Nga: Fadil Maloku
Nëse, Edi Rama dhe sejmenët e tij, mendojnë se bashkimi kombëtar përcaktohet ekskluzivisht nga; turravrapi dhe stili “o rruk burra(!)”, tregtia (ala kanabis), leverdia (korruptive)ekonomike, interesi gjeostrategjik (autostrada: Nish /pa u përmendur fare, këtu Prishtina!/ Durrës), identiteti etnik (dominimi kulturor), patriotizmi për shtetin (një mit që në Kosovë po mundohet të amputohet dhunshëm), pasuritë nëntokësore (Trepça, Ujmani,etj), kultura dhe tradita e punës(që e degradoi ish sistemi socialist, me variantin; etatistë dhe vetëqeverisës), apo edhe nga feja (që s’ka asnjë opsion) mund të zhgënjehen shumë lehtë, ngase, përvojat identike (sidomos ajo gjermane) kanë identifikuar fakte të reja sociopolitike, që kanë të bëjnë kryesisht me institucionet inkluzive që (aktualisht janë në ngritje dhe afirmim e sipër, por, ende të pamjaftueshme për t’i hyre kësaj çështje) duhet t’i rindërtojnë elitat (e munguara) politike shqiptare, andej e këndej kufirit.
Por, paraprakisht, këto elita (akoma të munguara andej e këndej kufirit) do të duhej të shërbeheshin paraprakisht me ekspertizën e skanuar nga; elitat shkencore (jurist profesionist, ekonomist largpamës, diplomat karriere, sociolog të njohjes,…) , pra një garniturë e tërë nga inxhinieringu i teknokratëve, të cilët do parashtronin një milion pyetje në një përgjigje të vetme; Pse Edi Rama, nuk konsultoj askënd nga Kosova?
A shkoj, Edi Rama, në Beograd, me gjithë këtë përgatitje paraprake, apo mori rrugën me duar ne xhepa dhe “avokoj” për Kosovën dhe gjithë shqiptaret, ashtu siç e paraqiti makineria shtetërore, dhe tani sejmenët e Tij, në sytë e publikut gjithëshqiptar?
Përgjigjen, ia lë secilit lexues që me “kaçikun”e vetë ta gjykojë.
Ajo çka, unë mendoj ka të bëjë me përgatitjet, që është dashur Rama t’i bëjë, para se me u nis për në Beograd. E kjo nënkupton, që prapa kësaj odisejade, ta ketë edhe një; Projekt të përpunuar (nga ekspertet nga Shqipëria dhe Kosova), një agjendë më të vëmendshme (sociale, politike, ekonomike, e strategjike) me vete, apo të paktën një mendim, përvojë apo gjykim të njerëzve që dinë se si”frymon” Serbia dhe diplomacia e saj djallëzore!
Çfarë nënkupton një Projekt paraprak gjithëkombëtar (te cilin Edi Rama është dashur ta ketë nën sqetull në Beograd, e që i mungoi!), te dizajnuar nga gjitha kokat e dijes shqiptare, andej e këndej kufirit?
A pati nën sqetull Edi Rama, ndonjë Projekt (të paktën ideor?!) me veti në Beograd?
Projekti për mendimin tim, do të duhej të shtrihej në dy rrafshe:
A/Njërin, siç e quaj unë të brendshëm dhe që ka të bëjë me proceset, problemet, dilemat, sfidat dhe mënyrën se si ne së bashku me shtetin shqiptar, Shqipërinë duhet të sinkronizohemi në kuptimin e formimit të një qëndrimi të vetëm dhe unik në përballje me proceset tjera globale, e thënë më qartë proceset aktuale dhe në perspektivê (dez)integrative evropiane.
B/Rrafshi tjetër që kërkon padyshim një agjendë dhe përkushtim tjetërfare, edhe për faktin se kriteret dhe standardet nuk i caktojmë ne por institucionet në ngritje të BE-s.
Ndërkaq, çështja më e rëndësishme në gjithë këtë debat (që kujtoj në kohë dhe moment të duhur duhet të bëhet edhe publik), ka të bëjë me dilemën se;
1.A duhet ta shpejtojmë ritmin e proceseve në fjalë?
2.A janë pengesa serioze, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga ana pesë vendeve evropiane në këtë rrugëtim?
3.A kemi mjaftë kapacitete administrative për t’i përmbushur të gjitha obligimet dhe kriteret strikte teknike të parapara nga BE-ja?
4.A ka ide se si duhet të gjendemi në rast se ky projekt integrues dështon, cilat opsione dhe plane rezervë duhet t’i ketë në tavolinë Kosova?
5.A ka debat se duhet të hyjmë si Kosovë apo si të bashkuar (me Shqipërinë) në një shtet në BE?
6.Çka e pengon debatin e kësi sojit në nivel politikë, cilat janë ato pengesa lokale dhe sosh globale?
7.Çfarë kapacitetesh politike, ekonomike, sociale e kulturor duhet të ndërtohen në ndërkohë?
8.A ka përllogaritje se është më mirë të integrohemi ndaras si dy shtete apo si një shtet i vetëm unik në Ballkan?
9.Kush duhet t’u paraprijë këtyre proceseve të brendshme integruese midis dy shteteve aktuale?
10.A janë elitat politike, ato ekonomike apo ato kulturore, që duhet ta artikulojnë dhe bartin këtë proces?
11.Sa kohë merr i gjithë ky Projekt?
12.Çfarë kostoje ka i gjithë ky projekt i integrimit të brendshëm?
14.Në këtë rrugëtim të integrimit të brendshëm a ka dhe cilat janë ato sfida të cilat në bazë të një eksplorimi empirik mund të bëhen pengesa të pa kapërcyeshme në proceset tjera integruese evropiane?
15.Pastaj, cilat interesa lokale përputhen me interesat globale dhe si mund t’i materializojmë në nivel gjithëkombëtar këto interesa, në mënyrë që të mos përsëritet sindromi historik i ngecjes dhe anatemimit nga të tjerët?
16.Cilat potenciale ushtarake, duhet ta fuqizojnë idenë sigurisë dhe mbrojtjes së …
17.Me çfarë agjende: politike, ekonomike, ushtarake e kulturore duhet t’i joshim dhe afrojmë interesat e lidershipit botëror në këtë pjesë të Ballkanit?
18.A duhet të kemi edhe planin B-e, në rast të kontestimit të këtij Projekti (mbarë)kombëtar?…
19.Në rast se plani B dështon, cila është alternativa rezervë?
E një milion pyetje, çështje e dilema që lipsen të kenë përgjigje të duhur, në momentin e duhur dhe vendin e duhur, ne Projektin ideor, të cilin s’e kishte nën sqetull Edi Rama, e as një politikan andej dhe këndej kufirit…!
Pikëvështruar nga sa u parashtrua më sipër, zgjidhjet duhet të elaborohen në këto korniza:
Si e sheh Edi Rama bashkimin midis Shqiptarëve (si komb) të Shqipërisë dhe Shqiptarëve te Kosovës? Si dy shtete apo si dy kombe?
Duke u nisur nga një konstatim tipik sociologjik, se shoqëritë shqiptare (ani pse, të “rritura” ndaras në këto njëqind vitet e fundit!) andej e këndej kufirit në një mënyrë kanë filluar të bëhen pak a shumë “shoqëri lejuese”(permissive society), me faktin se, ndaras (shqiptarët e Shqipërisë nga ata të Kosovës) dhe në mënyrë konstante kanë pranuar, rindërtuar, thithur, dhe kultivuar vlera dhe norma socio-kulturore të sistemeve përkatëse socialiste, nuk nënkupton, se tashmë ato janë vënë para dilemës “hamletiane”, se nëse duhet secili entitet etnik, por edhe kulturor të kultivoj veçantitë e reja globalizuese, tëcilat në fakt parapërgatitën situata dhe fakte të reja për një komb te ri!
Sintagma e “shoqërisë lejuese”, këtu përdoret, jo për të krahasuar formën e këtij ndryshimi, por për të ilustruar mënyrën specifike të zhvillimit të këtij procesi dhe kësaj dukurie sociale në shoqërinë gjithëshqiptare. Ngaqë, ani pse, rrethanat mentaliteti, etnopsikologjia dhe kultura sociale e sidomos kultura, u zhvilluan, rindërtuan ne rrethana dhe sisteme pak a shume dalluese ideologjike, prapë se prapë, s’kemi argumente të fuqishme shkencore sociologjike që na orientojnë nëdrejtim të krijimit te argumenteve te mjaftueshme sociologjike për “kombin kosovar”
Ky proces i deklinimit nga sjellja normuese e trashëguar dhe shekullore, e shqiptareve te Kosovës nga identiteti kombëtar, duket edhe me tej s’mund të vetëmjaftoj as si brumë fillestar për të filluar krijimin e një “kombi kosovar”.
Ja arsyet:
Sepse, argumenti i ndarjes se padrejte qindra vjeçar (1913, aneksimi i dhunshëm nga ana e Serbisë) gjatë “periudhave okupuese” (postotomane e postsocialiste) e as “patriotizmi kushtetues”, nuk janë argumente të qëndrueshme dhe tëmjaftueshme, për ta dizajnuar kornizën e një kombi të ri të vetëemëruar si “komb kosovar”!?
Kur është në pyetje tipizimi përmes grykës së teorisë së permisivitetit, duhet të ndalemi dhe të gjykojmë, patjetër me logjikën e përvojës dhe memories sonë historike, ngase, kështu kuptojmë se dallimet sipërfaqësore, në esencë të pamjaftueshme për t’u krijuar ky farë “kombi kosovar”!!?
Anipse, ithtarët e tij, pretendojnë qe konditat për ketë komb te ri, u “rindërtuan” gjatë emalimit në socializmin vetëqeverisës dhe atë stalinist, s’bashku me bashkëjetesën e kujtesës se brumosur në: mitet, territorin, gjuhën, historinë, kulturën, etnopsikologjinë, mentalitetin,…etj.
Realistët, teorinë e procesit te permisivitetit, mund ta shohin si diçka të mirë dhe pozitive, sepse, ajo e shpejtoj realisht një tjetër proces, pra, atë të vetënjohjes (te ne kosovarët p.sh.) për rrënjët, etnopsikologjine, mentalitetin, gjuhen, por, pse jo edhe “patriotizmin kushtetues”. Në anën tjetër, moralo-tradicionalistët (në fakt, nacionalistët, e turbonacionalistët), këtë fenomen mund ta perceptojnë dhe përjetojnë si diçka që sjellë rreziqe dhe arratisje hipotetike nga identiteti kombëtar, pastaj kokëçarje me shtetin ame, si edhe një lloj identifikim të tepruar me vlerat dhe trendi aktual që po futët nga të gjitha anët, duke rrezikuar kështu identitetin e shqiptarëve, andej e këndej kufirit…!
Andaj dilema kosovar, apo shqiptar është dilemë vetëm hipotetike, që disa njerez po mundohen ta favorizojnë si dilemë dhe kërcënim identitar…!
Shqiptarët, ishin, janë dhe do mbetën vetëm shqiptarë!
Arabia Saudite do të investojë 500 miliardë dollarë në turiz...
Çështjet ligjore ndaj Presidentit të zgjedhur Donald Trump, ...
SPAK sekuestron dy vilat në pronësi të Monika Kryemadhit dhe...
Policia patrullon në veri, me fokus në sigurinë e trafikut r...
Gresa, Anisës: Erdhe furishëm, pas një dite e lëshove bajrak...
Nesër Kuvendi mban dy seanca plenare