Më 8 dhjetor 1990, tridhjetë vjet më parë, në Tiranë shpërthyen protestat studentore (e njohur më vonë si “Lëvizja studentore e dhjetorit”), të cilat zgjatën deri më 12 dhjetor dhe nxorën si rezultat rënien e diktaturës dhe rikthimin e pluralizmit politik në Shqipëri. Në Kosovë kishte mendime të ndryshme dhe ndjenja të përziera rreth këtyre zhvillimeve, por ne në Lidhjen Demokratike të Kosovës e mbështetëm fuqishëm lëvizjen studentore dhe demokratizimin e Shqipërisë. E di gjithashtu se në Tiranë shumë më mirë kaluan ata kosovarë që mbajtën qëndrim “të rezervuar” ndaj këtyre ndryshimeve, ata që njohën “vlerat” e trashëgimisë enveriste, që nuk u entuziazmuan me lëvizjen demokratike dhe që më 1997 mbështetën “revolucionin demokratik” të “tre gishtërinjve”. Që atëherë mund të them se kishte një moskuptim mes Kosovës dhe Shqipërisë, jo nga ato moskuptimet historike dhe të përvojave të gjata dhe tragjike të ndarjes, por më shumë një si ndarje botëkuptimore, e cila konsistonte në të kuptuarit të realiteteve të ndryshme të të dy vendeve: idealistët e Shqipërisë e kishin prioritet demokratizimin, t’i jepej fund makthit të tmerrshëm të diktaturës, më pas të përfshiheshin në lëvizjen politike, e cila do t’i çonte në pushtet; idealistët e Kosovës duhej të zhvillonin dy beteja paralele, njërën më të rëndë së tjetrën: të luftonin për çlirimin e Kosovës dhe të hiqnin qafe trashëgiminë komuniste, të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë njëkohësisht. Pushteti mund të ishte ëndërr e largët, ose improvizim, si në rastin e LDK-së. Si demokratizimi i Shqipërisë, ashtu edhe çlirimi i Kosovës, për të dyja palët, në ato vitet e fillimit, do të dalë i pakuptueshëm dhe jashtëzakonisht konfuz, në shumë raste. Vetëm se, atëbotë, si në Kosovë si në Shqipëri, kishte shumë besim dhe entuziazëm, të cilin e shpërdoruan në mënyrën më të ulët klasat politike të të dy vendeve.
Por kjo i takon historisë, e cila zgjati plot 30 vjet shpresë dhe zhgënjim, deri natën e 8 dhjetorit 2020, kur në Tiranë vritet Klodian Rasha 25-vjeçar, që mund të jetë një rast për ta kapur për gryke njëri-tjetrin, për ta shkundur dhe për ta pyetur: Ore, çfarë bëjmë ne?! Por, përpara se të merremi me zhgënjimet tona të reja dhe të vjetra; para se t’ia bëjmë më dije prapësitë njëri-tjetrit, duhet të themi se një projeksion historik i zhvillimeve politike në Ballkan i nxjerr shqiptarët popull me avantazhe të mëdha: në fillim të shekullit XXI ata arritën të bënin dy shtete, Shqipërinë dhe Kosovën, dhe të participojnë në mbajtjen e dy shteteve të tjera, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Kjo nuk është ëndërr, ky është projeksion fatlum historik, por kur këtë ta përthyesh nëpër marrëzitë tona, është edhe fatalitet, gjithashtu.
Veçse, këtu ku mbaron historia, aty fillon nevoja për t’i thënë qashtër të gjitha gjërat. Unë duhet t’iu them miqve të mi në Tiranë, gazetarë, analistë, shkrimtarë, akademikë, pedagogë universitetesh, intelektualë të të gjitha profileve, se kjo që ndodhi së fundi në Tiranë ishte e pritshme, se ishte një vrasje e paralajmëruar, se ajo do të ndodhte sot ose nesër, se edhe tani reagimi i tyre për këtë ngjarje është shumë i vakët, është konfuz, në të vërtetë nuk është asfare, është një strukje në mjegullën e ndërgjegjes, sikur ta kenë humbur busullën morale, sepse ata, miqtë e mi të Tiranës (njësoj si unë për zhvillimet në Prishtinë) mbajnë përgjegjësi për vrasjen e atij djali të ri, ngase ata e kanë ditur, ose është dashur ta dinë, se një autokraci çfarë sundon që disa vjet në Shqipëri, se nëpërkëmbja permanente e dinjitetit të njeriut, se bjerrja e shpresës, se dhuna mbi fjalën e lirë, se maniakizmi i hapur i “papës së zi”, “bosit të errësirës”, quajeni si të doni, të cilin ata e duartrokasin, se pushteti i shpërdorur i oligarkëve, se një gjyqësor i korruptuar etj., do të sjellë doemos një pasojë dhe se, në fund të ditës, një policie të politizuar i mbetet vetëm të tërheq këmbëzën dhe të vrasë qytetarin e pafajshëm, kushdo që të jetë ai, i ri apo i moshuar, sapo t’i vijë radha. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ndërkohë, ata e dinë, gjithashtu, se këta të rinj që protestojnë rrugëve dhe shesheve të qyteteve të Shqipërisë dhe që i bezdisin me vandalizmin e tyre, janë “mohikanët e fundit”, të cilët përpiqen të ndryshojnë diçka në atë vend, teksa që nesër, pasi të torturohen nëpër komisariate, pasi të futen në evidencat e policisë së rendit dhe të policisë së fshehtë, do të shantazhohen, do t’iu bëhet jeta e pamundur dhe, me ndihmën e pakursyer të baballarëve të tyre, do të bëhen kontingjent i parapërgatitur për të ikur nga vendi, nga sytë këmbët, si qindra e mijëra të tjerë para tyre.
Por tani më duhet ta pranoj, se humbjen e shpresës e kemi të përbashkët, Kosova dhe Shqipëria, se Shqipërisë iu deshën 30 vjet “për ta prekur fundin”, kurse Kosovës më pak, 20 vjet, për të parë se zhgënjimi është rruga më e shkurtër për në askund. Nuk e kam të qartë, nëse është mallkim i racës ose mësim i përbashkët nga “e shkuara heroike”, por edhe Kosova, me mënyrën si instaloi në pushtet klasën e saj politike dhe të oligarkëve, ca maskarenj analfabetë dhe plëngprishës, pa asnjë vlerë morale dhe njerëzore, me bëmat e saj të dhjetë viteve të fundit dhe me ndihmën e pakursyer të Shqipërisë dhe të Serbisë, për pak iu shqyen hartat para syve, për pak u shkatërrua integriteti i saj territorial, për pak u fundos shteti dhe për pak u zhbë ideali i saj i lirisë dhe i pavarësisë. Kryeministri i Shqipërisë dy gjëra i bëri më mirë se çdokush tjetër: ndihmoi Serbinë të fuqizonte planin e Çubriloviqit dhe të Qosiqit për ndarjen e Kosovës dhe së fundi, me trysninë e përbashkët po me Serbinë, bëri që Kosova të pranojë kokulur “mini-Shengenin ballkanik”, atë që Kosova, disa vjet më parë, po nën udhëheqjen e LDK-së, kishte bërë një nga veprimet e saj më të mençura: në kuadër të “Procesit të Berlinit” nuk kishte pranuar që Ballkani Perëndimor të integrohej nën protektoratin ekonomik të Serbisë.
Nuk është vetëm ky zhvillim, që e bëri Kosovën vend të shpresave të humbura, njësoj si Shqipërinë. U deshën njëzet vjet “punë intensive” e klasës sonë politike, që çdo gjë të humbë rëndësinë dhe vlerën: shteti, pavarësia, njohjet ndërkombëtare, liberalizimi i vizave, diplomacia, privatizimi, ekonomia, arsimi, rendi, të gjitha u bënë pluhur e hi, pa asnjë shpresë se mund të riktheheshin ndonjëherë në vendin e vet. Njerëzit e zhgënjyer i sheh gjithkund; tashmë ata e kanë të pamundur të bëjnë jetë të dinjitetshme në Kosovë: nëse je vrojtues i vëmendshëm, duhet të mbyllësh njërin sy, që të mos shohësh krejt çfarë ndodh në praninë tënde; nëse je gazetar ose analist, duhet të shitesh dhe blihesh njëqind herë, që të mbrosh interesa joparimore të injorantëve; nëse je mësues, duhet të betohesh në Zot të mos e mësosh fëmijën tënd, siç i mëson të tjerët; nëse je profesor, duhet të bëhesh shkatërrues i sistemit arsimor dhe i vlerave intelektuale; nëse je biznesmen, duhet të futesh në spiralen e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, ndryshe nuk ke të ardhme. Por, mbi të gjitha, ishte Gjykata Speciale, e fundit në këtë radhë zhvillimesh negative, që ia humbi Kosovës busullën morale, ia humbi pikat e orientimit në kohë dhe hapësirë.
Derisa “ushtarët besnikë të partisë” filluan të shëtisnin poshtë e lart, për të “rekrutuar” nëpër Kosovë mbështetës për “kauzën e çlirimtarëve”, Shqipëria, ndoshta pas një kohe shumë të gjatë, u bë patericë e Kosovës në këtë kauzë politike, duke plotësuar një kuadër formal të mbështetjes: bëri deklarata në medie, shkroi tekste sipas rastit dhe nevojës, ose sipas porosisë, pra njëjtë si Kosova, asnjëra palë pa u përpjekur të kuptojnë se Gjykata Speciale ishte rrjedhojë logjike e zhvillimeve politike të njëzet viteve të fundit në Kosovë dhe në mileun shqiptar. Unë e kam thënë edhe një herë tjetër: Gjykata Speciale është e padrejtë, sepse shqiptarët në luftën e viteve 1998-99 ishin viktima dhe se ajo, në një mënyrë shumë të shëmtuar, arriti të deformojë narracionin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të luftës për liri të një populli, madje të të gjitha luftërave për liri në çdo cep të globit. Dhe e bëri këtë në një mënyrë krejt të përmbysur: memorizoi bëmat kriminale të çlirimtarëve gjatë njëzet viteve të fundit dhe me këtë perceptim, me këtë këndvështrim, iu vërsul Kosovës për krimet e luftës të ndodhura njëzet vjet më parë. Kjo është e njëjta gjë, njësoj, sikundër që krimet e Serbisë dhe klasa e saj politike e pareformuar u amnistuan jo duke u mbështetur në gjendjen dhe zhvillimet reale të asaj kohe, por duke e perceptuar situatën në raport me interesat aktuale të Perëndimit, për të larguar Serbinë nga ndikimi rus. Një diskurs i këtillë e bën Gjykatën Speciale krejtësisht johistorike, por vetëm një instrument politik për të pacifizuar Ballkanin. Më anë tjetër, në reagimet e shumta folklorike kundër Gjykatës Speciale harrohet se ajo u themelua nga një parlament demokratik dhe se ata që u bënë viktimë e saj, ishin vendimmarrës të plotfuqishëm. Se cilët ishin kalkulimet e tyre, mund ta dinë pak njerëz, por që ndonjëri syresh të kërkojë të lirohet nga paraburgimi, duke ofruar si mundësi banimi “një vend jo fqinj të Kosovës”, është një cen i paprecedent i integritetit moral. Po të mos e kisha parë vetë të shkruar, nuk do ta kisha besuar se mund të ndodhte.
Tani Kosova dhe Shqipëria përpëliten në krizë politike dhe në krizën e sëmundjes e të vdekjes nga pandemia. Derisa shkruaj këtë tekst, mediet e Shqipërisë njoftojnë se policia në Tiranë rrethon kryeministrinë, ndërkaq analistët në Prishtinë, bashkë me vetë liderët politikë, bëjnë llogari mbi llogaritë, si mund ta zgjedhin presidentin duke evituar zgjedhjet, sepse nuk duan që së paku në tri vitet e ardhshëm ta qeverisin Kosovën sipas vullnetit të votuesve, por me ata që manipulojnë opinionin dhe vullnetin demokratik. Ndërkohë, pandemia ka një përhapje të frikshme në Kosovë dhe në Shqipëri dhe, nëse i lidh diçka këta dy vende në këtë situatë të rëndë, është numri i pasaktë i të infektuarve nga virusi, sepse statistikave të tyre nuk ka si t’u besojë njeri: ishin po këto qeveri që gati dhjetë vjet më parë gënjyen veten dhe botën për numrin e popullsisë në Kosovë dhe në Shqipëri, që ta përdornin kurdo që t’iu hyjë në punë pushtetarëve, në mënyrë që të dalë se sukseset e tyre janë me shifra më të larta, si në ekonomi, punësim, në bruto prodhimin, në infrastrukturë, në arsim, kudo. Ta besoni, më herët këtë veprim të shëmtuar të zvogëlimit të numrit të shqiptarëve e bënin ata që donin të na zhduknin nga faqja e dheut, këtë e dimë të gjithë, kurse tani na e bëjnë shtetet tona, para syve tanë dhe ne, të pafuqishëm, bëhemi viktima edhe të shifrave të tyre të gënjeshtërta: sëmuremi dhe vdesim sipas statistikave të tyre të rrejshme!
(Autori është kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe qëndrimet e shprehura në këtë shkrim janë të tij, nuk përfaqësojnë institucionin.)
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...