Do të ishte mirë sikur çdo mbrëmje të kishim ndeshje futbolli të përfaqësueses së Kosovës.
Prej shumëkujt u dëgjua ky mendim të hënën vonë, dhe në ditëte në vijim, pas një fitoreje tjetër të Kosovës në futboll, kësaj here ndaj Malit të Zi.
Kosova ka gjasa që të mbërrijë në futboll, në Evropë (në Kampionatin Evropian), qysh në vitin 2020, shumë, shumë vite para se të afrohemi kah BE-ja, dhe sipas të gjitha parashikimeve reale, para se ne, si qytetarë të Kosovës ta fitojmë të drejtën të udhëtojmë pa viza në Evropë.
Këtu dikush mund të thotë që të gjithë futbollistët e Kosovës tash e sa kohë janë evropianë (apo, ata luajnë në ligat e shteteve evropiane), që ata kanë mbërritë cilësinë e duhur në këtë sport, dhe që së bashku, e bëjnë Kosovën një shtet me vlera të larta në futboll.
Sa për Ligën e Kosovës në futboll, me gjasë, do të prisnim edhe nja njëqind vjet për të kualifikuar për Evropianin.
Dhe sa për këtë Ligën e tashme të Kosovës në politikë, ku edhe fituesit edhe humbësit objektivisht, e kanë detyrë që ta mbajnë Kosovën disi në ‘Ligën evropiane’ (së paku me mëkëmbjen e shpresës që ky vend mund të ketë njëmend perspektivë evropiane), vështirë është të mendosh që kështu si është, kjo Ligë apo kjo skenë politike vendore, mund ta drejtojë Kosovën me të shpejtë kah Brukseli i Bashkimit Evropian dhe i Aleancës Veri-Atlantike.
Vazhdimisht jemi në garë për mbijetesë politike. Si brenda vendit, ashtu edhe në Botë. Kemi ngecur. Dhe për këtë, pakkush është në gjendje të flasë në mënyrë të ndershme, të sinqertë, të hapur. Ndërsa pa këtë debat të brendshëm, nuk mund të këndellemi, si politikë dhe si shoqëri.
Ajo dëshira pra e shumë qytetarëve të Kosovës, e cila natyrisht që është e parealizueshme, që Kosova (e jo debatet e lodhshme, të mërzitshme dhe të kota politike që transmetohen çdo mbrëmje në televionet tona), të luajë çdo mbrëmje futboll, qoftë edhe duke mos fituar gjithmonë (diçka e tillë është e pamundshme), na dëfton se sa të dëshpëruar janë ata në këtë jetën e përditshme, apo, se në çfarë burimi dinjiteti dhe krenarie është shndërruar futbolli, sikurse më parë xhudoja me Majlinda Kelmendin dhe sportistët e tjerë.
Politika e çdoditshme kosovare, po i shterrë qytetarët e Kosovës me fjalë dhe me llomotitje, me diskutime të mundimshme, me mungesat e të gjitha llojeve. Largimi prej këtu, në drejtim të Perëndimit, tash e sa kohë është bisedë e zakonshme thuaja në secilën familje kosovare. Zhgënjimi me politikën vendore, ka marrë edhe trajta të reja me dëshpërimin e qytetarëve të Kosovës me një vendim të pakuptimtë të disa shteteve të BE-së që mos të na lejojnë që lirshëm (pa viza), të udhëtojmë në Evropë. Në anën tjetër, kushdo që sado pak përcjell lajmet ndërkombëtare, e merr vesh se nuk ka më farë Rendi Ndërkombëtar, apo që çrregullimet politike dhe të sigurisë kanë marrë trajtat e rrezikimit të stabilitetit ndërkombëtar.
Kur të bëhen së bashku të gjitha këto fakte, të cilat ‘banojnë’ në secilën familje kosovare, nuk është çudi që çdo minut i ndeshjeve futbollistike të Kosovës shërben si një lloj i ‘infuzionit’ për të gjithë ne, për të na dhënë më shumë shpresë, për të na e kthyer dinjitetin, dhe mbi të gjitha, për tu shfaqur para njeri-tjetrit krenarë që jemi shtetas të Kosovës, apo, qytetarë me një identitet të qartë politik, historik dhe shtetëror.
Sporti, kultura, muzika, kanë bërë për ne të gjithë, për shtetin e Kosovës, për përhapjen e emrit të Kosovës në të katër anët e Botës, më shumë se gjithçka tjetër në këtë organizimin politik dhe shoqëror të Kosovës.
Kështu është tani me futbollin.
Kosova mund edhe të mos kualifikohet në Kampionatin Evropian që do të mbahet vitin e ardhshëm. Futbollistët tanë duhet të fitojnë së paku katër pikë në dy ndeshjet e fundit, që duket shumë e vështirë. Në anën tjetër, dihet që do ta kemi edhe mundësinë rezervë për të udhëtuar në Evropë.
Sidoqoftë, këta futbollistë objektivisht, tashmë janë fitues për të gjithë ne, sepse kanë arritë që të na bëjnë të gjithë neve më të lumtur në çdo minut të ndeshjeve të tyre të deritashme, na kanë bërë ta duam këtë vend më shumë dhe ta çmojmë njeri-tjetrin më shumë.
Moti i keq në Shqipëri/ Bllokohen disa akse rrugore, disa zo...
Kauza e bashkimit kombëtar nuk ishte një qëllim, por një mje...
Konjufca pret në takim një delegacion nga Azia Jugore, disku...
Regjimenti i Mjekësisë së FSK-së, merr pjesë në një ushtrim ...
Agim Ademi dhe Franco Foda optimistë për ndeshjen me Islandë...