Fëmija i revolucionit kulturor

09:45 | 20 Maj 2016
Arbresh.info

Nga: Ma Jian 

Pesëdhjetë vjet më parë, Mao Zedong nisi Revolucionin Kulturor të Kinës – një dekadë kaosi, persekutimi dhe dhune e kryer në emër të ideologjisë dhe në interes të zgjerimit të pushtetit personal të Maos. Megjithatë, në vend që të reflektojë në trashëgiminë shkatërrimtare të kësaj periudhe, Qeveria e Kinës po shmang çdo diskutim mbi të dhe, qytetarët e Kinës, të kënaqur nga mirëqenia që erdhi nga tri dekada reformash të orientuara nga tregu, deri tani janë mjaftuar me harresë.

Por, në një kohë kur presidenti Xi Jinping po kryen spastrime të pamëshirshme e po krijon kultin e tij të personalitetit, groposja e të shkuarës nuk është pa kosto.

Në gusht 1966, Mao publikoi Bombardoni Qendrën – një dokument që synonte të mundësonte spastrimin e Partisë Komuniste Kineze nga “kriptokapitalistët”: presidenti i asaj kohe, Liu Shaoqi. Në dokument, Mao i bëri thirrje rinisë së Kinës “ta rrëzonin perandorin nga kali” dhe të fillonin një rebelim nga poshtë.

Të rinjtë u përgjigjën me zell. Rojet e Kuqe, grupime paraushtarake studentore, u shfaqën me shpejtësi në të gjithë vendin për të çuar përpara dëshirën e Maos. Brenda 100 ditëve, Mao ia doli të spastronte pjesën më të madhe të udhëheqësisë së partisë, përfshirë Liun dhe Ten Siaopinin.

Por, nuk qenë vetëm kundërshtarët politikë të Maos të cilët u vunë nën sulm. Gjatë muajve gusht dhe shtator, Rojet e Kuqe vranë më shumë se 1,700 njerëz – ose duke i rrahur deri në vdekje, ose duke i detyruar të kryejnë vetëvrasje; ata përzunë mbi 100 mijë banorë nga Pekini dhe dogjën shtëpitë e plaçkat e tyre. Mësuesit qenë veçanërisht të sulmuar. Sa herë që Rojet e Kuqe shfaqeshin te shkollat fillore, shkollat e mesme apo universitetet, mësuesit dhe drejtorët keqtrajtoheshin.

Nuk kaloi shumë kohë para se Mao të kthehej kundër Rojeve të Kuqe, kur vendosi se anëtarët e tyre qenë “shërbëtorë” të kriptokapitalistëve. Pasi vendosi ligjin ushtarak në të gjithë Kinën, Mao i mbushi Rojet e Kuqe me rebelë të ri proletarë, shpesh duke shpërngulur anëtarët fillestar të grupimeve nëpër fshatra të largëta për “ri-edukim”.

Për Xinë, ngjarjet e Revolucionit Kulturor janë gjëra që ai i di nga eksperienca e vet. Babai i tij, Xi Zhongxun, një zyrtar i lartë i Partisë Komuniste, u rrëzua nga pushteti, u burgos dhe në fund u dërgua në një fabrikë për të prodhuar traktorë, ndërsa familja e tij u shpërnda nëpër fshatra.

Megjithatë, në vend që të distancohet nga ideologjia dhe organizata që shkatërroi familjen dhe vendin e tij, Xi po përdor elementët dhe mjetet kyçe të Revolucionit Kulturor për hesap të vet. Xi duket se ka ruajtur brenda vetes aspektin luftënxitës të Revolucionit Kulturor të rinisë së vet. Pushteti është parimi i tij udhëheqës dhe duket se ai është i gatshëm të bëjë gjithçka për ta mbajtur atë. Në këtë përpjekje, ai ka një avantazh kyç: Trashëgiminë e Maos.

Për shumë dekada, Mao promovoi një formë të luftës së klasave në të cilin qytetarët informonin mbi njëri-tjetrin, madje edhe miqtë e tyre më të ngushtë, fqinjët dhe familjarët e vet. Për shkak të pasigurisë që krijonte kjo situatë, çdokush – madje edhe joanëtarët – bëhej shërbëtor i Partisë Komuniste. Në këtë mjedis frike, shteti me qetësi dhe efikasitet shkatërroi identitetin personal.

Barbaria kërkonte vendosjen e pushtetit absolut mbi popullsinë dhe ky është një leksion i Revolucionit Kulturor ndaj të cilit Xi duket indiferent. Ai është i shqetësuar vetëm për pjesën e “pushtetit absolut”. Dhe, në përpjekjet për ta kapur këtë pushtet, të mbijetuarit e Revolucionit Kulturor – njerëzit që e dinë se çfarë do të thotë të frikësohesh për të zgjedhur politikën mbi personalen – janë bërë kapitali më i çmuar politik i Xi.

Xi e di se ai mund t’ia dalë vetëm duke përforcuar autoritetin e Partisë dhe pozicionin e tij si udhëheqës. Kështu ai ka prezantuar një narrativë në të cilën supozon se ka një kërcënim të madh për Kinën që vjen nga brenda – një kërcënim i krijuar nga udhëheqës tradhtarë të korruptuar – dhe ka deklaruar se besnikëria ndaj Partisë është me rëndësi vendimtare.

Ka vetëm dy lloje njerëzish: ata që mbështesin Partinë dhe ata që nuk e mbështesin. Njësoj si Mao më 1966, Xi beson se pushteti i tij varet nga bërja e të gjithë kinezëve – zyrtarë të qeverisë e qytetarë të zakonshëm – besnikë të bindur përmes çdo mjeti të mundshëm. Pushteti bazohet në represionin e kundërshtarëve, të tillë si fituesi i Çmimit Nobel për Paqen Liu Xiaobo dhe dhjetëra-mijëra shkrimtarëve e studiuesve të tjerë të burgosur.

Por, Xi nuk mbështetet vetëm te frika për të çimentuar sundimin e tij. Ai po përpiqet gjithashtu të fitojë mbështetje popullore me një ideologji të re unifikuese, të mbështetur në të ashtuquajturën Ëndrra e Kinës, një seri vlerash socialiste dhe qëllimesh që supozohet se do të sjellin përtëritjen e madhe të kombit kinez.

Kjo është shoqëruar nga një formë galvanizuese nacionalizmi që e paraqet botën, në veçanti Shtetet e Bashkuara, si forca që përpiqen ta mbajnë Kinën të prapambetur duke supozuar se vendi që i takon Kinës është në majë të rendit botëror. Dhe, ai ka ushqyer një kult personaliteti të atij lloji që nuk është parë kurrë që nga koha e Maos.

Pesëdhjetë vjet pas Revolucionit Kulturor, krimet dhe mëkatet e tij mbeten të padënuara. Përkundrazi, ai po përdoret për të justifikuar më shumë shtypje politike dhe shoqërore në Kinë. Por, pavarësisht se çfarë bën Xi, përpjekjet e tij për të siguruar autoritet të stilit të Maos ka gjasa do të përfundojnë shumë ndryshe për të, me sundimin e tij ekonomik jokompetent dhe spastrimet politike e represionin që gradualisht po krijojnë trupa sekrete që e kundërshtojnë atë. Ndërsa dështimet ekonomike po shpërthejnë gjithnjë e më shpesh në rebelime politike, Rojet e Kuqe mund të rishfaqen sërish në rolin e tyre qendror në Revolucionin Kulturor, mbështetur nga një gjeneratë tjetër të rinjsh të nuk kanë mësuar nga historia. Por këtë herë, “perandori” që do të rrëzohet nga kali do të jetë pikërisht Xi. /Project Syndicate/Reporter.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme