Në faqen zyrtare të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, janë publikuar njoftimet për audiencën private, që i dha atij në 23 maj Papa Françesku në Vatikan dhe për takimin në 22 maj me sekretarin e shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin. Ishte një vizitë e nevojshme në kuadrin e përpjekjeve të shtetit dhe të diplomacisë së Kosovës për shtimin e njohjeve ndërkombëtare nga ato shtete, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën dhjet vjet pas shpalljes së pavarësisë, ku rreshtohet edhe Vatikani.
Në vend që të përqendrohet në objektivin primar të njohjes së Kosovës nga shteti i Vatikanit, kryeministri Haradinaj ka parashtruar një prioritet të ri, duke u futur në një shteg diplomatik pa krye. Sipas komunikatës së publikuar në datën 23 maj, kryeministri i Kosovës i ka deklaruar Papa Françeskut në audiencën private: “Rruga jonë euroatlantike fuqizohet me partneritetin strategjik me Vatikanin”. Është një befasi diplomatike, e cila tejkalon çdo logjikë diplomatike. Në komunikatën e mësipërme përsëritet tri herë koncepti i partneritetit strategjik me Vatikanin dhe theksohet se kryeministri i shprehu Papës “përkushtimin e shtetit të Kosovës për një partneritet strategjik me Vatikanin”. Madje, edhe konkluzioni formulon gjithë qëllimin e vizitës se “takimi me Papa Françeskun u bë në kuadrin e vizitës zyrtare të kryeministrit Haradinaj në Vatikan, e cila ka për qëllim vendosjen e bashkëpunimit strategjik dhe njohjen e shtetësisë së Kosovës”. Siç shihet, del prioriteti i bashkëpunimit strategjik mbi njohjen e Kosovës. Edhe komunikata e takimit me sekretarin e shtetit të Vatikanit jep deklaratën e kryeministrit se “Kosova është e interesuar të ketë marrëdhënie strategjike me Vatikanin”.
Jemi përpara një obsesioni të pashpjegueshëm të kryeministrit të Kosovës për partneritet strategjik me Vatikanin. Nuk e dimë se përse dhe kush ia ka sugjeruar kryeministrit këtë koncept të partneritetit strategjik me Vatikanin, sepse tingëllon më tepër se e habitshme të kërkosh partneritet strategjik me një shtet që nuk të njeh. Në diplomaci dhe në marrëdhëniet diplomatike hapat, aktet dhe kërkesat ndaj shteteve të tjera kanë radhë të caktuar parashtrimi dhe veprimi dhe secila fazë kërkon pjekjen e kushteve dhe të marrëdhënieve.
Ky është gabimi i parë i kryeministrit, i cili kërkon partneritet dhe bashkëpunim strategjik me Vatikanin, kur nuk është hapur ende porta kryesore e marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve. Së pari, duhet thënë se koncepti i partneritetit strategjik të Kosovës me Vatikanin nuk mund të artikulohet si një ide çasti e njërit apo tjetrit drejtues të Kosovës. Ai përfaqëson një status marrëdhëniesh të posaçme të shtetit me një shtet tjetër, i cili duhet të kalojë në diskutime dhe miratim në parlament dhe mund t’i propozohet shtetit tjetër vetëm pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe pas provash të interesave të përbashkëta specifike dhe jetike midis dy shteteve. Partneriteti strategjik dhe marrëdhëniet strategjike nuk propozohen me çdo shtet apo kryetar shteti që të del rrugës. Ato janë raporte dhe faza tepër të veçanta në marrëdhëniet midis dy shteteve dhe nuk mund t’i atashohen çdo shteti. Nuk rezulton se ka vendim të parlamentit të Kosovës për të përcaktuar në politikën e jashtme Vatikanin si partner strategjik të Kosovës. Nuk figuron as në programin e qeverisë së kryesuar nga kryeministri Haradinaj që të jetë përkufizuar Vatikani si partner strategjik i Kosovës.
Nga njohja e shtetit dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve e deri tek përcaktimi i marrëdhënieve si partneritet strategjik duhet të kalojë shumë kohë e prova dhe të rrjedhin shumë ujëra historie. Kanë kaluar dhjetë vjet nga shpallja e pavarësisë dhe shteti i Vatikanit ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës, një akt të cilin duhej ta kishte marrë prej kohësh, duke pasur parasysh përkrahjen e madhe europiane dhe perëndimore për pavarësinë e Kosovës, të cilën e njohin 116 shtete. Që në vitin 2010 zëdhënësi i Papa Benedikti i XVI, Federiko Lombardi, pat deklaruar se “deklarata e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, që mbështetet në bazën e rekomandimeve të paraqitura në planin e ndërmjetësuesit të OKB-së, Marti Ahtisari, krijon një situatë të re, që natyrisht do të ndiqet me vëmendje të madhe nga Selia e Shenjtë, e cila duhet të vlerësojë kërkesat eventuale, që mund të mbërrijnë me këtë rast”.
Që të përcaktosh partneritet strategjik, do të duhet të ekzistojnë parametrat përkatës të interesit jetik në marrëdhëniet shtetërore midis dy shteteve. Këto parametra, edhe për vetë karakterin specifik të shtetit të Vatikanit, nuk plotësohen në raportin dypalësh, edhe pasi Vatikani ta njohë Kosovën. Raportet miqësore janë një gjë dhe partneriteti strategjik është gjë tjetër. Faza e ngritjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve në nivelin e partneritetit strategjik, më e pakta kërkon konsensusin e të dyja palëve, gjë që natyrisht as mund të mendohet nga ana e Vatikanit, i cili nuk ka shpallur asnjë shtet të botës aleat strategjik apo partner strategjik deri tani dhe padyshim që nuk mund të jetë Kosova, për të cilën Vatikani do ta prishë rregullin e vet. Si shkollë diplomatike nga më të sofistikuarat e diplomacisë ndërkombëtare, diplomacia e Vatikanit e di se nuk mund të bëhet fjalë për raporte specifike midis dy shteteve, kur ata ende nuk kanë vendosur marrëdhënie diplomatike.
Është e njohur specifika e shtetit teokratik të Vatikanit, i cili duke pasur marrëdhënie diplomatike me 180 shtete të botës, nuk ka shpallur me asnjërin prej tyre ndonjë lloj partneriteti strategjik apo aleancë strategjike. Nuk e ka bërë këtë as me Italinë, në kryeqytetin e së cilës ndodhet, as me Spanjën, Poloninë apo Meksikën, për të përmendur disa shtete tipike katolike. Pra, as parametri religjioz nuk ka funksionuar me shtetet e mësipërme dhe nuk mund të ketë ndonjë iluzion se mund të funksionojë me Kosovën, e cila nuk e ka fare këtë parametër. Sipas regjistrimit zyrtar të vitit 2011, Kosova ka 95,7 për qind të popullsisë myslimane dhe vetëm 2,2 për qind e popullsisë është katolike.
Gabimi i dytë i kryeministrit është dorëzimi tek Papa Françesku i një “letër-kërkese”, (kështu formulohet në komunikatën zyrtare të Kryeministrisë), “për pranimin, njohjen dhe për kujdesin ndaj Kosovës”. T’i kërkosh kryetarit të një shteti të huaj “kujdesin” për shtetin tënd është një hap i jashtëzakonshëm, sepse në gjuhën e diplomacisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare “kujdesi” i një shteti ndaj një shteti tjetër quhet protektorat. Nuk kuptohet kush dhe pse ia ka sugjeruar këtë kërkesë të habitshme, e cila në fund të fundit bie ndesh me statusin e Kosovës si shtet i pavarur. Bie ndesh me realitetin se Kosova është nën proteksionin dhe kujdesin e Aleancës Atlantike, forcat e së cilës janë në Kosovë si garanci e pazëvendësueshme stabiliteti dhe ekzistence. Legjislacioni vendës dhe ai ndërkombëtar e bëjnë të qartë që para se t’i paraqesësh zyrtarisht kryetarit të një shteti të huaj, siç është Papa Françesku, kërkesën për “kujdes ndaj Kosovës”, duhet të kesh mandatin e parlamentit dhe të popullit të Kosovës për këtë kujdestari.
Gabimi i tretë është cilësimi i vajtjes në Vatikan si “vizitë zyrtare”. Ajo nuk e kishte atë status, sepse nuk ekzistojnë në protokollin diplomatik vizita zyrtare midis shteteve, që nuk e kanë njohur njeri-tjetrin. Kaq e vërtetë është kjo, sa që Vatikani nuk dha as edhe një njoftim zyrtar për takimin e Papës me kryeministrin e Kosovës. Zyrtarëve rreth kryeministrit duhet t’u kishte rënë në sy ky qëndrim dhe ta kishin njoftuar eprorin e tyre për këtë detaj, që flet shumë.
E theksova në fillim të analizës se është e nevojshme të intensifikohen përpjekjet e shtetit dhe të diplomacisë së Kosovës për shtimin e njohjeve ndërkombëtare. Në kuadër të këtij objektivi, vajtja e kryeministrit Haradinaj në Vatikan ishte pozitive. Por objektivi nuk duhet të tejkalohet. Emocionet personale apo të njerëzve që të rrethojnë nuk mund të shndërrohen në politikë dhe në strategji qeveritare.
Kryeministri i Kosovës duhet të ishte informuar se është jashtë kohe dhe jashtë logjike kërkesa për partneritet strategjik me Vatikanin. Në diplomaci kapërcimi i etapave nuk është i këshillueshëm, sepse nuk përputhet as me realitetet dypalëshe, as me realitetet kombëtare dhe as me raportet rajonale dhe vështirëson edhe vetë procesin e njohjes së Kosovës. Në marrëdhëniet dypalëshe ndërkombëtare as nuk duhet kërkuar përtej asaj që arrihet dhe as nuk duhet entuziazmuar nga kortezia diplomatike.
Osmani e ambasadorët diskutojnë për hapat e integrimit të Ko...
“Edhe katër investime të mëdha në stadiumet e futbollit” – Ç...
Musliu: Faton Peci e Fitore Pacolli bashkëpunëtorë në manipu...
Zyrtari i LDK-së thotë se Fitore Pacolli ia dha 100 mijë eur...
David: Barcelona ka qenë ekipi me të cilin jam rritur, ëndrr...
Çfarë e bën ecjen kaq të mrekullueshme për shëndetin tuaj?