Google ADS

Duke e paraqitur Gjermaninë si dominuese, Vuçiq e ofendon Francën

09:45 | 28 Korrik 2020
Arbresh.info

Aleksandar Vuçiq i është future telasheve dhe ka dëshmuar se i frikësohet çiftit franko-gjerman, të cilët po merren më intensivisht me çështjen e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Shkruan: Besfort Rrecaj

Në një intervistë për për mediat në Serbi, duke dashur ta shpjegojë pozitën gjoja të vështirë të Serbisë dhe për të fituar simpati në sytë e disa personave, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, thotë se pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE “de facto nuk ka balancë të fuqive brenda BE-së. Njerëzit flasin rrallë për këtë. Sot ekziston vetëm një fuqi e madhe në BE, dhe ajo është Gjermania.”

Ai vazhdon me një ton paternalizues për presidentin Macron, të cilin kujdeset ta quajë “kompetent dhe ambicioz”, por thotë se “Franca nuk mund ta mbajë atë balancë për shkak të rrethanave ekonomike. Pa marë parasysh se kush çka thotë, brenda BE-së nuk ka më balancë. Të gjithë varen nga Gjermania. Kur Britania e Madhe ishte aty, që ushtarakisht dhe ekonomikisht është më e fortë se Gjermania, Gjermania e kishte fuqinë e dytë në Evropë, ajo ishte balanca e duhur.”

Duke tentuar ta projektojë veten në rangun e fuqive të mëdha, Vuçiq e harron jo vetëm fuqinë e vet, por edhe faktet: ekonomia e Britanisë së Madhe është më e vogël se ajo e Gjermanisë dhe ajo është ekuivalente me atë të Francës. Duke e paraqitur Gjermaninë si dominuese, Vuçiq e ofendon Francën.

Këto vallëzime gjeopolitike jo aq delilate nga Vuçiqi nuk po i garantojnë aq siguri politike në afat të mesëm. Në fillim të pandemisë covid-19 ai kishte irituar shumë kryeqytete evropiane kur kishte deklaruar se ndihma nga BE ishte “një përrallë në letër” dhe se kinezët janë vëllezërit e Serbisë.

Ndoshta i inspiruar nga Tito, Vuçiq tenton të replikojë mësime gjeopolitike, por situata aktuale nuk lejon paralele me atë të periudhës së Luftës së Ftohtë. Nëse ka ndonjë paralele, ajo do të ishte si vijon: një Tito i asaj kohe që tenton të hyjë edhe në NATO e edhe në Pakt të Varshavës e jo as në njërën e as në tjetrën.

Dhe këtë e ka të qartë presidenti serb, andaj është në periudhë paniku, por si duket jo vetëm për zhvillimet jashtë por edhe ato brenda. Në të njëjtën intervistë, Vuçiq ankohet se si njerëz që i ka ndihmuar tash nuk i janë më “lojalë”. Ai ankohet se “lojaliteti është gati inekzistent dhe mirënjohja që jeton shkurt”. Siç duket, pas fitores në zgjedhjet e përgjithshme në Serbi, ku e ngulfati opozitën politike, siç ka bërë me mediat e lira më herët, synim i tij është edhe gjyetia e atyre që nuk i janë besnikë atij personalisht brenda vet partisë e shtetit.

Ka plot ngjashmëri ndërmjet sjelljes së tij dhe asaj tipike të udhëheqësve mafiozë, të cilët kërkojnë lojalitet personal. Si për ironi, disa prej mafiozëve kryesorë në Serbi shoqërohen mjaft haptas me djalin e Vuçiqit. Shteti i sotëm serb është një bashkjetesë e lumtur ndërmjet grupeve mafioze dhe pushtetarëve të korruptuar e nacionalistë, shumë prej tyre të përfshirë në krime lufte gjatë luftërave të ish-Jugosllavisë.

Në mënyrë që kjo bashkëjetesë të jetë sa më e gjatë, Vuçiq shpreson që jashtë Serbisë të shihet si lider i përmasave botërore. Por të vetmën gjë që e arrin është t’i futet telasheve dhe dëshmon që ai i frikësohet çiftit franko-gjerman. Për një shtet që aspiron anëtarësim në BE, kjo paraqet sfidë fundamentale.

(Autori është Prof. Ass. Dr. Besfort Rrecaj)

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme