E ashtuquajtura “Rruga e Kombit” është projekti që po u kushton më shtrenjtë se çdo gjë shqiptarëve. Ai është projekti më i shtrenjtë rrugor në rajon, më korruptivi dhe tashmë si pasojë dhe më i vështiri për t’u mirëmbajtur.Kjo rrugë ka disa histori dështimi.
Historia e dështimit të tij si projekt nisi qysh me ndërtimin e tij super të shtrenjtë, duke zgjedhur aksin e gabuar, dhe çmimin anormal. Rritja në stratosferë e çmimit të rrugës, u bë nën arsyetimin se do t’i jepnin të drejtë ndërtuesit ta bënte vetë projektin duke e llogaritur çmimin me “kosto për kilometer”. Pra çdo tre muaj ndërtuesi të vinte në zyrë, e thoshte, “dua 22 milion euro për këtë kilometër që sapo bëmë”, se kaq na shkoi dhe ne duhet ta paguanim. Kjo kontratë ndoshta më kriminalja në botë për një vend të varfër, jo vetëm që nuk u gjykua dhe nuk u ndëshkua kurrë, por u tentua të përdoret dhe si dekoratë nga hajdutët, të cilët të krekoseshin se “vërtet vodhën, po ja e bënë rrugën”.
56 km rrugë bashkë me tunelin, nga Rrësheni në Kalimash, shkuan 1,3 milardë euro, pa llogaritur segmentin Kukës-Morinë që u bë nga kompani shqiptare me një çmim dhjetë herë më të ulët.
Historia e dytë e dështimit të rrugës është efekti ekonomik që pati Shqipëria prej saj. Borxhi për rrugën zhyti në krizë buxhetin e shtetit dhe destabilzoi atë për një kohë të gjatë, që ende nuk po e merr më veten, ndërsa efekti pozitiv ekonomik është thuajse zero. Rruga shërben vetëm për një valë turistësh nga Kosova në verë drejt Shqipërisë, të cilët janë një e ardhur qesharake në raport me ngarkesën që ka shkaktuar kjo rrugë në buxhet. Një rrugë më e lirë siç është superstrada Milot-Rubik, e cila kish nisur të ndërtohej me tre korsi do ta ulte disa herë koston e rrugës dhe do ishte shumë më propocionale me efektin ekonomik për Shqipërinë. Në një farë mënyre do “shtrinim këmbët sa kemi jorganin”.
Ideja për të bërë një pjesë të rrugës si autostradë gjigande, nuk shërben për asgjë përveçse për të mbushur xhepat e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Rruga edhe ashtu nuk është autostradë. Ajo ka disa segmente si superstradë si ajo Milot- Rrëshen ose Burizanë- Vorë. Pra e vetmja arsye përse duheshin 56 km me katër korsi dhe me kosto 22 milionë euro për kilometër ishte grabitja. Autostrada dhe me atë çmim është e parrethuar, e pasigurtë dhe e pamirëmbajtëshme.
Historia e tretë e dështimit ka të bëjë me vetë drejtësinë që nuk arriti kurrë të çonte në qeli autorët e këtij projekti që ka prodhuar një destabilitet financiar në Shqipëri në emër të patriotizmit. Lulzim Basha arriti ta mbyllë gjyqin me procedurë pa u gjykuar, duke shpëtuar kështu dhe të akuzuarit e tjerë, ndërsa Sali Berisha që ideoi projektin me një marrëveshje okulte me partnerin turk të “Bektel”-it, bëri dhe miliardat e jetës dhe shpëtoi pa u thirrur kurrë nga drejtësia.
Historia e katërt e dështimit të kësaj rruge është taksa e re që po vendoset mbi të. Nga pikëpamja e menaxhimit të rrugës, taksa është një nevojë urgjente, por për shkak të historisë së këtij projekti kriminal për financat e varfëra shqiptare, kjo taksë është paradoksale, pasi edhe kështu taksapaguesit shqiptarë kanë paguar boll. Taksa është një projekt i qeverisë së Partisë Demokratike, e cila tentoi ta vendosë atë në fund të mandatit në vitin 2013 por nuk arriti dot. Opsioni që PD e paska më të mirë idenë e taksës së PS, pasi e kishte më të moderuar sipas tyre, është nga ato shakatë e hidhura, të cilët Lulzim Basha si njeri i pacipë, është personi i duhur për t’i thënë.
Duke qenë se taksa është rruga e vetme për të mbijetuar ajo rrugë dhe për të mos degraduar fare, ajo do ta thellojë dështimin ekonomik të këtij projekti, pasi do ta bëjë dhe më pak të përdorshme rrugën. Por ky është një dështim i imponuar nga gjithë dështimet e tjera të asaj rruge, që nga projekti, tenderimi në kosto për njësi, shifra marramendëse 22 milionë euro për kilometër, mos përfundimi i autostradës edhe përkundër këtij çmimi të lartë dhe mbi të gjitha dështimin për të sjellë “bum ekonomik” në ekonominë tonë.
Edhe më idiot është arsyetimi se “taksa po vihet për hakmarrje ndaj Veriut”, a thua se rruga qenka bërë për të kaluar veriorët dhe ne të tjerët duhet të kalojmë nga Maqedonia për Kosovë.
Problemi është se prej ditës së parë e deri më sot, ajo ka prodhuar vetëm “vrima të zeza” në ekonominë tonë dhe miliarda për “sheik”-ët Berisha-Basha, të cilët pasi u vodhën shqiptarëve së paku 500 milionë euro, tani duan të na mbushin mendjen se problemi qëndron tek mënyra se kërkon qeveria e sotme ato pesë euro, që të mbajë në këmbë projektin e tyre kriminal.
Dështimet e kësaj rrugë dhëmbin, më shumë se kjo taksë, pikërisht nga fakti se janë dështime të paralajmëruara dhe të bëra nga hajdutë sypatrembur si Sali Berisha e Lulzim Basha, të cilët nuk i ndali dot askush për ta bërë atë krim. As drejtësia./Mapo/
ASK: Shtrenjtohen qumështi, vezët dhe mjalti në Kosovë
Barcelona mund të mos bëjë asnjë nënshkrim të madh në vitin ...
Vithkuqi fshati me 24 kisha dhe manastire
Trepça nesër luan sfidën e radhës në Fiba Europe Cup
“Pse nuk kallxojshe që je tu heq për famë”, Drenusha e ashpë...
Zgjedhjet në SHBA, Hovenier ndan mesazh nga Prishtina për vo...