Shkruan: Xheladin A. Çitaku
Khaled Hosseini:
GJUETARI I BALONAVE
“ – Një libër i fuqishëm… pa zbukurime të tepërta, pa absurditete, thjesht një prozë e shkëlqyer…” ( The Washington Post Book ).
– Linja e transmisionit rrëfimor që fillon në fëmijërinë e dy karaktereve qëndrore të romanit, përshkon, gjithashtu dy shtresëzime shoqërore, të cilat varësisht nga rrethanat zhvillimore, socio-psikologjike, ambientore, paraqiten të diferencuara dhe si përfaqësuese të bazamentit të kundërshtive të shoqërisë njerëzore, përgjithësisht. Konkretësia e përshkrimit kap rrjedhimin e jetës, dramatikën e saj, specifikat shquese të shoqërisë afgane, përmes një familjeje që i përket sferave elitare të Kabulit, rrethit miqësor e armiqësor të saj, zhvillimeve brënda saj dhe rreth saj, duke sinonimuar kështu të përgjithshmen e një periudhe të caktuar kohore nëpër të cilën ka kaluar Afganistani; skenat e dukshme dhe prapaskenat, interferimet dhe përballjet e faktorëve që përbëjnë relevancën e këtyre viteve dhe i japin, domosdoshmërisht karakterin e vetë, duke u bërë katalizator i proceseve përcaktuese të ndryshimeve shoqërore, duke u bërë shtytës të përmbysjeve dramatike, ndryshimeve tërësore të vazhdës së jetës dhe përjetimit e ndijimit shpirtëror të protagonistëve, të cilët e përfaqësojnë këtë vorbullim të strukturuar në romanin “Gjuetari i Balonave”.
– Duke qenë pjesëmarrës i drejtëpërdrejtë i ngjarjeve, autori e shtron skenën ku luhen aktet e një drame pak a shumë të njohur për opinionin, por tani në një aspekt tjetër nga ai i kronikave informuese; vlimet kontekstuale të ndërlidhura që defilojnë në skenografinë ku spikatë rangimi i shoqërisë, tradita, karakteri i individit, raporti shpirtëror me rrethin, relatat e brendëshme ndërnjerëzore e ndërshtresore, cilësitë, tiparet, dallimet reale a të sajuara, konceptimet e trajtëzuara e të ngulitura. Të gjitha këto shpërfaqen në një përpunim letrar-artistik të dinjitetshëm, në të cilin shihet dora mjeshtrore e prirjes për ta sajuar një tablo ndryshe nga postulatet stereotipe të servuara në vazhdimësi.
– Amiri dhe Hasani bartin përfaqësimin e diferencimit shoqëror, dallimit grupor, nivelimit sociologjik e intelektual, raportet mes ndasive, por edhe ndërthurjet e pazgjidhshme që e përbëjnë trasenë që imponon jeta, duke ofruar shtigjet bredhëse të përjetimit, të ambicies, të tendencës, të virtytit, si pasoja karakterologjike të individit dhe njeriut, përgjithësisht, në një ambient, në një kornizë kohore dhe brenda një sistemi vlerash e antivlerash, të cilat vijnë si derivate të kompleksitetit të gërshetimeve të tilla. Duke filluar nga glorifikimet fëmijërore, spostimet imagjinare, ndrydhjet emocionale, deri te veprimet konspirative, autori i romanit ( Khaled Hosseini ) depërton në thellësinë dhe gjerësinë e botës shpirtërore të brezave të ndryshëm, pikturon besimin, dilemën, qartësinë a turbulencën brënda konturave të kësaj bote, pasqyron realitetin të kultivuar artistikisht në formën prozaike, në stil që shpërfaqë veçantinë e komponimit romanesk. Këto i mundëson një galeri e pasur personazhesh, lëvizjet e tyre, mentaliteti i caktuar, veprimet, akomodimi dhe ambientimi sipas kërkesave të idesë bazë, por edhe rrethanat historiko – shoqërore në të cilat shprehen përshkallëzime vrragëlënëse, nga të zakonshmet te monstruozet.
– Përqëndrimet ndjenjore që defilojnë në hapësirë e kohë, ravijëzojnë pikëpamjet e ndryshme, pikëvështrimet e ndryshme të realitetit, të cilat nxisin këto ndjenja dhe poashtu reagimin individual dhe grupor, mënyrën e involvimit në rrjedhat e përgjithëshme a lansimin e inferioritetit ndaj tyre, duke vepruar në konformitet me interesat e ngushta individ-familje apo atyre të përkatësisë klanore a ideologjike; kamuflimi brënda organizimeve a fraksioneve, apo braktisja e gjithçkaje, në pritje të ndryshimeve, duke stimuluar iluzione brenda vetes. Kryeheroi i veprës ndjek këtë rrugëtim i prirë nga babai – idol, i cili si karakter i veçantë tërheqë respektin e simpatinë, bartë krenarinë dhe mëkatin, njëkohësisht.
– Nga çdo këndvështrim vërehet trazimi dhe rrëmuja që i karakterizon këto vite të jetës afgane, prandaj edhe kompozimi i veprës del si pasqyrë e kësaj jete, me aspektet përbërëse, të cilat skicohen përmes tipave të caktuar si eksponent të mendësive dominuese të kohës. Rrëfenjat tronditëse për episode konkrete, i japin romanit cilësitë e një vepre që rrëmben dhe emocionon lexuesin tejmase; mënyra e përshkrimit dhe teknikat e shtjellimit i përgjigjen një cilësie të theksuar letrare, si përshtatshmëri e tyre në ndërtimin fabular dhe inkorporimin në kohë.
– Përimtimi i dramës së përgjithshme kombëtare në sekuenca, poashtu, dramatike të përditshmërisë e shfaqë relievin e vërtetë të Avganistanit, atë brënda dhe jashtë tij, gjithnjë aty ku është secili pjesëtar i kësaj tërësie, sepse çdonjëri ngërthen në veten e tij përjetime dhe aspirime, qofshin ato edhe iluzive. Akomodimi i heroit të veprës në jetën amerikane, nuk e shqitë dot ndjenjën e përkatësisë, kujtimin për të kaluarën, as ëndrrën. Loja me balona në rrugët e përbaltura të Kabulit, besnikëria e thellë e Hasanit, inskenimin e bërë ndaj tij shtytur nga xhelozia, Amiri do i ket gjithnjë në mendje si relike të posaçme të jetës së tij, ato do jenë përcjellëse brënda personalitetit të tij edhe në hapat e mëvonshëm të tij.
– Epilogu tronditës, shthurja që vjen si rrjedhim logjik në çdo vepër, shpërfaqë dekonspirimin e sekreteve jetësore, që ndryshojnë tërësisht qëndrimin e aktorëve, sjellë një përfundim mbresëlënës, ndryshon raportet brëndafamiljare, vijëzon transformimet shoqërore – sistemore, mbi të gjitha dekompozon bindjet e ngurtësuara ndaj personazheve të caktuara, përmbysë koncepte të formësuara në rrugë tradicionale, shformon linjat e standardizuara për ndershmërinë, për principet a parimet e rrënjosura në vetëdije e ndërdije. Zbulimi i pasojave të habitshme krijon relacione të reja ndërpersonale, të cilat shkrimtari i ngre në piedestalin e interesimit letrar-artistik, duke sajuar efekt të lartë emocional tek audienca. Ndriçimi i anës së errët shfleton një kapitull marramendës, të panjohur, të maskuar e të ruajtur me kujdes, i cili zbulon opsione tjera të jetës, duke reflektuar ndjeshmëri të lartë shpirtërore të personazheve që ngarkohen me misionin e sipërfaqësimit e këtyre dukurive dhe të përmbylljes së veprës.
Si i tillë romani “Gjuetari i Balonave” është pasqyrim i një realiteti të trisht e tragjik, të një vendi e një populli, është një pasqyrim i sprovimit të ndërgjegjes njerëzore por është edhe…“ Një roman i bukur… që radhitet ndër më të mirët e kohëve të fundit, me një stil elokuent e të pazakontë…” ( The Denver Post ).
Tre persona vdesin në një aksident pasi GPS-i ia huqi rrugës
Vdes personi i cili ishte duke u trajtuar jashtë vendit pas ...
Murati: Afati për përditësimin e aplikimeve për subvencionim...
Zhduket një grua në Podujevë
Rrahen mes vete shtatë persona në Lipjan, dy përfundojnë në ...
Kina dislokon forca ajrore e detare, pasi SHBA-ja dërgoi një...