Shkruan: Jeffrey Hovenier, është Ambasadori Amerikan në Kosovë
Ky është çast i rrezikshëm për Evropën dhe njerëzit liridashës anembanë botës. Me nisjen e sulmit të tij të tmerrshëm kundër popullit të Ukrainës, Vladimir Putini gjithashtu kreu sulm mbi parimet që e mbështesin paqen dhe demokracinë globale. Por, populli i Ukrainës është i qëndrueshëm. Ata kanë pasur demokraci me dekada të tëra dhe trimëria e tyre po e frymëzon botën.
Ne qëndrojmë të bashkuar me Ukrainën
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me aleatët dhe partnerët tanë anembanë globit, do të vazhdojnë të mbështesin popullin ukrainas përderisa e mbrojnë vendin e tyre. Në vend të investimeve për nevoja të rusëve, Putini zgjodhi që të paguajë për një luftë, prandaj pushtimi i Ukrainës do të jetë dështim strategjik për Kremlinin dhe do të shkatërrojë të ardhmen e popullit rus. Kur të shkruhet historia e kësaj epoke, do të tregojë se zgjedhja e Putinit për të nisur një sulm të paprovokuar, të padrejtë dhe të paramenduar e la Perëndimin më të bashkuar dhe Rusinë gjithnjë e më të dobët.
Të bashkuar në reagimin tonë
Kjo nuk do të përfundojë mirë për Vladimir Putinin. Së bashku, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e partnerët tanë po ndërmarrin veprime për t’i kërkuar përgjegjësi Rusisë. Si rezultat i bashkërenditjes të paprecedentë për sanksione globale, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian, Japonia dhe Kanadaja i kanë përjashtuar bankat e zgjedhura ruse nga sistemi i pagesave ndërbankare, SWIFT dhe kanë vendosur masa kufizuese ndaj Bankës Qendrore ruse. Presidenti Biden njoftoi për sanksione financiare gjithëpërfshirëse dhe kontroll të rreptë të eksportit, gjë që do të dëmtojnë ekonominë, sistemin financiar dhe qasjen e Rusisë në teknologjinë më bashkëkohore. Pasi Putini filloi pushtimin, rubla arriti pikën më të dobët në histori dhe bursa ruse pësoi rënie të thellë. Së bashku me Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione edhe ndaj arkitektëve të kësaj lufte, përfshirë vetë Putinin.
Duke vepruar në bashkërenditje të ngushtë me një koalicion të fuqishëm të aleatëve dhe partnerëve që përfaqësojnë më shumë se gjysmën e ekonomisë botërore, ne rritëm ndikimin e veprimeve tona për të imponuar kosto maksimale ndaj Putinit dhe regjimit të tij. Në reagim ndaj luftës së zgjedhur të Putinit, ne do të kufizojmë mundësitë e Rusisë për të bërë biznes në dollarë. Do të pengojmë mundësitë e Rusisë për të financuar dhe rritur ushtrinë e saj. Do të pengojmë aftësinë e Rusisë për të konkurruar në ekonominë globale. Dhe jemi të përgatitur të bëjmë edhe më shumë.
Përveç ndëshkimeve ekonomike, Presidenti Biden autorizoi edhe një shtesë prej 350 milionë dollarë në emër të asistencës për siguri për të ndihmuar menjëherë Ukrainën për tu mbrojtur. Me këtë, asistenca e përgjithshme e Amerikës për sigurinë në Ukrainë gjatë vitit të kaluar shkoi në më shumë se një miliard dollarë. Gjithashtu, jemi të gatshëm të mbrojmë aleatët tanë të NATO-s. Presidenti Biden ka koordinuar me qeveritë aleate për të pozicionuar mijëra forca shtesë në Gjermani dhe Poloni si pjesë e angazhimit tonë për mbrojtjen kolektive të NATO-s. Ai autorizoi dislokimin e forcave tokësore dhe ajrore të stacionuara tashmë në Evropë në krahët lindorë dhe juglindorë të NATO-s: Estoni, Letoni, Lituani, Poloni dhe Rumani. Po ashtu, aleatët tanë kanë shtuar forcat dhe kapacitetet e tyre për të siguruar mbrojtjen tonë kolektive. Nuk duhet të ketë asnjë dyshim për gatishmërinë e Aleancës më të madhe ushtarake në historinë e botës: NATO është më e bashkuar se kurrë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithashtu i kanë bashkërenduar veprimet me vendet prodhuese dhe konsumuese më të mëdha të naftës për të theksuar interesin tonë të përbashkët në sigurimin e furnizimeve globale me energji. Po punojmë me kompanitë e energjisë për të rritur kapacitetet e tyre për të furnizuar tregun me energji, veçanërisht përderisa çmimet rriten.
Lufta e paprovokuar dhe e paramenduar e Putinit
Ky ishte sulm, të cilin Vladimir Putini e kishte planifikuar prej kohësh. Ai zhvendosi në mënyrë metodike më shumë se 150.000 trupa dhe pajisje ushtarake në kufirin me Ukrainën. Ai dërgoi furnizime me gjak dhe ndërtoi spitale fushore, duke demonstruar qëllimet e tij gjatë tërë kohës. Ai refuzoi çdo përpjekje në mirëbesim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve për të adresuar shqetësimet e tij të sajuara të sigurisë dhe për të shmangur konfliktin dhe vuajtjet e njerëzve duke u angazhuar në diplomaci dhe dialog.
Putini e ekzekutoi skenarin e tij pikërisht siç kishim paralajmëruar se do ta bënte. Ne e pamë se si forcat e afërta me Rusinë i shtuan granatimet në Donbas. E pamë se si qeveria ruse nisi operacione kibernetike kundër Ukrainës. E pamë teatrin e organizuar politik në Moskë dhe dëgjuam pohime të pazakonshme dhe të pabaza kundër Ukrainës në përpjekje për të justifikuar agresionin e Rusisë. Rusia vazhdon të justifikojë agresionin e saj ushtarak duke pretenduar rrejshëm nevojën për të ndalur „gjenocidin” në Ukrainë – përkundër se nuk ka prova që aty po ndodhte gjenocid. E kemi parë Rusinë duke i përdorur këto taktika edhe më parë: kur e pushtoi Ukrainën në vitin 2014 dhe Gjeorgjinë në vitin 2008.
E pastaj, pothuajse në të njëjtin çast kur Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po mbante mbledhje për të mbështetur sovranitetin e Ukrainës dhe për të parandaluar katastrofën, Putini nisi pushtimin e tij në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Raketat filluan të binin pareshtur, duke i goditur qytetet historike anembanë Ukrainës. Pastaj erdhën sulmet ajrore, kolonat e tankeve dhe batalionet me trupa ushtarake, të gjitha duke vazhduar në një valë të përtërirë të dezinformimit dhe gënjeshtrave të pastra.
Ne kemi qenë transparentë para botës. Ne de-klasifikuam informatat e inteligjencës për planet e Rusisë në mënyrë që të mos kishte ngatërresë dhe mbulim. Putini është agresori. Putini e zgjodhi këtë luftë. E tani populli i tij do t’i bartë pasojat e vendimit të tij për të investuar në luftë e jo në të.
Uniteti dhe vendosmëria transatlantike janë më të forta se kurrë më parë
Qëllimi i Putinit për të ndarë Perëndimin ka dështuar. Përballë njërës prej sfidave më të rëndësishme ndaj sigurisë evropiane dhe idealeve demokratike që prej Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e partnerët tanë u bashkuan në solidaritet. Jemi bashkuar duke u koordinuar në mënyrë intensive për t’u angazhuar si një me Rusinë dhe Ukrainën, për t’i ofruar ndihmë Ukrainës, për të zhvilluar një reagim të gjerë dhe masiv dhe për të ri-konfirmuar përkushtimin tonë ndaj NATO-s.
Putini nuk ia doli që të na ndajë. Putini nuk ia doli për të prishur besimin tonë të përbashkët në të drejtat themelore të kombeve sovrane për të zgjedhur vetë fatin dhe aleatët e tyre. Dhe Putini do të dështojë për të fshirë kombin krenar të Ukrainës.
Ditët, javët dhe muajt e ardhshëm do të jenë jashtëzakonisht të vështirë për popullin e Ukrainës. Putini ju ka shkaktuar vuajtje të mëdha. Por, populli i Ukrainës qe 30 vjet ka njohur pavarësinë dhe vazhdimisht ka dëshmuar se nuk do të tolerojë askënd që përpiqet ta kthejë vendin e tyre prapa. Bota po e përcjell për së afërmi këtë konflikt dhe nëse forcat ruse kryejnë mizori, ne do të shqyrtojmë të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë që mund të përdoren për t’iu kërkuar llogari të gjithë përgjegjësve – qofshin ata pjesëtarë të ushtrisë apo udhëheqës civilë të tyre.
Agresioni i Putinit kundër Ukrainës do t’i kushtojë shumë Rusisë, në aspektin ekonomik dhe strategjik. Populli rus meriton më shumë nga qeveria e tij sesa kostoja e madhe për të ardhmen e tyre që e ka shkaktuar ky pushtim.
Liria, demokracia dhe dinjiteti njerëzor janë forca shumë më të fuqishme se sa frika dhe shtypja. Në garën në mes të demokracisë dhe autokracisë, në mes të sovranitetit dhe nënshtrimit, mos u gaboni: Liria do të mbizotërojë.
*Autori i këtij shkrimi, Jeffrey Hovenier, është Ambasadori Amerikan në Kosovë. Shkrimi u botua në tre gjuhë,- shqip, anglisht dhe serbisht,- në faqen zyrtare të Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë.
Izraeli urdhëron evakuime në disa zona të Gazës, nxit një va...
Nwaneri në histori të Arsenalit, Arteta me fjalë të mëdha pë...
LDK sot në Malishevë me “Turneun e Ndryshimit”
Rama në Londër: Nisëm ligjore për të regjistruar fëmijët e s...
Nesër mblidhet Kryesia e Kuvendit, mbi 50 pika në rend dite
Driloni, Anisës: Po tutem që të shikoj