Angela Merkel ka qenë kancelare e Gjermanisë për 16 vjet. Ajo vizitoi për herë të fundit Shtëpinë e Bardhë të enjten si udhëheqëse e këtij vendi, pasi do ta lërë detyrën në shtator. Unë isha i pranishëm në vitin 2018 kur Merkel kur u prit nga Donald Trump në rezidencën e tij në Shtëpinë e Bardhë.
Nga Richard Grenell, Fox News
Unë pashë se si presidenti Trump përdori humorin dhe faktet për ta njohur kancelaren me zhgënjimin e popullit amerikan, që Gjermania refuzonte të paguante detyrimet e saj të plota ndaj NATO-s, në një kohë që blinte sasi të mëdha gazi nga Rusia.
Por Merkel e kishte të vështirë të shpjegonte se pse pikërisht vendi i saj që kishte një tepricë të madhe buxhetore, nuk përmbushte dot zotimet e tij financiare për mbrojtjen që ofron NATO. Ajo nuk dha asnjë shpjegim të qartë, se përse Gjermania po injoronte shqetësimet evropiane se ajo po ushqente regjimin e Kremlinit, përmes partneritetit të gazsjellësit “Nord Stream 2”.
Si ambasador i SHBA-së në Gjermani gjatë administratës Trump, unë e kalova pjesën më
të madhe të kohës duke u përpjekur që të bindja vendin më të madh aleatë të Amerikës në Evropë, se disa nga pozicionet e tyre politike ishin të papajtueshme me frymën e një aleance perëndimore.
Ambasada amerikane në Berlin dhe shumë Oficerë të Shërbimit të Jashtëm që shërbejnë atje dhe në 5 konsullatat e vendosura në Hamburg, Dyseldorf, Mynih, Frankfurt dhe Lajpcig, ndihmuan në koordinimin e përgjigjeve të SHBA-së kundër spiunazhit kinez dhe atij
rus; kundër vjedhjes së teknologjisë perëndimore; marrëveshjeve të padrejta tregtare; vlerësimeve të ndryshme të kërcënimit nga Irani, Rusia dhe Kina, sigurisë energjitike dhe përmbushjes së detyrimeve ndaj NATO-s.
Unë pyesja shpeshherë se përse qeveria gjermane nuk ndan pikëpamjen e Aleancës Perëndimore, sipas së cilës Kremlini dhe Partia Komuniste Kineze, nuk do t’i bashkohen asnjëherë vlerave dhe interesave të Evropës Perëndimore.
Dhe pritja e tyre vetëm sa do ta bëjë më të mundshme, që të dy fuqitë armiqësore të kenë sukses në margjinalizimin e mëtejshëm të Perëndimit. Në vitin 1990, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Manfred Wörner, paralajmëroi se Evropa do të kthehej “sërish në politikën e vjetër të fuqisë dhe në diplomacinë e ekuilibrit të forcave të shekujve të kaluar, ose do të ecë përpara drejt një rendi të ri të paqes dhe lirisë”.
Mjerisht Gjermania e interpretoi fundin e Luftës së Ftohtë më shumë si një triumf të përhershëm moral, sesa si një fitore strategjike që kërkonte më shumë tendencë në atë drejtim.
Dhe përgjatë dekadave që nga ajo kohë, qeveria gjermane u shndërrua në një makineri ekonomike me moton “Gjermania e Para”, duke u distancuar nga Perëndimi, dhe duke synuar të bënte më shumë para dhe tregti me këdo dhe me të gjithë.
Por për këtë gjë fajtore është edhe politika amerikane. Një besim naiv tek universalizimi i vlerave liberale perëndimore, i verboi administratat e mëparshme të SHBA-së, duke lejuar largimin nga aleanca perëndimore të ekonomisë më të madhe të Evropës.
Clinton, Bush dhe Obama besuan se rritja e numrit të demokracive në botë ishte diçka e pashmangshme dhe e pakthyeshme. Por ata u habitën kur panë se Gjermania po ecte drejt një neutraliteti të stilit zviceran.
Në themel të disa prej këtyre sfidave qëndron besimi i vazhdueshëm tek teoria e “konvergjencës” e pas vitit 1989, sipas së cilës integrimi dhe bashkëpunimi, do t’i shndërronte përfundimisht të gjitha shtetet në demokraci liberale dhe në ekonomi të tregut të lirë.
Pavarësisht nga pushtimet e Rusisë në Gjeorgji dhe Ukrainë, vrasjet e kundërshtarëve politikë në Angli dhe Gjermani, dhe kontributet e saj në gjenocidin që ka ndodhur në Siri, ne Berlin vazhdojnë të shpresojnë se një bashkëpunim më i madh me Moskën dhe Kinën mund të moderojë sjelljen e këtyre të fundit.
Rënia relative e disa aleatëve tradicionalë të SHBA-së dhe degradimi i OKB-së dhe i institucioneve të tjera të korruptuara, e detyruan administratën Trump të thellojë bashkëpunimin me aleatët e rinj.
Kjo është pjesërisht arsyeja pse Shtetet e Bashkuara forcuan marrëdhëniet me Indinë, Vietnamin, Indonezinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe fuqitë e tjera Euroaziatike pas vitit 2016.
Por establishmenti në Uashington, Bruksel dhe Berlin promovoi në mënyrë të çuditshme idenë se siguria amerikane dhe globale do të përfitonte më shumë nga mbajtja e kombeve që ndajnë interesat e SHBA-së në një gjendje varësie të përhershme nga kjo e fundit.
Ajo që nuk arrijnë të kuptojnë ata, është se forcimi i pavarësisë politike dhe ushtarake të aleatëve të tyre, nuk nënkupton vënien në dyshim të vlerës së tyre, por është mënyra më e mirë për të siguruar lirinë e tyre të vazhdueshme.
Ndërkohë elitat amerikane dhe evropiane, e kanë shumë të vështirë ta pranojnë faktin se sot Kina dhe Rusia e cilësojnë Evropën një “shesh lojërash” ekonomike dhe politike (për të mos folur për një varësi të mundshme), dhe jo një pol i rëndësishëm të fuqisë së Perëndimit. Shanset e tyre qëndrojnë tek përçarja relative e Bashkimit Evropian, dhe në faktin që unioni po humb dhe nuk po fiton anëtarë të rinj. Nën kërkesat këmbëngulëse dhe shpesh plot tension të presidentit Trump ndaj Evropës, aleatët e Amerikës treguan shenja ripërtëritjeje.
Ndërsa më pak se një e treta e anëtarëve të NATO-s përmbushin aktualisht zotimin e tyre të marrë në samitin e Uellsit të vitit 2014 për të shpenzuar 2 për qind të buxhetit për mbrojtjen, që nga viti 2016 ka pasur një rritje prej 140 miliardë dollarësh për mbrojtjen e aleancës perëndimore.
Por ndërsa burokracitë qeveritare, mediat, të vetë-quajturit transatlantistë dhe universitetet elitare po festojnë 16 vitet e udhëheqjes së Merkelit në Evropë, Aleanca ka ndryshuar shumë. Dikush duhet t’ua kujtojë atyre se ajo duhet të jetë një Aleancë Perëndimore, dhe jo vetëm një aleancë BE-SHBA.
Shënim: Richard Grenell, ka qenë ambasador i SHBA-së në Gjermani, përpara se t’i bashkohej kabinetit të presidentit Donald Trump si Drejtori i përkohshëm i Inteligjencës Kombëtare.
Çeku: Gjatë luftës, Serbia shkatërroi afër 1 mijë e 800 monu...
Haxhiu: Prokuroria Speciale t’i përgjigjet kërkesës së Kurti...
AUV në pritje të analizave për mandarinat e importuara nga S...
Haxhiu: Serbia s’i dorëzon kriminelët e luftës, ne do t’i gj...
Vitia nënshkruan listën finale që i hap udhë jetësimit të Li...
Pritjet deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë