Paralajmërimi për krijimin e këtij ‘esnafi’ zgjoi edhe një herë konfliktualitetin latent të shtresëzuar në shoqërinë e Kosovës: në njërën anë, elita që e ngre lart fodullëkun përmes të qenurit pasardhëse të familjeve qytetëse dhe në anën tjetër, njerëz që kompleksohen nga prejardhja e tyre jo nevojisht qytetëse.
Në të vërtetë, orvatja e ‘esnafit’ të parë për t’u leçitur nga të tjerët përmes një letërnjoftimi që dëshmon se janë ‘jerli’ të Prishtinës (nga turqishtja: yerli, vendës) është kretenizëm tmerrues.
Në zemër të kësaj përpjekje është vegimi fantazmagorik për një kohë të artë të një jete qytetëse, familjeve të kamura dhe strukturave urbane. Por a ka pasur diçka të tillë?
Faktet janë lemeritëse për ‘jerlitë’ dhe pasardhësit e ‘elitave’ osmane në Vilajetin e Kosovës:
Milan Rakiç, konsulli serb në Prishtinë (1906-1909), qysh në ditën e parë të detyrës vajton fatin e tij të trishtë që u ‘syrgjynos’ midis këtij pisllëku osman, ku përveç një rruge të llangosur me baltë, nuk kishte asgjë tjetër.
Përjetimet e konsullit serb janë të kuptueshme, ashtu sikundër edhe zhgënjimi e tij: për një sedër krenare si Milan Rakiç, që ishte shkolluar në Paris dhe ishte i afërt me parnasin letrar francez, të shërbente në një cep të ndyrë të Perandorisë Osmane ishte njësoj sikur të ostracizohej.
Ka edhe më shumë sesa kaq: në katër vilajetet e banuara me shumicë shqiptare, vetëm Janina dhe Shkodra e meritojnë sqimën e një jete të lavdërueshme urbane. Një janiniot ose shkodran sikur e ka të përligjur moralisht sipraninë e tij: në këto dy qytete buisnin biblioteka, shkolla dhe qendra kulturore.
Por sa ka urë të qëndrojë nostalgjia e një prishtinasi, mitrovicasi, pejani, prizrenasi, shkupjani apo tetovari, ose thënë ndryshe, çfarë është ikonë krenarie e një jete të dikurshme qytetëse?
Xhamitë ku falej mileti, çezmet ku merrej abdes apo pazari ku kutërbonte papastëria?
Ky është vaniteti ynë qytetës?
Le ta bëjmë një shembull sa për krahasim: Nishi u pushtua nga Serbia në vitin 1878, por një vit më vonë aty u hap libraria e parë, një vit më vonë hotel ‘Europe’, tevona spitali dhe banka. Në dekadën pasuese luzmuan shkollat dhe gazetat, shenjë e një energjie dhe vullneti për përparim. Dhe Nishi shpejt mori staturën e një qyteti bashkohës: stacioni hekurudhor që e lidhte me Sofjen, teatri lëvizës e çka tjetër jo.
Në të njëjtën kohë, ‘qytetet’ e vilajeteve shqiptare vegjetonin qenqe në rustikën e Perandorisë: çka duhej teatri, shkolla e përlindja kulturore, kur të gjitha këto zëvendësoheshin nga xhamitë e mejtepet me hoxhallarët suprem që konsideroheshin instanca e fundit e dijes? Ajme…
Ambasada amerikane nderon Hovenierin për marrëdhëniet ShBA-K...
Hoxha pret ambasadoren greke: Shtim të sporteleve në pikat k...
Presidenja e Gjeorgjisë kërkon që data e zgjedhjeve të cakto...
Kuvendi vlerësohet si institucioni më transparent dhe llogar...
Pas tronditjes zgjedhore – çfarë po ndodh në Rumani?
AUV në pritje të rezultateve për mandarinat e importuara nga...