ata janë shndërruar në kritik të ashpër ndaj mësimdhënësit, duke e etiketuar, si të “padijshëm”, si “fajtor” për mos suksesin e fëmijëve të tyre, e shpesh herë edhe duke i kërcënuar mësimdhënësit. Jo rrallë ata kanë marrë rolin e “vlerësuesve” të dijës së fëmijëve të tyre në raport me vlerësimin që ka bërë mësimdhënësi. Ka pas raste kur grupe të prindërve janë organizuar përmes shkrimeve në rrjetet sociale kundër një apo disa mësimdhënësi që ka pas një kriter të caktuar apo ndaj të cilit fëmijët e tyre kanë marrë nota “jo çfarë I kanë dëshiruar” prindërit e tyre. Kjo natyrisht është shoqëruar edhe me presion ndaj menaxhmentit, i cili më pastaj është bartur tek mësimdhënësi, i cili apo të cilët më pastaj nga frika e pasojave shpesh janë detyruar “të korrigjojnë vetveten” dhe natyrisht ti përshtatën “kërkesave të masës”. Kjo definitivisht ka pas një ndikim shumë të madhe në procesin e mësimdhënies dhe të mësimnxënies.
Roli i Këshillit të nxënësve gjithashtu është shumë I rëndësishëm kur është fjala për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor. Ata sigurisht janë përfaqësuesit më kuptimplotë të interesave reale të nxënësve duke qenë se si organizëm burojnë nga i njëjti kolektivitet. Komunikimi i tyre i rregullt me menaxhmentin e shkollave sikurse edhe me këshillin e prindërve kontribuojnë në eliminimin e të metave dhe avancimin e procesit mësimor në mënyrë të pakontestueshme. Megjithatë, për vite me radhë është vërejt, sidomos nëpër shkolla të mesme, se një pjesë e tyre shpesh ka ditur që të jenë instrument i interesave të grupeve të caktuara me çka në vend të mbrojtjes së interesave reale të nxënësve, kalojnë në një fushatë për të realizuar interesat e grupeve të caktuara madje edhe politike.
Në tërë këtë rrëmujë, Këshilli i prindërve duket se ka qenë i pafuqishëm që të luaj rolin e vet. Kontributi i tyre sigurisht se ka qenë dhe është i pakontestueshëm, megjithatë, duket se ai ka mbetur vetëm në identifikimin e problemeve infrastrukturore, por jo edhe në identifikimin e faktorëve real ndikues në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies.
Po cili ka qenë roli I mediave? A ka ndonjë analizë se sa shkrime janë bërë për rezultatet e nxënësve të dalluar, shkollave të dalluara, arsimtarëve të dalluar, kujdestarëve të dalluar, menaxhmentit të dalluar, e kështu me radhë. Se, të tillë ka, padilemë që ka, madje ka shumë, por të njëjtit janë nën hijen e shkrimeve kryesisht të “skandaleve” të cilat krijojnë pesimizëm dhe zymti në arsim, dhe dekurajojnë nxënësin, por edhe mësimdhënësin. Shpesh herë një “ankesë” e pa bazë, bëhet kryelajm, duke e hedhë nënë hije një sukses te tërë të një mësimdhënësi për dekada, e mos të flasim për shkrimet “me porosi” të cilat secilin e vënë në siklet që kriterin e vlerësimit t’ia përshtat ‘kërkesave të masës”.
E çka të thuhet për rastet kur në testin kombëtar më të suksesshmit kanë dal nxënësit me suksesin më të dobët gjatë 3 viteve të shkollimit? Pa koment.
Duke mos e zgjatë ma shumë këtë shkrim, dua të them se rezultatet e fëmijëve tanë (nxënësve) në shkollë, por edhe në testin PISA, janë pasqyra e jonë si familje, edukatorë e mësimdhënës, media e shoqëri civile, si institucione dhe si shoqëri. Pra rezultati në PISA është vlerësim për të gjithë neve. Menaxhmenti i shkollave dhe arsimtarët e dinë më së miri se sa vizitat dhe telefonatat “parimore” ju bëhen për të kontribuar në ngritjen e notave dhe rritjen e suksesit të fëmijëve, madje nga “alamet” personalitete e deri të qytetari më i thjeshtë. Atëherë, si mund të presim që të bëhet ma mirë? Autonomia e mësimdhënësit në vlerësim dhe puna e profesionale e inspektoratit të arsimit në mbikëqyrje, janë parakusht për sukses, të gjithë ne të tjerët mundemi të ua lehtësojmë punën, por pa ndërhyrje. E a ka ndërhyrje, pyeten secili veten, mos shkoni më tutje. Lehtë është me ja hedh fajin tjetrit! Pra, duhet të ndërrojmë shumë secili nga ne nga mentaliteti i krijuar për vite me radhë.
Liverpooli synon ta transferojë senzacionin e Brightonin kët...
MMPHI: Të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ne janë të kaluesh...
Kurti: Prokuroria ka intervistuar kryeministra edhe më herët...
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...
Edmond Lajqi pranon fajësinë për vrasjen e gruas: I kërkoj f...
Plagoset me thikë 50-vjeçari shqiptar në Athinë, 4 autorët l...