Nga: Edi Rama
Pjesë nga fjala e kryeministrit dje në seancën e posaçme parlamentare për projektligjin “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”
Ky është një debat që ndryshe nga shumë të tjerë përcakton në mënyrë shumë të qartë një vijë ndarëse në filozofi mes nesh dhe të tjerëve. Sepse, përcakton në mënyrë shumë të qartë vullnetin tonë për t’u ndarë nga një histori dështimesh dhe rrënimi të madh të sistemit të arsimit të lartë.
Është me rëndësi, besoj, që duke folur për këtë projekt, – që nuk është projekti për të riorganizuar edhe një herë sistemin e arsimit të lartë në vazhdën e të gjithë riorganizimeve që janë bërë, por është projekti për të bërë një revolucion në arsimin e lartë, – duhet paraprakisht të vendosim sfondin e këtij debati dhe t’i referohemi bazës mbi të cilën ne u nisëm për të ardhur këtu, pas një procesi që unë e konsideroj shembullor gjithëpërfshirjeje e diskutimi dhe për t’i kërkuar këtij parlamenti votën për këtë reformë historike të sistemit të arsimit të lartë.
Në shtator të vitit 2013 situata, jo mbi bazë opinionesh po mbi bazë faktesh, ishte si më poshtë;
59 institucione të arsimit të lartë nga të cilat 44 private. 8 herë më shumë se Britania e Madhe dhe 15 herë më shumë se Gjermania për 1 milion banorë.
Hapja e sistemit me kohë të pjesshme, part time-i i famshëm, një spektakël më vete për ditë të shtune dhe ditë të diele, brenda gjithë llahtarisë së përjavshme të arsimit të lartë publik. Ky spektakël përfshinte edhe fushat e studimeve të zbatuara mjekësinë etj., të cilat përfshihen në profesionet e rregulluara dhe në botën e arsyes nuk mundet kurrsesi të diplomohen njësoj si të tjerët me leksione fiktive ëëkendi. Sistemi ynë i arsimit të lartë ishte ngritur dhe vegjetonte jashtë botës së arsyes dhe vetëm part time-i i famshëm i të shtunës dhe të dielës numëronte 28.117 studentë ose e thënë ndryshe; Të shtunave dhe të dielave Shqipëria diplomonte jashtë sistemit një numër studentësh të barabartë me numrin e studentëve në universitetet private.
Ne ndërhymë, menjëherë, duke i ndërprerë kuotat për këtë lloj origjinal, unikal në botë part time-i, part time në fundjavë dhe me këtë ligj ndjekja me kohë të pjesshme e studimeve përcaktohet brenda një kornize normale standardesh ndërkombëtare.
Numri total i programeve të studimit ishte 1432. Nga të cilat 762 programe në institucionet e arsimit të lartë publik dhe 690 në institucionet e arsimit të lartë privat. Ndërkohë që, 88% e studentëve ishin në universitetet publike dhe vetëm 12% në universitete private.
Pra, shikoni se çfarë sistemi ngritën këta. Kjo ishte një zgjedhje politike nuk ishte një politike arsimore. Ishte një zgjedhje politike për të mos u përballur me plagën e madhe të papunësisë rinore dhe për të blerë kohë për të qëndruar në pushtet duke iu thënë të gjithë të rinjve “ja ku i keni universitetet dynduni dhe pastaj shohim”.
Gjithë propaganda e bazuar tek dora në zemër për të varfrit dhe në emër të bujarisë ndaj të varfërve, u shpartallua i gjithë sistemi i arsimit të lartë, është një propagandë që mund ta bëjnë ata të cilët e zgjedhin këtë politikë kur janë në pushtet, por që kur e bëjnë ata që janë në opozitë është vërtetë e vajtueshme. Sepse faktikisht, ajo çka ka sjellë si pasojë ajo politikë dhe ajo zgjedhje politike për të blerë kohë në pushtet duke grabitur faktikisht ëndrrat dhe paratë e prindërve me iluzionin se fëmijët po shkonin nëpër universitete, nuk ka sjellë më shumë njerëz të arsimuar, ka sjellë më shumë njerëz të diplomuar. Ndryshim shumë i madh mes të dyjave në atë sistem, ku diplomat humbën çdo vlerë dhe ku të varfrit, të cilët investuan të gjitha kursimet e tyre për të çuar fëmijët në universitet, dolën të humbur njësoj si të gjithë ata që investuan kursimet e tyre në piramidat e Sudes, Xhaferrit, Vebiut e me radhë.
Faktikisht, ajo që u shit si masivizim, ishte një lëvizje, e ofruar si një lëvizje zhvillimore, si të gjitha lëvizjet zhvillimore që kanë ofruar këta në të gjithë sektorët, që në fakt konsistonte vetëm në një zgjerim të hapësirës së kaosit dhe të korrupsionit, ku lehtësia marramendëse me të cilën të drejtat e zhvillimit- dhe këtë e kemi në të gjithë sektorët – u shoqërua edhe këtu me një boshllëk marramendës në mungesë të plotë të mekanizmave të standardizimit, të monitorimit dhe të reagimit ndaj pasojave negative të kësaj politike që, faktikisht, u shndërruan në një kancer në sistemin e arsimit të lartë.
Ja disa tregues që janë fakte nuk janë opinione; Në 2005 kishte vetëm 7 institucione të arsimit të lartë privat. Në 2013 shkuan 44 dhe 22 prej tyre, ose 50%, janë licencuar vetëm në mandatin e dytë të qeverisjes së rrënimit. Në ndërkohën që në 2005 kishte vetëm 10 programe studimi, në 2013 u bënë 1432. 75% e programeve të reja të studimit, që ishin pasojë e drejtpërdrejtë e inercisë së krijuar nga ky kaos, i përkasin periudhës së fundit të 8 viteve të asaj qeverie.
Ndërkohë, shikoni treguesit e akreditimit. I referohem jo dëshirës sonë, por ligjit në fuqi. Ligjit që u miratua nga shumica e deridjeshme dhe që duhej të zbatohej nga qeveria e shumicës së deridjeshme.
Asnjë institucion i arsimit të lartë publik nuk është i akredituar deri në shtator të 2013.
Dhe, vetëm në 2013 në periudhën para zgjedhjeve, në atë periudhën orgjiake para zgjedhjeve, janë akredituar 11 universitete private, por përsëri vetëm 25% e numrit të universiteteve private. Nëse në vitin 2006 kishte vetëm një institucion të akredituar në 2013 kishte 32 institucione të akredituara dhe 29 prej tyre, 85% në periudhën e fundit të qeverisjes. Në këtë periudhë janë akredituar 13 nga 18 piramidat që u mbyllën.
Ndërkohë, vetëm dy programe studimi të akredituara për institucionet e arsimit të lartë, vetëm dy programe të cilat i përkasin akademisë së mbrojtjes. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që e gjithë ajo propaganda për masivizim, – do kapnim Gjermaninë, ju kujtohet, ishim një turravrap për të kapur Gjermaninë me numër studentësh, – e pashoqëruar me të gjithë instrumentet e tjerë nuk kishte si të mos sillte kaosin dhe gjithë korrupsionin që solli dhe praktikisht asnjë mekanizëm garancie për ata të varfrit që i latë më të varfër se ç’i gjetët dhe sot ua qani hallin a thua se nuk ishit ju që e ndërtuat sistemin që ne e kemi marrë zotim,- në kohë të padyshimta, siç thonë, – kur ishim në opozitë, që do ta përmbysim.
Ky ligj e përmbys sistemin, nuk e riorganizon. E përmbys!
Faktikisht 90% e programeve të këtyre universiteteve që u mbyllën si piramida, janë akredituar gjatë periudhës së fundit të qeverisjes. Vetëm nga janari në korrik, për zgjedhje 30% e tyre. Në një mbledhje të vetme kanë bërë 40 akreditime. Për çfarë? Për të krijuar dhe forcuar më tutje iluzionin se shkoni atje se studimin e keni të sigurt. Ju kujtohet ajo shprehja: “Paratë e piramidave janë të pastra. Janë gjaku dhe djersa e shqiptarëve. Futini paratë në piramida”.
Njësoj edhe kjo e akreditimit. Vetëm ndryshimi nga piramidat është që nëse piramidat ranë me tërsëllëmë të madhe plagët e hapura nga gjithë këto vite janë plagë që vazhdojnë dhe do të vazhdojnë për një kohë të gjatë të krijojnë dhimbje në ekonominë dhe në psikologjinë e të gjithë atyre familjeve, që kanë besuar të ky sistem dhe te kjo propagandë dhe kanë investuar kursimet e tyre duke çuar fëmijët e tyre në ato piramida me idenë se do nxirrnin prej aty mjekë, inxhinierë, arkitektë e kështu me radhë.
Nga ana tjetër, po të shikosh procedurat e akreditimit, përsëri fakt jo opinion, bazuar te ligji ekzistues 90% e akreditimeve janë me shkelje dhe me pasoja të rënda financiare. Pra, nuk janë bërë procedurat e atilla që të jenë konform ligjit ekzistues, që ne sot do ta fshijmë. Procedura vlerësimi për akreditime të kryera në një ditë dhe akreditime të bëra për tre ditë. Këta që në 8 vjet nuk morën mundimin të akreditojnë asnjë universitet publik.
Më tutje, një fakt i thjeshtë; E dini kush ishte kryetar i Këshillit të Akreditimit? Ishte një pronar i njërit prej universiteteve që u mbyllën. Pra, i njërës prej piramidave që u shembën duke marrë me vete ëndrrat dhe kursimet të prindërve të atyre fëmijëve që vajtën atje për të marrë shkollim dhe s’morën dot as diplomë, që ishte dhe këshilltar i kryeministrit në atë kohë.
Pra, mjafton të përmend këtë fakt për t’ju dhënë pastaj idenë e qartë se si bëhej akreditimi në Republikën tonë, në Republikën ku 8 vjet u qeveris duke pasur kryefjalë varfërinë e aspiratave, që është rrënja e të gjitha varfërive të tjera. Varfëria e aspiratave që e bën tjetrin sot pas 25 vitesh të thotë njësoj siç thoshin komunistët “nuk janë plotësuar kushtet që ne t’i ngjajmë Britanisë apo t’i ngjajmë Europës, se ne jemi të varfër, prandaj hajde t’i ngopim të varfrit me një lugë bosh, me një diplomë pa asnjë vlerë, se fundja fundit më mirë t’i mbajmë nëpër auditorë se sa t’i lëmë rrugëve”. Kjo është tamam shprehje tipike e varfërisë së aspiratave.
Nëse Shqipëria do të kishte bërë këtë reformë 20 vite përpara,-unë nuk kam autorizim të citoj këtu, – por po ju them se njëri prej jush, këtu në sallë, që merr vesh nga kjo punë, e thotë këtë gjë, sigurisht që këtu nuk do ta thotë këtë gjë, këtu do të dalë të thotë të kundërtën, – sikur 20 vite përpara të kishim hyrë në këtë rrugë, sot sigurisht që do të ishim në një pozicion tjetër. Ky ligj nuk zgjidh me magji kapërcimin epokal që garanton baza e tij, do të duhen vite, por ama historia e zvarritjes në kënetën dhe në llumin e varfërisë së aspiratave, këtu merr fund.
*Pjesë nga fjala e kryeministrit dje në seancën e posaçme parlamentare për projektligjin “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...