Ethet e së dielës do të jenë më evidente në komunat ku diferenca në vota ndërmjet fituesit dhe të dytit ishte 1%, sikur që për disa komuna votuesit e Vetëvendosjes mund të përcaktojnë fituesin edhe duke mos qenë kjo parti pjesë e garës.
Shkruan: Elvinë Sefiu
Gjithmonë po flasim për rezultatet e raundit të parë të Zgjedhjeve Lokale 2021, duke tentuar t’i bëhet një parashikim edhe rezultatit të raundit të dytë që do të mbahet këtë të diele, më 14 nëntor.
Në komunat e “1%’shit”, aty ku është në balotazh Lëvizja Vetëvendosje, mund të konsiderojmë se kjo parti mund të dali fituese. Shumë qytetarë që duan ndryshimin nuk ndikohen nga koalicione të individëve që kanë prapa ndonjë subjekt politik. Vetëdija qytetare sot është e lartë, dhe vështirë e manipulueshme. Dhe, tashmë jemi dëshmitarë se votuesi është i prirur të japë votë ndëshkuese kur është i pakënaqur.
Në shtatë komunat e “1%’shit”, kandidatët për kryetarë do të kenë ethe qysh nga tash. Disa të rikandiduar, për faktin se nuk kanë bërë sa duhet në komunat e tyre dhe e dinë se qytetari i ndëshkon tek kutia e votimit, pavarësisht se publikisht mund t’i pranojnë ndonjë kandidati një “rrahje shpine”.
Në Podujevë garojnë Ekrem Hyseni i LDK-së, i cili në raundin e parë mori 44.20 për qind dhe Shpejtim Bulliqi i LVV-së me 44.16 për qind. Polarizimet politike në LDK-në e Podujevës do ta penalizojnë të drejtojë për katër vitet e ardhshme. Në zgjedhjet nacionale 60% e qytetarëve ja besuan votën Vetëvendosjes në këtë komunë.
“1%’shi” edhe në Gjilan do të ndezë kandidatët që janë në garë. Gjilani do të ketë balotazh ndërmjet Alban Hysenit nga LVV 44.71 për qind dhe Lutfi Hazirit nga LDK-ja që mori 43.51 për qind të votave. Për dallim nga Podujeva, në Gjilan Vetëvendosje pati marrë 65% të votave në zgjedhjet nacionale, që në një formë a tjetër, tregon rezultatin që mund të dali mbrëmjen e së dielës.
Në Shtime, Qemajl Aliu i Vetëvendosjes mori 45.29 për qind dhe Naim Ismajli i PDK-së mori 44.23 për qind të votave në raundin e parë. Në këtë komunë Vetëvendosje kishte 51% të votave në zgjedhjet nacionale. Kjo tregon se votuesi i partive tjera, në kërkim të ndryshimit mund t’i garantojë fitoren Vetëvendosjes në Shtime.
Në Vushtrri garojnë Ferit Idrizi i PDK-së me 34.81 për qind dhe Xhafer Tahiri LDK 33.82 për qind. PDK-ja ishte para LDK-së edhe në zgjedhjet nacionale në Vushtrri, por pas Vetëvendosjes, që tregon se votuesit e kësaj të fundit mund të vendosin për ndryshim qeverisje në këtë komunë. Kjo pasi logjika e votuesve të kësaj partie anon kah ndryshimi.
Në Dragash përballjen do ta kenë Bexhet Xheladini nga LDK-ja që mori 35.69 për qind, me Shaban Shabanin nga PDK-ja, i cili në raundin e parë mori 32.56 për qind. Në këtë komunë qytetari ka votuar ndryshimin në një diferencë për 3%, nëse i llogarisim votuesit e Vetëvendosjes, LDK-ja do të qeverisë me Dragashin në katër vitet e ardhshme.
Në Kamenicë, Qëndron Kastrati mori 32.52 për qind të votave dhe Kadri Rahimaj i Vetëvendosjes mori 31.01 për qind. Rreth 2% e votave që bënë diferencën për fitoren e Kastratit në raundin e parë, nuk i garantojnë fitore në raundin e dytë, pasi votuesi në këtë komunë ka dëshmuar se ka partinë në plan të parë. Në zgjedhjet nacionale Vetëvendosje kishte marrë 58% të votave, prandaj çfarëdo koalicioni nuk do ta shpëtonte Kastratin për të drejtuar me Kamenicën edhe për katër vitet e ardhshme.
Në Junik, Agron Kuçi i AAK-së ka marrë 45.19 për qind dhe Ruzhdi Shehu i LDK-së ka marrë 42.01 për qind të votave në raundin e parë. Votuesi i Vetëvendosjes, që në zgjedhjet nacionale në këtë komunë kishte dalë e dyta pas AAK-së, mund t’i sigurojë LDK-së fitoren në Junik, gjithmonë duke ndjekur logjikën e ndryshimit të qeverisjes.
Në Prishtinë, çfarëdo koalicioni i të dytit nuk do të arrijë të ja marrë fitoren të parit. Prishtina shkon në garën e balotazhit ndërmjet Arben Vitisë së LVV-së me 45.54 për qind të votave dhe Përparim Ramës së LDK-së me 29.17 për qind. Në zgjedhjet nacionale Vetëvendosje kishte marrë 65% të votave, duke i lënë tepër larg partitë tjera përfshirë partinë e dytë me të cilën përballet në balotazh.
Në Prizren garojnë Mytaher Haskuka i Vetëvendosjes me 40.41 për qind të votave dhe Shaqir Totaj i PDK-së, me 31.36 për qind të votave të marrë në raundin e parë. Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve nacionale, çfarëdo koalicioni i PDK-së në nivel lokal nuk do të arrinte të siguronte fitore në Prizren, ndoshta edhe shkaku i mendësisë qeverisëse të instaluar për shumë vjet në nivel lokal dhe qendror, që e penalizoi këtë parti edhe në zgjedhjet nacionale.
Gjakova do të ketë në balotazh Ardian Gjinin e AAK-së me 45.76 për qind dhe Mimoza Kusari-Lila të LVV-së me 37.20 për qind. Në Gjakovë pritet rezultat i njejtë sikur ai i vitit 2017 meqë LDK-ja pati një rritje në raundin e parë të këtyre zgjedhjeve, dhe rezultati i PDK-së nuk ndryshoi shumë nga zgjedhjet e kaluara lokale. Rrjedhimisht votuesit e tyre mund të nxjerrin fitues prap Ardian Gjinin, si votë ndëshkuese ndaj Kusari Lilës që nuk nuk ja besuan qeverisjen në Gjakovë as në zgjedhjet e vitit 2017’të.
Në Drenas, kandidati i PDK-së Ramiz Lladrovci, i cili më 17 tetor mori 45.50 për qind, do të përballet me Driton Ajazin nga Demokratët për Drenasin, me 30.50 për qind. Për shkak të polarizimeve brenda partiake PDK-ja nuk arriti të fitojë Drenasin qysh në herën e parë. Duke qenë të dy kandidatët demokratë, logjika që do të ndjekin votuesit mund të lidhet me partinë dhe identitetin e saj, e që mund të determinojë si fitues Lladrovcin.
Në Kaçanik do të përballen Besim Ilazi i PDK-së që mori 44.67 për qind të votave kundër Jeton Rakës nga Vetëvendosje me 33.36 për qind. Në zgjedhjet lokale të vitit 2017 Vetëvendosje kishte 20 për qind të votave më pak në raundin e parë, duke e rritur mbështetjen kështu për 10 për qind. PDK-ja ka një rritje për 4 përqind. Raundi i dytë mund të përmbysë rezultatin në favor të Vetëvendosjes në bazë të kësaj rritje. Ethet në këtë komunë do të jenë evidente sikurse tek komunat e “1%’shit”.
Në Fushë Kosovë, Obiliq, Rahovec dhe Viti, komuna ku Vetëvendosje është në balotazh, në zgjedhjet nacionale ishte e para. Në Zgjedhjet Lokale 2021, në raundin e parë në këto komuna pati diferencë të madhe që nuk pritet t’i sigurojnë fitore në ndonjërën prej tyre. Pati rritje, por jo sa për t’i nxjerrë fitues kandidatët që pati.
Në Fushë Kosovë, Obiliq, Rahovec dhe Viti pritet të rikonfirmohen si kryetar Burim Berisha i LDK-së, Xhafer Gashi i Iniciativës Qytetare për Obiliqin, Smajl Latifi i AAK-së, dhe Sokol Haliti i LDK-së.
Në komunat ku Vetëvendosje nuk është në balotazh Istog, Klinë, Malishevë, por ishte fituese në zgjedhjet nacionale, mos dalja e votuesve të saj në zgjedhjet e 14 nëntorit do të nxjerrtë fitues Ilir Feratin e LDK-së në Istog, Zenun Elezaj të AAK-së në Klinë dhe Ekrem Kastratin e NISMA-s në Malishevë. Ky rezultat, mbi bazën e logjikës se votuesi i Vetëvendosjes nuk do të shihte të rëndësishme daljen për të siguruar fitoren e njërit apo tjetrit, meqë i konceptojnë si të ngjashme.
Ndikimi i Vetëvendosjes pritet të jetë evident edhe në Kllokot meqë në zgjedhjet nacionale ishte e dyta pas Listës Serbe. Në Kllokot garojnë Vladan Bogdanoviqit nga Lista Serbe me 41.01 për qind dhe Strahinja Spasiq nga GI Srpska Narodna Sloga 36.33 për qind. Duke mos patur diferencë të madhe i pari nga i dyti, një përkrahje e votuesve të Vetëvendosjes do të mund të përmbyste rezultatin dhe të nxjerrte fitues Spasiqin.
Ndërsa në Mamushë, Abdulhadi Krasniqi nga KDTP, i cili në raundin e parë mori 48.92 për qind dhe Arif Butuqi nga Kosova Adalet Turk Partisi me 36.95. Zvogëlimi i diferencës për 10% nga Zgjedhjet Lokale 2017, dhe votuesi i Vetëvendosjes, duke qenë e dyta në zgjedhjet nacionale pas KDTP-së në Mamushë, mund t’i garantojë fitoren kësaj partie edhe shkaku i përkrahjes që dha në Parlament për Vetëvendosjen.
Qytetarët është shumë me rëndësi të përcaktojnë qartë fituesin. Përtej premtimeve, duhet të shohin mundësitë dhe strategjitë që prezanton kandidati i caktuar për realizimin e tyre. Çfarëdo projekti madhor duhet të marrë përkrahjen e nivelit qendror, dhe nëpër vite e kemi të njohur se kah është orientuar buxheti gjatë qeverisjeve të partive të ndryshme për projekte nga ato për kanalizim e deri tek ato më strategjike. Ata që e kanë dëshmuar se mund t’ja dalin vetëm, kanë fituar në raundin e parë të Zgjedhjeve Lokale 2021.
(Elvinë Sefiu është kryeredaktore në portalin arbresh.info dhe për më shumë se dhjetë vjet ka punuar në medie si gazetare dhe redaktore.)
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...