Nga: Anton Quni
Çdo komb e ka historinë e vet me të cilën krenohet, duke i vënë në pah vlerat që e madhështojnë atë. Pjesëtarët e atij kombi krenohen me të arriturat në shkencë, kulturë, sport, ekonomi, rend, ligj etj. Synimi i çdo kombi është që të gjitha këto të arritura t’i arrijë duke qenë i lirë dhe të ketë mundësi që të shfrytëzojë të gjitha burimet njerëzore, ekonomike dhe intelektuale për të mirën e tij.
Mirëpo, gjatë historisë ka pasur raste kur shtete apo kombe të ndryshme kanë synuar që të mirat per vete t’i arrijnë në dëm të kombeve dhe popujve të tjerë, duke i shtypur, robëruar dhe duke ua shfrytëzuar burimet e tyre ekonomike dhe njerëzore. Së këndejmi edhe gjakimi i popujve dhe kombeve të shtypura për të fituar lirinë dhe për t’u zhvilluar në të gjitha aspektet. Prandaj, është vlerë e çdo kombi gaditshmëria për ta fituar dhe mbrojtur lirinë. Por kjo vlerë e ka çmimin e lartë, sepse arrihet me luftë, gjakderdhje, viktima, shkatërrime, dhunë, trauma,djegie, shpërngulje, skamje etj.
Në duart e protagonistëve të luftës, dijetarve, analistëve, politikbërësve mbetet të krijojnë opinionin për motivin, qëllimin dhe suksesin e luftës në të gjitha fazat e zhvillimit të saj. Jo të gjithë i kanë vlerësimet e njëjta, por sidoqoftë krijohet një opinion i përgjithshëm. Edhe për luftën tonë në vitet 1998 – 1999 qëndron një vlerësim i përgjithshëm se ishte luftë çlirimtare, e drejtë, dhe e domosdoshme, dhe si mundësia e fundit për ta fituar lirinë. Edhe nga popujt liridashës dhe miqtë tanë, lufta jonë u cilësua si e tillë, prandaj dhe na qëndruan afër me kapacitetet politike, diplomatike, ushtarake, humanitare etj.
Besoj fuqishëm se rezistenca e popullit shqiptar në Kosovë që arriti kulmin në luftën në mes UÇK dhe forcave policore-ushtarake të Serbisë e vërtëtoi edhe një herë bindjen se ne jemi popull liridashës, paqësor, fisnik, i qytetëruar, por që dijmë edhe të luftojmë kur ajo është e domosdoshme. Kjo është vlerë e kombit tonë, që mua më bën të ndjehem mirë. Kujtimet më të fuqishme i takojnë kohës kur bashkluftëtarët e mi ishin familja ime dytë. Ne edhe sot i kemi lidhjet e veçanta shpirtërore që janë më të fuqishme dhe me të sinqerta se cila do lidhje tjeter. Në ato kohë ne kishim dallime të vogla në mes vete në kuptimin e moshes, edukimit, ideologjisë, traditave lokale etj., por në shënjstrat e armikut ne ishim të njëjtë.
Lufta e UÇK-së cilesohet si një ndër ngjarjet më madhështore e kombit tonë. Prandaj, UÇK me tërë atë madhështi i nënshtrohet një vlerësimi të përgjithshëm në të gjitha dimensionet e saj, dhe nga shumë këndvështrime të ndryshme, e në disa raste për qëllime të caktuara. Për luftën tonë, për sakrificën tonë, vlerësim kanë dhënë edhe humbësit e luftës – forcat serbe.
Dhe ndër konotacionet që ia jepnin luftës sonë, ishin epitete të tilla si terroristë, kriminelë, fundamentalistë etj. Pavarësisht këtyre etiketimeve, forcat serbe e përjetuan rëndë luftën tonë dhe gatishmërinë tonë për të luftuar deri në vdekje për lirinë e vendit dhe të popullit tonë.
Edhe pse të shumta në numër, edhe pse me armatim shumë të fortë, forcat serbe nuk arritën që të kenë motivimin dhe vullnetin për luftë, siç e kishim ne, sepse ata bënin luftë pushtuese, luftë që shtypte, vriste dhe masakronte një popull të pafajshëm që jetonte dhe donte të jetonte në shtëpitë e tij, në vendin e tij, kurse ne luftonim për të mbrojtur popullin tonë, për të çliruar vendin tonë, për të fituar lirinë. Për këtë arsye, forcat serbe u mposhtën edhe me ndihmën e aleatëve tanë në NATO, të cilët e vlerësuan të drejtë luftën tonë për liri, dhe na ndihmuan që këtë liri ta fitojmë sa më shpejtë dhe me sa më pak viktima dhe dëme. Forcat serbe e humbën luftën, kurse ne bashkë me popullin filluam të rindërtojmë vendin dhe të vëmë bazat e lirisë, të pavarësisë dhe të demokracisë.
Mirëpo, edhe pse e humbën luftën, serbët nuk u ndalën në përpjekje për ta fituar betejën diplomatike: atë që kishin humbur në terren, duan ta fitojnë në tavolinën diplomatike, ashtu siç ka ndodhur edhe herë të tjera. Historia jonë është e mbushur me lufta të shumta, me fitore të shumta në luftë, por që i humbisnim në tavolinën diplomatike, Dhe kjo ndodhte për shkak se ne nuk dinim se si t’i ruanim fitoret në luftë, pasi që nuk kishim ndonjë traditë të mirë në fushën e poltikëbërjes dhe të diplomacisë.
Edhe luftat i bënim shpesh pa ndonjë strategji dhe platfromë të qartë se si të arrinim fitoren në luftë dhe si ta mbronim në tavolina diplomatike. Për shkak të këtyre, ne në shumë raste nuk mund të përcaktonim as pozicionin e duhur gjeopolitik e gjeostrategjik, e së këndejmi edhe nuk mund të krijonim aleanca të qëndrueshme me fuqi të ndryshme evropiane dhe botërore.
Po ashtu, edhe ndonjë aleat që mund të kishim, ndodhte që të mos ishte në kushte për të na ndihmuar, për shkak se kishin mundësi të kufizuara politiko-ushtarake.
Historia jonë e viteve ’90 të shekullit të kaluar, është historia jonë e ndërtimit të një diplomacie moderne dhe e aleancave të forta euro-atlantike. Pozicionimi ynë në boshtin gjeopolitik euro-atlantik, përkatësisht Bruksel – Vashington, ka qenë pozcionimi ynë më i mirë dhe i duhuri, i bërë ndonjëherë që nga koha e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut e këndej. Mbi këtë bazë, ne e fituam betejën diplomatike me Serbinë, dhe e fituam edhe betejën ushtarake.
Megjithatë, ne sot jemi para një sfide të re dhe shumë të veçantë, e që është sfidë që na është impunuar në kuadër të angazhimeve të faktorëve të shumtë, e që kanë të bëjnë me disa dyshime për disa vepra të supozuara e të cilat i kanë ngritur disa eurodeputetë.
Edhe pse Serbia dhe ndonjë aleat i saj, ka synuar dhe synon ta njollosë luftën tonë për liri, si dhe imazhin tonë në sy të opinionit ndërkombëtar, megjithatë Gjykata speciale është menduar dhe është projektuar si vendi ku do të balllafaqohen faktet dhe argumentet.
Akuzat e ngritura nga eurodeputetët e që e rëndojnë dhe vënë në dyshim pastërtinë e luftës së popullit tonë, për ne dëshmitarët e ngjarjeve janë të papranueshme dhe shpifje të ulëta.
Lufta e një populli për lirinë e tij nuk mund të jetë luftë tjetër, pos luftë për liri dhe për të vënë në vend të drejtën e tij për të jetuar si të gjithë popujt tjerë të lirë dhe të zhvilluar dhe në fqinjësi të mirë me fqinjët në rajon, si dhe me popujt tjerë të lirë në botë. Edhe pse ato akuza kanë hedhur fije dyshimi për luftën tonë në opinionin e vendeve demokratike, ne duhet të dëshmojmë se ato akuza nuk kanë kurrëfare baze reale, dhe nuk mund ta njollosin luftën tonë.
Të bindur se lufta jonë për liri është e drejtë, e pastër dhe e panjollosur, edhe aleatët tanë që na kanë ndihmuar në luftën tonë, kërkojnë nga ne që t’i japim një mundësi drejtësisë për të vërtetuar pastërtinë e kësaj lufte.
Gjatë tërë kësaj kohe, bashkësia ndërkombëtare ka punuar me ne në mënyrë që ta kuptojmë rëndësinë e kësaj Gjykate si për pastërtinë e luftës sonë, ashtu edhe për pozicionin tonë diplomatik dhe për imazhin tonë në përgjithësi.Prandaj, ne sot kemi dy mundësi: ta pranojmë, apo ta refuzojmë Gjykatën speciale.
Duke qenë i bindur në pastërtinë e luftës dhe të sakrificës sonë, duke qenë i bindur në fitoren tonë edhe në këtë Gjykatë, ashtu siç kemi fituar edhe në Tribunalin e Hagës, duke qenë i bindur se do ta forcojë lidhjen dhe mbështetjen e aleatëve tanë, unë jam i gatshëm që të ballafaqohem edhe me Gjykatën Speciale.
Në anën tjetër, shmangien nga pëgjegjësia, bishtnimin nga ballafaqimi me akuzat e ngritura dhe që do të trajtohen nga Gjykata sepciale, une e shoh si mungesë te guximit ushtarak dhe njerëzor, e që vetëm sa ngrit dyshimin dhe bindjen se lufta jonë për liri, është “luftë kriminale”, dhe rrezikon që edhe ushtria jonë – UÇK të konsiderohet si formacion kriminal. Unë si pjesëtar i kësaj lufte dhe i UÇK-së nuk mund ta pranoj një gjë të tillë, as për veten, as për bashkëluftëtarët e mi dhe as për ata që nuk janë në mesin tonë. Por një arsye tjetër, po ashtu shumë madhore, është që duke pranuar sfidën, ne përmirësojmë imazhin tonë, imazhin e vendit tonë, përmirësojmë perspektivën euroatlantike të vendit tonë, kurse duke e refuzuar sfidën, ne dëmtojmë të gjitha këto. Dhe kjo nuk na bën nder as si njerëz, as si ushtarakë dhe as si popull. Pra, nuk është e vërtetë se duke e refuzuar Gjykatën speciale, ne e mbrojmë kombin dhe ushtrinë tonë.
Kombin dhe ushtrinë tonë ne e mbrojmë vetëm kur të tragohemi të ndërgjegjshëm dhe të përgatitur për të pranuar faktin se si në çdo luftë tjetër në botë, edhe në luftën tonë, mund të ketë individë që mund të kenë bërë tejkalime të autorizimeve. Tejkalime të tilla kanë ndodhur edhe nga ushtarë të ushtrive më moderne në botë, të angazhuara në misione dhe lufta të ndryshme. Në çdo luftë, në çdo ushtri dhe në çdo vend ndodh që në momente të caktuara ushtari të ndaj vetë drejtësi duke shpërfillur konventat ndërkombëtare, si dhe zakonet e luftës. Mirëpo, ato i trajtojnë dhe i ndëshkojnë rëndë rastet e tilla, pa u shkuar nëpërmend se në këtë mënyrë njolloset lufta e tyre.
Ato janë raste individuale dhe nuk kanë të bëjnë fare me trajtimin kolektiv të formacioneve ushtarake, të shteteve apo të grupeve të ndryshme shoqërore. Prandaj, derisa edhe në ushtritë dhe në shtetet e organizuara dhe të konsoliduara demokratike, ku përzgjedhja, komandimi dhe kontrolli, disiplina ushtarake dhe profesionalizmi ushtarak është në shkallë shumë të lartë, ka raste të tejkalimit të autorizimeve nga ana e ushtarëve apo eproreve, keshtu qe bashkësia ndërkombëtare po kërkon nga ne që të ndjekim shembullin e tyre dhe t’i trajtojmë ligjërisht rastet e supozuara.
Bashkësia ndërkombëtare e di se ne nuk i kishim as mundësitë dhe komoditetin që të rekrutonim dhe të përzgjedhnim në përputhje me standardet më të larta ushtarët tanë: ne u mobilizuam dhe vepruam në kushte lufte, në shumë raste edhe pa u stërvitur fare, dhe me njohuri të pakta ushtarake.
Përkundër këtyre, bashkësia ndërkombëtare ka vlerësuar lartë faktin se në kulturën tonë, në besimin dhe traditën tonë janë thellë të ngulitura normat morale si vlerë e kombit tonë, e së këndejmi edhe si vlerë e UÇK-së. Bashkësia ndërkombëtare, prandaj edhe ka vlerësuar jo vetëm luftën tonë, por edhe gjithë traditën dhe vlerat pozitive që bartim si popull, sepse kanë qenë këto vlera që kanë bërë që të bëjmë kaq pak gabime, apo më pak gabime se ushtritë e rregullta të shteteve të organizuara dhe të konsoliduara demokratike. Prandaj, edhe trajtimi i rasteve individuale nuk mund të ndikojë fare qoftë në cenimin e pastërtisë se luftës sonë, qoftë edhe në dëmtimin e imazhit të UÇK-së. Rastet e veprimeve të ndryshme të ushtarëve tanë, janë të vogla dhe të papërfillshme, prandaj edhe nuk janë raste për t’u shqetësuar dhe për të ngritur frikën për njollosjen e luftës sonë dhe të UÇK-së. Në konceptin e UÇK-së nuk ka qenë gjenocidi, pastrimi etnik, dëmtimi i popullatës civile, shkatërrrimet në masë etj. Në koncpetin e UÇK-së ka qenë lufta çlirimtare, mbrojtja e popullatës civile dhe e pasurisë së njerëzve, e që i ka zbatuar në mënyrë shembullore. Gjenocidi, pastrimi etnik, dëmtimi i popullatës civile dhe shkatërimi në masë, kanë qenë veçori të luftës pushtuese serbe.
Te nderuar….
Frika nga gjykimi i popullit duhet të jetë më e madhe se frika nga cilado gjykatë.Ne kemi tradita autoktone, po keto tradita e kan ruajtur identitetin tone kombetar.Një veçori që desha ta theksoj në mënyrë të veçantë, është kërkimfalja, e cila është e ngulitur thellë në traditën tonë. Po e theksoj këtë si mundësi njerëzore, fisnike dhe burrërore që të gjithë ata që kanë problem me ndërgjegjen, që padrejtësisht i kanë bërë dëm dikujt, ose e kanë bërë të vuajë emocionalisht dhe fizikisht, të kërkojnë falje. Jam shumë i bindur se shumica e tyre do të falen. Paqja e brendshme është goditja me e fuqishme për ata që e humbën luftën në fushëbetejë dhe që e duan fitoren në tavolinë. Paqja e brendshme do të thotë që gjykata të mbetet pa materie.
Në këtë mënyrë ne jemi mirë me njëri tjetrin, më miqtë tanë që na qëndruan besnikë gjatë gjithë rrugëtimit, ashtu siç do të jemi mirë edhe me drejtësinë ndërkombëtare, e që do jenë garancitë më të fuqishme për zhvillimin e shtetit tonë, dhe për ndërtimin e jetës më të mirë të qytetarëve të R. Kosovës.
Fjala e deputetit të LDK, Anton Quni, në debatin për ndryshimet kushtetuese
Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për dështimin e nj...
Roshi flet për tërhiqjen nga kombëtarja: Nuk u ftova një vit...
Të shtëna me armë zjarri në Durrës
Lista Serbe pasi PZAP ia aprovoi ankesën: Mbetet të shihet n...
PDK-ja formon shtabin qendror zgjedhor
LDK thërret konferencë për media, nuk dihet arsyeja