Shkruan: Milazim Krasniqi
Francës e Gjermanisë po u duhet një zgjidhje e problemit të Kosovës pa njohje nga Serbia, në mënyrë që të kundërshtohen pretendimet ruse në Gjeorgji, në Moldavi e në Ukrainë për pavarësinë e rajoneve të shkëputura! Pra, këtu flen lepuri, shype, merrni vesh!
Sipas një deklarate të presidentit të Serbisë, Alekandër Vuçiqit, emisarët e Makronit dhe Sholcit ia kanë paraqitur tre arsye për urgjencën e marrëveshjes me Kosovën: 1) konflikti nuk është i dëshirueshëm, kur kemi luftën në Ukrainë, 2) marrëveshja do t’ia hiqte Putinit mundësinë që të manipulojë me çështjen e Kosovës dhe 3) perdja është ngritur nga Putini dhe tash do të shihet kush me kend është.
Nëse janë të vërteta këto tri pohime të Vuçiqit, atëherë mund të nxirren disa përfundime, lidhur me objektivat e reja franko-gjermane në konfliktin Serbi-Kosovë. E para, incidentet e korrikut në veriun e Kosovës, që faktikisht po vazhdojnë e pritet të shpërthejnë pas 31 tetorit 2022, kanë aktivizuar diplomacinë e BE-së, SHBA-së dhe të Francës e Gjermanisë, për të parandaluar një konflikt të ri në Evropë. Kësisoj i bie që konflikti potencial që pritet të shpërthejë për targat e të eskalojë edhe për problem të tjera, nuk është në interes në BE-së, SHBA-së, Francës e Gjermanisë, prandaj ata po përpiqen ta shuajnë e ta shmangin përfundimisht, me një marrëveshje të shpejtë. Në këtë kontekst, pra, mund të shtrohet pyetja: në interes të kujt janë incidentet dhe konflikti i ri në veriun e Kosovës? Nëse Kosova i ka interesat të harmonizuara me BE-në, SHBA-në, Francën e Gjermaninë, i bie që nuk është interes i Kosovës të ketë incidente e konflikte. E nëse është kështu, ndërsa nga ana tjetër është e ditur që qeveria e Kosovës ka bërë veprime që kanë nxitur incidentet dhe konfliktin, atëherë shtrohet pyetja tjetër: interesin e kujt e përfaqëson në këtë rast qeveria e Kosovës, duke dhënë pretekst për konflikt?
Një mundësi hipotetike mund të jetë që qeveria të jetë e inkurajuar nga shërbime intelegjente për ato veprime për t’i bërë presion Serbisë, lidhur me qëndrimin e saj prorus, por kjo nuk mund të konfirmohet në këtë faze. Vërtet, ka raste kur shërbimet intelegjente dhe diplomacia e shteteve të njëjta, nuk janë në të njëjtat valë, por në raste kur kriza rrezikon të pllaksoë shtetin tënd, duhet të ndiqet diplomacia,e jo rekomandimet e shërbimeve intelegjente. Ama, nëse nuk është as e sferës së intelegjencës, atëherë qeveria e Kosovës, me sforcimin e problemit të tabelave të veturave, ose punon me analiza të gabueshme, ose punon në dëm të interesave të vendit dhe të Perëndimit. Fatkeqësisht, mungesa e transparencës nga ana e qeverisë së Kosovës e vështirëson çdo lloj analize të veprimeve të saj. Duke na e lënë vetëm mundësinë që të mirremi me analizën e pasojave të veprimeve të saj, qeveria Kurti po dëshmon se është arrogante ndaj publikut, ose është jokompetente në procesin politik e diplomatik ose thjesht është qeveri aventuriere.
Pse? Nëse disa herë është argumentuar se interes i Putinit dhe i Rusisë është një konflikt i ri në veriun e Kosovës, ateherë është shqetësues obsesioni i Kurtit me qeverisë së tij me gjoja ligjshmërinë në veri, kur kjo tentativë po shpie drejt konfliktit. Ligjshmëria në atë rajon nuk mund të vendoset pa një marrëveshje politike të negocuar, sepse tash njëzet e tri vite atje mbretëron paligjshmëria. Qeveria Kuri nuk ka kurrfarë kapacitetesh për të vendsour ligjshmëri atje në mënyrë të njëanshme, sepse ajo tentativë do të përfundonte në konflikt të armatosur. Pra, në një përfundim për të cilin është i interesuar Putini dhe Rusia e tij! Për shkak të rrezikut direkt, kjo gjë duhet të thuhet qartë. Pra, loja me luftë në veri, e rrezikon ekzistencën e Kosovës, sepse në rast konflikti, veriu do të shkëputej. Pastaj vendbanimet serbe në brendi do të rebeloheshin e kriza do të merrte elemente të luftës civile.
LVV dhe Kurti e kanë një përvojë me lojën luftas, por kundër shqiptarëve, me gaz lotsjellës, me bomba mollotov e me sulm me zolla kundër Kuvendit, por ato janë lodra, në rast të ndonjë konflikti të armatosur me serbët e me Serbinë dhe Rusinë në prapavijë të konfliktit.
Në fund të fundit, shqiptarëve dhe Kosovës u duhet paqja, stabiliteti, zhvillimi e kurrsesi lufta. Bile edhe nëse qarqe të ndryshe e propozojnë, konflikti e lufta duhet të refuzohen kategorikisht. Ne edhe në paqe Kosova është duke na u zbrazë e lëre më po të ketë konflikte të armatosura!
E dyta, problemi i Kosovës shihet prej emisarit francez e atij gjerman, në dritën e zhvillimeve të fundit, ku Rusia manipulon me këtë çështje, e jo si një problem më i vjetër që duhet të marrë epilog në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe drejtësisë, në kuadër të mbylljes së procesit të shpërbërjes së ish federatës jugosllave. Kosova nuk ka pse lidhet as prej emisarëve Francës e Gjermanisë me taktikat dhe politikat e Putinit dhe të Rusisë. Thjesht, Kosova duhet të shihet në kuadër të mbylljes së procesit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, ku ajo ka qenë njësi federale dhe nga ai status e ka pasur të drejtën e shprehjes së vullnetit politik.
Janë pikërisht njerëzit e Evropës, në krye me francezin Badenter, që ia patën mohuar Kosovës atë të drejtë. Tash, kur Rusia po manipulon me çështjen e Kosovën, të cilën e patën dëmtuar pikërisht Bashkimi Evropian dhe komisioni Badenter, këta emisarë po duan të lajnë disi “mut me shurrë”, si thuhet. Pse? Sepse Francës e Gjermanisë po u duhet një zgjidhje e problemit të Kosovës pa njohje nga Serbia, në mënyrë që të kundërshtohen pretendimet ruse në Gjeorgji, në Moldavi e në Ukrainë për pavarësinë e rajoneve të shkëputura! Pra, këtu flen lepuri, shype, merrni vesh!
E treta, Franca dhe Gjermania e dinë fare mirë që Serbia është andej perdes, pra me Rusinë dhe nuk kanë pse shtiren sikur nuk e dinë kush me kend është. Serbia është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë dhe që nuk e ka ndërmend t’i vendos. Prandaj, pikërisht ky qëndrim i Serbisë duhet të jetë pikënisje dhe motiv për rritjen e presioneve kundër saj, me sanksione e me izolim konkret, në mënyrë që ta detyrojnë të kalojë këndej perdes, pra në anën e Perëndimit. Në atë rast edhe marrëveshja me Kosovën do të ishte më e lehtë, sepse Serbia do të çlirohej nga diktati i Putinit.
Por, Bashkimi Evropian e sigurisht në atë kuadër edhe Franca e Gjermania duan zgjidhje të pjesshme, ofrojnë zgjidhje të pjessshme. Ndërsa zgjidhjet e pjesshme janë në dëm të Kosovës e në favor të Serbisë. Në instancë të fundit edhe në favor të Rusisë. Pashmangshëm rezulton kështu, ngase Bashkimi Evropian vetë nuk e njeh Kosovën. (10 shtator 2022)
Liverpooli synon ta transferojë senzacionin e Brightonin kët...
MMPHI: Të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ne janë të kaluesh...
Kurti: Prokuroria ka intervistuar kryeministra edhe më herët...
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...
Edmond Lajqi pranon fajësinë për vrasjen e gruas: I kërkoj f...
Plagoset me thikë 50-vjeçari shqiptar në Athinë, 4 autorët l...