Sot në Ditën e Europës, ende shpresojmë siç dikur pati njerëz, që besonin se nga rrënojat e mjerimit dhe luftës mund të ngrihej një Europë dhe Botë më e mirë. Por; Nëse ka një çështje për të cilën ka kaq shumë interes në botën e ditëve tona, ajo është siguria. Nisur nga rëndësia që ka garantimi i sigurisë, nuk është i rastësishëm fakti që çdo vit zhvillohen kaq shumë takime apo konferenca të niveleve më të larta politike dhe teknike në nivel europian dhe global. Rëndësia që i kushtohet njohjes së konceptit të sigurisë dhe plazmimit të tij në praktikë, është kthyer sot në pjesë integrale e kurrikulave të shumë shkollave të niveleve të ndryshme. Në fund të fundit, ky interesim i gjithanshëm shpjegohet me bindjen se garantimi i sigurisë do të mundësonte jetën normale të njerëzve.
Por, koncepti i sigurisë, si pasqyrim i realiteteve të përditshme ka edhe ai dinamikën e zhvillimit të tij. Nuk do të ishte e vështirë të konstatohej se aktualisht përveç dimensionit tradicional fizik, garantimi i sigurisë në një masë të konsiderueshme kërkon edhe njohjen e parandalimin e rreziqeve edhe në nivele të tjera siç janë ai virtual. Europa dhe e gjithë Bota sapo ka kuptuar se; Nëse pandemia e koronavirusit na ka mësuar ndonjë gjë, përtej domosdoshmërisë së kujdesit maksimal ndaj higjenës vetjake, ajo është se viktima e parë e kësaj pandemie paska qenë udhëheqja e një vendi. Në asnjë moment përgjatë viteve tona, njerëzimi nuk ka pasur më shumë nevojë për një moment të “e vetmja gjë nga e cila duhet të kemi frikë, është vetë frika”.
Rizgjimi i sotëm politik është transnacional në burimet e frymëzimit, për shkak të ndikimit të komunikimit masiv. Pasionet moderne politike populiste, mund të drejtohen kundër një objektivi të largët, në kushtet e mungesës së një doktrine unifikuese. Diversitetet kulturore, sociale dhe fetare, mbartin rrezikun që, rizgjimi politik të kthehet kundër Europës si unitet.
Cilat janë disa nga kërcënimet dhe sfidat me të cilat përballet sot Bashkimi Europian?
Në një analizë më konkrete nuk është e vështirë të konstatohet se aktualisht në nivelin Europian ekzistojnë rreziqe të cilat në mënyrë të shkëputur apo në bashkëveprim me njëri tjetrin mund të minojnë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të garantuar një mjedis sa më të qetë dhe të sigurtë. Këto rreziqe mund te klasifikohen si rreziqe të natyrës strukturore të brendshme të vetë Unionit, si dhe si rreziqe të jashtme kryesisht të natyrës gjeopolitike.
Tendenca që vihet re, e që në një farë mase pasqyron edhe tendosjet brenda Bashkimit Europian, është perceptimi që kanë një numër i konsiderueshëm banorësh në disa vende anëtare lidhur me kontributin dhe garancinë e ofruara. Pandemia covid-19, krizat ekonomike financiare si ato të Greqisë,Spanjës, Italisë e Portugalisë dhe fundmi dhe Brexit kanë ravijëzuar një perceptim që shkon në një ndarje veri-jug.
Në masë tek qytetarët europian është krijuar përshtypja se kemi të bëjmë me dy modele të ndryshme të drejtimit të shtetit. Nëse vendet e Evropës Qendrore, Veriore e Perëndimore kanë arritur të ndërtojnë dhe të venë në eficencë institucione shtetërore të besueshme dhe më pak të korruptueshme, e kundërta ndodh me vendet e Evropës Jugore por edhe Lindore, të cilat kanë demonstruar deficite të konsiderueshme në përmbushjen e detyrimeve si ndaj shtetasve të tyre, ashtu edhe ndaj Unionit, prandaj konsiderohen edhe si barrë për vendet e tjera. Këto deficite dhe vështirësi përkthehen në kosto financiare për buxhetin e përbashkët dhe njëkohësisht edhe në qëndrime e vlerësime negative për vendet në vështirësi.
Kjo ka krijuar një hendek në aspektin sesi banorët respektivë e shohin dhe konsiderojnë njëri-tjetrin. Paragjykimet dhe steriotipet për pjesë të ndryshme të kontinentit sigurisht që, nuk i shërbejnë sigurisë dhe integritetit të brendshëm të Bashkimit Europian. I ndërtuar duke pasur në bazë koherencën Bashkimi Evropian do të detyrohej të vuante nga shumë probleme madje të rrezikohej për të ekzistuar nëse kjo koherencë do të humbiste.
Përveç sa më lart, sinjale paralajmëruese për të qenë të kujdesshëm dhe për të përmirësuar gjithnjë e më tepër instrumentet strukturorë e legjislativë përsa i përket garantimit të sigurisë erdhën edhe përtej kufijve të Bashkimit Evropian.
E ashtuquajtura Pranvera Arabe, megjithë arritjet në demontimin e sistemeve autoritariste dhe diktatoriale përsëri “eksportoi” rreziqe dhe kërcënime për Europën. Çështja e emigracionit ka kohë që diskutohet në kancelaritë e shumë vendeve evropiane dhe megjithë “solidaritetin” dhe “përkrahjen” për emigrantët përsëri nuk është arritur të gjendet gjuha e përbashkët, sa kohë që shtete të ndryshme anëtare të unionit e shohin dhe e vlerësojnë këtë çështje në këndvështrime të ndryshme nisur nga interesa të ngushta kombëtare.
Statistikat nga Europoli dhe agjenci të tjera flasin se, së bashku me emigrantët që u kanë ikur luftërave në Lindjen e Mesme, e emigrantëve të paligjshëm nga vendet e varfra të Europës, në Berlin, Paris, Bruksel, Romë, etj, hyjnë edhe elementë me precedentë penalë, individë që i përkasin grupeve dhe organizatave terroriste, të cilët kanë kryer akte vrasëse, të cilat Europa i kishte harruar prej dekadash.
Por, përveç tyre Bashkimi Europian është i detyruar të marrë në konsideratë edhe rolin e aktorëve të rëndësishëm gjeopolitikë siç janë Rusia dhe në një farë mase edhe Turqia,vende këto që ndodhen në kufijtë natyralë me Unionin. Rëndësia e këtyre vendeve për sigurinë e Bashkimit Europian, lidhet me faktorët siç janë numri i popullsisë dhe i madhësisë gjeografike të tyre, aksesi i tyre në burime të rëndësishme energjetike por edhe si vende transite për kalimin në Bashkimin Europian, jo vetëm të rezervave energjetike aq të nevojshme për konsumatorin dhe ekonominë, por edhe të dukurive dhe fenomeneve kërcënuese që barten nga individë e organizata të ndryshme.
Në dhjetë vitet e fundit Rusia është rikthyer fuqishëm në arenën ndërkombëtare si një aktor i rëndësishëm. Duke shfrytëzuar burimet e saj energjetike, kaq të rëndësishme për shumë vende anëtare të Unionit, ajo ka treguar se në momente të caktuara mund të luajë fort me kartën e furnizimit me energji të Evropës dhe të përpiqet që të mbrojë interesat e saj përkundrejt interesave të Bashkimit Europian në tërësi dhe të shteteve të veçanta anëtare.
Ngjarjet në Ukrainë, janë një tregues kuptimplotë se megjithë përparimet e mëdha të bëra në fushën e sigurisë, Bashkimi Europian nuk është imun ndaj kërcënimeve të reja. Pikërisht edhe sot përplasja për të ardhmen e Ukrainës që prodhoi dhe prodhon konflikt jo vetëm të brendshëm mes mbështetësve të qëndrimeve të ndryshme në Ukrainë, por edhe në divergjenca dhe këndvështrime të ndryshme ndërmjet Brukselit dhe Uashingtonit nga njëra anë dhe Moskës nga ana tjetër.
Një aktor shumë i rëndësishëm rajonal si dhe me një rëndësi të veçantë gjeopolitike për interesat dhe sigurinë e Bashkimit Europian, është edhe Turqia e cila ndryshe nga Rusia, po përpiqet që të forcojë dhe stabilizojë rolin e saj përmes rritjes së volumit të tregtisë më prodhuesit lokalë duke e shtrirë atë edhe në procesin e përpunimit të mëtejshëm të mallrave. Duke parë se perspektiva e anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian nuk është shumë premtuese për shkak të qëndrimeve bllokuese të disa prej vendeve më me peshë të Unionit, Turqia nën drejtimin e Erdogan po përpiqet që të kthehet në një superfuqi jo vetëm ekonomike por edhe politike të rajonit.
Një ndër kërcënimet aktuale për Bashkimin Europian, është rritja e frymës së euroskepticizmit. Vetëm një dekadë më parë shumë pak studiues mund ta kenë parashikuar se pas 10 vjetësh do të kishte një nivel kaq të lartë të skepticizmit mbi Unionin, fenomen ky që vërehet kryesisht në vendet më me influencë dhe me kontribute më të mëdha anëtare. Sigurisht që ky perceptim lidhet me faktorë të natyrave të ndryshme qofshin këto politike, ekonomike, sociale apo edhe kulturore të cilat në realitet duke ndërvepruar me njëra-tjetrën rezultojnë në rënien e entuziazmit për Europën e Bashkuar.
Fryma euroskeptike, megjithëse fillesat i ka që nga koha kur Britania drejtohej nga kryeministria konservatore Theçer, sot konsiderohet si një fenomen me mbështetje gjithnjë e në rritje. Pas Brexit në mjedisin politik Europian është shtuar mbështetja për partitë euroskeptike si, AfD në Gjermani, Fronti Kombëtar në Francë, Partia për Lirinë në Holandë, Partia e Lirë në Austri, Lega Nord në Itali, etj.
Ajo që shqetëson politikën por edhe shoqërinë civile në shumë vende të Bashkimit Europian, është fakti se në këtë simfoni forcash politike me prirje euroskeptike, shpesh ndërthuren edhe elemente të ideologjisë populiste dhe ksenofobe, të cilat rrezikojnë dhe minojnë sigurinë. Janë të njohur qëndrimet radikale ndaj fesë myslimane të liderit të ekstremit të djathtë në Holandë Ëilders, një ndër kundërshtarët e vendosur për mosdhënien e statusit kandidat për vendin tonë.
Shih çfarë ndodhi vetëm në harkun kohorë të një viti kur Europa dhe qeveritë e saj transmetuan reagimin e tyre për krizën e koronavirusit. Shumë europianë pas kësaj krize po e thonë se, ka ardhur momenti tashmë të ngrihen dyshimet, nëse integrimi kishte shkuar shumë larg dhe nëse shteti-komb duhet të ‘rimarrë kontrollin”. Pas disa muajsh, njerëzit do të arrijnë në përfundimin se kriza ka nxjerrë zbuluar faktin që ka patur shumë pak Europë, ose tepër Europë. Ata mund të dëshirojnë më shumë Europë për t’i mbrojtur nga pandemitë e ardhshme, ose mund ta refuzojnë atë. Migrantët dhe kufijtë e hapur mund të jenë viktimat e para të debatit mbi Europën, të dominuar nga virusi, krizat, populizmi, dhe kërcënimet. Tani që disa shtete anëtare kanë rikthyer përkohësisht kufijtë, liderët dhe votuesit mundet që, pasi e keqja të ketë kaluar, të konkludojnë se nuk ka kuptim t’i rihapin ato plotësisht.
U desh koronavirusi dhe u vunë në dyshim disa nga supozimet themelore mbi të cilat është themeluar Bashkimi Europian, i cili kur të kapërcehet pandemia, do të rifillojë, por më pak intensiv dhe i ndryshëm nga ai që kemi njohur deri më tani.Tradicionalisht, ne kërkojmë ngushëllim tek feja, sporti, argëtimi dhe në premtimin se shkenca dhe shoqëritë moderne, ofrojnë të gjitha mjetet e nevojshme për të zgjidhur çdo problem. Por momentalisht “janë hedhur në erë” idetë tona më themelore për komunitetin.
Nga Azem PARLLAKU
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...