Nga: Manlio Graziano
Zgjedhjet e kësaj të diele në Turqi treguan se Rexhep Taip Erdogani pati të drejtë dhe se të gjitha ata që – përfshirë ne – prisnin një disfatë të tijën elektorale, e patën gabim. Por, në parashikimin e një disfate të mundshme të tijës, shumë vëzhgues kishin harruar se, në zgjedhjet e qershorit të shkuar, AKP-ja, partia e Erdoganit, ishte “mundur” me 40,9 për qind të votave, një rezultat që, me sisteme të tjera elektorale, do të mund t’i siguronte shumicën absolute të vendeve në Parlament. Ai 40 përqindësh mund të thuhet se përbën prurjen e kapitalit elektoral të AKP-së – të grumbulluar gjatë dhjetëvjeçarit të parë të pushtetit, kur Turqia qe vendi më dinamik ekonomikisht i zonës së Evropës Mesdhetare.
Asaj “thundre të fortë” iu shtuan nja dhjetë pikë përqindjeje të mbledhura duke luajtur kartën nacionaliste dhe të sigurisë. Jo vetëm presidenti dhe Qeveria, por edhe komentatorët kundërshtarë të Erdoganit, dhe vetë opozita, i ishin trembur një gjendjeje krize të afërt dhe katastrofike që ribashkoi, siç duket, një pjesë të elektoratit rreth atij që, vitet e fundit, i ofroi popullsisë turke begati dhe siguri.
Fushata e radikalizimit antikurd e qeverisë ndihmoi në mënyrë vendimtare në polarizimin e votës, duke i marrë shumë vota të djathtës nacionaliste (që humbet gjysmën e vendeve të saj), por edhe, me sa duket, vetë partisë kurde HDP, që del e ridimensionuar nga kutitë e votimit. Jo vetëm kaq: por, nëse është e vërtetë që kurdët përfaqësojnë midis 20 dhe 25 për qind të popullsisë turke, do të thotë se shumica e tyre nuk ka votuar për HDP-në. Nga ana tjetër, në vitet e para të sukseseve elektorale të Erdoganit, kurdët votonin në shumicë për AKP-në duke shpresuar ta mbyllnin përgjithnjë “çështjen kurde” dhe të merrnin pjesë edhe ata në pasurimin e përgjithshëm të popullsisë.
Një tjetër aspekt interesant dhe i nënvizuar pak i këtyre zgjedhjeve është mos ndikimi në dukje zgjedhor i rrjetit të Fetullah Gylenit, predikuesit fetar që kishte ndihmuar jo pak në fitoret e para politike të Erdoganit, para se të prishej me të më 2013-n. Sipas versioneve të sotme, Gylen është në krye të njëfarë Opus Dei mysliman, një rrjet i gjerë shërbimesh sociale (kryesisht edukative), institucionesh ekonomike (ndër të cilat sindikata e sipërmarrësve të vegjël dhe të mesëm TUSKON, dhe banka e tij, Bank Asya) dhe mediash (ndër të cilat të përditshmen më të përhapur të vendit, Zaman, rrjetet televizive Samanyolu TV, Mehtap TV, Bugun TV dhe Kanalturk, të gjitha objekt masash të freskëta represive) me lidhje midis forcave të Policisë dhe në mjediset gjyqësore. Gjithnjë, sipas atyre burimeve, lëvizja Gylen ka “miliona” ndjekës në Turqi (dhe jo vetëm).
Rezultatet e zgjedhjeve të dielën lënë të hapura dy mundësi: ose lëvizja Gylen është një tigër prej letre, ose prishja me Erdoganin është më pak e thellë nga ç’duan (të na bëjnë) të besojmë.
Erdogani fitoi betejën zgjedhore, pa dyshim, por nuk ka fituar ende luftën e tij politike. Dhe jo vetëm sepse shumica parlamentare, ndonëse absolute, nuk e lejon megjithatë ta ndryshojë Kushtetutën në drejtimin presidencial, siç do të donte kur braktisi postin e kryeministrit për t’u bërë president. Por, edhe sepse nga lufta politike zgjedhjet përfaqësojnë vetëm një kapitull, dhe sigurisht jo më të rëndësishmin.
Problemi më delikat i Erdoganit dhe i Turqisë ka të bëjë me vendosjen ndërkombëtare të vendit. Në këtë drejtim, strategjia fillestare e AKP-së – “thellësia strategjike” e kërkuar nga kryeministri aktual, Ahmet Davutoglu, dhe e bazuar në parimin “zero probleme me fqinjët” – ka dështuar qartazi. Jo vetëm, siç tha dikush, përfundoi duke shkaktuar “shumë probleme me të gjithë fqinjët”, por edhe përkeqësoi në mënyrë drastike marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, partnerin e parë politik të Turqisë, me Rusinë, me Iranin dhe, siç dihet, me Izraelin, aleatin e saj historik rajonal.
Marrëveshja e korrikut mbi bombën bërthamore iraniane e sheh Turqinë në fushën e të humburve, me një përforcim të rivalit kryesor gjeopolitik në zonë, Iranit. Vendimi i presidentit Obama për të mbështetur kooperimin ushtarak me kurdët sirianë duke dërguar 50 “këshilltarë” në zonën e luftimeve kundër ISIS-it, vlen edhe si mohim i nënkuptuar i luftës së Erdoganit kundër kurdëve dhe i propozimit të tij për të krijuar një zonë jastëk “sigurie” (domethënë: të pakontrolluar nga kurdët) në kufirin me Sirinë. Ndërhyrja ushtarake ruse në Siri, pastaj me nja dy shkelje të kufirit turk, i shtoi dëmit edhe talljen. Kurrë, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, vlera gjeopolitike e Turqisë nuk ka qenë kaq e ulët.
Armiqësisë së hapur të Moskës, pëlqimit të Teheranit dhe zemërimit të Uashingtonit i kanë shërbyer si kundëraltar hapjet e fundit të kreditit nga ana evropiane dhe gjermane në veçanti. Në këtë çast të krizës së refugjatëve, Evropa duket se është e vetmja në gjendje të rivlerësojë kapitalin gjeopolitik turk, duke mbështetur rolin e saj të filtrit midis zonave të luftës dhe Evropës. Por, nuk përjashtohet që të ketë edhe diçka më shumë. Ftohtësia e Uashingtonit, dhe vetmia e Ankarasë, hapin zbrazëtira që dikush, me gjasë, do të përpiqet t’i mbushë. Vizita e Angela Merkelit në Stamboll, javën e shkuar, vlejti një endorsement. Tani i takon Erdoganit, fitimtar në shtëpi, ta vërë në shfrytëzim.
/Gazeta Shqip/Përktheu: Ardian Beshaj/
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?