E tërë kjo histori mund të përmblidhet në pak fjalë : gjatë sundimit të tij Enver Hoxha e përdori Kosovën si instrument në funksion të ruajtjes së pushtetit të tij personal, ndërsa shqiptarët e Kosovës e përdorën mitin e tij për të zhvilluar rezistencën e tyre kundër regjimit jugosllav. Të dy palët në fund ia arritën qëllimeve të tyre : Enver Hoxha qëndroi në pushtet deri në frymën e fundit dhe shqiptarët e Kosovës ia dolën ta heqin qafesh përfundimisht sundimin jugosllav. Simbol i këtij përdorimi reciprok është kallashnikovi i Poliçanit, të cilin Enver Hoxha e prodhoi për të mbrojtur veten, por në fund u përdor nga shqiptarët e Kosovës për çlirimin e saj. Shumë herë në histori ka ndodhur që ideologjitë e gabuara janë përdorur për qëllime të mira, ashtu siç ka ndodhur që ideologjitë e mira janë përdorur për qëllime të këqija. Si në atë parimin “Yin dhe Yang” të filozofisë së lashtë kineze, i cili thotë se e mira dhe e keqja e mbështjellin njëra tjetrën.
Shkruan: Blerim Latifi
Sot është 35 vjetori i vdekjes së Enver Hoxhës, diktatorit stalinist, i cili e sundoi Shqipërinë me dorë të hekurt nga nëntori i vitit 1944 deri në vdekjen e tij në prillin e vitit 1985. Ndoshta nuk do të më kujtohej fare ky përvjetor po të mos e lexoja një elozhe për Enver Hoxhën, të cilën, që në mëngjes, një mik i imi e kishte postuar në profilin e tij në facebook. Ai bën pjesë në grupin e atyre kosovarëve që ende e admirojnë Enver Hoxhën, si “birin më të madh që ka lindur kombi shqiptar”.
Derisa po lexoja elozhenë e mikut tim për Enver Hoxhën, më erdhën në mendje ditët e para pas vdekjes së tij. Kam qenë gjashtë vjeçar, por ende i kam të freskëta pamjet nga ambienti ynë familjar gjatë atyre ditëve. Në ato vite ne zgjoheshim dhe binim në gjumë me programet që transmetonte Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), i cili, kuptohet, ishte tërësisht në funksion të propagandës së regjimit komunist shqiptar. Programet e Radio Televizionit të Prishtinës ( RTP) zinin vendin e dytë në preferencat tona mediale, ndërsa ato të Televizionit Shtetëror Jugosllav ishin gjithmonë në vendin e tretë. Pamjet dhe zëri që na vinin përmes valëve të RTSH-së na flisnin për Shqipërinë si për vendin më të lumtur në botë. Ne i adhuronim ato pamje dhe ata zëra dhe, mbi të gjitha, e adhuronim më së shumti Enver Hoxhën, njeriun që besonim se e kishte bërë të mundur shndërrimin e Shqipërisë në parajsë. Ende sot i mbaj mend emrat e emisioneve që transmetonte Radio Tirana, siç ishte emisioni me këngë patriotike kushtuar bashkëatdhetarëve dhe emisionin “Heroizmi i popullit tonë ndër shekuj”. Këto emisione ushtronin një ndikim të jashtëzakoshëm emocional tek ne. Filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re”, të cilat transmetoheshin çdo të dielë në mesditë, kishin të njëjtin ndikim të madh. I dinim përmendësh këngët folklorike, në të cilat u këndohej heronjve të Shqipërisë, Partisë së Punës së Shqipërisë dhe udhëheqësit të saj legjendar, Enver Hoxhës. Fatime Sokoli, Sali Mani, rapsodët e Kukësit, në mesin e shumë të tjerëve, ishin ikonat tona muzikore. Një ditë prilli të vitit 1985 në shtëpinë tonë kishte pllakosur mërzia. Në valët e Radio Tiranës dhe në ekranin e Televizonit Shqiptar atë ditë nuk shfaqej gëzimi e hareja, me të cilën ishim mësuar. Shfaqeshin vetëm pamje të njerëzve të grumbulluar që qanin papushim. Bashkë me ta qante edhe nana ime. Nuk e kuptoja se çfarë kishte ndodhur dhe kur i pyesja të rriturit dhe nanën time pse po qante ajo dhe njerëzit në televizion, përgjigjja që merrja ishte se “ je i vogël për t’i ditur këto punë”. Unë rrija në qoshe dhe dëgjoja të rriturit duke i komentuar ngjarjet që transmetoheshin përmes atyre pamjeve. Vazhdimisht përmendej emri i Enver Hoxhës. Në atë mbremje erdhi tek ne për të ndenjur axha ynë i madh. Në bisedë e sipër dëgjova fjalët e tij, të cilat më janë ngulitur në kujtesë : “Enveri s’ka qenë fort burrë i mirë në kohën e Shabanit”. Shumë vite më vonë do ta merrja vesh se kush ishte ky Shabani. Fjala ishte për Shaban Polluzhën, në brigadën e të cilit axha im kishte qenë pjesëtar. I kuptova edhe fjalët e tij se “Enveri s’ka qenë fort burrë i mirë në kohën e Shabanit”. Prapa këtyre fjalëve qëndronte fakti se partizanët e Enver Hoxhës kishin marrë pjesë përkrah partizanëve të Titos në shtypjen e kryengritjes së Shaban Polluzhës në dimrin e vitit 1945. Natyrisht, në ato ditë të prillit 1985, dhe më pas, fjalët e axhës tim askush nuk i merrte seriozisht. Ato binin në kundërshtim me adhurimin tonë të Enver Hoxhës dhe si të tilla nuk mund të ishin të vërteta. Vetëm pasi ra komunizmi ne mundëm të mësojmë se ajo çfarë kishte thënë axha ynë ishte e vërtetë.
Në vitin 1941 Enver Hoxha ishte vënë në krye të Partisë Komuniste Shqiptare, e cila ishte themeluar me ndihmën e drejtpërdrejtë të emisarëve të Titos. Gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore, Enver Hoxha dhe PKSH-ja kishin qenë nën tutelën e emisarëve të Titos. Ata ishin kujdesur që të shkatërronin të gjitha mundësitë e bashkimit të komunistëve shqiptarë me nacionalistët shqiptarë, duke ushqyer tensionet midis tyre, tensione që në shumë raste kishin marrë tiparet e luftës civile. Ende pa përfunduar lufta, njerëzit e Titos hodhën idenë e bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë, ide që në fillim u mbështet edhe nga shefi i madh i komunizmit botëror, Stalini. Menjëherë pas përfundimit të luftës, vizitën e parë jashtë shtetit, Enver Hoxha e bëri në Beograd. Aty u dekorua me titullin e heroit të Jugosllavisë, ndërsa në takimin kryesor me Titon i tha këtij të fundit se “hyrja e Shqipërisë në Federatën Jugosllave është gjë e natyrshme”. Ndërkaq, për Kosovën nuk u diskutua fare.
Në fund të vitit 1946 Enver Hoxha e dha qëndrimin e tij të prerë mbi Kosovën. A është në interesin tonë ta kërkojmë Kosovën?, i pyeti ai anëtarët e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare. Përgjigjjen e dha vetë : “Kjo nuk është progresive, shokë! Në situatën e tanishme duhet të bëjmë çmos që kosovarët të vëllazërohen me jugosllavët”. Në fakt ajo çfarë po ndodhte ishte vëllazërimi i shqiptarëve të Shqipërisë me jugosllavët.
Nga viti 1945 deri në vitin 1948 marrëdhëniet midis dy shteteve ishin në nivelet e një miqësie të thellë, miqësi në të cilën rolin dominues e kishte shteti jugosllav. Në ato vite ekspertët jugosllavë bënin ligjin në çdo sferë të jetës në Shqipëri. Politika ekonomike e shtetit shqiptar formësohej nga direktivat e Beogradit, nxënësit në shkolla e kishin lëndë të detyruar mësimin e serbo-kroatishtes, mijëra të rinjë shqiptarë udhëtuan në Jugosllavi për të bërë punë vullnetare në ndërtimin e hekurudhave që lidhnin Serbinë me Bosnjën, ndërsa Beogradi dërgoi në Tiranë ekspertët e tij për të themeluar teatrin e ri shqiptar. E njëjta gjë ndodhi edhe me kinematografinë. Filmin e parë dokumentar në shqip e prodhoi “Filmski Novosti” i Beogradit. Data kur ky film u shfaq në Tiranë u vendos si data e themelimit të Kinematografisë shqiptare. Të gjitha këto zhvillime ishin në funksion të ditës kur Shqipëria edhe formalisht do të hynte në federatën jugosllave. Kjo ditë nuk erdhi kurrë falë faktit se në vitin 1948 ndodhi prishja e madhe midis Titos dhe Stalinit. Në emër të komunizmit botëror Stalini e shpalli Titon tradhtar dhe u dha urdhër të gjitha shteteve komuniste të bënin të njëjtën gjë. Enver Hoxha nuk humbi kohë, hodhi tutelën e Titos, këputi të gjitha lidhjet vëllazërore me të dhe vrau e persekutoi të gjithë ata që i mirëmbanin këto lidhje. Ndërkaq, vendin e lënë bosh nga përzënia e ekspertëve jugosllavë e zunë menjëherë të deleguarit e Stalinit. Shqipëria u fut nën tutelën e Bashkimit Sovjetik. Sigurisht, edhe në vëllazërinë e re politike të shtetit shqiptar nuk kishte shumë vend për Kosovën, por situata e re për kosovarët ishte më e favorshme se ajo e mëparshmja. Qindra kosovarë, të përndjekur nga regjimi jugosllav, kaluan kufirin dhe u strehuan në Shqipëri. Ata që dukeshin të dyshimtë përfunduan në burgjet shqiptare, ndërsa të tjerët në zona të izoluara të vendit. Kur morri vesh se njerëzit e Ahmet Zogut kishin vënë kontakte me Titon, me qëllim të hartimit të një plani për rrëzimin e tij nga pushteti, Enver Hoxha nuk qëndroi duarkryq. Ai e dinte se për t’u rikthyer në Tiranë, Zogu do të ndiqte rrugën të cilën e kishte ndjekur në vitin 1924, kur me ndihmën e ushtrisë jugosllave e kishte rrëzuar Nolin nga pushteti. Enver Hoxha kishte frikë se Zogu me ndihmën e Titos do të mobilizonte shqiptarët e Kosovës dhe me ta do të sulmonte Tiranën. Që t’i kundërvihej kësaj, Enver Hoxha mblodhi kosovarët e ikur nga Jugosllavia, i trajnoj ata dhe të organizuar në grupe diversante i futi në Kosovë. Këto grupe kishin për qëllim të sillnin në Kosovë materiale propagandistike, me anë të të cilave do të përhapej fryma antijugosllave në mesin e shqiptarëve të Kosovës, e krahas kësaj edhe mbështetja për Shqipërinë dhe Enver Hoxhën. Grupi më i famshëm diversant, që disa herë hyri në Kosovë për këto qëllime, ishte grupi i Aziz Zhilivodës, i cili, për ironi, në vitin 1945 kishte luftuar kundër partizanëve të Enver Hoxhës në Drenicë. Aktiviteti i këtyre grupeve diversante, në fakt, përbën zanafillën e enverizmit në Kosovë. Pasi Zogu vdiq dhe dyshimet e Enver Hoxhës se Tito po gatuante një ndërhyrje në Shqipëri përmes Kosovës u zbehën në mendjen e tij, ai hoqi dorë nga aksionet diversante në Kosovë. Kur u prish me Bashkimin Sovjetik, Enver Hoxha nuk zgjodhi rrugën e hapjes me Perëndimin, siç kishte bërë Tito pas prishjes me Stalinin, por në vend të Perëndimit zgjodhi afrimin me Kinën e Mos Ce Dunit. Në vëllazërinë e re kinezo-shqiptare, nuk kishte vend për Kosovën. Në fillim të viteve shtatëdhjetë, kur tensionet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë kishin rënë shumë, filloi një periudhë e bashkëpunimit kulturor, nga e cila Kosova pati disa përfitime në fushën arsimore dhe kulturore. Tito llogariste të nxirrte përfitimet e tij politike nga ky bashkëpunim. Ai e dinte se Shqipëria ishte prapa Jugosllavisë në të gjitha pikëpamjet, sidomos në pikëpamjen ekonomike. Në këtë kontekst, Tito mendonte se kontaktet midis dy vendeve paraqisnin një mundësi të mirë që shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës, përmes vizitave të ndërsjella, të kuptonin dallimin e madh në zhvillim midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Kjo mund të prodhonte pakënaqësi në të dy anët : shqiptarët e Shqipërisë përmes vizitave në Jugosllavi do të shihnin se vendi i tyre nuk është parajsa për të cilën u flet papushim propagandana e Tiranës, ndërsa shqiptarët e Kosovës përmes vizitave në Shqipëri do të shihnin me sytë e tyre se ata jetojnë më mirë ekonomikisht se vëllezërit e tyre në Shqipëri.
Enver Hoxhës nuk ishte naiv në këtë drejtim. Ai e dinte rrezikun, prandaj nuk vonoi që këtë bashkëpunim kulturor, konventën e të cilit nuk e nënshkroi asnjëherë, ta fuste nën kontrollin e rreptë të sigurimit të shtetit dhe ta pakësonte në minimum.
Në vitin 1978 Enver Hoxha u prish edhe me Kinën komuniste. I mbetur pa aleatë seriozë në botë, atij i mbeti vetëm një rrugë : rikthimi në ideologjinë e nacionalizmit etnik shqiptar. Kjo e bëri Kosovën edhe njëherë të rëndësishme në strategjinë e tij politike, strategji e cila fokusohej parasegjithash në ruajtjen e pushtetit të tij personal. Pushtimi i Vietnamit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i Afganistanit nga Bashkimi Sovjetik, ia rizgjuan frikën se një fat i tillë po e priste edhe regjimin e tij. Në kundërpërgjigjje të kësaj frike, ai ndërmorri operacionin e bunkerizimit të vendit dhe politikën e zgjimit të ndjenjave nacionaliste tek shqiptarët jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Kosova u bë emri kryesor në këtë politikë. Historia e Kosovës, e cila ishte nënçmuar gjatë periudhës jugosllave, asaj sovjetike e kineze, përnjëherë u vu në epiqendër të propagandës shtetërore. Figurat historike të Kosovës, si Isa Boletini, Hasan Prishtina, Shotë Galica, e të tjerë, u shpallën heronj të Shqipërisë. Këto veprime në Kosovë u intepretuan si politikë e kujdesit të shtetit amë për pjesën e kombit të mbetur jashtë kufijve të tij. Si rezultat lindi dhe u rrit ajo që mund të quhet “kripto-enverizëm popullor” i shqiptarëve të Kosovës, me të cilin duhet të kuptojmë adhurimin jopublik të Enver Hoxhës dhe të Shqipërisë që drejtonte ai. Ky kripto-eneverizëm nuk mbeti thjesht në nivelin e adhurimit privat ose familjar. Shumë njerëz u përpoqën të shkojnë përtej tij, duke krijuar grupe ilegale, të cilat në veprimtarinë e tyre antijugosllave frymëzoheshin nga ideologjia enveriste. Shumë prej pjestarëve të këtyre grupeve përfunduan në burgjet jugosllave, shumë të tjerë u arratisën në shtetet perëndimore, ku rithemeluan grupet e tyre politike. Mes tyre grupi më i famshëm ishte padyshim Lëvizja Popullore e Kosovës ( LPK), nga e cila gjatë viteve ’90 doli Ushtria Çlirimtare e Kosovës( UÇK).
E tërë kjo histori mund të përmblidhet në pak fjalë : gjatë sundimit të tij Enver Hoxha e përdori Kosovën si instrument në funksion të ruajtjes së pushtetit të tij personal, ndërsa shqiptarët e Kosovës e përdorën mitin e tij për të zhvilluar rezistencën e tyre kundër regjimit jugosllav. Të dy palët në fund ia arritën qëllimeve të tyre : Enver Hoxha qëndroi në pushtet deri në frymën e fundit dhe shqiptarët e Kosovës ia dolën ta heqin qafesh përfundimisht sundimin jugosllav. Simbol i këtij përdorimi reciprok është kallashnikovi i Poliçanit, të cilin Enver Hoxha e prodhoi për të mbrojtur veten, por në fund u përdor nga shqiptarët e Kosovës për çlirimin e saj. Shumë herë në histori ka ndodhur që ideologjitë e gabuara janë përdorur për qëllime të mira, ashtu siç ka ndodhur që ideologjitë e mira janë përdorur për qëllime të këqija. Si në atë parimin “Yin dhe Yang” të filozofisë së lashtë kineze, i cili thotë se e mira dhe e keqja e mbështjellin njëra tjetrën.
LDK shënon 35 vjetorin e themelimit, Abdixhiku: Lidhja ka qe...
Gjendet pa shenja jete një person në Zubin Potok
Kurti nesër merr pjesë në përurimin e rrugëve Dragash-Brod d...
Përveç rezultateve negative, Manchester United i del një pro...
Simeone trajneri i muajit në La Liga
ShBA e shqetësuar që KQZ-ja nuk certifikoi Listën Serbe