Mehmet Hajrizi
Nga një sëmundje e rëndë pushoi së rrahuri zemra e madhe e veprimtarit të shquar, Gani Sylaj, duke na kthyer ditën e sotme në dhembje e pikëllim dhe ndarje të rëndë. Ajo zemër që rrihte një jetë për Atdheun dhe lirinë e tij, u detyrua padrejtësisht të ndalej, kur i zoti i saj kishte ende shumë punë për të kryer, sidomos në shkrime memoristike e letrare, për t’u lënë trashëgim brezave porositë atdhetare, mesazhin e lirisë. Si një yll nga qielli i përflakur i Kosovës, befasisht u shua jeta e vëllait tonë të dashur, Gani Sylaj, birit besnik dhe burrit të madh të Kosovës, luftëtarit të paepur dhe kokëunjur të lirisë së popullit të vet, idealistit të përkushtuar deri në vetëmohim, mendjes së ndritur dhe iluministit e emancipuesit të palodhshëm.
I shtrenjti miku dhe bashkëveprimtari im, Gani Sylaj Ti njëherë u betove, në emër të jetës e të lirisë, në emër të gjakut të derdhur rrëke ndër shekuj, në emër të dinjitetit dhe krenarisë njerëzore, në emër të fëmijëve të kësaj toke të zhuritur, në emër të lumturisë e dashurisë për Atdheun e qytetarët e tij; për luftën finale dhe ngadhënjimtare të Kosovës së robëruar. Ti si Prometheu e shpërndave ndër njerëz zjarrin e urrejtjes ndaj së keqes dhe të dashurisë fisnike e atdhetare, zjarrin e rezistencës dhe të lirisë. Ti e zgjove shpirtin kryengritës të njerëzve të popullit tënd, ti nga shërbëtori e bëre luftëtarin e vendosur, nga i pashpresi, optimistin, nga i nënshtruari, rebeluesin, nga frikacaku, guximtarin… Ti shpërndave ngado moralin e lartë atdhetar, krenarinë e të qenit shqiptar, dinjitetin njerëzor dhe guximin qytetar.
Ti Gani u mbushe shpirtin njerëzve me virtyte e vlera fisnike, me vendosmërinë në rrugën e drejtë të lavdisë Ti bashkove grushtet kryengritës të të gjitha moshave, potencialin e çlirimit dhe të ardhmërisë.
Ti dije të bëje miq, duke i mbledhur rreth një qëllimi të lartë, dije t’i doje e t’u buzëqeshje ëmbël të tjerëve, duke i bërë shpejt për vete, t’i këshilloje e të kujdeseshe, duke ua dhënë gjithë vlerat që kishe.
Ti Gani Sylaj në lulen e rinisë tënde, sulmove qiejt e mbarsur me retë e zeza të robërisë, sulmove një perandori të tërë në lulëzim, për të shpëtuar popullin tënd të vogël e të mirë. Ti i prangosuri i pamposhtur, i tmerroje persekutorët me qëndrimin tënd prej Davidi përballë Goliatit. Ti miku im nuk u lëkunde kurrë nga ideali i madh atdhetar, sado i lartë që ishte çmimi. Ti ia dhe jetën, ditë dhe natë, pjesë-pjesë Atdheut tënd që aq shumë e deshe. Ti Gani Sylaj e dije se një ditë mund të vinte vdekja, por e përbuzje dhe e përçmoje tërë jetën, se nuk ia kishe frikën. Ti me jetën dhe veprimtarinë tënde Gani je bërë pjesë e thesarit të madh kombëtar të vlerave sublime, prandaj me ty Kosova dhe gjithë kombi ynë janë krenar. Ja përse ne të përcjellim sot me ballin lart në amshim.
Çfarë të flasë më parë për personalitetin tënd miku im i dashur? Për sistemin e vlerave që përfaqësoje, apo për figurën tënde morale, për virtytet e larta e fisnike që kishe, apo për pasurinë e përvojës tënde të gjatë e të vështirë në Lëvizjen Kombëtare, për burrërinë, guximin, shpirtin e sakrificës e përballjen me burgun mesjetar, për përkushtimin çlirimtar sa një jetë njeriu, për mijëra faqet e shkrimeve tuaja përmbajtjesore lënë trashëgim, për qëndrimin model të të qenit bashkëshort, prind, vëlla, mik e shok besnik, apo do të hesht sot i nemitur miku im? Jo nuk do të flas sot, sepse do të shkruhet e do të flitet gjatë për ty, për jetën dhe veprimtarinë tënde të begatë.
Lamtumirë miku im i shtrenjtë, pusho i qetë, sepse ti e di që kauza jote triumfoi, ideali yt do të ngadhënjejë tërësisht dhe fara e mbjellë do të lulëzojë. Së fundi dua të të them se ti ishe veprimtar i rregullave dhe normave, por ato dhe ligjin e natyrës i theve së fundi, sepse fjalë të përmortshme duhej të mbaje ti për mua dhe jo unë për ty. Bashkë me dheun e Kosovës tënde të dashur, ty të mbulon lavdia, prandaj mbetesh i pavdekshëm ndër breza, shoku dhe vëllai im i shtrenjtë. Lavdi jetës dhe veprës së të madhit Gani Sylaj!
(Fjalim i përmortshëm në varrimin e veprimtarit Gani Sylaj)
Britania voton pro rregullave kundër duhanpirjes
Autogoli i Leipzigut e bën lider Interin në Ligën e Kampionë...
Big Brother Vip Albania, ja ndryshimet që do të ndodhin
Assesi të këndellet City, dështon të fitojë edhe ndaj Feynor...
Kryeministri libanez u bën thirrje palëve të zbatojnë dhe t&...
ShBA-ja dhe Franca mirëpresin armëpushimin Izrael-Liban